-
Rrëfen Thanas Papa, ish-ushtaraku i raketave kundërajrore
DOSSIER/Rrëfen Thanas Papa, ish- ushtaraku i raketave kundërajrore
-Në mars të vitit 1943 në shtëpinë e tij u zgjodh këshilli Nacional Çlirimtar
-Peçi Papa arrestohet pasi strehoi Gjin Markun
-Marshall Martini me një pjesë karabinierësh hynë brenda në shtëpi befasisht
-Tek ne kanë fjetur me muaj të tërë Zylyftar Zeleshnja dhe Gjin Marku
-Gjin Marku, Gjeneral strateg në besë të familjes Papa, Kutalli, Berat
-Si na shpallën kulak dhe pse ishim baza e luftës në Kutalli
-Atij që i dhamë ndihmë na shpalli kulak në pabesi
- Tetor 1951- qershor 1954 familja jonë u cilësua Kulak, na u morën triskat e frontit
Albert ZHOLI
Familja Papa është e njohur në fshatin Kutalli të Beratit për ndershmërinë, patriotizmin, për urtësi dhe lidhje të forta e të qëndrueshme me trojet e të parëve. Nga kujtimet e largëta të pleqve më të moçëm dhe nga kërkimet e deritanishme rezulton se kjo familje ka zbritur nga Voskopoja e Korçës për në Berat në mesin e shek. 19. Ndër figurat e para kryesore që shkëputen nga trungu i fisit Papa voskopojar dhe vijnë e vendosen në Kutalli të Beratit, ishte Jorgji Papa, i cili ka qenë i pari ndër papallarët me 2 vëllezërit e tij, Sotiri e Mitri. Kjo familje ka qenë më në zë në krahinën e Kutallisë. E ka lartësuar emrin e familjes dhe radhitja në krah të frontit të L.A.N.Ç. për çlirimin e vendit. Sipas zakonit, kohë më parë fis ose familje e parë, quhej ajo e cila kishte një pozitë të mirë ekonomiko-shoqërore dhe këtë pozitë e ruante në vazhdimësi në kryerjen e veprimtarive të dobishme jo vetëm për vete, familjen, por edhe për gjithë fshatin.
Familja Papa ka qenë një familje e madhe patriarkale me 35 pjesëtarë ku Peçi Papa ishte kryefamiljar, i madhi i vëllezërve. Peçi, Taqi e Tuni ishin tre vëllezër. Ajo kishte një organizim e disiplinë të përsosur, i cili qe trashëguar brez pas brezi. Në këtë familje puna bëhej e përbashkët dhe çdo gjë ndahej në mënyrë të barabartë.
Personazhi i gjallë i familjes Papa, Thanasi
Është 70 vjeç (ish-oficer në pension), por shumë i mbajtur, ka një memorie të çuditshme. Ai rrëfen gjithë historinë tragjike të familjes së tij që u burgosën, u internuan, u sekuestruan, persekutuan, e u cilësuan kulak nga qeveria komuniste, si dhe dramën e tij pas ardhjes nga Berati në Krujë.
Është shumë e dhimbshme dhe ndjen keqardhje kur dëgjon për Peçin (xhaxhanë e tij) ku tregon historinë dhe kalvarin e jetës dhe të familjes së tij, por edhe ndjehesh ngushtë, sepse ai ndonëse në vitet e pleqërisë (siç dëshmon Thanasi) se, thellë dallonte si një njeri i papërkulur, optimist dhe me një kujtesë të qartë.
Në rrjedhën e kohës
Po kush është Peçi Papa? Cila është historia e familjes së tij? Dhe përse e gjithë familja u cilësua kulak nga qeveria komuniste?
Peçi Papa
Peçi, i biri i Jorgjit dhe i Guces, lindur më 1 Korrik 1893, në fshatin Kutalli të Beratit, ka qenë pa fjalë një personazh i planit të parë. Puna, djersa, ndershmëria, ndjenja e humanizmit, bujaria e familjes së tij, nga e cila rridhte dhe në gji të së cilës u rrit Peçi, mbrujtën tek ai tipare dhe virtyte, që jo vetëm i trashëgoi nga familja, por që me punën dhe veprën e tij, ja ngriti më lart nderin e krenarinë familjes se vet.
Në dorëshkrimet që ruan Thanasi (nipi i tij, djali i vëllait), Xha Peçi kur e pyeste nipi ndalonte një çast (dorëshkrimet e viteve ’60), ofshante pak dhe ndezte gjithmonë një cigare. Pasi thithte cigaren niste të tregonte ashtu qetë - qetë, por me modesti përshkruan ashtu si e ndjen dhe e kujton ai atë periudhë të vështirë për të cilën nënvizon një fakt që në vetvete paraqet një dilemë, shkakun e së cilës nuk e kupton. Si vallë ai dhe familja e tij që njiheshin për atdhetarizëm në tërë zonën dhe krahinën, gjë që i lidhi në L.A.N.Ç. dhe në shërbim të saj vuri gjithçka, u vunë përballë një trajtimi të tillë? Iu mohua gjithçka, madje u denigruan. Pse kështu? Këtë ai përpiqet ta shpjegojë, por nuk mund të gjejë arsyen. Gjithsesi le t’ia lemë fjalën atij.
Lufta Nacional Çlirimtare
Gjin Marku, Gjeneral strateg në besë të familjes Papa, Kutalli, Berat
Që nga janari i vitit 1942 e deri më ditën e çlirimit të vendit Peçi dhe familja e tij, mbështeti Lëvizjen Antifashiste dhe Shtëpia e tij u bë Bazë e luftës Nacional Çlirimtare.
Ai priti dhe përcolli luftëtarët e Lirisë: Gjin Marku, Mestan Ujaniku, Kareman Ylli, Zylyftar Veleshnja, Nure Dobrusha, Tajar Grepcka, Xhavit Struga etj..
