-
Kiço Blushi i zi dhe hijet e bardha në Kosovë.
“Hije të bardha” në Prishtinë
» Dërguar më: 26/11/2013 - 07:11
Nga: KIÇO BLUSHI
Bashkë me piktorin Zamir Mati, i ardhur enkas nga Parisi, morëm udhën për në Prishtinë të përfshiheshim, si mysafi rë, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “Hijet e bardha” (“White Shadows”) në galerinë private të piktorit Eshref Qahili.
Qenkësh e vërtetë: Rruga e Kombit ngjasonte paksa me autostradën e Kosovës, emërtuar “Ibrahim Rugova”. Nuk ishte e vështirë të krahasoje të dyja autostradat (të cilat i ndante një kufi simbolik, njëlloj si shtetet e BE-së), të ndërtuara nga e njëjta kompani turko-amerikane, “Behtel”. Me sa dukej, edhe cilësia e asfaltit dhe e punimeve të autostradës këtej kufirit linte shumë për të dëshiruar. Faqet anësore të shpateve andej jeshilonin nga bari “dekorativ”; rruga tejembanë ishte e kuruar, e shëndetshme, e mirëmbajtur; vijat e bardha, sinjalistika përgjatë gjithë korsive, asfalti i standardeve evropiane të impononin ndjesinë e sigurisë së një evropiani.
Ndërsa përkëtej nuk çalonte vetëm mirëmbajtja, si është thënë herë pas here nga mediat, të cilat kanë theksuar, me të drejtë, alarmin e shkatërrimit të shpejtë të Rrugës së Kombit... Që nga Miloti e deri në Morinë të shoqëronte monotonia e grisë së maleve, gërryer e rrjepur ca nga makineritë e më së shumti nga shirat dhe erozioni, si dhe nga befasia, pasiguria dhe frika e daljes së beftë nga mbrojtëset anësore (të sharruara nga banorët) ndonjë kope lopësh, ndonjë kalimtari apo, ca më keq, ndonjë gropë e mbirë dhe e harruar prej shkujdesjes së punimeve të lëna përgjysmë e të bëra shkel e shko... E ke të vështirë të kuptosh se si edhe një firmë e huaj si “Behtel”, mund të punojë me dy standarde në territorin e një kombi, në të njëjtën vijë rrugore, edhe pse zarfi i tenderit këtej nuk ka qenë më i hollë. Ndryshimi ka ardhur ndoshta nga që supervizorët e Kosovës do të kenë pas qenë nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, tjetër shpjegim nuk gjen dot...
Ky kontrast jo vetëm figurativ, do s’do të bie menjëherë në sy; fillimisht të trishton e më pas të nervozon. Asnjë rrugë tek ne, - tha para disa ditësh një specialist, - nuk është e përfunduar jo vetëm në sinjalistikë, por në standarde minimale. Ne paskemi dyfishin e vdekjeve nga aksidentet nëpër rrugët nacionale se çdo vend tjetër i BE-së. Janë 20-fishuar automjetet, por rrugët nuk janë përmirësuar as 1-fish. Fatkeqësisht edhe autostradat, rrjedhimisht edhe Rruga e Kombit, për të cilën jemi krenuar aq tepër, ka marrë në këto pak vite të përurimit të saj mbi njëzet jetë kalimtarësh. Po atë mbrëmje, në Tiranë, lajmet bënë me dije se në afërsi të Kalimashit ishin përplasur disa automjete dhe qenë plagosur rëndë gjashtë udhëtarë... Jetën e njeriut në paqe rrugët tona e kanë bërë më të pavlefshme se jetën në luftë. Se në luftë vritesh për një qëllim, e ke një armik, kurse në rrugët e paqes, në rrugët e atdheut, ç’kuptim dhe ç’justifikim mund t’i japësh humbjes së jetës, teksa je nisur për në plazh, në një dasmë, për një hall apo promovim?... Në asnjë vend të botës nuk gjen buzë rrugëve nacionale aq shumë lapidare me lule artificiale në kujtim të të vrarëve nga aksidentet! Ky “peizazh” mortor nuk na bën më përshtypje!
Në kthim, rrugën Lezhë-Milot-Kashar e bëmë natën. Kur hymë në Tiranë u lehtësuam se... se më në fund shpëtuam nga mundësia, gati e pashmangshme, e aksidentit të beftë në çdo kilometër. Gjithsesi dhe neve na u mbush mendja top se kjo rrugë e meritonte emërtimin popullor “autostradë e vdekjes”... Ka shumë vite që në këtë rrugë, thuajse çdo ditë humbin jetën kalimtarë dhe drejtues automjetesh jo vetëm për shkak të shpejtësisë, dhe askush, askush nga “lart” nuk ndërhyn e nuk e ndalon këtë masakër.
