Henry Charles Woods, miku i Ismail Qemalit dhe atdhetarëve shqiptarë

Speciale e Martë, 3 Dhjetor, 2013 | 11:12 am

Henry Charles Woods
Autori i katër librave për çështjen shqiptare në Ballkan.

Diplomati dhe gazetari britanik, që qeveria e Vlorës i besoi përfaqësimin e saj në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Në dokumentet e botuara të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës gjendet një telegram i Charles Woods-it i datës 9 gusht 1913, dërguar Ismail Qemalit, nga publicisti anglez në përgjigje të kërkesës që ai të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më herët, më 29 korrik, konferenca kishte marrë vendimin për krijimin dhe dërgimin në Shqipëri të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, i cili shpërfilli plotësisht Qeverinë e Vlorës, duke marrë përsipër tërësisht atributet e qeverisjes së Shqipërisë. Në atë situatë, Ismail Qemal Vlora kërkoi telegrafisht ndihmën e mikut të shqiptarëve dhe të tij, Henry Charles Woods, për të qenë përfaqësuesi zyrtar shqiptar pranë Konferencës së Ambasadorëve. Brenda një jave, ai i ktheu përgjigje telegrafisht Ismail Qemalit.
Në atë telegram, Charles Woods shkruante:
“Zoti Kryeministër! Para se të përmendim arsyet dhe konsideratat e ndryshme që, me keqardhjen time të madhe, më detyruan t’ju dërgoj një telegram për t’ju informuar se tani për tani nuk kam mundësi të pranoj vendin e përfaqësuesit tuaj në Londër, për sa i përket çështjes shqiptare, quaj të udhës t’ju shpreh, Juve zoti kryeministër dhe anëtarëve të Qeverisë Tuaj, falenderjet e mia të sinqerta për nderin e madh që m’u bë, duke më ofruar një detyrë që në disa rrethana do të kisha qenë tepër i lumtur ta pranoja. Duhet të shtoj se sikur situata të kishte qenë e ndryshme, gjë që ju do ta gjykoni vetë pas leximit të kësaj letre, do të kisha kënaqësinë më të madhe të përfaqësoja interesat e një populli që është përpjekur gjatë shumë viteve të sigurojë zhvillimin e tij dhe që punon për çështjen e lirisë, të një populli që po bëhet ende viktimë e padrejtësive nga ana e kombeve që kujdesen më shumë për zmadhimin e tyre material, sesa për çlirimin e popujve të qeverisur keq dhe të keqpërdorur.
Pasi studiova me kujdes kushtet e përgjithshme të sotme në Lindje, dhe pasi u mendova thellë mbi aspektet e ndryshme të çështjes së Shqipërisë, arrita në përfundimin se shërbimet e mia do të mund të kishin vlerë për çështjen tuaj, po të njihet gjysmë zyrtarisht pozita ime nga ana e M.P.Jashtme e Anglisë. Po ta pranoja këtë detyrë, pa qenë i siguruar në këtë pikë, më duket se pozita ime do të kufizohej në atë të një agjenti të shtypit përballë qeverisë sime dhe të ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër.
Në këto rrethana, unë arrita në përfundimin se e kisha për detyrë ndaj Jush dhe me cilësinë time si shtetas britanik, t’i drejtohesha sir Edward Grey-t për të ditur, se cili do të ishte qëndrimi që do të merrte Qeveria e Madhërisë së Tij në lidhje me një emërim si ai që ju më keni bërë nderin të më ofroni. Sekretari i Shtetit, me anën e sekretarit të tij privat, m’u përgjigj kështu: “Në mungesë të një administrate të krijuar rregullisht në Shqipëri, çështja e një përfaqësuesi të Shqipërisë ne Londër duket e parakohshme”.
