Edicioni i 52 i Festivalit të Këngës në RTSH hap siparin më datat 26, 27, 28 Dhjetor
në Pallatin e Kongreseve.
Edicioni i 52-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, do të hapë siparin më datën 26 nëntor, për të vijuar përgjatë dy ditëve të tjera konkurrim në skenën e Pallatit të Kongreseve. Nëse jemi mësuar të shohim dy netët e para të festivalit si dy net gare, në fund të së cilës bëhej dhe klasifikimi i këngëve që do të shkonin në natën finale, këtë vit skema do të jetë ndryshe.
Nga 40 këngë konkurruese për të marrë pjesë në këtë edicion, janë përzgjedhur 16 këngë. Ato do të ngjiten në skenë përgjatë dy netëve, por të 16-ta do të shkojnë në finale. Mund të themi se këtë vit Festivali “tkurret”, me një numër më të kufizuar këngësh. “Gjatë dy netëve të para nuk do të ketë seleksionim dhe në natën e tretë të 16 këngët konkurruese do të ngjiten në skenë duke i dhënë kështu mundësi publikut të njohë më mirë këngët dhe konkurrentët e këtij viti.
Sigurisht, festivalit nuk do t’i mungojnë elementët e spektaklit, por edhe diskutimi apo hapësira të përcaktuara të kritikës. Siç është bërë traditë e këtyre tre viteve të fundit secila prej këngëve konkurruese është e zbërthyer në partitura dhe interpretimi do të realizohet live, në shoqërinë e orkestrës së RTSH-së”, tha kompozitori Edmond Zhulali, i cili do të jetë dhe udhëheqësi artistik i këtij festivali. Dje, gjatë një konference për shtyp është prezantuar dhe stafi organizues i festivalit, ku drejtor i festivalit është Alfons Zeneli, regjisor do të jetë Petri Bozo, skenariste Alda Bido, producent muzikor Alfred Kaçinari, drejtor artistic Edmond Zhulali dhe Shpëtim Saraçi.
Elementi që organizatorët kanë gjetur për të kompensuar mungesën e këngëve të tjera konkurruese është dueti. Artistët konkurrues do të këndojnë një duet me artistë të vjetër që kanë marrë pjesë në edicionet e këtij festivali. Këngët që do jenë duete do jenë këngë të suksesshme ndër vite. Ajo çfarë vihet re në emrat e këngëtarëve konkurrues është mungesa e emrave të njohur të skenës. Pjesa më e madhe e artistëve konkurrues janë të rinj. Por, për drejtorin artistik është fat që niveli i këngëve konkurruese është cilësor”. Këtë vit prurjet kanë qenë vërtet të mira. Kemi vokale shumë të mira që edhe pse janë të rinj kanë dalë nga aktivitete shumë të rëndësishme. Unë nuk shoh dallim mes këngëtarëve të rinj dhe atyre me përvojë në skenën e festivalit. Secili këngëtar është në testim të këngës, orkestrimit, tekstit dhe vokaleve. Nuk kam asnjë dyshim tek asnjë këngëtar që do t’i falin publikut performancë të shkëlqyer vokale”, thotë Zhulali.
Sipas tij, edhe këtë vit festivali do të jetë live. “Kemi një ekip shumë të mirë teknik i ardhur nga Italia që është vënë në krye të kësaj pjesë mjaft të rëndësishme të organizmit të Festivalit. Puna e tyre konsiston në miksazhin e orkestrës dhe dëgjimit. Ata janë mjeshtër me eksperiencë botërore që na japin garanci se gjithçka do të jetë në nivele të larta, pavarësisht vështirësive teknologjike që ne kemi”, thotë Zhulali. Sipas tij, të qenët e këtij festivali live, ka ndikuar dhe në një lloj auto-filtrimi nga vetë këngëtarët, të cilët i njohin kapacitetet e tyre. “Ka këngëtarë që preferojnë të këndojnë play back. Unë sigurisht nuk kam asnjë paragjykim për ata që këndojnë në play-back, por mendoj që festivali ka disa vite që këndohet live është një sfidë për të gjithë këngëtarët. Përgjegjësia bëhet akoma më e madhe kur mendon se njëri prej tyre do të shkojë në Eurovizion aty ku interpretohet live para një spektatori akoma më të gjerë siç është ai europian”, tha Zhulali.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/1...e-konkurruese/
Krijoni Kontakt