Lungomare, nis shembja e shtëpive, INUK konflikt me banorët
Nga Redaktor {03/06/2014}
UntitledBanorët e rreth 13 objekteve banimi në Vlorë kanë dalë dje të detyruar nga shtëpitë e tyre vetëm pas 48 orësh që ishin lajmëruar se ato do të prisheshin. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka nisur të hënën prishjen e objekteve që preken nga ndërtimi i shëtitores së re të madhe në Vlorë. Pronarët e objekteve kundërshtuan me forcë njësitë e INUK-ut dhe është dashur ndërhyrja e policisë së Vlorës dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për të qetësuar situatën dhe për t’i hapur rrugë prishjes së shtëpive. Tensioni mes banorëve dhe forcave të INUK-ut u krijua gjatë orëve të mëngjesit, pasi banorët kundërshtuan prishjet e shtëpive me pretendimin se nuk ishin lajmëruar dhe se nuk u ishte premtuar në mënyrë ligjore kompensimi për pronën e tyre.
Banorët janë shprehur për mediat se janë të paqartë për dëmshpërblimet që duhet të marrin nga qeveria dhe se kanë mbetur në rrugë të madhe pas nxjerrjes nga shtëpitë e tyre. Gjithashtu, ata pretendojnë se shtëpitë e tyre janë me leje të rregullta, disa prej tyre janë ndërtuar 80 deri 90 vjet më parë.
“Kam 48 vjet që banoj në këtë shtëpi dhe ata më vijnë të shtunën e më thonë nxirr plaçkat se të hënën do të prishet. Asnjë dokument s’më dhanë pse prishet shtëpia. Tani ku do të shkojmë ne? Jemi dy pleq, të sëmurë, ku do vemi?” – thotë njëri nga banorët e dëbuar dje për mediat.
Një tjetër banor thotë se është detyruar të lërë shtëpinë pa asnjë lajmërim, ndërsa një tjetër thotë se ishte interesuar më parë dhe i kishin thënë që shtëpia e tij nuk prekej nga ndërtimi i shëtitores së re, ndërsa tani ka mbetur në qiell të hapur.
“Shtëpia ime u ndërtua që më 1950-ën. Erdhën e na njoftuan të shtunën në orën 11 të nxjerrim plaçkat nga shtëpia, pa asnjë dokument e pa asnjë gjë. Sipas njoftimit në gazetë, do të marrim 24 milionë lekë të vjetra, por vetë nuk na kanë thënë. Nuk kam ku të vetë, çfarë, të bëj vetëvrasje?! Është turp! Nuk kam ku shkoj. Kam dy fëmijë, që edhe ata me familjet e tyre jetojnë në shtëpi të kohës së Enverit, një dhomë e kuzhinë”, – thotë një tjetër banor.
Banorët pretendojnë se kanë dokumentacion të rregullt për banesat e tyre, duke protestuar për mënyrën sesi i trajtoi shtetit. Ata kërkojnë që procedura e shpronësimit duhej të kishte nisur më parë se të niste shembja. Disave u ka dalë emri në gazetë si persona që do të dëmshpërblehen, por ata nuk kanë besim, madje shprehen pesimistë për procedurat e gjata burokratike për t’i marrë. Momentalisht ata janë të pastrehë dhe u duhet të strehohen tek të afërmit.
Të gjitha ndërtimet e prishura dje ndodhen jo në anën e bregdetit, por mbi rrugë.
http://mapo.al/2014/06/lungomare-nis...flikt-banoret/
Krijoni Kontakt