Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,458
    Postimet në Bllog
    17

    Kushtetuta e Shqipërisë mbush 15 vjeç!

    15 vjetori i Kushtetutës, Rama: Vullnet i shqiptarëve. Gjithëpërfshirja, koncepti bazë

    Emri:  konferenca1.jpg

Shikime: 476

Madhësia:  22.5 KB
    TIRANE- Konferenca per 15 vjetorin e krijimit te Kushtetues ka mbledhur bashke sot kreun e shtetit, Bujar Nishani, kreun e qeverise, Edi Rama, kryeparlamentarin Meta, kryetarin e Gjykates Kushtetuese, Dedja dhe ambasadorin e BE, Sekui, ambasadorin e Gjermanise, etj.

    Kreu i qeverise, Rama theksoi se Kushtetuta nuk eshte dhurate e fuqive te medha, as imponim i nje fuqie nga lart poshte, por nje shprehje e vullnetit te perbashket te shqiptareve qe ia bene dhurate vetes kete kushtetute me referendumin e 1998.

    ”Vetedija per te qeverisur permes Kushtetutes eshte me e forte se ishte 15 vjet me pare. Kushtetuta eshte baza ku mbeshtetet gjithe procesi i bahskejetes se nje vendi, por edhe funksionimi i nje vendi dhe besoj se sot eshte dita per te cmuar rolin e vecante qe ka luajtur Gjykata Kushtetuese ne zbatimin e kushtetutes ne keto 15 vite. Eshte nje instrument ne zhvillim, pasi dinamika e zhvillimit te vendit nuk eshte asnjehere e dhene pergjithmone, Kushtetuta meriton gjithmone edhe ne kendveshtrimin nga pozicioni i nevojes per ta ndryshuar ate, por si nje instrument ne zhvillim, ajo e ka te nevojshme Gjykaten Kushtetuese si nje kontribut per ta interpretuar ne momente te caktuara, por edhe per ta konsoliduar ate duke iu pergjigjur nevojes se kujtdo per interpretimin e saj”- tha Rama.

    Sipas tij sot mund te jete edhe nje moment per te reflektuar per te ardhmen e saj. “Sot ne jemi ne kushtet kur vendi perpiqet perdite per tu integruar ne BE dhe pas 15 vjetesh kur integrimi imponon teresi standarde e sjelle qe shepsh bien ndesh me ato qe ne i kemi pjese te vazhdimesise sone, pyetja qe a duhet apo jo rishikuar Kushtetua eshte insistuese. Por eksperienca na ka mesuar si ti qasemi kesaj pyetje dhe pergjigjen te mos e gjejme te vullneti i forcave politike por te gjitheperfshirja e aktoreve dhe faktoreve shoqerore dhe vete sistemi qe garanton integritetin e Kushtetues. Stabiliteti i saj eshte parakusht per rendin kushtetues te vendit dhe ne cdo rast, cdo nderhyrje ne te, imponon domosdoshmerisht qe ne funksion te stabilitetit dhe forcimit te rendit kushtetues, gjitheperfshirja te jete koncepti baze e me fillestar i kesaj. Nuk mundet qe procesi te jete partiak e aq me pak i njeanshem”- tha Rama.

    Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Bashkim Dedja u shpreh se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë mbush sot 15 vjet nga miratimi i saj në 28 nëntor të vitit 1998. Debatet dhe diskutimet e kësaj konferencë i shërbejnë përmirësimit të drejtësisë kushtetuese. Gjetja e ekuilibrit mes stabilitetit të Kushtetutës dhe elasticitetit të saj, si dhe modelet orientues për sistemin e drejtësisë Kushtetuese mbeten pjesë e një diskutimeve të hapura dhe vazhdues.
    Në fjalën e tij, Presidenti Bujar Nishani siguroi se institucioni që ai drejton do të përdorë çdo mjet kushtetues dhe ligjor për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
    Nderkohe Meta, duke e vleresuar shume te rendesishme Kushtetuten deklaroi se “15 vjet me pas kemi shume arsye per ta duartrokitur kete kushtetute dhe shume arsye per te kritikuar veten se si jemi sjelle me te. Kushtetuta e re e diktonte bashkepunimin e forcave politike me gjithe peisazhin zemerak te tyre. Ndryshimet ne vitin 2008, edhe nese u iniciua me synim te mire, cenoi raportet mes pushteteve dhe dha mesazh te gabuar, ne Kushtetute mund te nderhyej brenda inateve”- tha Meta gjate fjales se tij.

