Greqia propozon emrin “Maqedoni Sllavo – Shqiptare”

Greqia ka hedhur idenë që Maqedonia të mbajë emrin “Maqedoni Sllavo – Shqiptare”. Ky ishte një nga propozimet e bëra nga negociatori grek në bisedimet e fundit për zgjidhjen e kontestit të emrit në New York.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja maqedonase “Dnevnik” e cila ka theksuar se në raundin e fundit të bisedimeve të zhvilluar fundjavën e kaluar në New York, negociatori grek Adamantios Vasilakis ka propozuar emrin “Maqedonia Sllavo – Shqiptare”, si zgjidhje kompromisi.

Gazeta maqedonase lidhur me këtë shkruan se negociatat për emrin kanë hyrë në një fazë qesharake. Ndërkohë, zyrtarisht bëhet e ditur se pala greke ka mbetur në pozicionet e saj për një zgjidhje për emër që do të jetë “erga omnes” me përdorim të përgjithshëm.

/Shekulli Online