Një godinë 7-katëshe në zonën e Skelës në Vlorë, u shkatërrua nga një sasi e madhe eksplozivi e vendosur nga forcat xheniere shqiptare.
Shpërthimi me eksploziv rezultoi të ishte i suksesshëm këtë radhe, jo vetëm për shembjen e të gjitha kateve, por edhe për faktin se të gjitha inertet kanë rënë nga krahu i detit duke mos rrezikuar ndërtesat që ndodheshin përreth. Sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme eksplozivi i llojit tritol u vendos në qindra vrima të ndërtesës në katin përdhes të saj duke e bërë të mundur rrafshimin e të gjithë godinës.
Shpërthimi u krye në të njëjtën mënyrë me atë të ndërtesës tek Ekonomiku një javë më parë, por u duket se matjet e xhenierëve këtë radhë kanë qenë më të sakta. Për më shumë se tre ditë është punuar ne kete ndertese per te hapur vrimat ku do te vendosej tritoli.
Minimi i ndërtesës ka filluar rreth orës 7 të mëngjesit të së dielës dhe u përdor një sasi prej 284 kg eksplozivi. Policia lokale ka mbyllur të gjitha subjektet tregtare në afërsi të zones, si edhe ka ndaluar qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve në këtë zonë. Shpërthimi u krye rreth orës 14.00. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e inspektoi godinën e minuar dhe takoi forcat xheniere mbrëmjen e së shtunës.
Sipas Bashkisë së Vlorës, shembja e ndërtesës 7-katëshe u bë për shkakun se do të zgjerohet rruga Skelë - Uji i Ftohtë.
/ Top Channel
Krijoni Kontakt