A dimë ta shprehim si duhet përmes fjalëve dhimbjen e vdekjes? Si ta respektojmë atë, po përmes fjalëve? A përdorim gjithmonë shprehjet e duhura? Mos vallë me hiperbolizimin e dhimbjes hiperbolizojmë edhe personin, apo e kundërta? Si t’i ngushëllojmë të afërmit? A ekziston kultura e duhur gjuhësore ndër ne në një rast të tillë? Shpesh vdekja e njerëzve të dashur na lë pa fjalë.

Ajo e bën shumë të vështirë gjetjen e fjalëve të duhura për gjithë çka shpirti ndjen. Vdekja lë një ndjesi të tillë zbrazëtie, që fjalët nuk e mbushin kurrë deri në fund. Ne përpiqemi të frymëtojmë gjendjen tonë emocionale dhe ndjesore dhe ta harmonizojmë atë me ngjarjen reale.

Këtë e bëjmë përmes fjalëve që shprehin dhimbjen. Edhe pse shumicën e rasteve ato dëshmojnë karakter psiko-shoqëror, për nga mënyra e përdorimit të tyre nga çdo individ, kuptojmë jo vetëm sistemin personal emocional në lidhje me vdekjen e një personi të caktuar, por edhe atë të mendimit, pasi gjithkush ka bërë rrugëtimin e tij të njohjes me personin e humbur, ndaj edhe gjuha e përdorur duhet të jetë personalizuese.

Ndryshe nga ajo çka trashëgojmë nga fjalori i dokeve mortore (apo edhe nga vajet e gjamatoreve dhe vajtojcave), ne sot dëshirojmë t’i shprehim ngushëllimet tona pa rënë në klishe. Kjo duhet bërë përmes përzgjedhjes sa më të përshtatshme të fjalëve, që ato të tingëllojnë të besueshme. Për njerëzit e afërt është jashtëzakonisht e dobishme të dinë se mund të bashkëndajnë dhimbjen e tyre.

Ne duam me ngushëllimet tona të kontribuojnë që të afërmit, miqtë apo ato të tjerët ta ndjejnë dhimbjen tonë, dhe t’ua lehtësojmë atë atyre. Këtë duhet ta bëjmë me fjalë të dhembshura që dalim më parë nga zemra. Përdorimi i shprehjeve të tilla si: "Jeta vazhdon" (si një e vërtetë që s’ka nevojë të artikulohet), jo vetëm që është i papranueshëm për personat që mbajnë zi, por as nuk e ndihmon lehtësimin e pikëllimit, aq më pak i ngushëllon ata.

Ngushëllimi mund të bëhet me gojë ose me shkrim. Me gojë: gjatë homazheve para funeralit; te fjalimet e lamtumirës, njohur si fjalimet e përmortshme; apo ngushëllimet e vizitave pas funeralit. Në këto raste duhet të përdoren fjalë të thjeshta dhe të ndjera realisht, të artikuluara në fjali sa më të shkurtra, që ndajnë ndjesi të ngjashme me njerëzit që mbajnë zi.

Shprehja e hidhërimit me shkrim bëhet në një lajmërim vdekjeje, telegram apo letër ngushëllimi, në nekrologji, në disa raste në libër ngushëllimi, por edhe në gazeta apo mjete shtypi, ku, përveç kujdesit për fjali me kuptim të drejtpërdrejtë, në këto rastet e fundit mund të tolerohen edhe përzgjedhje të kujdesshme nga thënie, citate të stilizuara apo edhe vargje të shkëputura nga poetë të mirënjohur.

