nga Ardi Kule

Askush nuk mund të thotë me siguri të plotë nëse fituam apo humbëm. Si rrallë herë nga të dyja palët, edhe nga ata që ishin kundër, edhe nga ata që ishin pro, kishte argumente shumë të forta. Ndoshta për shkak se të dyja palët në thelb ndanin të njëjtin qëllim, mirëqenien e këtij vendi dhe qytetarëve të vet, ndryshe nga herët e tjera gjatë këtyre viteve, ku antagonisti ishte gjithmonë opozita e sotshme, e cila është zhytur deri në grykë me krime dhe poshtërsi ndaj shqiptarëve.

Edhe pas fjalimit të Ramës nuk mund të them se mbaj një qëndrim të prerë në lidhje me çështjen e armeve kimike. Padyshim problematika është shumëfaqëshe dhe është e pamundur që ta shohësh bardh e zi.

Në fjalimin e tij Rama me sinqeritet pranon faktin që Shqipëria nuk i ka kapacitetet të brendshëm për të marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë operacion. Mirëpo ai shton se për këtë arsye,

"...gjithçka që lidhet me transportin, teknologjinë, ekspertizën, duhet ta marrin përsipër Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera."

Natyrisht, duke qenë se bëhet fjalë për elementë me rrezikshmëri të lartë, pohimi i fundit është disi qetësues për faktin se administrata e telekosur shiqptare nuk do të përfshihej në asnjë proces me zarar dhe çdo gjë do t’u lihej ekspertëve Amerikanë e ndërkombëtarë, institucioneve që kanë ekspertizën e duhur dhe padyshim dinë se ç'bëjnë.

Kjo nuk është e vështirë për tu vërtetuar. Ne e dimë tashmë se ç'janë në gjendje të bëjnë amerikanët dhe europianët. Ata mund të eksplorojnë Marsin dhe hapësirën, mund të bashkojnë njerëzit nëpërmjet tuneleve nëntokësore dhe urave mbi det, mund të "thyejnë" atomin në mes, me gjithë kuptimin e fjalës.

Mirëpo kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ashtu siç janë të aftë për të bërë mrekulli, edhe amerikanët edhe europianët janë në gjendje të bëjnë poshtërsi e të shkaktojnë rrënim. Janë të shumtë shembujt në të cilët poshtërsia e qeverive të këtyre vendeve nuk ka kufij. Rasti më i freskët është pikërisht ai i Sirisë, në luftën e së cilës viktimat e interesave të politikës Amerikano-Europiane po shtohen çdo ditë me qindra.

Pozicioni ynë zyrtar si anëtar i NATO-s dhe aleat i padiskutueshëm i SHBA-ve e detyrojnë Ramën që të denoncojë barbarinë e regjimit vrastar të Asadit. Ajo që Ramës nuk i lejohet të thotë është që rebelët që po luftojnë "regjimin vrastar" të Asadit janë pikërisht ata që presupozohet të jenë shkaktarët e 11 shtatorit, dmth Alqaeda. Gjithashtu Ramës nuk i lejohet të thotë se financuesi i Alqaedës në luftë kundër Asadit janë vetë Amerikanët dhe aleatët e saj në rajon.

Regjimi i Asadit është një regjim autokratik dhe si në çdo regjim autokratik, dora e shtetit bëhet mjaft e rëndë kur vjen puna për të ruajtur pushtetin. Për më tepër nuk diskutohet që ka një opozitë të fortë ndaj Asadit dhe një pjesë e popullsisë siriane kërkon ndryshime demokratike. Mirëpo nëse informohesh pak për luftën në Siri nuk është e vështirë të kuptosh se situata në Siri nuk është krejt ashtu siç përpiqet të na e servirë media perëndimore.

Ka dy vjet që lufta në Siri vazhdon dhe ushtria e shtetit sirian duket më e fortë se kurrë. Ajo po korr dita ditës suksese ushtarake dhe duket se ka mbështetjen e patundur të shumicës së popullsisë siriane. Siç duket, populli sirian vërtetë kërkon reforma demokratike, por përballë rrezikut ekstremist islamik i ka lënë përkohësisht mënjanë mosmarrëveshjet dhe është bashkuar për një kauzë të përbashkët, ruajtjen e shteti laik, një entitet që Amerika dhe aleatët e saj në rajon po përpiqen me të gjitha forcat për ta zhdukur nga faqja e dheut.

