
Postuar më parë nga
Albo
Pallati në Vlorë, avokatët padisin INUK, lejohen të hyjnë banorët
Nga: ENRIK MEHMETI
VLORE-Pas tre ditësh bllokim policia ka lejuar ditën e sotme futjen e banorëve në pallatin me leje të bllokuar në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Sipas informacioneve të mara në pallat lejohen të futen vetëm banorët që kanë blerë hyrje dhe jetojnë në të. Policia vazhdon të jetë e pranishme në hyrje të godinës. Ndërsa INUK, bën me dije se po vazhdon verifikimi i dokumentacionit.
Pronarët e kompleksit “Jon” kallëzojnë në prokurori Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Dje në mesditë avokati Maksim Haxhia, i cili disponon prokurën për të përfaqësuar pronarët e pallatit, por edhe banorët ka depozituar një padi në prokurori kundrejt INUK. Në një prononcim për “Gazetën Shqiptare”, Haxhia ka deklaruar se INUK ka shpërdoruar detyrën duke bllokuar pallatin që ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë. “Kemi depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Vlorës për shpërdorimin e detyrës të kryer nga ana e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, i cili në mënyrë të padrejtë ka vendosur shiritin në pallat, duke i shkaktuar kështu një dëm jo vetëm pronarëve të pallatit, por edhe banorëve që jetojnë aty”, ka deklaruar avokati Maksim Haxhia. Ai shprehet se tashmë janë në pritje të vendimit të gjykatës, pas hedhjes së shortit për caktimin e gjyqtarit të çështjes. Haxhia bën të ditur se nuk ka pasur asnjë kontakt me drejtuesit e Inspektoratit Ndërtimor, të cilët bllokuan objektin. Në sajë të dokumentacionit që disponojnë pronarët dhe banorët e pallatit, lejen e ndërtimit, certifikata pronësie etj., avokati Haxhia shprehet se jo vetëm që bllokimi do të hiqet, por duke qenë se ka pasur shkelje nga ana e INUK, do të ketë edhe sanksione për ta.
SHKELJET
Përfaqësuesit ligjorë të pronarëve kanë deklaruar se në kontaktin që kanë pasur me policinë, këta të fundit nuk kanë paraqitur asnjë urdhër me shkrim apo vendim duke u shprehur se kanë urdhër me gojë, gjë e cila është e kundërligjshme. Përgjatë gjithë ditës se djeshme, përfaqësuesit e objektit kanë monitoruar nëpërmjet një kamere private çdo moment dhe moslejimin e hyrjes në pallat të banorëve, e cila do të përdoret si provë në gjykatë. Leja e ndërtimit për pallatin, e vënë nën sekuestro është miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë Vlorë, më 17 korrik 2010. Subjektit ndërtues Shoqëria “G.B-A Konstruksion” i është dhënë e drejta e ndërtimit të një godine shërbimi dhe banimi, ku i janë përcaktuar edhe detyrat që do të kryente përgjatë zbatimit të projektit. Subjekti ndërtues është paralajmëruar se do t’i pezulloheshin punimet, nëse do të shkelte ndonjë nga kushtet e lejes. Më 28 shtator 2010 leja e ndërtimit është firmosur nga kreu i KRRT-së, Shpëtim Gjika, i cili pak ditë më parë me nisjen e aksionit për prishjen e ndërtimeve në Vlorë deklaroi se kompleksi “Jon” është në përputhje me të gjitha rregullat urbanistike.
BANORET
Ndërkohë që prej ditës së diel, familjet që banojnë në pallatin “Jon” nuk janë lejuar të hyjnë në apartamentet e tyre, madje për të ndaluar banorët të kalojnë shiritin me mbishkrimin “Mos kalo, skenë krimi”, para pallatit është dislokuar një automjet i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Një prej vëllezërve Kacorri shprehet se është detyruar që të kalojë natën jashtë së bashku me familjen e tij, ashtu siç edhe shumë familjarë të tjerë. “Nuk po marrim vesh se çfarë po bëhet. Nuk lejohemi të hyjmë, vendoset shiriti i skenës së krimit. Mos është vrarë ndonjë në shtëpinë time dhe unë nuk e di”, shprehet me nota ironike Adriatik Kacorri. Banorët shtojnë se askush nuk po i jep një përgjigje se cili do të jetë fati i banesave të tyre. Nga ana tjetër INUK bën të ditur se gjatë gjithë ditës së djeshme janë marrë me shqyrtimin e dokumentacionit. Më pas juristët e INUK do të dalin me një konkluzion. Bllokimi sipas ndërtimorëve do të vijojë deri në përfundimin e shqyrtimit të dokumentacionit.
(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt