Burimi: Gazeta Panorama
1300 tonë armë për t’u shkatërruar
Regjimi i Bashar Al Assad tregoi se disponon dhe përdor armë kimike. Nga përdorimi i gazit sarin më 21 gusht mbetën të vrarë qindra civilë, kryesisht gra dhe fëmijë. Janë të pakta informacionet që dihen rreth armëve kimike të regjimit sirian, por ekspertët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike kanë konstatuar 1000 tonë agjentë kimikë dhe 290 tonë armë kimike. Por, ajo që është e konfirmuar është prania e sarinit. Sarini është një agjent nervor, zhvilluar së pari nga studiuesit gjermanë në fund të 1930-s. Deri në 500 herë më toksike se cianidi, ai është një lëng pa ngjyrë dhe pa erë që shkakton paralizim të muskujve, humbje përqendrimi dhe asfiksi, të cilat mund të vrasin brenda një minute. Sarini mund të përdoret si lëng, por ai mund të ngarkohet edhe në raketa apo mortaja. Gjithashtu, një formë sulmi është përmes bombolave me gaz. Një tjetër armë e shkatërrimit në masë, e cila besohet se gjendet në duart e ushtrisë siriane, është gazi mustard. Ky lloj helmi pasojat i shfaq në lëkurë dhe në rrugët e frymëmarrjes, duke sjellë edhe vdekjen. Ekspertët e kësaj fushe tregojnë se ndërtimi i armëve kimike varet nga destinacioni që kanë. Nëse kërkohet kontaminimi i zonës së kundërshtarit, bëhet spërkatja. Nëse duan të bëjnë goditje, përdoren raketat. Procesi i shkatërrimit të tyre, sipas ekspertëve, është i ndërlikuar dhe kërkon shkatërrimin e municioneve dhe djegien e kimikateve në mënyrë që të mos jenë më toksike. Në varësi nga lloji i armës, përcaktohet shkatërrimi i tyre. Disa shkatërrohen me neutralizim nëpërmjet reaksioneve kimike, ndërsa të tjera nëpërmjet djegies dhe kthimit në produkte të padëmshme, shprehen ekspertë të fushës
Krijoni Kontakt