Mënyra me të cilën Amerika dhe aleatët e saj rajonalë (përfshi dhe Turqinë) po përpiqen të zhdukin shtetin laik sirian është pikërisht ajo që e kanë shpallur si armikun kryesor të këtyre dhjetë vjetëve të fundit, terrorizmin. Shumica e fraksioneve rebele në Siri janë vetëshpallur islamistë xhihadistë wahabitë, haptazi të lidhur me Alkaedën dhe nuk përpiqen aspak ta fshehin këtë. Metodat që përdorin ata janë nga më barbaret, ekzekutime pa gjyq, tortura çnjerëzore e deri tek prerjet e kokave para kamerës. Kudo që iu shkel këmba ata prishin spitale e shkolla, vrasin fëmijë e përdhunojnë gra, të gjitha në emër të Allahut.

Natyrshëm lind pyetja, pse po përpiqet Amerika ta rrëzojë regjimin e Asadit me ndihmën e terroristëve? Arsyet janë të shumta. Ka aq përgjigje sa edhe popuj në atë rajon. Por ndër të gjitha, njëra është ajo që tërheq vëmendjen më shumë,... tubacionet e naftës.

Për asnjë arsye tjetër në botë nuk do të angazhoheshin Amerika dhe Europa në veprime luftarake nëse nuk do të ishte për naftën. Ka sot në botë mbi dhjetë konflikte të armatosura, të cilat kanë shkaktuar me miliona viktima e popullsi të shpërngulura. Pse vallë nuk dëgjojmë të flitet për to si për Sirinë? Sepse atje nuk kalon nafta, ja pse

Pikërisht në territorin e Sirisë planifikohet që të kalojnë tubat e naftës që do të vijnë nga Iraku dhe vendet arabe të gjirit Persik, të cilët me shumë gjasa do të kalojnë edhe përmes Shqipërisë. Nëse e analizojmë situatën nga një këndvështrim global, atëherë panorama fillon të qartësohet.

Në fillim u godit Iraku sepse ishte një shtet autokratik, kundërshtar i binomit SHBA-BE (me SHBA nënkupto edhe Arabi Saudite, etj.), i cili mund ta shiste shtrenjtë naftën e vetë ose mund të nxirrte pengesa të shumta, duke prishur kështu balancat e tregtisë botërore të naftës, njësoj siç po bën Irani, i cili është shpallur gjithashtu armik.

Superfuqive perëndimore dhe Aleatëve të tyre nuk ua ka qefi të bëjnë tratativa me shtete të fuqishme që duan pavarësi politiko-ekonomike. Atyre u intereson që në vendet ku kalojnë tubacionet e naftës të ketë sundues lokalë injorantë me pushtet të kufizuar dhe të paqëndrueshëm, sepse në këtë mënyrë kanë mundësi t'i zëvendësojnë shpejt nëse ua lyp nevoja. (Irak, Afganistan, Siri)

Tani e ka radhën Siria. Jo prej Asadit, jo prej regjimit të tij vrastar, por thjeshtë prej pozicionit gjeografik. Nëse heqim një vijë pak a shumë të drejtë nga gjiri persik drejt Europës, do të shikojmë se tubacionet kalojnë mespërmes Irakut, Sirisë, Turqisë pastaj kalojnë në Greqi e në fund në Shqipëri, nëpërmjet TAP-it (e famshmja dashuri e papritur e tre kryeministrave Shqiptar, Kosovar dhe Turk ).

Ky arsyetim rrjedhimisht na e sjell vëmendjen tek titulli i këtij shkrimi. Ç'pozicion duhet të mbajë Shqipëria? Me gjithë këto forca madhore që veprojnë sa majtas djathtas, vallë në cilën transhe duhet të radhitet Shqipëria e vogël? Dhe tjetra, nga gjithë kjo çorbë globale, çdo të përfitojë një shtet i vogël e i lodhur ballkanik?

Përgjigja për pyetjen e parë është e vetëkuptuar. Binomi SHBA-BE, të cilat sintetizohen në një emër të vetëm, NATO. Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Shqiptarët, i madh e i vogël e dinë që SHBA dhe BE janë miqtë tanë më të shtrenjtë dhe këtu nuk ka shumë vend për diskutim.

Në fjalimin e tij Rama e përmbledh bukur këtë çështje

"...detyrimi ynë për të qenë në krah të aleatëve tanë më të mëdhenj, në çdo përpjekje madhore për një botë më të mirë dhe, padyshim, vetë interesi ynë kombëtar që është pazgjidhshmërisht i lidhur me marrëdhënien tonë speciale me Shtetet e Bashkuara"

Këtu nuk ka ekuivok. E ardhmja e Shqipërisë është e lidhur pazgjidhshmërisht me Shtetet e Bashkuara... dhe naftën.

Përgjigjja për pyetjen e dytë është paksa më e koklavitur pasi edhe faktorët janë më të shumtë dhe më pak evidentë. Më poshtë Rama flet edhe për detyrimet që kanë këto miqësi:

"Po ju them vetëm se po, kjo është pjesa e vështirë e të qenit të angazhuar kundër armiqve të njerëzimit dhe në krah të Shteteve të Bashkuara e të vendeve të aleancës Euroatlantike.
Kjo është pjesa e vështirë e një marrëdhënieje strategjike nga e cila ne, shqiptarët, duhet ta dimë më mirë se shumë të tjerë që kombet dhe vendet marrin më shumë se ç’janë në gjendje të japin. Sepse tamam kjo, është ajo pjesa e vështirë pa të cilën sot Sllobodan Miloveshiçi mund të ishte ende në qafën e gjysmës së kombit tonë ndërsa ne shqiptarët e Shqipërisë s’do ishim jo në NATO, po në asnjë lloj refeneje ndërkombëtare.”


Edhe këtu Rama ka plotësisht të drejtë. Ne Shqiptarët nuk duhet të harrojmë përfitimet strategjike që kemi pasur nga binomi SHBA-BE para fare pak vitesh kundër gjithë gjasave për t’i pasur këto përfitime vetëm me forcat tona. Pra, ne Shqiptarët duhet të jemi më shumë se kushdo tjetër të vetëdijshëm për rëndësinë e politikës globale dhe gjithçka që vjen nga pas, pasi falë saj u arrit brenda një kohe fare të shkurtër një nga objektivat kryesore strategjike të Shqiptarëve, pavarësia e Kosovës.

Thelbi është ky: asgjë nuk vjen falas. Sa më i rëndësishëm përfitimi, aq më i shtrenjtë çmimi. Kjo është dialektika e natyrës. Gjithashtu këtu merr përgjigje edhe pyetja që ka ngritur pala kundërshtare “pse Shqipëria që është e varfër dhe jo ndonjë shtet tjetër aleat?” Sepse Shqipëria ka borxhe të mëdha që duhet t’i paguajë. Kaq e thjeshtë. Megjithatë Shqipëria nuk do të ishte e vetme në këtë operacion. Ja si shprehet Rama:

“Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë.

E askush s’do thoshte as pse vetëm Shqipëria dhe as që ky operacion kërkon një vend të varfër e të ndotur si Shqipëria e sotme.”


Por jo vetëm kaq, ky operacion nuk do të vinte pa qerren e pajës nga mbrapa. Rama në fjalimin e tij thotë kështu

“...Shqipëria e meritonte me patjetër që ekspertët më të mirë të botës, bashkë me teknologjinë më të shkëlqyer për mbetjet kimike, të mos shkuleshin nga Shqipëria me të mbaruar punë me mbetjet e Asadit - po të vazhdonin punën në Patos-Marinzë, Ballsh, Fier, Elbasan, Rubik, Laç, Berat, Lushnjë, Bajzë, Rrëshen, Fushë Arrëz, Prrenjas, Burrel, e me radhë të tjera, për të mbaruar punë njëherë e mirë, edhe me mbetjet e rrezikshme të pesëdhjetë vjetëve komunizëm, plus njëzet vjet barbarizëm mjedisor.

U kërkova edhe pastrimin e mbetjeve të mëdha inerte në gryka lumenjsh, nëpër rrugët kombëtare e nëpër plazhe dhe pak nga pak, u mirëkuptuam. Po ashtu më në fund u mirëkuptuam edhe për kushtin e panegociueshëm të tërheqjes nga Shqipëria, të të gjitha mbetjeve që do të prodhonte faza e dytë e shkatërrimit të armëve kimike siriane.