Pra s’më mbeti gjë tjetër, veçse të lajmëroja M.P.J. se nuk mund ta pranoja ofertën tuaj dhe se t’ju tregoja arsyen e lartë përmendur. Nënkuptohet vetvetiu se, në rastin që Shkëlqesia e Juaj do të marrë vendimin, qoftë tani, qoftë në një kohë që Ju e quani më të favorshme, për të bërë hapat e nevojshëm pranë Qeverisë britanike, unë do ta shqyrtoja prapë me kënaqësi ofertën tuaj dashamirëse. Duke ju shprehur përsëri, zoti kryeministër, keqardhjen time më të thellë dhe duke ju siguruar për ndjenjat e mia më të përzemërta ndaj Shkëlqesisë Suaj, Qeverisë Suaj dhe Kombit shqiptar, Ju lutem të pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të shquar. P.S. Për ta bërë më të qartë, por duke mos dashur karakterin e prerë, e shkrova këtë letër me makinë shkrimi
Henry Charles Woods
Cili ishte Henry Charles Woods?
Ai ishte një personalitet poliedrik anglez. Ishte një diplomat, gazetar, ushtarak, personalitet shoqëror, me një veprimtari shumë të gjerë dhe që zgjati disa dhjetëvjeçarë.
Henry Charles Woods kishte lindur në vitin 1881, në Danhill të Sussex-it, në afërsi të Mançesterit, ku edhe mori arsimimin e tij fillestar. Studimet universitare i përfundoi më 1903, në Universitetin e Mançesterit, me dy doktorata, njëra në Filozofi e tjetra në Arte. Personaliteti i Ch.Woods shpejt u bë i njohur. Ai kishte qenë gazetar i “Mançester Guardian” për 16 vite me radhë, nga 1908-1924, duke shkruar me dhjetëra e dhjetëra artikuj, reportazhe e shënime me karakter politik, ndërkohë që karrierën e tij gazetareske e kishte filluar në 1905. Vizitën e parë në Shqipëri e realizoi në vitin 1911, si i dërguari special i Foreing Offices. Mbas protestave të M.Edith Durhamit dhe të kolonel Herbertit për kryengritjet shqiptare dhe shtypjen e tyre me gjak e me zjarr nga ana e gjeneral Xhavid pashës, Foring Offices e dërgoi Woods-in në trevat shqiptare për verifikimin e gjendjes në vend. Ai i pa me sytë e tij e dëgjoi çka i thanë me qindra dëshmitarë të atyre ngjarjeve, në Kosovë, Manastir, Korçë dhe në gjithë Shqipërinë Jugore.
Madje, gjatë qëndrimit të tij në Korçë, ai së bashku me milionerin amerikan, Charles Crane, bënë gjithë përpjekjet e nevojshme derisa i liroi nga burgu osman atdhetarët korçarë: Themistokli Gërmenjin, Mihal Gramenon, Hasan Bitinckën, Stavre Karolin, Teufik Panaritin e të tjerë.
Me kthimin në Londër, të gjitha mbresat, mendimet e lindura gjatë atyre vizitave i trajtoi në një libër me titull: “The Danger Zone of Europe”. Në atë libër për Shqipërinë dhe problemet politike, historike, shoqërore, kulturore të saj, ai ka shkruar një kapitull të gjatë duke demaskuar xhonturqit.
Në luftërat ballkanike ai ishte dërguar në zonat e luftimeve si korrespondent i disa gazetave londineze: të “Manche-ster Guardian”, “Evening News”, “The Graphic” dhe të “Daily Expres”. Në artikujt dhe reportazhet që i shkruante atyre gazetave, ai pasqyronte me një vërtetësi të jashtëzakonshme luftërat vëllavrasëse midis popujve ballkanikë, masakrat reciproke të bullgarëve, grekëve, serbëve midis tyre dhe të tyre ndaj shqiptarëve dhe turqve. Ai u bënte apel të fortë autoriteteve britanike të dilnin në mbrojtje të popullit të shumëvuajtur shqiptar. Pikërisht në këtë kohë u krijua dhe u konsolidua miqësia midis atdhetarëve shqiptarë dhe tij e veçanërisht ajo me Ismail Vlorën.
Gjatë tetorit të vitit 1913, ai u kthye sërish në Ballkan, ndërsa në nëntor të atij viti ai erdhi në Shqipëri edhe si gazetar, edhe si mik i Ismail Qemalit.
Gjatë qëndrimit në Vlorë, miku anglez shoqërohej vazhdimisht nga Ismail Qemali dhe nga autoritetet shqiptare.
Nga Vlora ai udhëtoi për në Durrës, Berat dhe në Korçë. Ai qëndroi në Shqipëri gjatë muajve dhjetor 1913 deri nga fundi i janarit 1914. Ai vizitoi gjithë Shqipërinë e Mesme dhe veçanërisht atë Jugore, ku ekzistonin probleme madhore. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai u dërgonte në Londër, si gazetave, po ashtu edhe Foreing Office-s korrespondenca të gjalla, mbi barbarizmat e grekëve, mbi vrasjet dhe therjet e shqiptarëve nga xhandarët grekë, në zonat e Korçës, Kolonjës, Përmetit e deri në Tepelenë, mbi gjendjen e mjerueshme të “muhaxhirëve” të vendosur nëpër ullishtat e Vlorës.
Sipas gazetës “Dielli” të datës 16 nëntor 1914, H.Ch.
Woods-i, në javën e parë të nëntorit ishte përsëri në Shqipëri, posaçërisht në Vlorë, si i dërguar i gazetës “London Times”.
Në Shqipëri ndenji një javë, për t’u njohur me problemet dhe hallet e shqiptarëve, të shtuara atëherë edhe me ato të luftës. Ai u largua nga Vlora në 14 nëntor 1914 dhe menjëherë botoi një seri artikujsh të fortë për problemet që kishin asokohe shqiptarët me grekët, serbët dhe me italianët pushtues. Në vitin 1915, H.Ch.Woods shkroi dhe botoi një tjetër libër me titull “War and Diplomacy in the Balkans”, ndërsa në vitin 1917 botoi veprat e tij shumë interesante “Comunications in the Balkans”, dhe “Shqipëria dhe shqiptarët”, që ishin përmbledhje reportazhesh, shënimesh politike, historike, shoqërore, të cilat i kishte referuar herë pas here në mbledhjet e “The Royal Geographic Society”.
Miku i shqiptareve në të tre librat shkruante faqe të tëra për problemet shqiptare me vetveten, me fqinjët dhe me Fuqitë e Mëdha. Në fund të vitit 1917, H.Ch.Woods bën një vizitë i ftuar nga Federata panshqiptare “Vatra” dhe nga gazeta “Dielli”, e cila më datë 29 dhjetor shkruante: “…në mitingun e nesërm në Lawrence Hall, 724 Washington Street, Boston, do të kini mundësinë të shikoni dhe të ndigjoni, veç mikut tonë të shtrenjtë Charles Woods dhe atdhetarët Nuredin bej Vlorën dhe Fotion Turtullin. Le të nderojmë mikun tonë të shtrenjtë anglez, i cili, veç të tjerave, dha në Londër një darkë madhështore për nder të delegatit tonë Mehmed Konicës, ku ishin ftuar përmbi 40 njerëz në sallonin e shtëpisë se tij, të stolisur prej zonjushës Edith Durham me flamurët e Shqipërisë”.
Nga mesi i vitit 1918 ai shkroi dhe botoi librin e titulluar “The Cradle of the war”, pjesë nga i cili ai i lexonte në konferencat që organizoheshin nga Instituti “Lowell”.
Henry Charles Woods vjen sërish në Shqipëri mbas 13 vitesh, më 21 prill të vitit 1927, ku qëndroi tri ditë. Asokohe Shqipëria ishte një republikë me një administratë të re, por që bënte përpjekje për t’u modernizuar, me një sistem gjyqësor dhe një xhandarmëri që po konsolidohej gradualisht.
Në kryeqytetin shqiptar takoi Ahmed Zogun, presidentin e Republikës, miqtë e vjetër të tij, diplomatët Mehmed Konica, Xhemal Frashëri, Mit’had Frashëri dhe Mehdi Frashërin. Në Tiranë por edhe në Shkodër ai takoi dhe bisedoi me ledi Carnarvonin. Të gjitha këto informacione, të dhëna, shifra të atyre arritjeve ai i përdori për shkrimin e një libri, të cilin e botoi një vit më vonë, në tetor të 1928, me rastin e krijimit të Mbretërisë Shqiptare.
Henry Charles Woods vdiq në Londër, në vitin 1939, i sëmurë rëndë, në moshën 58-vjeçare.

Prof.dr.URAN ASLLANI

http://www.panorama.com.al/2013/12/0...eve-shqiptare/