Një nga botimet serioze të kohës së fundit në studimet albanologjike dhe i vetmi në llojin e vet është edhe “Enciklopedi -Teatri dhe e kinematografia shqiptare” e studiuesit të njohur të teatrit, dramaturgjisë, kinematografisë dhe letërsisë prof. dr. Josif Papagjoni.
Themi i vetmi në llojin e vet pasi ai nuk është konceptuar si një “Fjalës enciklopedik” me paraqitje thjesht të dhënash dhe fare pak me sintezat dhe abstragimet mbi teatrin dhe kinematografinë shqiptare, mbi komponentë të tyre, artistë, institucione, kahe apo vlera të veçanta. Është pikërisht prirja e dytë, tashmë zotëruese, ajo që i ka dhënë hapësirën dhe seriozitetin e një libri studimor. Sikurse pohon autori në hyrjen e “Enciklopedisë...”: “Në parapëlqimin tim vegon një tjetër udhë e qiell, duke u ofruar te lexuesi ndryshe, me një tjetër qasje, brenda profilit tim si kritik e studiues. Dhe lënda të ishte, pak a shumë, shteruese për gjithë hapësirën kombëtare - Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. - ndërsa, më kryesorja, zërat, artikujt, njësitë enciklopedike të zotëroheshin nga kahja sintetizuese mbi vlerat, veçantitë, stilin, profilin dhe anët mëvetësuese të këtij apo atij artisti, institucioni, lloji, gjinie e zhanri teatror e kinematografik, deri te mëtimi për përvijime sa më lakonike për vepra përfaqësuese (filma, drama, shfaqje teatrore, role, zgjidhje skenografike etj.).” Afërmendsh që libri ka karakter gjithëpërfshirës, por, sakaq, ai ruan me kujdes procesin selektiv e historik që kryhet vetiu brenda artit si të tillë dhe vlerave të shënuara në kohë duke ruajtur kështu një nivel përfaqësimi meritor. Shtrirja në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare qysh në fillimet e tyre, sikundër kujdesi dhe vëmendja për të përzgjedhur që andej çka është më përfaqësuese dhe më e vlerësuar për kohën dhe vetë procesin krijues, duket se shënojnë edhe dy kahet zotëruese të studimit apo, thënë ndryshe, dy mëtimet e pohuara prej vetë autorit drejt arritjes së një ekuilibri të dobishëm në vlerësimin e dukurive dhe personaliteteve që përbëjnë përmbajtjen e tij.
“Enciklopedi -Teatri dhe e kinematografia shqiptare” përfshin mbi 800 zëra a njësi enciklopedike me një volum relativisht të madh prej 75 faqe tipografike apo 560 faqe germë e vogël, e ilustruar me mbi 1000 foto. Sikurse është shprehur vetë autori, janë aplikuar pesë kategorizime në hartimin e njësive enciklopedike: artikulli, zëri i madh, zëri i mesëm, zëri i vogël dhe zëri informativ. Hapësira shkrimore ka qenë mepatjetër një kut matës, por, sakaq, në sërenditjen e vlerave prej autorit kanë shërbyer po aq, në mos më tepër, edhe cilësimet estetike që ai ka bërë për shumëçka e shukmë. Kritere të tilla shkencore i kanë dhënë kësaj Enciklopedie mundësinë e shpërfaqjes dykahëshe: edhe si tërësi, edhe si veçanësi; edhe me nyje studimore në formë të sintetizuar për artet, periudhat zhvillimore, komponentët etj. (p.sh artikujt), edhe me sythe e njësi më të vogla, ku aksiologjia tanimë përfshin aspekte më të individualizuara dhe më identitare (p.sh zërat e mëdhenj a të mesëm që vlerësojnë këtë apo atë personalitet të artit, shoqëruar me komentet lakonike për këtë apo atë vepër konkrete).
