Grabitësit masakrojnë të verbrën
Persona të paidentifikuar e godasin me mjete të forta, në shtëpinë e saj
RUBIK- Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë goditur me mjete të forta një 27-vjeçare të verbër, e cila ka përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin e Rrëshenit. Ngjarja ka ndodhur në të gdhirë të ditës së djeshme dhe sipas burimeve të policisë, motivi i kësaj ngjarjeje është grabitja. Violeta Lleshi, 27 vjeçe, e verbër, banuese në qytetin e Rubikut është goditur në banesën e saj, me sende të forta. Ngjarja ka ndodhur në orën 01.30 të së enjtes. Burimet e policisë thanë për gazetën se personat e paidentifikuar kanë hyrë nga dritarja e shtëpisë përdhese, në të cilën 27- vjeçarja jetonte me të ëmën, Dila. Kjo e fundit, saktësuan të njëjtat burime, nuk ndodhej në shtëpi në momentin e kryerjes së krimit. Dila kishte shkuar në fshatin Sang të Fanit, nga dhe ku kanë zbritur nënë e bijë që prej 6 vitesh. Sipas hetimeve të para mendohet se autorët e këtij krimi janë dy adoleshentë. Policia dyshon se grabitësit kanë pikasur nënën e 27-vjeçares së verbër që dy ditë më parë ka tërhequr 1 milionë lekë të vjetra tek Western Union, të cilat ia kishte dërguar djali i saj emigrant. Dy autorët e krimit, sipas policisë, kanë gjuajtur momentin kur vajza ishte e vetme në shtëpi dhe kanë shkuar atje, duke e lënë të dëmtuar atë. 27-vjeçarja e verbër e shtruar në spitalin e Rrëshenit ka mundur të tregojë për uniformat blu se ka dëgjuar një zhurmë që vinte nga dritarja dhe ka menduar se ajo vinte nga lëvizja e ndonjë maceje. Në momentin që është çuar nga krevati për t’iu afruar me të prekur murit të dhomës në pjesën e përparme të kokës ka ndjerë një goditje të fortë. Burime të policisë që kanë shkuar në vendngjarje thanë për gazetën se njëri prej agresorëve i ka vënë dorën mbi kokë, me qëllim që ta shtynte vajzën, ndërkohë që gjurmët e gjakosura të gishtërinjëve të tij janë lënë mbi dritare nga dhe ku janë larguar me të shpejtë pas klithmës së vajzës, pa mundur të çonin deri në fund aktin për të cilin kishin shkuar, vjedhen e lekëve. Kanë qenë komshinjtë ata që i janë gjendur menjëherë vajzës së verbër, mes tyre dhe një polic, që banon aty pranë. Ky i fundit ka bërë të mundur dërgimin e vajzës së plagosur në spitalin e Rrëshenit, ku dhe i është dhënë ndihma e shpejtë. Mjeku reanimator, Preng Simoni, tha se gjendja e 27- vjeçares paraqitet e rëndë pasi ajo ka humbur shumë gjak, ka dhimbje koke dhe të vjella. Ndërkohë një prej komshijeve të vajzës së verbër, Vida, shprehet se
“jemi gati të ndihmojmë financiarisht, vetëm t’i shpëtohet jeta vajzës së verbër”..
Gjergj Marku
Copyright 2002 Shekulli
Krijoni Kontakt