Fashistët e burgosën i bastisën shtëpinë e torturuan. Por për atë ishte e shtrenjtë liria, prandaj nuk kurseu asgjë. Shtëpia e Peçi Papës ka qenë e parë bazë në fshatin Kutalli dhe në tërë zonën e Roskovecit, ku janë strehuar udhëheqës të partisë dhe pushtetit Nacional Çlirimtar. Aty janë bërë mbledhje të ndryshme, është strehuar njësiti Guerril i zonës dhe në mars të vitit 1943 në shtëpinë e tij u zgjodh këshilli Nacional Çlirimtar të fshatit dhe ai Krahinor, ku Peçi Papa u zgjodh kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar dhe anëtar i Këshillit Krahinor.
Për këtë kanë shkruar e kanë shprehur vlerësimet e larta kuadro drejtuese të luftës në qarkun e Beratit si: Karaman Ylli, Zylyftar Veleshnja, Mane Nishova, Myqerem Fuga, Xhavit Struga, Tajar Grepcka, Thoma Bello etj..
Veprimtaria me nota të theksuara patriotike Nacionaliste e Peçi Papës kishte rënë në sy të pushtuesit.
Ky aktivitet shumëplanësh ishte shumë intensive, lëvizjet e tij si korrier që mbante në lidhje shokët e terrenit me qarkorin e Beratit ishin tejet sfiduese për pushtuesit fashistë.
Për këtë arsye Peçi arrestohet dhe burgoset në Berat. Pas 20 ditësh të tmerrshme rrahjesh dhe torturash çnjerëzore, Peçi nxirret në gjyq i akuzuar për lidhje me komunistët dhe si bazë që strehon partizanë e ilegalë.
Peçi me qëndrimin e tij të fortë duroi torturat, me një shkathtësi e zgjuarsi arrin të kundërshtojë të gjitha provat e ngritura nga trupi gjykues. Nuk tregoj asgjë, dhe për këtë u la i lirë. Pas daljes nga burgu ai vazhdon sërish aktivitetin e tij dhe nuk u shmang për asnjë çast nga lufta për çlirim.
Një fakt tepër interesant
Lidhur me aktivitetin e familjes Papa po dëshmohet një fakt tepër interesant:
“Një ditë nga ditët kur i deleguari i Komitetit Qendror për qarkun e Beratit, zoti Gjin Marku, vjen në shtëpinë time dhe i kërkon besë familjes për tu strehuar dhe familja ime e mori në besë, si shumë herë të tjera më parë, por këtë radhë siç duket në Berat kërkohej nga Fashizmi. Meqë ky survejohej, u spiunua dhe në këtë rast ishte shumë i shqetësuar jo si herët e tjera. Ai vinte ilegal dhe nuk duhej të diktohej. Vinte vonë kur errësohej dhe po kështu kur largohej e shoqëronte një pjesëtar i familjes herët në të gdhirë’ (dorëshkrime për botim të Thanas Papa). Në këtë rast nuk e morën vesh se kush e spiunoi, por u befasua, kur natën pa u gdhirë shtëpia jonë u rrethua nga forcat e Xhandarmërisë në mënyrë të befasishme nga më shumë se 50 forca, karabinierë e ballistë, të cilat erdhën me të shpejtë nga Berati. Pas rrethimit të shtëpisë në të gdhirë kur ra drita vetë Marshall Martini me një pjesë karabinierësh hynë brenda në shtëpi që të kapnin të gjallë Komandantin trim Gjin Markun. I nxorën të gjithë njerëzit në oborr të shtëpisë. Në një anë rreshtuan burrat në anën tjetër përballë rreshtuan gratë, por këtë e bënë kur ra dita, që u gdhi ditë. Gjatë kësaj kohe shtëpia ndodhej e rrethuar dhe që s’mund të dilje nga rrethimi, mençuria dhe urtësia e familjes time, bëri që komandantin Gjin Marku ta shpëtojë nga arrestimi apo pushkatimi, duke e veshur atë si grua me rroba të reja të nuseve të shtëpisë, fytyrën ja mblodhën me shami. Falë një maskimi të vërtetë me lukun e gruas si dhe falë performancës bukurisë fizike që kishte vetë Gjini si djalë i ri i bukur i shëndetshëm i bardhë, gjë që nuk u pikas dot nga Marshall Martini (Italian), i cili erdhi vetë për ta arrestuar, pasi kishte marrë informata të sakta që Gjin Marku ishte strehuar si ilegal në shtëpinë tonë (Peçi Papa, Kutalli). Pasi u gdhi dhe nxorën familjarët burra, gra dhe fëmijë në oborr ata filluan të bëjnë kontroll të imët saqë dhe me shufra hekuri e bajoneta kontrolluan në hambarët e grurit e të misrit se mos e kishin fshehur Gjin Markun. Kontrolluan burrat dhe gratë të rreshtuar në oborr dhe nuk gjetën gjë. Fashistët të tërbuar nga inati që nuk e gjetën bërtisnin italisht “Tregoni ku e keni fshehur komandantin?” “Do t’ju vrasim!” “Do t’ju djegim!” etj..
Burgosja e dytë e Peçit
Pasi dështuan në planin e tyre ata arrestuan Peçin dhe e burgosin me motivin që strehon ilegal dhe partizanë.
Kjo vërtetohet edhe me deklarimin e Komitetit të Partisë të rrethit Berat dt. 29/10/1974, ku citohet: “Për aktivitet të shquar, shoku Peçi Papa nga fshati Kutalli dhe si bazë e luftës Nacional Çlirimtare është ndjekur për tu vrarë nga krimineli Isa Toska, ku në fund u kap nga Fashizmi dhe u burgos, por me qëndrimin e tij të fortë nuk tregoi asgjë dhe për këtë u la i lirë. Me largimin e tyre pasi arrestuan Peçin dhe e morën për në Berat, familja ime ndihmoi e shoqëroi komandantin Gjin Marku, ilegalisht për në Berat.
Peçi Papa dëshironte një Shqipëri të lirë që të përparonte dhe nuk e besonte kurrë se pas çlirimit do të binin mbi të rrufetë e diktaturës që po instalohej. Ai u godit sepse kishte qenë një familje me gjendje të mirë ekonomike, atij ia morën pasurinë dhe katandinë, sepse regjimi donte t’i bënte sikurse i bëri të gjithë shqiptarët të varfër e të këputur. Dhe Peçi Papa në vitet 1951-1954 u shpall Kulak nga qeveria Komuniste. Shtëpitë ja sekuestruan dhe ja kthyen në magazina. Familja prej 35 vetësh përfundoi në një kasolle, duke hedhur baltë edhe mbi kontributin fisnik dhe dinjitoz që dha ai në vitet e luftës. Familja e Papajve i takon asaj shtrese të popullsisë e cila mbështeti luftën, shkriu pasurinë që kish dhe mori si shpërblim nga Komunizmi shpronësimin e plotë denigrimet e deri burgosjet e internimet.
Por edhe në këtë luftë që ju u bë familjes time ne ndjemë dorën e ngrohtë të Gjin Markut, i cili nuk e harroi bukën që kish ngrënë dhe jetën që i shpëtoi familja ime në kohën e luftës në vitin 1943. Ishte Zylyftar Veleshnja që ngriti zërin i pari dhe i bëri thirrje Gjin Markut që të ndërhyjë nëpër shokë, që Peçit t’i hiqej titulli Kulak. Ne i jemi mirënjohës këtyre njerëzve të ndershëm të drejtë, objektivë e të sinqertë që mbajtën qëndrime parimore për familjen tonë. Zylyftar Veleshnja, mik i sinqertë dhe objektiv i familjes Papa.
Shtëpia jonë bazë e rëndësishme e “LANÇ”-it....
Në fillim të vitit 1942 në shtëpinë tonë në Kutalli,- deklaron Thanasi (sipas shënimeve të mbajtura në biseda me xhaxhain Peçi Papa) “Erdhën çetat partizane”.
Shtëpia jonë u bë bazë e rëndësishme e “LANÇ”-it....:
Peçi Papa, priti me urrejtje të thellë pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, prandaj dhe u radhit në luftën e madhe të Çlirimit të vendit. Mbështeti lëvizjen Antifashiste dhe shtëpia e tij u bë bazë e luftës. Në shërbim të saj ai vuri aftësitë e veta fizike e mendore, pasurinë dhe shtëpinë e tij që nga janari 1942 e deri në çlirimin e plotë të vendit 29 nëntor 1944.
Shtëpia e tij u bë bazë e strehë e sigurt, vatër që priti dhe përcolli sa e sa ilegalë e drejtues të Luftës Nacional Çlirimtare në Qarkun e Beratit si: Karam Ylli, Nure Dobrusha, Mestan Ujaniku, Gjin Marku, Zylyftar Veleshnja, Mane Nishova, Myqerem Fuga, Orhan Frashëri, Xhavit Struga, Teki Veleshnja, Tajar Grepcka, Thoma Bello etj.. Si bazë e rëndësishme në shtëpinë e tij është strehuar njësiti gueril i zonës. U zhvillua mbledhja për zgjedhjen e Këshillit nacional çlirimtare.
Peçi Papa u zgjodh kryetar i Këshillit nacional çlirimtar të fshatit Kutalli dhe anëtar i këshillit krahinor në 5/03/1943, funksion, të cilin e mbajti deri në vitin 1948.
Si vërtetohet kjo?
Ja si deklaron “Heroi i Popullit”, Zylyftar Veleshnja: “Peçi Papën e kam njohur në Frur të vitit 1943, kur kam shkuar ilegal për të formuar Këshillin Nacional Çlirimtar të atij Rajoni.
Peçi Papa u zgjodh kryetar i Këshillit të fshatit Kutalli. Shtëpia e tij u bë një bazë e mirë e luftës nacional çlirimtare që nga viti 1942 dhe ka kontribuar për lëvizjen Nacional Çlirimtare. Për sa më sipër lëshoj këtë deklaratë sipas kërkesës së bashkëshortes të tij.
Tiranë, Spital, 6/3/1973.
Zylyftar Veleshnja.
D.V
Një ndihmë e veçantë dhe një pabesi e pamerituar
Peçi, Taqi e Tuni (tre vëllezër), kanë qenë njerëz të ndershëm e besnikë, prandaj dhe ndihmonin të tjerët që kishin nevojë. Familja Papa kujton një rast shumë domethënës nga marrëdhëniet e Peçit me një bashkëfshatar. Këtu po vë në dukje edhe një rast shumë domethënës, qëndrimin e saj bujar kundrejt hallit që i ndodhi njërës prej familjeve të fshatit Kutalli M.B. kësaj familje në vitet 1950 i duhej të martonte djalin B.B, mirëpo përveç shpenzimeve të martesës ajo nuk kishte edhe shtëpi... Menjëherë për t’i lehtësuar dhimbjen dhe hallin dhe për ta ndihmuar ekonomikisht familjen B., familja Papa i dha asaj një shumë prej 150 000 mijë lekësh. Për të ndërtuar shtëpi të re dhe për të martuar djalin e saj B.B. M.B. Aty nga viti 1940 i ati i B.B-së i kërkon Peçit 150.000 lekë hua, për t’ja kthyer brenda një afati sa të kalonte martesën e djalit B.B. Por kalojnë disa vjet dhe borxhliu, nuk duket dhe nuk e zinte me gojë borxhin. Erdhi një kohë dhe Peçi, ua zori me gojë borxhin, sepse ata tani ishin në gjendje të mirë. Por B.B. tashmë i rritur, i martuar me lekët e familjes Papa, përgjigjet me kapadaillëk pasi ishte bërë Sekretar Partie i fshatit. Çfarë lekësh kërkon t’i? Pate që më dhe! Ti je fshatar i pasur dhe ne do të bëjmë kulak dhe do të marrim pasurinë që ke! Dhe ashtu u bë. Në vitin 1951, Familja Papa, u cilësua kulake dhe që këtu fillon kalvari i persekutimit për familjen Papa nga regjimi komunist. Pas vitit 1936 me vdekjen e vëllezërve Jorgji, Sotir dhe Mitri, drejtimin e familjes e marrin djemtë e tyre Peçi, Taqi e Tuni. Një ndër burrat më të njohur të familjes Papa ka qenë edhe Peçi Jorgji Papa.
Letrat dërguar Enver Hoxhës pas etiketimit kulak
Në letrën që Peçi Papa i dërgon Enver Hoxhës në 29/11/1952 i shkruan se jam shtypur grabitur nga bejlerët e agallarët dhe nga Isa Toska.
Kam strehuar çetat partizane i mbajta me ushqime nëpër male këta ishin: “Gjin Marku, Zylyftar Veleshnja, Tajar Grepcka, Xhavit Struga, Thoma Bello, Orhan Frashëri e shumë shokë të tjerë.
Por këta persona më vonë u diktuan nga fashizmi. Për shkak të ndihmave të mësipërme dhe të aderimit tonë pa rezerva në Luftën Nacional Çlirimtare jam grabitur e djegur nga krimineli Isa Toska. Aq sa u detyruam të shpërngulemi nga katundi e të vendosemi në Berat, ku qëndruam 8 muaj në shtëpinë e Naun Xheblatit në lagjen (sot “Ylli i Kuq”)”. Dhe unë personalisht u arrestova u burgosa u torturova nga fashistët italianë për 20 ditë rresht. Mbasi dola nga burgu më grabiti Isa Toska 2 pendë qe, bereqet e plaçka shtëpie. Kam ikur natën, 25 frymë, shkova në Berat për 8 muaj sapo kapitulloi Italia Fashiste, pastaj erdha në fshat. Këto të dhëna shkruhen në tre letra që Peçi Papa i ka drejtuar Komitetit Qendror PPSH, Sh. Enver Hoxha në datat 28/06/1952, 29/11/1952, 3/07/1954.
Nesër do të lexoni:
-Komandanti i regjimentit më thoshte kujt i ke shërbyer, Greqisë, Serbisë, apo Italisë?
- Qershor 1975, në Kutalli të Beratit bëhet Diskutim Popullor për familjen time
-Jetën ja dedikoj “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja
- Internohem dhe çohem në prodhim pas 23 vjetësh të heqjes të titullit “Kulak”
-Pse i dërgova tre letra Enver Hoxhës
-
-
Për: Rrëfen Thanas Papa, ish-ushtaraku i raketave kundërajrore
DOSSIER/ Rrëfen Thanas Papa, ish- ushtaraku i raketave kundërajrore
-Si më përjashtuan papritur nga ushtria duke më etiketuar armik
-Më etiketuan armik dhe pse kisha disa dekorata
-Komandanti regjimentit më thoshte kujt i ke shërbyer, Greqisë, Serbisë, apo Italisë
- Qershor 1975, në Kutalli të Beratit bëhet Diskutim Popullor për familjen time
-Jetën ja dedikoj “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja
- Internohem dhe çohem në prodhim pas 23 vjetësh të heqjes të titullit Kulak
- Pse i dërgova tre letra Enver Hoxhës
-Shtëpia jonë shpallet muze, mbaron kalvari i vuajtjeve të mia
-vijon nga dje-
Albert ZHOLI
Në këtë pjesë të dytë Thanas Papa tregon kalvarin e vuajtjeve pas lirimit nga forcat e ushtrisë popullore. Një stres i jashtëzakonshëm, pasi e etiketuan dhe armik, ai që atdheun e do më shumë se çdo gjë. Madje, ai as i besonte etiketimet e ndryshme, të cilat i dukeshin si një ëndërr e keqe që s’kishte lidhje me të, me familjen e tij patriotike. Për ‘të, një rol të veçantë ka luajtur “Heroi i Popullit” Zylyftar Veleshnja. Vetëm ndërhyrja dhe deklaratat e tij me shkrim i dhanë pafajësinë. Këtë nder të tij ai s’e harron kurrë. Nga ana tjetër, për të qenë i qetë shpirtërisht për të kundërshtuar etiketimin kulak Peçi Papa i dërgon 3 letra shokut Enver Hoxha, njëkohësisht ai merr disa deklarata nga ish- udhëheqësit e LANÇ-it, që ka qenë pjesëtar i luftës dhe kryetar i këshillit të luftës në fshat. Denigrimi i Thanas Papës
ishte absurd, pa asnjë bazë.
Deklarata e dytë e shokut Zylyftar Veleshnja
Kjo deklaratë e lëshuar nga ana e shokut Zylyftar Veleshnja për familjen dhe Peçi Papën është marrë për efekt të njohjes së kohës të pjesëmarrjes në lëvizjen Nacional Çlirimtare të shokut Peçi Papa, e cila së bashku edhe me deklaratat e shokëve: Karaman Ylli, Tajar Grepcka, Orhan Frashëri, Xhavit Struga, Teki Veleshnja dhe Thoma Bello, ju paraqitën Komitetit Ekzekutiv Këshillit Popullor të Rrethit Berat dhe po ky Komitet mori vendim nr. 46 dt. 26/04/ 1973 ku vendosi: Të njohë kohën e pjesëmarrjes, në lëvizjen Nacional Çlirimtare të shokut Peçi Papa, nga dt. 1/01/1942 deri në 29/11/1944; dyfish si aktivist shumë i dalluar për efekt vjetërsie në punë.
Në vazhdën e luftës së klasave që ndoqi regjimi komunist pas çlirimit sidomos për familjet e pasura fisnike e nacionaliste, goditje të rënda pësoi edhe familja e Peçi Papës në Kutalli. Tetor 1951- qershor 1954 familja jonë u cilësua Kulake, na u morën triskat e frontit dhe pse kishim dhënë kontribut të çmuar gjatë gjithë luftës nacionalçlirimtare. Partia Komuniste na pati si bazë të sigurt, i strehuam, i mbajtëm me ushqime dhe veshmbathje dhe pas çlirimit na grabiti pasurinë pronat, shtëpitë, tokat, bagëtinë, makinë fshirëse, flori, etj..
Na mori triskat e frontit dhe na dënoi me tatime të dhjetëfishta të Kulakut.
Denigrimi i Thanas Papës
Këto pasoja erdhën deri në vitin 1975, ku denigrimi që ju bë oficer Thanas Papës (nipit të Peçi Papa, djalit të vëllait) në një nga repartet e ushtrisë, ka lënë gjurmë të pariparueshme në anën shëndetësore të tij, por ai mbijetoi në sajë të dinjitetit, ndërsa me regjimin nuk u pajtua kurrë, sepse ishte i bindur se ky regjim nuk kishte qenë kurrë e s’mund të ishte aspiratë e popullit shqiptar. Në këtë luftë tinëzare që bënte regjimi Komunist unë dhe familja ime e gjetëm mbështetjen vetëm tek disa njerëz që ishin me të vërtetë komunistë të ndershëm, objektivë dhe të sinqertë, thekson Thanasi.
Kur në tetorin e vitit 1951 në gjithë krahinën e Kutallisë u hap një lajm me shpejtësinë e erës se Peçi Papa kryetari i parë i Këshillit Nacionalçlirimtar të Kutallisë në vitet 1943-1948 ishte shpallur Kulak nga Qeveria Komuniste, për shumë njerëz, një gjë e tillë ishte e pabesueshme. Ja si e denoncon këtë njollë të zezë, këtë veprim absurd të partisë së Punës, “Heroi i Popullit”, Zylyftar Veleshnja.
Deklarata serioze e “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja:
Në deklaratën e vet Heroi i Popullit dhënë Komitetit të Partisë Berat në 2 mars 1970 deklaron: “Peçi Papën e kam njohur në vitin 1943 i rekomanduar nga shokë si bazë në atë zonë. Kur kemi krijuar Këshillin Popullor në mars të vitit 1943.
Peçi u zgjodh Kryetar i Këshillit dhe në shtëpinë e tij ne kemi lënë dhe materiale lufte si vend i sigurt.
Tek Peçi Papa ka vajtur qysh në dimrin e vitit 1942 çeta e parë e Qarkorit të Beratit dhe shokë të Komitetit të Partisë si Nure Dobrusha, etj..
Për kohën që kam punuar unë në zonën e Roskovecit ka qenë baza më e mirë. Ai ka qenë një njeri i pasur, por kur i thamë se cilën do mbash bujqit apo Kutallinë, ai tha Kutallinë. Peçi ka qenë çoban bagëtish me origjinë. Ai kishte një farë influence në rrethin e tij, por nga bejlerët përbuzej. Unë nuk e di nëse është arrestuar nga kush. Di që Isa Toska i ka marrë para dhe nuk do të ketë bashkëpunuar me armiq, as me Isa Toskën, as me ndonjë tjetër.
Kur më ka ardhur në Durrës dhe më tha më bënë Kulak, u çudita dhe bisedova me Gjin Markun, Teki Veleshnjën dhe Xhavit Strugën dhe ata u çuditën dhe ndërhymë nëpër shokë që të shikohej puna e Peçit. Por më vonë ne e kemi thënë mendimin tonë dhe ju hoq titulli Kulak se nuk e meritonte, bile kemi patur mendim që në shtëpinë e tij të vihej një pllakatë përkujtimore, por kjo nuk u vu, për arsye të fjalëve, sepse këtë e lufton dikush, por nuk e dimë pse, mbasi kjo luftë i është bërë herë pas herë kësaj familje nga disa persona.
Berat, 2/.03/1970.
Zylyftar Veleshnja
D.V
Procese absurde
Edhe pse veteranët e kuadrot të luftës të Qarkut të Beratit e kanë dhënë me deklaratë qëndrimin politik të familjes tonë regjimi komunist krijonte procese absurde.
Dua të them se, regjimi komunist në atë kohë (thekson Thanasi), nuk respektonte as ligjet e veta sepse në rastin tim dhe të familjes nuk ishte pse të hakmerrej me mua për të më zhveshur nga oficer në ushtri dhe të më internonte në prodhim pas 23 vjetësh të heqjes të titullit Kulak dhe aq më tepër këtë e deklaron “Heroi i Popullit”, Zylyftar Veleshnja, i cili thotë nuk e meritonte cilësimin Kulak.
Vendim nr.2 Dt. 23/04/1975
Ngjarja më e rëndë në jetën e Thanas Papës (nipi Peçit)
Në vitin 1973 isha oficer në Repartin Ushtarak 3760 në Krujë
Një ditë komandanti i repartit A. Th më thërret në zyrë e më thotë:
“Ti Thanas ke rezultate të larta në përgatitjen politiko-luftarake, je kuadër me perspektivë, do të organizojmë në parti, rekomandimet t’i siguroj unë”.
Këtë kërkesë nuk e pranova, megjithëse për mua ishte tepër e rëndësishme qënia në parti.
Nëpërmjet teserës të partisë kishe shumë privilegje, shkurt: Të gjithë e dinë se ç’të sillte ajo…!
Komandanti e komisari shkuan vetë në Komitetin e Partisë Berat e folën me Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë shokut Petro Olldashi, për qëndrimin politik të familjes time. Aty mësuan se unë rridhja nga një familje ish Kulaku; megjithëse dega ushtarake e Beratit dhe vetë unë kur u vesha Oficer e kisha shkruar këtë në biografi si dhe në letrën që i pata dërguar Enver Hoxhës. Me mburrje dhe krenarë para partisë Komandanti e komisari vijnë në repart mbledhin efektivin e oficerëve aktivë dhe rezervistë dhe më demaskojnë mua si njëri i padëshiruar në ushtri. Komandanti madje, më tha se kujt agjenture i ke shërbyer. Shtanga. Më vinte të qaja nga inati. Unë të tradhtoja atdheun, kurrë. Tradhtar as kam qenë as do të jem, ndaj mbaj gojën shoku komandantm,- i them. Por ai vazhdonte, grekut, serbit, apo italianit i ke shërbyer? Në fund vendosën të më lirojnë nga ushtria. S’e besova! Duke marrë masën e lirimit nga ushtria dhe internim dëbim në prodhim në kooperativën bujqësore Kutalli, Berat për mua ishte pushkatim.
Edhe në këtë rast unë ndjeva dorën e ngrohtë të Zylyftar Veleshnjës, i cili nuk e harroi bukën që kishte ngrënë në familjen tonë gjatë luftës që bëmë për çlirimin e vendit. Jetën ja dedikoj “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja, i cili vuri në vend nderin dhe dinjitetin e familjes dhe timin duke ua plasur në fytyrë intrigat dhe hipokrizitë komunistëve të Kutallisë, në një mbledhje të zgjeruar: Diskutim popullor me pleqtë e fshatit mbi moshën 40 vjeç të fshatit Kutalli në Qershor 1975.
Sa paturpësi! Sa padrejtësi! Por komunistët kishin marrë revan dhe revani i tyre nuk po ndalej.
Eh! O, Zylyftar Veleshnja! Të ndritë shpirti nur atje ku je shtrirë!
Por ja që jeta bën të sajën. Po pse i merr kaq shpejt këta njerëz që dinë të thonë gjithmonë të vërtetën?
Edhe ju si xhaxhai i keni shkruar Enver Hoxhës?
Po! Tre letra i shkrova Enver Hoxhës, kujtova se do të gjeja zgjidhje, por e dini si m’u përgjigj? “Po pse? Pse dëshiron ki dhe medoemos duhet të hyjë në parti? Pranimet në parti nuk bëhen me listë, ajo seleksionon më të mirët”.
1. E para unë nuk pata kërkuar të hyja në parti.
2. E dyta jo për modesti, por në qoftë se duhej pranuar unë isha më i spikaturi për t’u pranuar, sepse isha:
1) Anëtar Plenumi i Komitetit të Rinisë rrethit Krujë.
2) Anëtar i Byrosë ë Komitetit Të Rinisë rrethit Krujë.
3) Sekretar i Byrosë Rinisë të Repartit 3760 Krujë.
4) Zëvendës/sekretar i Komitetit të Rinisë Regjimentit 3700 Tiranë.
5) I dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për rezultate të larta në qitje me raketa.
6) Kisha marrë me dhjetëra fletë nderi lavdërimi dhe diploma.
7) Dhe për mos përmendur më merita, ishin vetë ata që më bënë thirrje, për të pranuar në radhët e partisë së punës, pasi kisha këto arritje.
Dhe megjithëse, kisha gjithë këto rezultate e tregues të lartë në punën time, ata jo vetëm që nuk më pranuan në parti, por morën dhe masën e çmobilizimit tim si oficer nga ushtria dhe internim dëbim në prodhim. Të gjitha këto më rrihnin si çekan trutë gjatë asaj nate mbledhje. Duhej të veproja shpejt. Kërkohej shkathtësi e zgjuarsi.
Çelësi ishte Zylyftar Veleshnja. Duhej të takohesha patjetër me të.
Në 18/05/1975, shkova në Vlorë, në shtëpinë e “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja, e takova bisedova hollësisht problemin tim. Pritja qe miqësore. Shkurt, i bëra një rezyme të punës time në repart, vlerësimit që më vjen nga fshati dhe rrethi si dhe masën që u mor për mua nga Organizata Bazë e Partisë e Repartit 3760 Krujë.
Më erdhi mirë që më dëgjoi me vëmendje dhe që më dha kurajo për të vazhduar të punoja ashtu siç kisha punuar deri tani. Pasi më dëgjoi më thotë: “Ti vazhdo të punosh siç ke punuar se nuk të liron njeri për punë biografie”. Më premtoi se sa të ngrohej pak moti, do të shkonte vetë në Berat e do të flas me Sekretarin e Parë, shoku Petro Olldashin për punën e familjes time.
Premtimin ai e mbajti.
Qershor 1975, në Kutalli të Beratit bëhet Diskutim Popullor
Në qershor 1975, në Kutalli të Beratit bëhet Diskutim Popullor me pjesëmarrjen e “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja dhe pleqve mbi 40 vjeç e organizuar nga Komiteti i Partisë rrethit Berat dhe Komiteti i Veteranëve për rishikimin e qëndrimit politik të familjes Peçi Papa.
Në ballafaqim me organizatën bazë të partisë, dhe me fakte e argumente të gjithë pjesëmarrësve u hodhën poshtë aludimet idiote të organizatës bazë të Partisë të fshatit, të cilët kishin ambicie, smirë e egoizëm për familjen Papa.
Në këtë diskutim popullor u morr vendim që në shtëpinë e Peçi Papës të vendoset pllakë përkujtimore me këtë motivacion: “Gjatë LANÇ-it, kjo shtëpi shërbeu si bazë e ilegalëve dhe e partizanëve”. Pra u desh qëndrimi i drejtë objektiv dhe parimor i “Heroit të Popullit” dhe njerëzve të luftës për të fashitur atë persekucion makabër që organizonte Partia e Punës.
Ky ishte qëndrimi i drejtë e konsekuent i një njeriu të ndershëm e objektiv i Zylyftar Veleshnjës nga Skrapari.
Më 5 tetor 1975 në shtëpinë e Peçi Papës (Thanas Papa) në Kutalli të Beratit, në prezencën e “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja dhe Sekretarit të Komitetit të Partisë Berat, shokut Kristaq Kule vendoset pllaka përkujtimore.
Nuk kam se ç’të bëj tjetër për të, veç të përmend me respekt emrin e tij, në këto shkrime e kujtime të miat dhe në çdo përvjetor të shkoj të vendos një tufë me lule mbi varrin e tij.
Emrat që lënë gjurmë nuk vdesin në opinion.
Ata rrojnë në zemrat e atyre që i kanë njohur!
D E K L A R A T Ë
I nënshkruari ZYLYFTAR VELESHNJA, pensionist, deklaroj sa më poshtë vijon:
Peçi Papën nga Katundi Kutalli i Beratit, e kam njohur në Frur në vitin 1943 kur kam shkuar ilegal për të formuar Këshillin Nacional-Çlirimtar të atij rajoni. Peçi Papa u zgjodh Kryetar i Këshillit të fshatit Kutalli. Shtëpia e tij, u bë një bazë e mirë e LANÇ-it. Që nga viti 1942 ka kontribuar për lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Sa kohë ka qëndruar Peçi në Këshillin Nac. Cl, unë nuk e di, mbasi në mbarim të vitit 1943, u largova nga Roskoveci dhe nuk u ktheva më.
Për sa më sipër lëshoj këtë deklaratë sipas kërkesës së bashkëshortes së tij.
D E K L A R U E S I
Tiranë, Spital 6/3/1973 Firma
D E K L A R A T E
I nënshkruari ORHAN HALIL FRASHERI, në bazë të kërkesës të shoqes Elena Papa, deklaroj sa më poshtë:
Në muajin Mars të vitit 1942 me vendim të organizatës së Partisë të Qytetit të Beratit, shkova në njësitin partizan që sapo ishte formuar dhe që ndodhej në fshatin Kutalli, në shtëpinë e Peçi Papaj.
Njësiti partizan në shtëpine e Peçi Papajt, qëndroi disa ditë me rradhë dhe pastaj filloi të lëvizte duke kaluar nëpër fshatra të tjerë të kësaj zone, por që ishte në lidhje me Peçi Papën. Duke parë qëndrimin e tij për lëvizjen nac.- cl- , shtëpia e Peçi Papajt, u kthye në një bazë të punës ilegale të partisë në këtë krahinë.
Gjatë vitit 1942 dhe vitit 1943 në shtëpinë e Peci Papajt janë bërë mjaft takime, mbledhje dhe janë strehuar mjaft kuadro. Vetë Peçi mbante në lidhje shokët e terrenit me shokët e udhëheqjes të partisë në qytetin e Beratit, duke çuar dhe sjellë korrespondencën e Partisë.
Në vitin 1943 u zgjodh Kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar të fshatit dhe më vonë Anëtar i Këshillit Nacional Çlirimtar për krahinën e Kutallisë.
Familja e Peçi Papajt ka ndihmuar shumë në të holla, drithë, bukë, sa herë që atij i kërkoheshin, e sidomos për ato familje të komunistëve që ishin në gjendje të vështirë ekonomike. Gjatë gjithë luftës familja e Peçi Papajt ka kontribuar shumë në dobi të LANÇ-it
D E K L A R U E S I
Orhan FRASHERI
D.V. Berat me 13.03.1973.
Të njëjtën gjë bënë dhe Tajar Grepcka, oficer në pension, Xhavit Struga, Drejtor i Parkut të Delegacioneve Tiranë dhe Teki Veleshnja, i cili deklaron se:
Në vitin 1944 kur një numër i madh ballistësh ishin vendosur në mënyrë frontale tek Qafa e Sqepurit, Kutalli e Drenovicë, Peçi, na ndihmoi mjaft në sulmin që bëri batalioni i Dytë për asgjësimin dhe shpartallimin e këtyre armiqve. Për aktivitetin e tij ndaj çlirimit të atdheut i lëshoj këtë deklaratë gruas së tij për ta përdorur ku t`ja lypë nevoja.
D E K L A R U E S I
TEKI VELESHNJA
Me 27.02.1973. Firma
Nesër do të lexoni:
-Me letrat e mia u morën vetë Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Haki Toska
-Deklarata bombë e Zylyftar Veleshnjas
-Qitja e pare historike me raketa në Shqipëri më 13.12.1971, në Hamallaj
-Deklarua befasuese e “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja
-Beqir Balluku në qitje erdhi me helikopter
-Pasi na përgëzoi Petriti na tha do lajmëroj shokun Enver për këtë eveniment
DOSSIER/ Rrëfen Thanas Papa, ish- ushtaraku i raketave kundërajrore
-vijon nga dje-
-Me letrat e mia u morën vetë Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Haki Toska
-Deklarata befasuese e “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja
-Qitja e parë historike me raketa në Shqipëri më 13.12.1971, në Hamallaj
-Petrit Dume erdhi në Hamallaj me helikopter
Albert ZHOLI
Cila ishte në vija të përgjithshme deklarata e fundit e Zylyftar Veleshnjës që të rehabilitoi?
Duke vazhduar rrëfimin nga numri i djeshëm Thanas Papa tregon se, “ajo deklaratë e Zylyftar Veleshnjës, solli çlirimin tim përfundimtar”. Ja si deklaroi “Heroi i Popullit” Zylyftar Veleshnja në mars të vitit 1973 në deklaratën e vet dhënë Komitetit të Partisë së Punës, Berat. “Për kohën që kam punuar unë në zonën e Roskovecit familja e Peçi Papës ka qenë baza më e mirë. Ai përbuzej nga bejlerët. Kur më ka ardhur në Durrës dhe më tha më bënë Kulak u çudita dhe bisedova me Gjin Markun, Teki Veleshnjën dhe Xhavit Strugën dhe ata u çuditën dhe ndërhymë nëpër shokë që të shikohej puna e Peçit. Ne e kemi thënë mendimin tonë dhe ju hoq titulli Kulak se nuk e meritonte. Bile kemi patur mendim që në shtëpinë e tij të vihej një pllakë përkujtimore, por kjo nuk u vu për arsyet e fjalëve sepse këtë e lufton dikush, por nuk e dimë pse, mbasi kjo luftë i është bërë here pas here kësaj familje nga disa persona”.
Zylyftar Veleshnja.
D.V
Pra u desh qëndrimi i drejtë parimor e objektiv i njerëzve të luftës për të fashitur atë persekucion makabër që organizonte partia e punës. Ky ishte qëndrimi konsekuent i njerëzve të ndershëm e objektiv që luftuan për Çlirimin e vendit.
Me të gjitha letrat që i ke dërguar tek Enver Hoxha kush i ka ndjekur ato?
Sipas përgjigjeve ato i ka ndjekur vetë Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Haki Toska. Një kalvar i paimagjinuar. Enveri në fillim kur se, dinte të vërtetën u tregua shumë i rreptë, pastaj gjërat rrodhën ndryshe. Letërkëmbime pafund, hamendësi, provokime, net pa gjumë. Përleshje me vetveten. Nuk mund t’i tregoj ato çka kam hequr. Janë vuajtje që kur i mendoj sot them që si kam kaluar unë.
Sa kohë ke shërbyen në raketa?
Kam shërbyer oficer në Repartin e Raketave për më shumë se 23 vjet, me detyrë sipas funksionit organik-kryeteknik i sistemit përpunimit komandave të drejtimit të raketave (SPK), të grupit. Në vitin 1969 në gusht erdhën nga Republika Popullore e Kinës 2 grupe të Raketave të Drejtuara Kundërajrore HQ2 (flamuri I kuq 2). Ishin vitet kur Shqipëria kishte dalë nga Traktati Varshavës dhe për pasojë Shqipëria ishte e kërcënuar nga Social-imperialistet Sovjetik që përpiqeshin me të gjitha mënyrat të asgjësonin Republikën Socialiste të Shqipërisë. Në fillim ata do të bënin përpunimin me aviacion bombardues dhe gjuajtës-bombardues dhe pastaj do të përdornin A.D.M. (armë të dëmtimit në masë)
Cila ishte detyra e Grupit të Raketave?
Grupi i Raketave të Drejtuara Kundrërajrore (RDKA) në përbërje të regjimentit të 5-të RDKA kishte detyrë të mbronte kryeqytetin, Tiranë, nga goditjet e aviacionit dhe grup avionësh, me raketa. Të asgjësonte avionët bombardues me raketa të vetmuara dhe me breshëri raketash. Drejtimi kryesor ishte ai Lindor dhe Perëndimor. Sistemi ynë i raketave ishte i komanduar dhe i drejtuar dhe kishte dy aparatura
1-Aparatura tokësore: që përbëhet nga R/llokatori dhe përcakton koordinatat e shenjës dhe të raketës (SPK)
2-Aparatura e bordit të raketës: marrësi-deshifruesi, mekanizmi zbatues dhe organet e drejtimit.
A keni zhvilluar qitje me raketa dhe kur është bërë qitja e parë?
Në datën 13.12.1971 u zhvillua qitja e parë me raketa në Shqipëri. Në datë 13.11.1971 reparti im mori urdhër të shpërngulej për në Hamallaj të Durrësit. U dha detyra luftarake, që reparti do të bënte qitje me rakete në bregdet. Në këtë detyrë të rëndësishme priteshin të vinin dhe një grup gjeneralësh e kuadro kryesorë të ushtrisë sonë. Një muaj stërvitje dhe provat u bënë me avionin IL-28, i vetmi bombardues me pilot Bajram Hito, i cili lëshoi 7 herë konusin kundër, të cilit ne duhej të bënim qitje me raketë. U desh plot një muaj dimri kohe me shi e lagështi, ku ne ishim vendosur nëpër çadra pushimi. Vendi ku ishim vendosur ishte bregdet, me ajër të pastër, por me lagështi, pranë një pylli rezervat me plepa, ferra e shkurre, që në një farë mënyre të jepte dhe gjallëri. Ditën e fundit më datë 13.12.1971, ditë në të cilën ne do të bënim qitje rreth orës 9 të mëngjesit vjen me helikopter vetë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, shoku Petrit Dume e gjeneralë të tjerë. Erdhi momenti i shumëpritur. Repartit iu dha sinjali: “Gadishmëri zjarri nr.1”! I gjithë efektivi i repartit, ushtarë e oficerë me shpejtësi të rrufeshme, zumë pozicionet e gatishmërisë luftarake, pranë teknikës speciale, sipas detyrave funksionale. Gjithë veprimet kryheshin me komandë, të cilat jepeshin me altoparlant, nga kabina qendrore e drejtimit. Tabloja e punës luftarake mbi zhvillimin e qitjes ishte shumë interesante. Veprimet janë kryer si në kushtet e luftës. Mobilizimi ishte i jashtëzakonshëm. Duhej vepruar me shumë korrektësi ndryshe nga poligonet që kishin fuqitë e mëdha.
Pse
Kjo për arsye të territorit të vogël, pasi rrezja e fluturimit, n.q.s nuk do të jepej komanda e shpërthimit K3 brenda zonës së asgjësimit, distanca e fluturimit ishte e madhe deri në 100 km, dhe kështu që kjo ishte me rrezik sepse raketa mund të mos merrte komandën e shpërthimit në distancën e komanduar dhe kalonte në vetë likuidim deri në territorin e Italisë, por për fat të mire kjo gjë nuk ndodhi. Për këtë detyrë dhe sukses që arritëm, Presidiumi i Kuvendit popullor repartin e dekoroi me Urdhrin “Skënderbeu Klasi i Parë” kurse ne, një pjesë e oficerëve, u dekoruam me medaljen e “Shërbimit ushtarak”. Pra, u realizua një detyrë ushtarake e suksesshme, që ishte qitja e parë historike me raketë në Shqipëri. “E meritoni përshëndetjen dhe urimet”,- tha shoku Petrit Dume –“dhe tani do të shkoj në Tiranë t’i jap sihariqin vetë shokut Enver”. Ishte kjo një dhuratë e bukur që i bëmë atdheut pas Kongresit të 6-të të PPSH-së. Nuk më hiqet nga mendja sesi u zhdukën gjeneralë të tillë si Petrit Dume, së bashku me qindra kuadro të tjerë pavarësisht se iu hëngri kokën ajo që i besuan dhe e mbrojtën si sytë e ballit, Partia false me diktatorin Enver Hoxha në krye. U kthyem nga Hamallaj me emocione dhe krenari, së pari sepse ishte qitja e parë historike me raketë, e cila do të mbetej burim frymëzimi edhe për brezat pasardhës.
Si ishte gatishmëria luftarake në atë kohë?
E paimagjinueshme. Shumë e fortë. Besoj se ishim ndër vendet më me gatishmëri të lartë në botë. Ushtarët ishin shumë të përgatitur dhe po ashtu dhe oficerët. Në repart kishte shërbim 24 orësh non-stop. Hapësira ajrore ruhej gjatë gjithë kohës dhe nuk kishte ndodhur kurrë që të afrohej avion pa u zbuluar.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt