Hidhet në erë shtylla e tensionit të lartë
Publikuar më 02.01.2014 | 14:32
KURBIN -Një shtyllë e tensionit të lartë është hedhur në erë natën e ndërrimit të viteve në rrethin e Kurbinit. Mësohet se është vendosur lëndë eksplozive në këmbën e një shtylle të tensionit të lartë, të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të datës 31 dhjetor, në vendin e quajtur Nderlalaj, në Milot, rrethi Kurbinit. Nga shpërthimi eksplozivit është këputur njëra këmbë e shtyllës në lartësinë 10 metra nga toka. Ndërkohë në këmbën tjetër të kësaj shtylle, në lartësi 10 metra nga toka është gjetur një sasi prej 16 kallëpe tritoli me peshë prej 6.4 kilogramë, në të cilën ishte vendosur një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës.
Policia me të marrë njoftim ka mbërritur në vendngjarje dhe ekspertët xhenierë kanë bërë çaktivizimin e eksplozivit të pashpërthyer. Policia ka administruar të gjitha provat që janë gjetur në vendngjarje, të cilat janë dërguar për ekspertim në Drejtorinë e Policisë Shkencore. Në njërën nga këmbët e shtyllës policia ka gjetur dy kartonë, njëri me mbishkrimin NAFTA dhe tjetri me mbishkrimin TAKSAT, të cilat ishin të ngjitura me ngjitëse natriban në shtyllë.
Shtylla objekt sulmi ndodhet në një faqe mali në afërsi të rrugës së vjetër Milot-Burrel pranë urës me harqe. Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së këtij akti terrorist si dhe identifikimin e kapjen e autorëve të saj. Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Kurbin për veprën penale “Shkatërrim prone me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal. Ky është akti i parë terrorist në Republikën e Shqipërisë që shoqërohet me mesazhe të qarta të lëna në vendngjarje nga autorët e vetë aktit.
/Shekulli Online/ E.L./
Krijoni Kontakt