Sepse o miq, në Shqipëri nuk do të na mbërrinin bombat e famshme të cilat çmontohen në Siri, po lëndët kimike të nxjerra prej tyre (pra jo fishekët po baruti).

Ndërsa djegia dhe varrosja e mbetjeve pas trajtimit të lëndëve që do të vinin këtu, të bëheshin gjetkë, në vende të tjera.

Kështu mbi tokën e Shqipërisë nuk do të mbetej më absolutisht asnjë thërrime lëndë kimike.”


Edhe pse me Borxhe të mëdha ndaj binomit SHBA-BE, gjithësesi Rama është përpjekur ta shesë shtrenjtë pjesëmarrjen në operacion. Pastrimi i Shqipërisë nga 30 e kusur hotspot-et ku ka ndotje kimike, nga ekspertët më të mirë ndërkombëtarë brenda një kohe fare të shkurtër do të ishte një përfitim i përmasave kolosale, të cilin Shqipëria nuk do ta bëjë do kurrë plotësisht as me forcat e veta e as me projektet e BE-së. Se si i thonë asaj fjalës popullore “hekuri rrihet sa është i nxehtë”.

Të mos flasim pastaj për përfitime ekonomike, të cilat sipas thashethemeve mund të shkonin deri sa GDP e Shqipërisë ose politike në të cilat Shqipëria do të kishte pozitë preferenciale, siç ka dhe Izraeli sot (natyrisht jo në atë shkallë).

Megjithatë, pavarësisht politikës globale, borxheve dhe përfitimeve, shqetësimet dhe pikëpyetjet e ngritura nga pala që kundërshtoi përfshirjen e Shqipërisë në këtë operacion janë mëse legjitime. Është e vështirë të mbyllësh njërin sy e njërin vesh ndaj arsyetimeve dhe argumenteve që sollën shoqëria civile, ambientalistët, etj.

Padyshim pyetja më e rëndësishme që ngritën ata ishte: “pse duhet t’i pranojmë ne armët ndërkohë që vende të tjera më të të zhvilluara i kanë refuzuar?” Kjo pyetje u pasua vetvetiu nga thirrjet “ne nuk jemi koshi i plehrave të Europës”, “Duaje atdheun më shumë se kryeministri Amerikën”, “ Nuk duhet të lejojmë që të na trajtojnë si skllevër”, “Shqipëria është e jona jo e ndërkombëtarëve”, etj.

Për më tepër revolta ndaj ndjesisë së inferioritetit në këtë marrëdhënie trepalëshe SHBA-BE-Shqipëri u fry edhe nga mediat e huaja, të cilat të gjitha pa përjashtim e argumentuan pjesëmarrjen e Shqipërisë në operacion si “bodrumi ku Amerika bën punët e pista”.

Edhe pse këto parulla qëndrojnë nga një këndvështrim i majtë radikal internacionalist, në realitetin e sotshëm gjeopolitik global, kjo marrëdhënie është mëse legjitime. Siç arsyetova më sipër, Shqipëria jo vetëm që ka borxhe të mëdha ndaj Amerikës, por edhe arsyet pse duhej apo s’duhej të pranonte nuk mund të krahasoheshin me vendet e tjera të pasura të rajonit. Rama shprehet kështu:

“Ne vërtet jemi të vegjël e të varfër, po ju siguroj se nuk bëhemi as më të mëdhenj as më të pasur, duke u ngutur të sillemi si të mëdhenj pa qenë të tillë dhe duke thirrur, “Shqipëri etnike pa armë kimike!”; As duke u kuturisur të krahasohemi kot më kot me të tjerë, më të mëdhenj e më të fortë se ne, të cilët për arsye krejt të tjera mbajnë qëndrime të tjera nga tonat.”

Këtu ka një të vërtetë. Arsyet pse disa vende refuzuan ne nuk mund t’i marrim apriori për referencë për vendin tonë, jo vetëm se nuk jemi në dijeni të tyre, por as kushtet për të bërë krahasime nuk i kemi të barabarta.

Unë nuk mund të flas me siguri sepse nuk i di arsyet e vërteta të refuzimit nga këto vende. Por unë mund të aludoj që vendet që kanë refuzuar armët kimike në fakt mund të mos kenë përdorur rrezikun mjedisor si arsye të refuzimit. Ndoshta mund të ketë qenë arsye teknike. Ose p.sh. kërkesat financiare e politike të, bie fjala, Turqisë, apo Norvegjisë mund të ketë qenë të papërballueshme në krahasim me kërkesat financiare të Shqipërisë e ndonjë vendi tjetër, të cilat buxheti Amerikan i mund t’i mbulojë më lehtë. Kompanitë europiane dhe amerikane kimike po shkulin flokët që kush e kush të marrë i pari kontratën për operacionin dhe ky fakt nuk duhet anashkaluar.

Mirëpo nga ky arsyetim del një shqetësim tjetër legjitim dhe shumë serioz madje. Duke qenë se Shqipëria është e varfër ajo mund të bëhet lehtë pre e matrapazllëqeve korporative si abuzime me fondet, mashtrime financiare, marifete për të bërë kursime, etj. gjëra këto që mund të ndikojnë drejtpërdrejtë në uljen e sigurisë së procesit dhe rritjen e rrezikshmërisë për tokën dhe popullsinë e vendit.

Sado ekspertë të sjellin Amerikanët këtu, është vërtetuar se lakmisë kapitaliste është pothuajse e pamundur që t’i bësh ballë, qofshin këta shqiptarë, amerikanë apo europianë. Një pjesë e shoqërisë shqiptare është e ndërgjegjësuar për këtë realitet dhe me të drejtë ngre dyshime serioze mbi mbarëvajtjen e çdo lloj procesi të përmasave të tilla me rrezikshmëri të lartë në territorin tonë.

Duke marrë parasysh arsyetimin tim në fillim të shkrimit, kam dalë në konkluzionin se shumë shqiptarë janë ndërgjegjësuar tashmë se të jesh në aleancë me më të fortin, nuk do të thotë domosdoshmërisht se je në aleancë me më të mirin. Kush më mirë se ne mund ta dijë këtë gjë që kemi qenë kushedi sa herë viktima të politikave globale të superfuqive?

Për hir të pozicionit që ka dhe politikës së aleanëcës Rama shprehet kështu:

“A mund të imagjinohej dhe të imagjinohet se Shtetet e Bashkuara i kanë hyrë kësaj përpjekjeje, për t’ia hequr armët kimike nga duart një vrasësi dhe pastaj për të vrarë me to Shqipërinë, apo cilindo vend tjetër aleat të përfshirë në këtë përpjekje?
A mundet që një mendje normale, sado armiqësore ndaj Amerikës, të shkojë deri në pikën se Shtetet e Bashkuara, do ta udhëhiqnin një operacion të tillë në sytë e gjithë planetit, për të çuar në vendet aleate vdekje e shkatërrim, duke vrarë në radhë të parë trupat e tyre të ekspertëve dhe vetë veten e tyre para tërë ekraneve të botës?”


E vërteta është që po. Amerikanët e kanë traditë këtë gjë, vetëm se në vend të fjalëve vdekje e shkatërrim e quajnë “demokraci”. Natyrisht që nuk do ta bënin me qëllim këtu në Shqipëri, sepse jemi aleatë, por edhe ndonjë shqetësim të madh për fëmijët tanë nuk është se kanë dhe këtë e di çdo Shqiptar.

Edhe Amerika, edhe Europa, nuk i kanë për gjë fare 4-5 mijë të vrarë ose të vdekur diku një vend të dorës së dytë. Për ata, ne numra jemi, dele. Ca shqiptarë të bezdisur më pak. Kur i bëjnë llogaritë, ata i marrin parasysh këto risqe. Ndërsa për ne shqiptarët këto janë shifra të tmerrshme që as na shkojnë nëpër mend. Ne dy pëllëmbë gjithsej e kemi vendin tonë.

Këtu vjen ai momenti kur qindra e mijëra të rinj e të reja, pleq, nëna me fëmijë, burra, dalin në shesh për të protestuar kundër një rreziku potencial për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Ndoshta shqiptarët nuk janë shumë të ndërgjegjësuar politikisht dhe aq më pak teknikisht, por ata e dinë shumë mirë se nga më i forti duhet të dish të përfitosh por edhe të mbrohesh. Shqiptarët mund të jenë individualistë por nuk janë budallenj.

Protesta tregoi se ka ikur koha kur të gjithë Shqiptarët besonin qorrazi te Amerika. Falë internetit dhe mjeteve të komunikimit masiv, shumë prej nesh janë në gjendje që të shohin të dyja anët e medaljes në çdo konflikt që hyn Amerika, jo vetëm ato që japin CNN, BBC dhe Euronews. Prandaj, me të drejtë ngremë shqetësimin tonë për sigurinë e atdheut sidomos kur bëhet pjesë e operacioneve që janë të financuara nga qëllime fitimprurëse, jo-humane.

Edhe pse vende-vende e pa informuar mirë, diku e ekzagjeruar dhe diku tjetër e keqininformuar, kjo protestë pati një rëndësi shumë të madhe për historinë e qytetarisë shqiptare dhe i hapi rrugë një epoke të re, një mentaliteti të ri demokratik, pjesë e së cilës është dhe vetë kryeministri.

Në fakt vetë Rama u shpreh kështu për protestën:

”Protesta juaj në rrjetet sociale dhe në rrugët e Tiranës apo Shqipërisë, ka qenë e vetmja dallandyshe shprese në qiellin e mbushur me tymin e zi të urrejtjes, mllefeve, gënjeshtrave, delireve, frikërave që shpërthyen në mesin tonë.

Edhe pse ju ka përfshirë në protestë mbingarkesa në shpirt prej gjithë kësaj propagande histerike, unë ndjehem shumë mirë për ju; ndjehem mirë sidomos për shumë prindër që deri dje i frikeshin protestës ndërsa sot dalin në rrugë me gjithë fëmijët e tyre, të pashqetësuar nga forca speciale e gryka pushkësh në dritaret e kryeministrisë; ndjehem mirë për këtë erë të freskët demokratike që solli 23 qershori.”

Në fakt ky ndërgjegjësim shoqëror ndoshta nuk do të ishte kurorëzuar me atë protestë masive pa vetë Ramën si subjekt i saj. Kush më shumë e kush më pak e ndjente se kjo protestë do të merrte vlerë për faktin se është Rama kryeministër dhe se shumica e protestuesve kishin besim tek ai, prandaj dhe kur u shfaqën Sala dhe Luli, protestuesit i dëbuan me ceremoni ndërsa kur u mor vendimi, protestuesit festuan dhe pastaj u shpërndanë qetësisht nëpër shtëpi pa komente që shprehin urrejtje dhe me mirkuptim për vendimin e qeverisë.

Kjo tregon se pavarësisht ndjenjës së revoltës ndaj një vendimi potencialisht të rrezikshëm, ekziston një lloj fryme pozitive mirëkuptimi mes qeverisë së re dhe qytetarëve. Edhe vetë kryeministri u shpreh kështu:

“...unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb po edhe fizikisht si vend,...”


D.m.th. vetë Rama pohoi se nuk do të merrte asnjë vendim pro pa u konsultuar njëherë gjerësisht me kuvendin dhe opinionin publik.

Që t’i kthehemi titullit të shkrimit, nga gjithë kjo zallamahi e zhurmë e madhe është e vështirë të kuptohet nëse fituam apo humbëm ndonjë gjë. Disa do të thonë se shmangëm rrezikun dhe fituam sigurinë, disa të tjerë do të thonë se do të kishim fituar shumëçka dhe se paniku ishte i pajustifikuar.

Janë shumë pyetje që kërkojnë përgjigje. E vërteta është që këtë nuk do ta marrim vesh kurrë pasi shkaku i mospranimit nuk ishte as protesta qytetare, e as qeveria, por fakti që ato vendet e tjera (të cilat mund të kishin qenë edhe komshinjtë tanë rreth e rrotull) nuk arritën të përgatiteshin në kohë për realizimin e operacionit. Pra ashtu siç ndodh shpesh herë nëpër drama, shkaku i mospranimit ishte një “Deus ex machina”, d.m.th, një faktor i jashtëm, i pavarur nga ngjarjet në vend.

Ne nuk patëm një plan konkret, të cilin mund ta analizonim dhe mbi të cilin të diskutonim kështu që automatikisht çdo gjë është thënë deri tani kanë qenë vetëm spekulime dhe aludime.