***.
E në këtë hulli përsiatjesh, ku nakatoset shija e “Hijeve të bardha” të një ekspozite të mrekullueshme në Prishtinë, me hijet e zeza të rrugëve tona, vetvetiu të shoqërojnë dyshimet e ndërdyshjet e përsëritura të abuzimeve me fondet publike (kupto: vjedhjet...), të cilat automatikisht të ngjallin përshtypjen dhe bindjen (edhe pa ndihmën e munguar të organeve të Drejtësisë), se përkëtej (në Tiranë) fondet janë bërë “rrush e kumbulla”, ndoshta më tepër se ato të Prishtinës. Nuk ka gjë më të prekshme në Rrugën e Kombit se bindja që vjedhjet dhe abuzimet e fondeve publike, përveç shpërdorimit, shkaktuakan më pas edhe vdekje qytetarësh të pafajshëm që shkojnë për dasma, për qoka apo për plazh. Kjo pandehmë ndjellakeqe nuk mund të kapërdihet kollaj me justifikimin që secili prej nesh i thotë vetes: E ç’rëndësi ka? Mjafton që kjo rrugë u kry!... Mjafton që Rruga e Kombit po i bashkon shqiptarët më shumë se politika e të dy anëve! Por a mjafton ky arsyetim me theks “nacionalist”? Apo mos vallë ky lloj gjykimi, më saktë, ky lloj paragjykimi paralizonjës na detyron të ecim në histori si breshka, duke humbur kot së koti jo vetëm energji, po edhe jetë njerëzish? Edhe pse kësaj here shanset janë, më shumë se kurrë, në anën tonë, ne vazhdojmë të luftojmë me njëri-tjetrin, të hapim gropa të reja rrugëve nacionale, të shkulim pusetat, të sharrojmë mbrojtëset anësore të autostradave, të dëmtojmë ardhmërinë evropiane, t’i vëmë stërkëmbëshin tjetrit, në vend që të mbrothësohemi!...
Mos vallë folklorizmi dhe dembelizmi, mendësia orientale e hyrjabyjres, e një ku-rafsha-mos-u-vrafsha që e shtyn ditën dhe natën tonë të gjatë në inercinë e një karroce, si dhe të kënaqurit tradicionalisht me pak na pengojnë të jemi dhe të sillemi si qytetarë evropianë? A nuk vazhdojmë të kemi më shumë respekt për folklorin, për tabutë, për klishetë, për sinorin vetjak, për ryshfetin, për qylin, për dogmat fetare dhe për idhujt pa krena, qofshin fetarë a politikë, sesa për punën, për djersën e ballit, për interesat madhorë të popullit?... E pra, pavarësisht se flasim e bërtasim më shumë se kushdo tjetër për kombin, fatkeqësisht ne nuk punojmë aq sa duket dhe si duhet në dobi të tij, sepse nuk heqim dot dorë nga praktika e vjetër kur, edhe për një plesht, ne mund të djegim jo vetëm jorganin, por edhe fshatin; kurse për të mos e lëshuar pushtetin mund të djegim edhe Shqipërinë, edhe Kosovën!... Mjerisht këtë shembull të mbrapshtë e përcjellin dhe e injektojnë përditë krerët e të dy anëve të kufirit, të cilët, mjaft që të mbeten vetë në pushtet, janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me djallin!
***
Ndaluam në Prizren, në qytetin historik të “Lidhjes”. Nëpër mure ishin ende posterat madhështorë të kryeministrit turk Erdogan. Aty ishin ulur këmbëkryq të tre kryeministrat “vllazën”; aty e pat thënë atë frazën “lapidare” zoti Erdogan: “Kosova është Turqi e Turqia Kosovë”... Ndoshta kishte pasur të drejtë, më kot e keqkuptuam. Se Prizreni dukej më shumë oriental se evropian. Prandaj ndoshta nuk ishte vetëm ana emocionale që e pat shtyrë kryeministrin turk në atë përfundim e krahasim aspak diplomatik. Sot ringjallja e vehabizmit në trojet shqiptare nuk është e ngjashme me ringjalljen e frymës turkoshake, si u tentua në fillim të shekullit të kaluar. Nuk e di përse m’u kujtua, teksa drekonim matanë urës së qytetit, kjo frazë nga skenari im i filmit “Nëntori i Dytë”, kur pashai turk, që i kishte zënë rrugën Ismail Qemalit të mbërrinte në kohë në Vlorë, i thotë me zemërim: “Nuk bëhen dot hasha 500 vjet, Ismail bej!... Pas do të na kini tërë jetën!”... Lamë autostradën dhe, deri në Prishtinë, ndoqëm rrugën e vjetër ku na ranë në sy buzë rrugëve tezga të pafundme me lakra... Kush mund t’i blinte gjithë këto lakra?
***
Zumë vend në “Prishtina”, një hotel i ri, luksoz, i pajisur për bukuri. Në holl një faqe ballore muri ishte dekoruar me një mozaik gjigant, në qendër të së cilës spikasnin krahët e shqiponjës; mozaiku ishte bërë me fasule nga artisti i vetëm shqiptar në GINES, Saimir Strati.... Blerimi, pronari i hotelit, krenohej me të drejtë kur thosh se interierët e hotelit, korridoret dhe dhomat ishin rrëmbushur vetëm me vepra autorësh shqiptarë... Krenaria e tij me sa dukej ishte edhe fasada e hotelit, me kolona dhe statuja të lyera me varak të verdhë. Na tha se kishte imituar pikë për pikë një hotel të famshëm të Stambollit, pasi u kishte marrë lejë pronarëve turq.... Derdhjet i kishte realizuar me një firmë nga Tirana, në Kombinat. Para se të na shoqëronte me mirësjellje deri te Galeria e Eshrefit, na dhuroi një statuetë të Hyjneshës dardane, simbol i tashëm i Kosovës. Respekti për Blerimin na u shtua edhe më tepër teksa gjatë promovimit të ekspozitës bisedova me disa artistë kosovarë, të cilët, kur i pyeta në kishte treg për artin në Kosovë, e pranonin me hidhërim se pasunarët e rinj të Kosovës, madje edhe krerët politikë ishin më të prirur të blinin “vepra” turke apo riprodhime kineze për vilat e tyre sesa piktura origjinale... Një funksionar tepër i lartë kishte sjellë në Prishtinë edhe “mjeshtra” kinezë, bashkë me makineritë që t’i bënin kornizat e rralla.
Të vinte sinqerisht keq kur dëgjoje këto arnautizma e ndërkohë shihje që në një galeri private, krejt ndryshe nga ç’ndodh në Tiranë, kishte dhjetëra djem e vajza, artistë të rinj, piktorë të talentuar e të apasionuar që me kaq shumë mungesa e mangësi krijonin, konkurronin e kuvendonin për artin bashkë me mjeshtrat e traditës, si Kripa apo Mulliqi.... Në ekspozitë kishin dërguar punët e tyre edhe 21 piktorë të huaj. Edhe pse salla ishte e madhe, nuk gjeje dot vend “ku të hidhje mollën”. Çmimin e parë e fitoi, pas një votimi të fshehtë nga të gjithë konkurruesit, artisti i mirënjohur Agron Mulliqi. Mjedisi i Galerisë së Eshrefit i ngjante atmosferës artistike të një metropoli të madh evropian. Për herë të parë mendova se ishte fat që mungonin politikanët, zyrtarët, fjalimet e tyre ceremoniale...
Nuk e teproj po të them se kjo gjindje artistike për mua ishte risi, më mbresëlënëse edhe se autostrada, sepse provonte, në mënyrë artistike, modeste, njerëzore dhe, pse jo, edhe simbolike, se në Kosovë, edhe pse rrugët e kryeqytetit, nga mungesat e rrymës mezi regëtinin, gjë që të krijonte një përshtypje të zymtë, gjithsesi kjo atmosferë artistike, përnjëmend elitare, të ofronte më shumë dritë e shpresë, teksa shihje një brez të ri, jo vetëm të talentuar, por tërësisht të përkushtuar, ngaqë besonte me mish e me shpirt në të ardhmen evropiane të vendit, pavarësisht nga niveli mjeran i tregut të artit dhe, sigurisht, jo vetëm i artit...
Dikush tha që kjo ekspozitë e kishte marrë emrin “Hijet e bardha” për të provuar se në Kosovë nuk ka e nuk duhet të ketë më hije të zeza... U kthyem në Tiranë fillimisht të dëshiruar për këtë urim të bardhë, të cilin, më pas e besuam si të mirëqenë se jo vetëm në Kosovën e vuajtur, por në gjithë trojet shqiptare nuk do të duhej të kishte më hije të zeza...!
***
Në kthim ndaluam te bujtina “Mrizi i Zanave”, në Fishtën e At Gjergj Fishtës. “Ky është një shembull i mrekullueshëm për të gjithë zonën”, më tha Zamiri, i habitur. M’u duk sikur fliste për një vepër arti dhe jo për një biznes. Dy vëllezër ishin kthyer nga emigracioni dhe mbi një kodër kishin hapur një restorant të rrallë jo vetëm për nga arti kulinar, - ushqimet e atyshme nuk mund t’i shijosh kurrkund! - por edhe ngaqë të rinjtë kishin ringjallur Fishtën, poetin e harruar e të mohuar.... Nëpër muret e gurta ishin fotot dhe vargjet e poetit, ndaj nata, teksa po binte mbi fushën përtej, dukej sikur, pas shumë shekujsh, nuk do të vinte më me përmbytje, frikëra, konflikte, pasiguri, sherre, d.m.th. me hije të zeza, por të bardha...
gazeta shqiptare
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt