“Disa reagime na skandalizuan”
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, të cilit i kanë mbetur edhe pak ditë qëndrimi në Tiranë, i dërgon një mesazh të fortë klasës politike shqiptare, kur thotë: “Mos harroni se kush ka qënë krah jush 100 vitet e fundit”.
Në një intervistë të gjatë për të përjavshmen “JAVA”, që publikohet të shtunën, Arvizu flet hapur për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, lëndët kimike të Sirisë, duke mos munguar të bëjë një profeci interesante.
“Shqipëria, - thotë ambasadori, - po ndryshon. Ajo do të hyjë në Europë e do të ketë tensione sporadike edhe me SHBA-të. Duhet të mësohemi me këtë realitet të ri”, thekson ai. Ja si i përshkruan Arvizu javët e fundit të qëndrimit në Shqipëri, ku iu
Shqipëria po ndryshon. Ajo do të hyjë në Europë dhe do të ketë tensione sporadike edhe me SHBA-të. Duhet të mësohemi me këtë realitet të ri
“Në javët e fundit të qëndrimit kisha shpresuar një lamtumirë të qetë dhe një largim të hijshëm. Por, ja që doli kjo çështje. Ishte përparësia numër një për qeverinë e SHBA-ve. U angazhuam me Kryeministrin dhe qeverinë e tij. Ata shprehën vullnetin për t’u përpjekur të ndihmonin dhe u bë diçka shumë konsumuese. Ka qenë një periudhë shumë intensive. Ndoshta është thjesht fat, siç thashë, ndonjëherë është si lojë me letra. Të bien në dorë disa letra të caktuara dhe duhet të luash me to sa më mirë të mundesh”, ka thënë Arvizu.
Arvizu, gjatë intervistës, pyetet edhe për reagimin e deputetit Sali Berisha, të nesërmen e deklarimeve në “Top-Story” në Top Channel.
“Mendoj se konteksti ka qenë ai i fjalëve të mia në ‘Top Story’, javën e kaluar, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me rolin e PD-së dhe shkallën e ndërveprimit tonë. Mendoj që teksti i zbardhur, e bën shumë të qartë se cila ishte përgjigja ime; kisha folur me z. Basha në telefon. Ishte një bisedë e shkurtër dhe përgjigja e menjëhershme nga PD ishte pozitive. Më pas, disa ditë më vonë, mendoj të enjten, pamë disa veprime, që mendova se ishin paksa provokuese dhe të padobishme. Kështu, në mendjen tonë u krijua pak çoroditje, sepse dukeshin në kundërshtim. Për sa i përket komenteve të z. Berisha, mendoj që disa njerëz do të thonin se Vali Bizhga, në fakt krahasueshmërisht, ka më shumë ndikim në Partinë Socialiste. Por, çështja është me rëndësi për SHBA-të dhe ata i kushtojnë shumë rëndësi pasjes së marrëdhënieve të forta institucionale me Partinë Demokratike”, është shprehur më tej Arvizu.
Arvizu i rikthehet edhe njëherë tjetër deklaratës së tij, kur artikuloi termin e “shkeljes së vijës së kuqe” nga Lulzim Basha, ndërsa komenton edhe zhvillimet e seancës parlamentare dy javë më parë, ku deputetët e opozitës kërkonin sqarime për çështjen e lëndëve kimike të Sirisë, madje veçon edhe një episod të asaj dite.
“Ishte një deputet i caktuar i PD-së, që ulet pranë z. Berisha në radhën e tretë, faqja në Facebook e të cilit kishte një kopje të retushuar, më duket të “The Daily Mirror”. Faqja e gazetës kishte një foto të disa fëmijëve të vrarë me gaz nga Assad, një foto faktike e masakrës. Faqja e retushuar kishte të njëjtën foto, por fjalët thoshin, “radhën e kanë fëmijët shqiptarë” apo diçka e tillë. Një gjë e tillë është jashtëzakonisht provokuese. Është diçka e paskrupullt, është e pavend, thjesht e gabuar dhe kjo ambasadë, por dhe Uashingtoni, u skandalizuam nga ky fakt. Unë e vendos një gjë të tillë, në krah të sigurive që më kishte dhënë z. Basha vetëm pak ditë më parë, që PD-ja i kuptonte sensitivitetet. Nuk është se thamë ndonjëherë ‘mos protestoni’, apo ‘mos kritikoni qeverinë’; kjo nuk ishte kurrë pjesë e bisedës, por thjesht bëj një lidhje mes asaj fotoje drithëruese, prej një politikani të lartë të PD-së, me atë që z. Basha më kishte thënë më parë. Ndaj, mendoj se ka qenë pyetje me vend: Je apo jo në kontroll?”, ka sqaruar Arvizu.
Skënder Minxhozi, kryeredakor i “Javës”, e pyet ambasadorin Arbizu: A nuk keni përshtypjen se, qeveria duhet ta kishte trajtuar opinionin publik në një mënyrë krejt tjetër? A nuk mendoni se, disa pjesë të negociatave me SHBA-të duhet të ishin bërë publike, në mënyrë që në opinionin publik të mos dominonte frika?
“Çështja e armëve kimike është shumë e vështirë, që nga fillimi. Komenti i z. Rama se ‘nuk janë karamele’ më duket se është përsëritur si shprehje plot herë, por është thjesht çështje e vështirë. Shumica e njerëzve, reagimi i tyre instiktiv, do ishte negativ. E kuptoj që njerëzit do ishin shumë të interesuar. Në anglisht, ne e quajmë ‘diskutimet e ndeshjes të hënën’ - kur njerëzit shohin ndeshjet, që janë zhvilluar të dielën, dhe thonë ‘duhet të kishin bërë këtë’, apo ‘duhet të kishin bërë atë’. Po të isha qytetar shqiptar, edhe unë do të bëja të njëjtën gjë. Edhe mua më kanë pyetur njerëzit, disa miq të mi dhe u kam thënë, shiko, ne vlerësuam faktin që qeveria shqiptare e shqyrtoi seriozisht përpjekjen për ta zgjidhur këtë çështje shumë, shumë të vështirë, këtë nyje ndërkombëtare”, ka deklaruar Arvizu.
Arvizu jep këtë komnet për mungësën e informacionit rreth bisedimve për lëndët kimike.
“Mendoj se, qartazi, mungesa e informacionit, që i dha shkas shumë spekulimeve, shumë prej të cilave në fakt të pasakta, ishte fatkeqësisht një faktor kontribues. Por, ajo që shpresoj se do të pasojë këtë, do të jetë një ndërgjegjësim më i madh shoqëror. Ju përmendët Gërdecin; Zoti na ruajttë nga ndonjë Gërdec tjetër, këtu apo gjetkë, por, nëse do të kishte një lloj tragjedie të ngjashme, do të shpresoja që përgjigja e qytetarëve ndaj një tragjedie të tillë, që ne shpresojmë të mos ndodhë, do të jetë e ndryshme nga ajo e marsit 2008, kur ishte shumë pasive”, ka përfunduar ambasadori i SHBA-ve, Arvizu. / Top Channel
Krijoni Kontakt