Nëse i shprehim ngushëllimet me shkrim në një letër ngushëllimi të postuar, të dërguar me e-mail, të botuar apo të publikuar në në rrjetet sociale, edhe pse s’ka asnjë strukturë detyruese përmbajtësore të dhënë në formë përfundimtare, mirë do të ishte të respektohej një e tillë dhe të fillohej shkrimi, së pari, me mënyrën se si kemi mësuar për lajmin e humbjes, me përshkimin shkurt të ndjesive të tronditjes dhe dhimbjes për marrjen e këtij lajmi:

“Nuk mund ta besoj se...; “Më hidhërim të thellë…; Me keqardhje të madhe mësova...; Pikëllimi i madh më pushtoi sapo...” etj. Fjalët më shumë të përdoruara këtu janë: “keqardhje”, “hidhërim”, “pikëllim”, “trishtim”, “dhimbje”, “lot”, “humbje”. Në këtë fazë të artikulimit me shkrim duhet të shmanget sa më shumë të jetë e mundur përdorimi i vetë fjalës “vdekje”.

Më pas, shkrimi mund të vazhdojë me atë çka vlerësohet më tepër te personi që ka humbur jetën, me shprehjen e simpatisë së thellë dhe nderimit ndaj tij; me kujtime të veçanta individualizuese (apo tipizuese në raste personash publikë), si edhe sa i rëndësishëm ishte ai person për jetën tonë apo të vendit të tij. Këtu bien në sy përdorimet e shpeshta të mbiemrave (shpesh edhe hiperbolizues): i nderuar, i paharruar, i dashur, i jashtëzakonshëm, i shkëlqyer, i pazëvendësueshëm etj. Kjo është edhe pjesa më emocionale e shkrimit.

Në përmbyllje të shkrimit nuk duhet të harrojmë të shprehin bashkëdhimbjen me njerëzit e afërm dhe ofrimin e ndihmës për ta përmes pranisë sonë dhe të mendimeve tona, si edhe premtimin për të mbajtur gjithmonë të gjallë kujtimin e personit që kemi humbur. Në këtë pjesë të shkrimit përdoren fjalë shpesh të mistifikuara apo edhe nga fjalori religjioz: “prehje”, “engjëll”, “qiell”, “parajsë”, “paqe”, “Zot” etj.. Këtu duhet të përqendrohet edhe vëmendja më e madhe e një shkrimi, pasi dhembshuria, ndihma, mbështetja dhe premtimi i shprehur me fjalë janë shtylla të rëndësishme afrimi mes njerëzve të trishtuar pas një humbjeje të madhe.

Ndarja nga jeta e Sokol Olldashit dhe keqardhja fjalësore në rrjetet sociale tregoi se (përveç disa kumteve mbresëlënëse të emocionit dhe mendimit, të shprehura nga miq, të afërm dhe kolegë të tij), në shumicën e rasteve ne nuk kemi sa duhet kulturë gjuhësore, për të artikuluar me shkrim dhimbjen që sjell vdekja.

Sigurisht që nuk ka rregulla për fjalët e zemrës, por njohja e kuptimit dhe valencave të ndryshme të fjalëve duhet të na bëjë të përgjegjshëm për t’i përdorur ato si duhet. Leksiku i dhimbjes që sjell vdekja është pasuri e arkivit shpirtëror të gjuhës. Çfarë ra dukshëm në sy? Kishte shkrime kaotike për nga struktura, por edhe nga kuptimësia. Kjo jo vetëm në shkrimet e gjata, por edhe në modele komunikimi lehtësisht të përdorshme në situata të tilla, që zakonisht japin siguri.

Në asnjë kuptim sinonimik gjatë shprehjes së dhimbjes nuk mund të bëhen bashkë forma dëshirore e foljes “pres” me atë të foljes “prehem”. E para ndodh të jetë pjesë kuptimore e një mallkimi: “T’u prefshin ditët!” E dyta, pjesë e një urimi: “U prehsh në paqe!”. Dallimin e dëshirës për jetën e përtejme nga vdekja gjuha shqipe e bën mirë, ndërsa përdoruesit e saj ende jo.

Anrila Spahija/filologe, Botimet Parlamentare
SHEKULLI