    Meta ka deklaruar se tashme te gjithe e kane maturine e nevojshme per te qasjen e drejte drejt Kushtetutes dhe nderhyrjet nese ato do te gjykoheshin te nevojshme ne te mire te vendit.

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,458
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Kushtetuta e Shqipërisë mbush 15 vjeç!

    Fjala e plotë e Ramës


    “Faleminderit zoti Kryetar i Gjykatës Kushtetuese!
    Me thënë të drejtën, nuk e kisha menduar se do të kisha ndonjëherë mundësinë, por edhe vështirësinë, të flisja para një ‘klase’ plot me gjykatës.
    Dua të them pak fjalë në nderim të këtij eventi të rëndësishëm dhe të këtij momenti të rëndësishëm për jetën e Kushtetutës sonë, duke u nisur nga viti 1913, kur 6 Fuqitë e Mëdha e njohën Shqipërinë dhe bashkë me një Prijës, i dhanë edhe statutin organik një dokumenti i cili ishte Kushtetuta e kohës në këtë vend. Një dokument që synonte ta bënte këtë vend jo vetëm një vend të qeverisur me rregulla, por përmes këtyre rregullave, edhe një vend që i bashkëngjitej zhvillimeve evropiane të kohës.
    Historia e jetës së Kushtetutës sonë, apo më saktë e të jetuarit të shqiptarëve nën Kushtetutë, është një histori më vete që meriton me siguri studime dhe takime më vete, ndërkohë që sot ne jemi këtu për 15 vjetorin e një Kushtetute që, më së fundi, nuk është dhuratë e Fuqive të Mëdha, as imponim i një fuqie nga lart – poshtë, por një shprehje e vullnetit të përbashkët të shqiptarëve, që ia bënë dhuratë vetes këtë Kushtetutë me referendumin e vitit 1998.
    E sot, sigurisht që ka plot gjëra për të thënë, por është e sigurt se vetëdija për të jetuar nën Kushtetutë dhe për të qeverisur përmes Kushtetutës, është më e fortë se sa ishte 15 vjet më parë.
    Kushtetuta është një akt themelor dhe baza ku mbështetet gjithë procesi i bashkëjetesës mes njerëzve të një vendi, por edhe gjithë funksionimi i një vendi. Besoj që sot është dita për të çmuar edhe rolin e veçantë që ka luajtur Gjykata Kushtetuese e këtij vendi në zbatimin e Kushtetutës, në këto 15 vite. E, si një instrument në zhvillim, pasi dinamika e jetës dhe e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik të vendit, nuk është asnjëherë e dhënë përgjithmonë, Kushtetuta padyshim meriton gjithmonë edhe këndvështrimin nga pozicioni i nevojës për ta ndryshuar atë, por mbi të gjitha, si një instrument në zhvillim. Kushtetuta e ka të nevojshme Gjykatën Kushtetuese, vendimmarrjet e saj, si një kontribut i domosdoshëm për ta interpretuar në momente të caktuara, por njëkohësisht, edhe për ta konsoliduar në parimet dhe në konceptet e veta Kushtetutën, duke iu përgjigjur nevojës së kujtdo për interpretimin e saj.
    Sigurisht që, sot është, një moment i rëndësishëm, qoftë për të bërë një retrospektivë mbi jetën e kësaj Kushtetute, qoftë edhe për të reflektuar mbi të ardhmen e saj. Nuk ka dyshim që për një shoqëri në tranzicion, që vazhdon të përpëlitet në përpjekjet për të ndërtuar një shtet modern evropian, është e pashmangshme që herë pas here të hedhë vështrimin te Kushtetuta dhe herë pas here ta kërkojë përmes Kushtetutës edhe zgjidhen e problemeve që i sjell koha. Ashtu si kundër, është e pashmangshme, besoj unë, që në këtë rrugë relativisht shumë të shkurtër për jetën e një vendi, – 15 vjet janë shumë për jetën e një njeriu, por janë asgjë për jetën e një vendi, – të ndodhë edhe siç na ka ndodhur që, pavarësisht qëllimeve të mira, të preket Kushtetuta dhe nga prekja e saj të mos merren përfitimet e prezumuara prej qëllimit të mirë.