Mbërritja në një studim të tillë me natyrë shteruese afërmendsh që nënkupton studime të tjera pararendëse të autorit, gjurmime dhe hulumtime të pandalura nëpër vite, pasi vetëm prej një tubimi të madh e të vazhdueshëm të të dhënave mundësohet, në rastin tonë, botimi i një libri të kësaj përmase e kësaj natyre. Josif Papagjoni me gjasë e ka parapërgatitur në rrjedhën e kohës botimin e Enciklopedisë me mbi 20 librat e tij të botuar tashmë mbi teatrin, dramaturgjinë dhe kinematografinë. Ai e ka ndjekur për mbi 40 vjet procesin krijues të artistëve shqiptarë, rritjen e tyre, sukseset, sikurse zhvillimet e institucioneve artistike. Në këtë kuptim puna e tij ka qenë sa e lehtë, aq edhe e vështirë. E lehtë, sepse një pjesë të madhe të procesit artistik studiuesi e ka përjetuar vetë nga afër duke vjelur syresh mbresat gjegjëse apo duke i shprehur ato në morinë e recensioneve, shënimeve dhe artikujve të botuar në kohë. E vështirë, sepse është dashur të skedohet një volum i jashtëzakonshëm të dhënash, vlerësimesh e qasjesh në shtypin e shkruar, në libra, në diskutimet krijuese a në promovime të ndryshme për shfaqje të veçanta, role, krijime, përbërës të arteve të kinematografisë dhe teatrit etj. Udha e tretë e hamendësuar ka qenë barabitja, krahasimi i burimeve bibliografike për të mbërritur në një prerje racionale dhe drejtpeshim të paqortueshëm. Interesi i studiuesit të njohur ka qenë, më së pari, paraqitja e personaliteteve më të shquara të teatrit dhe të kinematografisë shqiptare në gjithë hapësirën tonë kombëtare – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Nuk është e vështirë të dallohet ngulmimi për ravijëzimin e profilit të tyre krijues me tiparet dhe veçanësitë stilistike, me risitë dhe ndihmesat që ata kanë dhënë nëpërmjet veprave të tyre për zhvillimin e këtyre dy arteve tejet publike. Nga ana tjetër, sipas volumit shkrimor dhe peshës së çdo zëri enciklopedik, studiuesi ka bërë kujdes po aq edhe përsa i takon vlerësimeve mbi vepra kryesore që i përfaqësojnë këta personalitete (si drama, skenare, regji teatri dhe filmi, role, skenografi, xhirime etj.) me një gjuhë lakonike, të matur dhe serioze.
Një nga shqetësimet kryesore që ka çdo autor, i cili rreket e ndërmerr punë të tilla të vëllimshme e të mundimshme, besoj se është drejtpeshimi, ekuilibri për të dhënë vlerën e merituar aty ku dhe aq sa ajo me të vërtetë është e atilla. Pikërisht, krijimin e një hierarkie vlerash, e cila evidenton natyrshëm edhe kontributet e çdokujt artisti në historinë e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, studiuesi Josif Papagjoni mendoj se e ka realizuar mjaft mirë. Ndaj dhe bëhen të dallueshëm emra të tillë në dramaturgji si Kolë Jakova, Gjergj Fishta, Kristo Floqi, Ethem Haxhiademi, Fadil Paçrami, Ruzhdi Pulaha, Fadil Kraja, Teki Dervishi, Ekrem Kryeziu, Beqir Musliu, Rexhep Qosja, Anton Pashku, Mehmet Kraja etj; në regjisurën e teatrit si Pirro Mani, Pandi Stillu, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Esat Oktrova, Gëzim Kame, Agim Qirjaqi, Muharrem Qena, Abdurrahman Shala, Fadil Hysaj etj., në regjisurën e kinematografisë si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Kristaq Dhamo, Pirro Milkani, Gëzim Erebara, Hysen Hakani, Kujtim Çashku, Saimir Kumbaro, Isa Qosja, Agim Sopi, Ibrahim Muça, Kristaq Mitro, Mevlan Shanaj, Gjergj Xhuvani, Artan Minarolli; skenaristë si Kiço Blushi, Nexhati Tafa, Teodor Laço, Roland Gjoza, Natasha Lako; në aktrim si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Tinka Kurti, Pjetër Gjoka, Ndrekë Luca, Margarita Xhepa, Ndriçim Xhepa, Istref Begolli, Shani Pallaska, Melihate Ajeti, Enver Petrovci, Refet Abazi, Katarina Josipi, Bajrush Mjaku, Sefedin Nuredini, Xhevat Limani etj; në skenografi si Agim Zajmi, Shaban Hysa, Hysen Devolli, Bashkim Ahmeti; operatorë të filmit si Ilia Terpini, Saim Kokona, Bujar Kokonozi, Pali Kuke etj.
Krijoni Kontakt