    E pra, sot ne jemi në kushtet kur vendi përpiqet përditë për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe pas 15 vjetësh, kur afrimi me Bashkimin Evropian imponon vijimësisht një tërësi standardesh dhe sjelljesh që shpesh herë bien ndesh me standardet dhe sjelljet që ne i kemi pjesë të vazhdimësisë sonë, pyetja që “a duhet a nuk duhet rishikuar Kushtetuta” do të bëhet besoj unë gjithmonë e më insistuese.
    Por nga ana tjetër besoj se eksperienca e këtyre 15 viteve na ka mësuar mjaftueshmërisht si t’i qasemi kësaj pyetjeje dhe si në çdo rast, përgjigjen e kësaj pyetjeje të mos ta gjejmë tek vullneti ekskluziv i forcave politike, por ta gjejmë në radhë të parë tek gjithë përfshirja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve shoqëror, duke nisur sigurisht nga komuniteti i konstitucionalistëve dhe më gjerë pastaj, nga vetë sistemi që garanton integritetin e Kushtetutës. Stabiliteti i Kushtetutës është padyshim një parakusht për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rendit kushtetues të vendit. E në çdo rast, çdo ndërhyrje në Kushtetutë, pavarësish se nuk përbën asnjë lloj sakrilegji në vetvete, imponon domosdoshmërish që, në funksion të stabilitetit dhe të forcimit të rendit kushtetues, gjithëpërfshirja të jetë koncepti bazë dhe më fillestar i saj. S’mundet kurrsesi që një proces i tillë të jetë një proces partiak dhe, aq më pak, një proces politikisht i njëanshëm. Padyshim, edhe në qoftë një proces politikisht i gjithanshëm, kjo është e pamjaftueshme kur flasim për Kushtetutën e një vendi, në jetën e të cilit partitë politike përfaqësojnë shumëçka, por kurrsesi nuk përfaqësojnë gjithçka.
    Së fundi, unë dëshiroj të theksoj se roli i Gjykatës Kushtetuese në kushtet e sotme bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm, siç bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm vet roli i sistemit të drejtësisë, përballë sfidës së gjithanshme dhe aspak të lehtë të njehsimit të sistemit tonë të të jetuarit, me atë të të jetuarit në familjen evropiane. E për këtë arsye, e çmoj shumë edhe këtë eveniment të sotëm, këtë përpjekje për ta parë ditëlindjen e Kushtetutës dhe përvjetorin e 15-të të saj si një oportunitet për të diskutuar mbi historinë e Kushtetutës në këto 15 vite, mbi të mirat dhe të metat e saj, mbi çka Kushtetuta na ka garantuar në këtë vend dhe çka nuk kemi mundur t’i garantojmë Kushtetutës, pavarësisht qëllimeve të mira nga të cilat mund të jemi nisur. E mbi të gjitha, mbi se si Kushtetuta dhe kjo Gjykatë Kushtetuese do të kontribuojnë për të forcuar standardet e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
    Ju jam shumë mirënjohës për mundësinë që më dhatë për ta përshëndetur këtë eveniment dhe ju siguroj, në bindjen dhe në vullnetin e palëkundur të Qeverisë, jo vetëm për të respektuar në çdo hap Kushtetutën dhe për të garantuar kushtetutshmërinë e çdo veprimi të saj, por edhe për të parë me shumë interes çdo përpjekje brenda sistemit të drejtësisë dhe çdo hap në pjesë të ndryshme të këtij sistemi, për të forcuar kushtetutshmërinë në bashkëjetesën mes njerëzve dhe mes institucioneve në këtë vend.
    Faleminderit!”

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,458
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Kushtetuta e Shqipërisë mbush 15 vjeç!

    Fjala e plote e Presidentit Bujar Nishani

    Kushtetuta duhet të japë garanci për një jetë të gjatë dhe qëndrueshmëri

    22 nëntor 2013

    Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, mori pjesë sot në konferencën shkencore të Gjykatës Kushtetuese me rastin e 20-vjetorit të formimit të saj dhe 15-vjetorit të krijimit të Kushtetutës.

    Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani

    Të nderuar pjesëmarrës
    I nderuar Kryetar i Kuvendit, Kryeministër, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarë,
    Të nderuar të ftuar,

    Është një kënaqësi e veçantë të jem i pranishëm në këtë konferencë shkencore, kushtuar gurit të themelit të një shteti, Kushtetutës, në këtë 15-vjetor të saj.

    Edhe pse i ri në moshë ky akt themeltar paraqet një rëndësi të veçantë për të gjithë sistemin shtetëror e shoqëror.

    Supremacia e këtij akti themeltar është e padyshimtë, dhe pikërisht prej këtu lindin edhe institucionet në themel të shtetit tonë bashkërisht me misionin dhe rolin e tyre në garantimin e rendit kushtetues dhe të lirive e të drejtave të shtetasve.

    Superioriteti i Kushtetutës në hierarkinë e piramidës së burimeve të së drejtës, është shumë i rëndësishëm për krijimin dhe ruajtjen e strukturës shtetërore.

    Besoj se kjo epërsi e mban Kushtetutën jashtë zhvillimeve të politikës së zakonshme, por jo larg vëmendjes se saj, duke bërë që strukturat themelore të shtetit të qëndrojnë mbi politikat elektorale dhe të sigurojnë paprekshmërinë e sistemit shtetëror pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve si dhe çka është më e rëndësishme, pavarësisht nga forcat politike që do të fitojnë zgjedhjet.

    Gjej rastin këtu, t’ju risiguroj se si President i Republikës dhe garant i Kushtetutës do të vazhdoj të jap maksimumin dhe të përdor çdo instrument kushtetues dhe ligjor me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së shtetit të së drejtës, duke respektuar dhe garantuar të drejtat e cilitdo shtetas dhe çdo elementi përbërës të shoqërisë tonë në formën e saj SHTET.

    Nuk kam se si t’i shikoj apo konceptoj të shkëputura nga njeri-tjetri, respektimin e të drejtave themelore të shtetasve dhe respektimin e pavarësisë institucionale.

    Çdo institucion kushtetues nuk duhet vetëm të kërkojë por edhe të përkushtohet në garantimin maksimal si të të drejtave të shtetasve ashtu edhe të mirëfunksionimit e tij dhe cilitdo prej institucioneve.

    Në bindjen time dhe aktivitetin tim, Kushtetuta duhet të japë garanci për një jetë të gjatë dhe qëndrueshmëri.

    Rishikimi duhet të jetë i rrethuar nga maturia e kujdesi për të nënvizuar aspektin themelor të paktit kushtetues.

    Përveçse anës historike dhe përpjekjeve të bëra nga Komisioni për hartimin e Kushtetutës për të arritur në krijimin e një Kushtetute të mirëfilltë evropiane, ajo që duhet vlerësuar është rëndësia që ky Komision i dha krijimit të një teksti kushtetues me vlerë, të qëndrueshëm dhe të aftë që t’i përgjigjej kërkesave për një sistem të drejtë evropian me themele të patundura por që në të njëjtën kohë t’i përgjigjej edhe realitetit ekonomiko-shoqëroro-politik të vendit.

    Kushtetuta e vitit 1998 është një nga elementet institucionale më të rëndësishme që qëndrojnë në bazën e demokratizimit të shtetit shqiptar.

    Kushtetutat e zgjedhura në vendet postkomuniste kanë pasur një rol të rëndësishëm në demokratizimin e vendit duke arritur kësisoj të përcaktojnë “rolet e lojës” dhe duke influencuar direkt në mbarëvajtjen institucionale të një shteti demokratik.

    Gjithsesi mendoj se ishte e vështirë të arrihej ky qëllim, por Komisioni për Hartimin e Kushtetutës arriti t’i përgjigjet pyetjes se “Si do të bëhej e mundur të bashkëjetojnë të gjitha domosdoshmëritë në mënyrë që të limitohen konfliktet individuale apo ato kolektive, pa krijuar institucione monstruoze të cilat mund të shkelin liritë themelore?”

    Unë besoj se po punojmë që edhe në vendin tonë, Kushtetuta të mos jetë vetëm akti themelor i një shteti, si akt material, por të jetë komponenti esencial i demokratizimit dhe vendosjes së shtetit të së drejtës, duke qenë mbi të gjitha shpirti i shoqërisë shqiptare se sa thjesht mekanizmi i zakonshëm institucional.

    Kushtetuta mbi të gjitha ka sensin e një pakti social, i një kontrate mes atyre që qeverisin dhe të qeverisurve, mes të cilëve vendosen parimet dhe instrumentet e një regjimi politik.
    Në thelb, Kushtetuta paraqet mënyrën në të cilën populli përcakton dhe instrumentalizon fuqinë, pra rikonfirmon sovranitetin.

    Nëse teksti më i vjetër kushtetues, stricto sensu, ishte Magna Carta, e cila shërben akoma si një Kushtetutë e pashkruar për Britaninë e Madhe, por që në thelb solli një zhvillim të paprecedent, duke kufizuar pushtetin absolut të mbretit si dhe duke mos i lejuar të plotfuqishmit mbret të dënonte, internonte apo vriste askënd pa kaluar me parë në një proces të rregullt gjyqësor dhe ligjor.

    E para Kushtetutë e shkruar në botë ishte ajo e Korsikës në 1735, ku për herë të parë në botë parashikonte parimet e sovranitetit popullor dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
    Gjithsesi, vlen të përmendet që njëherësh me zhvillimin e njerëzimit u zhvilluan edhe nocionet rreth kushtetutës si element themeltar i një shteti.

    Kësisoj, lindja e Gjykatës Kushtetuese si institucion në botë por edhe në Shqipëri në këtë 20-vjetor të saj, i rijep një dimension real kufizimit të sovranitetit real që e gëzonin Parlamentet në përgjithësi, por edhe Kuvendi shqiptar në veçanti.

    Është për tu vlerësuar progresi që solli Kushtetuta e vitit 1998, e cila duke çrrënjosur parimet aspak demokratike si: centralizimi i pushtetit, mosrespektimi i parimit të ndarjes së pushteteve, mungesa e pluralizmit politik dhe instalimi i diktaturës së proletariatit, i ridha një frymë të re evropiane gjithë sistemit të së drejtës.

    Mbi të gjitha Kushtetuta e 1998 është një kushtetutë reale, e cila i përkon realitetit shqiptar, sidomos në parashikimet kushtuar balancimit të pushteteve apo respektimit real të të drejtave të njeriut.

    Të nderuar pjesëmarrës,

    Vlerësoj temën që keni zgjedhur për këtë konferencë shkencore duke dashur të nënvizoni rolin statik dhe sigurimin e qëndrueshmërisë që duhet të japë kushtetuta e një vendi, e sidomos ajo shqiptare, por mendoj se në kuadrin e aderimit në BE do të duhet të përgatitemi për modifikime të reja kushtetuese të cilat vijnë në përputhje me shpirtin e kthimit në anëtar me të drejta të plota të Shqipërisë në familjen Evropiane.

    Pikat të cilat mund të parashtroheshin për rishikim në Kushtetutën e Shqipërisë, si ka ndodhur tashmë me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të konsistonin në:

    - një kufizim i sovranitetit kombëtar me anë të njohjes së institucioneve të Bashkimit Evropian për të adoptuar akte normative për shtetet anëtare. Pra, Parlamenti shqiptar nuk do të jetë i vetmi institucion ligjbërës.

    - parashikimi që duhet bërë në Kushtetutë për të drejtën për pjesëmarrje të shtetasve të Bashkimit Evropian në zgjedhjet lokale të Shqipërisë si dhe e drejta e pronësisë mbi terrene apo pasuri të paluajtshme për shtetasit e huaj.

    - parashikimi i të drejtës së shtetasve shqiptarë për të marrë pjesë si zgjedhjes apo të zgjedhur në zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

    Rishikimi Kushtetues për të cilin sapo fola nuk duhet kuptuar si një prekje e rëndësisë së këtij akti themeltar, si një kthim të Kushtetutës në një ligj të zakonshëm i cili mund të modifikohet lehtësisht, por mbetem i mendimit se çdo kushtetutë bazohet apo mbështetet në një vendim apo kompromis themelor, prandaj ajo nuk mund të vihet në pikëpyetje përmes procedurave që synojnë ndryshimin e saj.

    Pasi një kushtetutë nëse do të ishte krejtësisht e ngurtë, nuk do arrinte të jepte asnjë garanci për një jetë të gjatë dhe qëndrueshmëri, por nga ana tjetër edhe një kushtetutë e butë nuk duhet të lihet të modifikohet sipas dëshirës së shumicës politike.

    Rishikimi duhet të jetë i rrethuar nga maturia e kujdesi për të nënvizuar aspektin themelor të paktit kushtetues.

    Pra rishikimi i Kushtetutës duhet parë si një përsosje të saj kur është një domosdoshmëri shoqërore, por pa prekur bërthamën e parimeve, vlerave kushtetuese që do ta konsideronim superkushtetutë.

    Në përfundim të fjalës sime, gjej rastin të përgëzoj Gjykatën Kushtetuese për punën e palodhur si “roje e Kushtetutës shqiptare”, e cila ka arritur të jetë jo vetëm tepër aktive me vendimet e saj interpretuese në dhe për garantim të kushtetutës, por ka arritur të jetë edhe më pranë qytetarëve të cilët gjithnjë e më shumë po apelojnë tek ky institucion.

    Ju faleminderit dhe suksese te mëtejshme!


    Presidenca

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,458
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Kushtetuta e Shqipërisë mbush 15 vjeç!

    Arben Imami në “News24”: E meta e vetme e Kushtetutës, mungesa e Senatit

    TIRANE - Në 15-vjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë, një prej bashkë-hartuesve të saj, Arben Imami konsideron se ligji themelor i shtetit ka vetëm një të metë të madhe, që sipas tij është mungesa e Senatit. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, deputeti i PD-së Imami theksoi se Senati do të kishte qenë zgjidhja më perfekte lidhur me zgjedhjen e presidentit apo ligjet që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend.

    “Kur e kemi shkruar këtë Kushtetutë, e kemi menduar gjithmonë se do të ketë vend për Senat. Kur nuk u pranua Senati, u përpoqëm me mjete të tjera për të balancuar vakumin e krijuar.”- deklaroi Imami.

    Lidhur me kundërshtimet që kreu i LSI-së ka bërë për Kushtetutën, zoti Imami tha: “ Meta është i prekur në radhë të parë për ligjin elektoral, e kemi me 3/5 dhe është e shumicë të cilësuar, në mënyrë që të mos lejojë aventurizëm në këtë fushë. Zoti Meta kishte këtë problematikë dhe vijon ta ketë këtë problematikë. Ne si mazhorancë ishim të detyruar të merreshim vesh me opozitën. Nuk mund të punonim me të gjitha fraksionet brenda opozitës së djeshme.”

    Sipas Imamit, “një reformë elektorale nuk është e pamundur. Nuk është hapur ende një diskutim ,debat lidhur me ligjin elektoral, por gjithsesi ai nuk është më Kushtetues.”

    Përsa i përket zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, ish-ministri Imami deklaroi se amendamenti për vendosjen e një mandati 5-vjeçar zgjidhi një ngërç në Kushtetutë.

    “U vendos një mandat 5-vjeçar, ishte zgjidhja me e mirë. Besoj se me këtë është bërë një punë e mirë. Jep disa garanci më të mëdha dhe është një amendament i qëndrueshëm.”- u shpreh Imami.

    I pyetur se çfarë ndryshimesh priten në Kushtetutë, Imami tha se deri tani nuk është bërë asgjë serioze dhe konkrete lidhur me ndryshime të mundshme kushtetuese.

    (er.nu/BalkanWeb)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •