Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit: Si u grabitën çamët në ‘25

    Letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit: Si u grabitën çamët në ‘25


    Speciale e Mërkurë, 23 Tetor, 2013 | 14:14 pm

    Kopertina e librit “Çështja çame”
    Malltezi e Delvina botojnë letrat diplomatike të ambasadorit.

    Në vitin 1925, pasuria që i ishte grabitur popullsisë çame nga grekët llogaritej 2.700.000 napolona ari.

    Kanë kaluar plot 90 vjet që kur ambasadori shqiptar në Athinë, apo ministri fuqiplotë, si quhej asokohe, luftonte për çështjen çame.
    Kur flitet shumë për diplomacinë dhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku mollë sherri është pa dyshim Çamëria, vjen për lexuesin një përmbledhje letrash, që Mid’hat Frashëri, ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë u dërgon eprorëve apo homologëve të vet gjatë periudhës që ai shërbeu në Athinë. Historianët Luan Malltezi e Sherif Delvina kanë përgatitur librin “Çështja Çame- Mid’hat Frashëri Ministër Fuqiplotë, Athinë (1923-1926)”. Një qëmtim i kujdesshëm i materialeve, nxjerrë kryesisht nga Arkivi Qendror i Shtetit, që na sjell në vëmendje një temë të nxehtë si ajo e Çamërisë. Janë komunikime me ish-ministrin e Jashtëm, me atë të brendshëm, me vetë Presidentin e Republikës, asokohe, Ahmet Zogu, por edhe me homologët grekë. Është një raportim i rregullt për marrëdhëniet me vendin fqinj, por më së shumti për çështjen çame, për shpërnguljet, burgimet, vjedhjen e pasurisë, depërtimin në Turqi. Frashëri ishte këmbëngulës në kërkesat e veta dhe nuk përtonte t’u dërgonte qindra letra eprorëve të tij, edhe pse shumë herë nuk merrte përgjigje, ndonëse gjendja siç thoshte ai ishte katastrofike. Madje ai shkonte dhe më tej, pa pritur reagimin e shtetit të tij, i propozon Kryeministrit grek Pangallos, të ndërrojë popullsinë çame me atë të minoritetit grek në Shqipëri.

    Letra që Mid’hat Frashëri u dërgon eprorëve të tij në Tiranë

    Athinë, 8 shtator 1925
    Shkëlqesës së Tij
    Zotit Ministrë të P. të Mbrendëshme
    Tiranë

    Zoti Ministrë,

    Nga shperngulja e popullsise Çame ne fillim te shekullit te kaluar
    Si mbas vendimit të komisionit për nënshtetësin e Shqiptarëvet në Greqi, në mbledhje të tij të 7 corente, kam nderin të paraqit shënimet e mëposhtme mbi atitudën e autoriteteve Greke drejt Shqipëtarëvet.
    Elementi shqiptar në Greqi duhet t’a ndajmë në dy pjesë:
    A.Elementi Orthodhoks,
    B.Elementi Mysliman
    Orthodhoksët Greqija i quan si grekër, me qenë se, pas mentalitetit të Helenëvet, një orthodhoks nuk mund të jetë përveç se Grek.
    Do të shtyrtojmë pra situatën e Shqiptarëvet Myslimanë.
    Këta gjendenë:
    A. Si popullsi kompakte në Çamëri, dua të them në zallë të dett që zgjatet nga Stilos gjer në Prevezë. Largë zallit gjejmë shqiptar muhamedanë: Në Janinë, Konicë, Voshtinë.
    B. Popullsi kompakte e dytë, në Prefekturat Fllorinë dhe Kostur, me 37 katunde dhe 2 qytete, me afro 35.000 njerëz.
    C. Popullsi e përndarë (sporadike) në shumë qytete të Maqedhonisë: Selanik, Karaferia, Vodena, Niausta, katerinë, Allasonjë, kavalle.
    S’dihetë numuri i drejtë i këtyre shqiptarëve; po mund të jetë gadi 100.000 frymë, mbase ma tepër dhe jo më i pakët.
    Tani të shohim çë ka qenë atituda e Greqisë kundrejt këtyre minoriteteve?
    Që ditën e nesërme të luftës Ballkanike, politika helenike u shfaq çiltazi për të ndjekurë dhe të përzënë elementin mysliman Shqiptar nga Epiri dhe Maqedhonija.
    Realizimi i kësaj politike filloi me anë të çetave hajdutësh dhe të sjelljeve të autoriteteve sivil dhe militarë.
    Po, kjo politikë morri nji gjyrë të re dhe fare militante pas motit 1920.
    Në atë mot Greqija mori do masa për elementin turk të Maqedhonisë, nga shkaku se gjendesh në luftë me Turqinë, masa të cilat duke dashurë, dhe me gjithë protestimet dhe rekomandimet, i zbatoj edhe mbi elementin Shqiptar, mbase në nji mënurë më të fortë dhe më të rëndë se nga ato që zbatonte mbi Turqit.
    Këto masa janë:
    1. U përzunë me dru dhe me të rahurë prej gjindarmërisë greke, të 35.000 shqiptarët e Follorinës dhe Kosturit.
    Këta të ndjekur u bë me një program dhe enkas, me qenë se Përfaqësonjësi Shqiptar në Athinë i kishte dhënë komisionit Mikst nji radhua të atyne katundaret, si edhe vetë popullsia që reklamoj origjinën shqiptare dhe të drejtën për të ndenjurë.
    2. Prapë kundra dekllaratësë që bëri Delegati Grek në Lausanne Z. Caclamanos, në Janar 1922, u përzunë me pahir dhe me dru:
    A. Të tërë Shqiptarët e Prevezës
    B. Të tërë Shqiptarët e Janinës.
    C. Një pjes e madhe e shqiptarëvet të Konicësë
    D. Të tërë Shqiptarët e Pargës
    E. Një shumicë shqiptarësh të vetë Çamërisë.
    3. Shqiptarët mysliman në Epir ose në Maqedhoni s’kanë të drejtë as të shesin as të japin me qera, as të marrin të hollat e pasunivet të tyne.
    4. As nji shtëpi s’ka mbetur e lirë: tekdo kanë kallur me pahir refugjatë, duke hedhurë rrugaçet të zotërit e shtëpivet.
    Shumë shtëpi rrijnë të zbrazura dhe prapë refugjatët grek qeverija i instalon në shtëpi të shqiptarëvet.
    5. Refugjatët me lejen e autoriteteve, grabitin pasuninë, kopshtet, ullinjtë, fiqtë, vneshtët dhe drithit e Shqiptarëvet.
    6. Pasuni e grabiturë gjer më sot me llogarinë më të poshtme arin vleftën 2.700.000 napolona ari.
    7. Dyert e drejtësis janë të mbylluna për Shqiptarët, dhe të rrahurët, të grabiturët, të burgosurët, janë buka e përditëshme për ta. Kjo situatë tragjike është dëftyerë edhe në raportet e Z. Carl Bratli, që udhëtoj në Çamëri, nga ana e Shoqënisë së Kombevet. Qëllimi i këtyne sjelljeve është që të shtrëngohenë Shqiptarët të ikin nga Greqija, dhe të grabitet e doravisht pasuni e tyre.
    8. Mbi këto Qeverija Greke ka bërë dhe nomin eksproprimit, e cila, në realitet është një mënyrë konfiskimi dhe grabitje pa çdëmtim. Ky eksproprim do të jetë edhe më i keq akoma për ata myslimanë shqiptarë nënshtetas grekë.
    9. Ligji i eksproprimit gjer më tani ka lënë rrugaçet me qindra fëmijë të pasurë, të cilët tani s’kan bukë të hanë.
    10. Po pika më esenciale është: Shqiptarët në Greqi s’kanë:
    A. Të drejtë për votim;
    B. S’kanë deputet;
    C. S’kanë të drejtë për shkolla;
    D. Xhamitë dhe Teqetë e bektashivet janë të konfiskuarë prej Qeverisë.
    Këto janë pikat kryesore me të cilat Greqija ka dëftyerë se nuk do të respektojë shqiptarët muslimanë as si minoritet kombësije, as si individ, që ka të drejtë për rrojtje.
    Pritni ju lutem, Zoti Ministrë, të falat e mia me nderime.
    Përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë
    Midhat Frashëri

    Athinë, 17 tetor 1925
    Nr. 1310
    Shkëlqesës së Tij
    Zotit Ministrë të P. të Jashtme
    Tiranë

    Zoti Ministrë,

    Nga shperngulja e popullsise Çame ne fillim te shekullit te kaluar
    Ditën e dytë të ardhjesë s’ime këtu në Athinë poqa Z. Rendis, Ministrë të P. të Jashtme, si dhe Kartanxhogllu, sekretarin (drejtorin) gjeneral të Ministrisë.
    Mbemë dakord me ta që më shënojnë ditën kur do të mundim të fillojmë bisedimet për lidhjen e marrëveshjesë relative me nënshtetësinë.
    Sot poqa Z.-in Pangalos.
    Sipas porosisë që më kishte bëtë zoti Kryetar i Republikës, i thashë të falat dhe shtova se, jam porositurë të them që marrëdhanëjet nërmiet të shteteve i kemi dhe më teprë akoma i ka në dorë Greqija, që t’i bëjmë miqësore.
    U përgjigj se dëshëron edhe ay fort shumë që të jemi miq, dhe pandaj ka dhën urdhrë në Ministri të Pun. të Jashtme të kërkohetë nga Shqipërija agrementi për Gjeneral Kondulin, si Ministrë. Shtoj se Kondulin e ka mik personal dhe se është shovinist shqiptar.
    Duke sjellë fjalën, pas një bisedimi tjatrë, mbi çështjen e Shqipëtarëvet të Greqisë dhe sidomos të Çamëvet, i thashë se, situata e tyre dhe komentet e shumë që bëjnë gazetat Shqipëtare, krijon pakë pengim për harmoninë midis dy shteteve.
    I kallëzova qysh autoritetet lokale bëjnë ekses zelli dhe si 104 Çamër janë të arrestuarë dhe burgosurë pa nonjë shkak real. I rrëfeva pastaj shtrëngimet e bërë në Çamëri duke marrë shtëpitë dhe pasurinë e tyre.
    Z. Pangalos, duke marrë shënim, më premtoj që të japë urdhra kategorike ne komandanti i Janinës dhe ne Ministri i Bujqësisë që të këqyrin këtë punë. Z. Pangalos nuk dinte, ose bëri sikur ignoronte zotimin e Greqisë të bërë në Lauzanë, në favor të Çamëvet. I thashë se, në qoftë se Greqija ka qëllim që t’i përzërë Çamët, ose t’i shtrëngoje gjer sa të ikin, atëherë më mirë të marrim masa që tani për të bërë dhe ne si Tyrqija, do me thënë për të këmbyerë grekofonët tanë me Çamët e Greqisë.
    Me këtë rast Zoti Ministrë, do të përsërit ato që pata nderin të parashtronj në raportin t’im Nr. 1289, me datë 15 Ct.
    Se është më mirë të na qahen dhe të na luten neve grekët, se sa ne tyreve. Sot, një mik që ka udhëtuarë nga Parga, më rrëfente se, sekretari i dytë i asaj Krahine, i kish thënë “Të ju them të vërtetën, Qeverija ka marrë në sy që t’i shtrëngojë Çamërit dhe të ikin. Edhe Musa Demin që arrestojnë çdo muaj dhe e burgosin, nuk’ ka no një shkak tjetrë.
    Për Kondulin do të them se është nga Levsina (Elevsis) si dhe Pngalloj, dhe ka lënë një kujtim të mirë në Korçë, në kohë të luftësë, ku ka qenë si prefekt.
    Po marr vesh se qarket Vorio-epirote kanë shkelurë këmbë që të mos vejë Konduli në Shqipëri; ata duanë të emërohetë Z. Jorgopullo, një shef zyre i ministrisë së P. Të jashtme, të cilit i kanë marrë më teprë besim për politikën e tyre.
    Z. Pangallos duke bërë fjalë për Z. Panurjas (të cilin pa dyshim un e lëndova) më tha se ka bërë shumë gafe.
    Pritni ju lutem, Zoti Ministrë, të falat e mia me nderime.
    Midhat Frashëri

    Athinë, 4 nëntor 1925
    Nr 1433
    Shkëlqesës së Tij
    Zotit Ahmed Zogu
    Kryetar i Republikës
    Tiranës

    Zotni Kryetar,
    I inkurajuarë prej porosisë që më bëtë të ju shkronj drejt për drejt kur të kem nevojë për no një send, po marr lirinë të ju bënj këto lutje që më vijojnë më posht:
    1. Punët tona në Shoqërin e Kombevet sa vete po shtohenë, dhe e shoh fort të nevojëshme qi të emërohetë në Genevë një zyrtari i zoti, me vullnet të math, dhe që të dijë mirë punët e Shqipërisë.
    2. Puna e Shqiptarëvet të Greqisë, dhe në teprë ajo e Çamëvet, ka ardhurë në një fazë kritike që nuk mund të durojë më teprë kështu të mvrauarë.
    Kam bërë çdo javë më teprë se një raport në Ministrit tënë, dhe kam rekomanduarë masa reciproke.
    Edhe die kuvendonja me një koleg t’im mbi këtë punë. Më pyeti në kemi edhe ne në Shqipëri grekër. I thashë se kemi disa mijë. “Po atëherë çë i mbani? Pa i përzeni, le të vijnë këtu në Greqi, pa atëherë Qeveri e Athinës të ju lutet juve.
    3. Puna e refugjatëvet që po vijnë në Shqipëri, ose duanë që të vijnë, ka nji importancë fare kryesore për neve, mjerisht transportimi dhe instalimi i refugjatëvet nuk po bëhetë as pak në rregull, dhe nga kjo parregullsi mund qi të na ngjajë no një fatkeqësi e madhe.
    Shkëlqesa Juaj kishte pasurë mirësinë të më premtoni se një njeri i zoti, energjik dhe i ndershmë do të emërohetë si Drejtor i Përgjithshëm për Instalimin dhe Rikonstruktim.
    Kjo nevojë sot më duket edhe më e madhe akoma, se çështja na kanoset me një katastrofë kombiare, Zoti mos e dhantë.
    Pranoni Ju lutem, Zoti Kryetar, të falat e mia me nderime.
    Midhat Frasheri d.v.

    Athinë, 11 nëntor 1925
    Zotit Sir Erik Drumond
    Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve
    Gjenevë
    Nr. 1483

    Qeveria shqiptare sapo u njoftua që një projekt do të ishte përpiluar në Komisionin Mikst, në Kostandinopoli, për të dënuar nga atdheu i tyre 5000 (5 mijë) çamë (shqiptarë shtetas grekë të Epirit) duke iu nënshtruar shkëmbimit të detyruar. Në emër të qeverisë sime unë jam i detyruar të protestoj me të gjitha energjitë e mia kundër një vendimi të tillë. Sikundër keni dijeni ju, zoti Sekretar i Përgjithshëm, shkëmbimi i popullsisë është vënë në jetë nga Greqia dhe Turqia në Konferencën e Lozanës, ku, sipas kërkesës së Shqipërisë, myslimanëve me origjinë shqiptare u është njohur e drejta e përjashtimit nga ky shkëmbim. (janar 1922)…
    Dua të shtoj se deri tashti, më tepër se 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) shqiptarë janë dëbuar prej vatrave të tyre dhe janë dërguar në Azi të Vogël kundër dëshirës së tyre.
    Duke pasur parasysh atë që paraprin projekti për të shpërngulur 5000 shqiptarë të tjerë, është në kontradiktë të dukshme me letrën dhe frymën e zotimeve të qeverisë greke dhe turke, si dhe vendimeve të marra nga vetë Këshilli i Lidhjes së Kombeve. Do të isha shumë mirënjohës nëse ju dëshironi të merreni me këtë ngjarje dhe me urgjencë të tërhiqni vëmendjen e Komisionit Mikst, duke ftuar të heqë dorë nga planet për dëbime të reja të shqiptarëve.
    Ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, pranoni konsideratën time më të lartë.
    Ministri i Shqipërisë në Athinë

    http://www.panorama.com.al/2013/10/2...n-camet-ne-25/
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Për: Letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit: Si u grabitën çamët në ‘25

    Luan Malltezi: Grekët iu morën çamëve 2.7 milionë napolona ar

    Nga: Prof. LUAN MALLTEZI

    Luan Malltezi: Grekët iu morën çamëve 2.7 milionë napolona arMid'hat Frashëri, Ministër Fuqiplotë Athinë (1923-1926) dhe Çështja Çame". Ky është libri i profesorëve Luan Malltezi dhe Sherif Delvina, një botim që hedh dritë mbi përpjekjet e ish-'ambasadorit' tonë në Greqi në kohën kur çamët po shkuleshin nga trojet e tyre...
    Letërkëmbimet me Shqipërinë, takimet në Athinë, përpjekjet e pafundme dhe heshtja e Tiranës, tregojnë në fakt se si ata u lanë në mëshirë të fatit dhe marrëveshjen greko-turke për këmbimin e popullsisë... Më poshtë, "GSH" boton pjesë nga libri studimor.
    Deziluzionet e
    Ministrit Fuqiplotë
    Ky fillim i lumtur në marrëdhëniet midis dy vendeve, për fat të keq nuk vazhdoi gjatë dhe kjo, për faj të palës greke.
    Përplasja e parë serioze e Ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë me autoritetet greke, lindi për shkak të zbatimit nga pala greke të ligjit mbi shpronësimin e pronës së madhe tokësore edhe për popullsinë shqiptare, të vendosur në tokat e veta në Greqi.
    Mid'hat Frashëri u përpoq të mos lejonte palën greke të zbatonte këtë ligj mbi popullsinë shqiptare si pakicë kombëtare. Sipas ligjit, asnjë shtetas nuk mund të kishte pronë tokësore private mbi 300 streme. Mbi këtë masë, toka shpronësohej. Nga zbatimi i këtij ligji, shqiptarët që kishin prona të mëdha humbnin 350 mijë napolonë flori. Këtë ligj, qeveria greke kishte kohë që e kishte vënë në zbatim. Duke bërë fjalë për këtë problem, Mid'hati e njoftonte Tiranën zyrtare, se shqiptarët e Maqedonisë (Selanik, Karaferia Allasonë etj.,), kishin mbi 10 vjet që dëmtoheshin me rekuizime dhe konfiskime. Dëmi që kishin pësuar shqiptarët e lartpërmendur, mund të llogaritej e pakta 20.000.000 dhrami, ndërsa dëmi që kishin pësuar 20 mijë shqiptarët e Kosturit dhe të Follorinës, mund të llogaritej 20.000.000 dhrami.
    Këtë çështje jetike për fatin e shqiptarëve në Greqi, Mid'hat Frashëri e ngriti edhe në Lidhjen e Kombeve, më 24 shtator 1924.
    Sipas tij, zbatimi i këtij ligji do t'i detyronte shqiptarët myslimanë që të largoheshin nga Greqia për shkaqe ekonomike, pra nga pamundësia për të jetuar pa tokë, mbi të cilën mbështesnin ekonominë e tyre.
    Kërkesën për moszbatimin e këtij ligji mbi shqiptarët, Ministri ynë e mbështeste, në atë, që ky ligj, binte në kundërshtim me zotimet që Greqia kishte marrë më 1913, në lidhje me pronat e myslimanëve. Ky zotim, ishte ripohuar në deklaratën, lidhur me pasuritë e myslimanëve në Greqi "të nënshkruar në Lozanë nga zotërinjtë E.K.Venizellos dhe D. Caclamanos më 24 korrik 1923".
    Ministri ynë njoftonte Tiranën se si pasojë e këtij ligji, gjendja e shqiptarëve myslimanë në Greqi ishte keqësuar shumë sepse:
    1- "Që prej shtatë vjetësh shqiptarëve myslimanë, që përbënin pjesën më të madhe të pronarëve, u ishte hequr e drejta të shesin dhe të japin me qira pronat e tyre, çka u ka shkaktuar atyre tashmë dëme të mëdha".
    2 - Sepse pronarët myslimanë kishin pasur kufizime mbi të drejtën e tyre të pronësisë, të korrat e tyre qysh prej disa vjetësh kishin qenë të konfiskuara nga qeveria greke ose kishin qenë të detyruar, po nga këto autoritete, të jepnin me qira pronat e tyre me çmime qesharake".
    Mid'hat Frashëri i sugjeronte Këshillit të Lartë të Lidhjes së Kombeve që kjo çështje të zgjidhej si më poshtë: "Pasuritë (tokat-red), që u përkisnin shqiptarëve, të vlerësoheshin me vlerën e tyre faktike nga një autoritet gjyqësor i lirë dhe shuma e vlerësimit t'i paguhej atyre tërësisht në të holla".
    Këmbimi i popullsisë
    ...Në janar 1924, Mid'hati njoftonte se në Arpicë autoritetet greke kishin vendosur më tepër se 100 familje greke të Anadollit. Shqiptarët, - shkruante Mid'hati- janë mbledhur dy-tre familje në një shtëpi, kurse shumë refugjatë grekë (janë mbledhur-red) vetëm dy njerëz në një shtëpi. Muhaxhirët (d.m.th. grekët e kthyer nga Turqia) po mbledhin për hesap të tyre vallanidhin, fiqtë, ullinjtë, zarzavatet, presin drurët, dhe pemët, kështu që zotërit e shtëpive (d.m.th. shqiptarët-red) janë pa asnjë prodhim. Disa arpiciotë kanë dashur të ndalojnë grabitjen e refugjatëve, por qeveria arrestoi pesë vetë, të cilët i çoi në Margëlliç, në Pargë dhe Prevezë, nga burgu në burg 15 ditë".
    Pas paraqitjes së kësaj tabloje të rëndë, Mid'hati i sugjeronte Ministrit të Jashtëm masa të ashpra të jashtëzakonshme:
    1 - Të merrte masa kundër elementit grekofon në Shqipëri
    2 - Të thërriste në Shqipëri çdo çam, që ishte përzënë, ose do të përzihej paskësaj dhe të instalohej në pasuritë dhe shtëpitë e elementit grekofon.
    Sipas tij, kjo duhej bërë detyrimisht meqenëse Greqia, kërkonte të dëbonte shqiptarët që kishin mbetur në Greqi, në kundërshtim me të gjitha aktet dhe detyrimet ndërkombëtare ndaj minoriteteve.
    Pasuria e grabitur
    Në shtator 1925, Mid'hati shkruante se "politika helenike" për dëbimin e elementit mysliman nga Epiri dhe Maqedonia kishte nisur "që të nesërmen e luftës ballkanike". Ajo kishte filluar të zbatohej "me anë të çetave të hajdutëve dhe të sjelljeve të autoriteteve civile dhe militare". Sipas tij, kjo politikë mori një ngjyrë të re, pas motit 1920". Lidhur me këtë, ai shkruante se:
    1 - U përzunë me dru dhe më të rrahur prej gjindarmërisë greke 35.000 shqiptarë të Follorinës dhe të Kosturit.
    2 - Në kundërshtim me deklaratën që bëri delegati grek në Lozanë, z.Caclamanos në janar 1922, u përzunë me pahir dhe me dru:
    A- Të tërë shqiptarët e Prevezës.
    B- Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Konicës.
    C- Të tërë shqiptarët e Pargës.
    D- Një shumicë e shqiptarëve të vetë Çamërisë
    3 - Shqiptarët myslimanë në Epir ose Maqedoni s'kanë të drejtë as të shesin as të japin me qera, as të marrin të hollat pasuritë e tyre.
    4 - Asnjë shtëpi nuk ka mbetur e lirë: kudo kanë kallur me pahir
    refugjatë, duke hedhur rrugëve të zotët e shtëpive. Shumë shtëpi rrinë të zbrazura, refugjatët (grekë-red) qeveria greke i instalon në shtëpitë e shqiptarëve.
    5 - Refugjatët me lejen e autoriteteve grabisin pasurinë, kopshtet, ullinjtë, fiqtë, vreshtat dhe drithrat e shqiptarëve.
    6 - Pasuria e grabitur gjer më sot... arrin vlerën 2.700.000 napolona ar.
    7 - Dyert e drejtësisë janë të mbyllura për shqiptarët dhe të rrahurit, të grabiturit, të burgosurit, janë buka e përditëshme për to.
    Qëllimi i këtyre sjelljeve është të shtrëngohen shqiptarët të ikin nga Greqia dhe të grabitet pasuria e tyre.
    Shqiptarët në Greqi s'kanë:
    - të drejtë votimi
    - s'kanë deputetë
    - s'kanë të drejta për shkolla
    D - Xhamitë dhe Teqetë e bektashinjve janë konfiskuar prej qeverisë.
    Dorëheqja
    Më 17 tetor 1925, Mid'hat Frashëri shkoi akoma më larg në këto qëndrime. I paautorizuar nga qeveria, ai i kishte deklaruar Kryeministrit grek Pangallossss, që "nëqoftëse Greqia ka qëllim, t'i përzërë çamët ose t'i shtrëngojë derisa të ikin, atëhere më mirë të marrim masa, që tani për të bërë edhe ne si Tyrqia, domethënë për të këmbyer grekofonët tanë me çamët e Greqisë".
    ... Raporti i Mid'hatit ra si bombë në Tiranë dhe kjo sigurisht shënoi edhe fundin e tij në shërbimin diplomatik. Ministri i Jashtëm, i akuzuar për mefshtësi, pasi shprehte nervozizmin e vet, në shkresën e datës 25 nëntor 1925, kërkonte dorëheqjen e Mid'hatit. Për këtë, ai i drejtohej atij si më poshtë: "Zoti Ministër! Me shkresën tuaj nr. 1553, datë 17 të këtij muaji, shihet se dezaprovoni politikën e çështjeve të jashtme. Siç e dini, funksionarët janë organe të shtetit, të cilët janë të detyruar të ekzekutojnë direktivat e politikës së caktuar nga Qeveria Qendrore. Pra, në qoftë se Zotëria Juaj, nuk jeni dispozé të ekzekutoni këto direktiva, atëhere jeni i lirë të jepni dorëheqien".
    ... Lajmin për largimin e Mid'hat Frashërit nga detyra e Ministrit Fuqiplotë në Athinë e jep edhe ambasadori anglez në Durrës, Robert Parr, në letrën dërguar ministrit të Jashtëm anglez, Austin Chamberlain. Letra ruhet në Arkivin e Punëve të Jashtme të Anglisë, "Foreign Office". Frashëri u largua nga detyra e tij nga Kryetari i Republikës, Ahmet Zogu. Parr-i bënte të ditur se Ahmet Zogu, e kish marrë këtë vendim në mirëkuptim me qeverinë greke. Zogu duket se nuk mund të përballonte një krizë të thellë në marrëdhëniet e tij me Greqinë për çështjen çame.

    (er.nu/GSH/BalkanWeb)

    http://www.balkanweb.com/kultur%C3%A...ar-156061.html
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Për: Letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit: Si u grabitën çamët në ‘25

    “Zogu ra dakord me grekët për heqjen e Frashërit si ambasador”

    Kulture e Premte, 29 Nëntor, 2013 | 12:51 pm

    Mit’hat Frashëri
    Mid’hat Frashëri, një emër i madh në diplomacinë shqiptare.

    Si ministër fuqiplotë në Greqi, ai u bë avokati më i madh i çështjes çame në arenën ndërkombëtare.

    Me lindjen e shtetit shqiptar, një rol të rëndësishëm në vendosjen e marrëdhënieve me shtete të tjera kanë luajtur ministrat fuqiplotë, siç quheshin ambasadorët e parë. Historia mund të flasë me respekt dhe nderim të veçantë për shumë prej tyre si personalitete të shquara të elitës së kohës, të lidhura ngushtë me interesat e vendit. Një i tillë ka qenë pa dyshim edhe Mid’hat Frashëri, që shërbeu si ministër fuqiplotë i shtetit shqiptar në Athinë, në vitet 1923-1926. Ai ishte edukuar me dashuri për vendin që i vogël, në rrethin e Frashërllinjve të mëdhenj, Abdylit, Naimi, Samiut. “Isha pesë vjeç,- shkruan ai- kur e njoha për herë të parë t’im atë (Abdyl Frasherin-LM) në Banderma, kur u fal prej burgut, po qe akoma i dënuar në mërgim. Im atë fliste mirë, qe elokuent, i pëlqente bisedimi. Në mërgim edhe më tepër akoma në Stamboll, me miqtë që vinin ta vizitonin, im at subjektin e preferuar të kuvendimit e gjente në të rrëfyerë të ngjarjeve të pasluftës ruso-turke, të kujtimeve të Lidhjes (së Prizrenit-LM) dhe shpresat për të pritmin (të ardhmen- LM). Kështu ca nga ca, në mënyrë inkoshiente, mëmëdheu mori për mua formën e një perëndie dhe kulti i tij mori për mua vendin e një besimi fetar”. Për Mid’hatin mund të thuhej në mënyrë të veçantë se luajti një rol të rëndësishëm në jetën kulturore të vendit që para shpalljes së pavarësisë për zgjimin dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare, ngritjen e klubeve dhe hapjen e shkollave shqipe për mësimin e gjuhës. Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës Osmane (1908), Mid’hati nxori në Selanik gazetën “Lirija” dhe në 1909 nisi botimin e revistës “Diturija”. “Programi dhe qëllimi ynë, – shkruante ai, – është që të bëjmë një revistë të dobishme, për të gjithë këndonjësit, për nxënësit, studentët, mësuesit, si dhe amatorët e këndimit dhe të nxanit, të japim një lënë të këndëshme për një ushqim moral për çdo intelektual”. Në 1908 u zgjodh nga elitat e vendit kryetar i Kongresit të Manastirit, që u mblodh për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Më 28 nëntor 1912, ishte përfaqësues i Gjakovës, Pejës, Gucisë dhe Plavës në ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë, ku edhe u zgjodh ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Ismail Qemalit; në 1914 ishte ministër i Postave dhe Punëve Botore në Qeverinë e Vidit; në 1918 ministër pa portofol në Qeverinë e Turhan Pashës; në 1920 ishte kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dhe më 25 gusht 1922, ministër fuqiplotë i shtetit shqiptar në Uashington, emëruar nga Këshilli i Lartë i Shtetit.
    Emërimi i tij, në 1923, nga Kryeministri Pandeli Evangjeli si ministër fuqiplotë në Athinë u prit mirë nga opinioni publik brenda dhe jashtë vendit, ai ishte i njohur tashmë si personalitet i shquar edhe me botimet të shumta me karakter të mirëfilltë historik si “Çështja e Epirit” (Sofje, 1915), “Popullsia e Epirit” (1915); “Shqiptarët dhe sllavët” (1919), “Shqiptarë në vendin e tyre dhe jashtë atdheut” (1919). Mid’hati u vlerësua si ambasador i shtetit shqiptar në Athinë nga ministri fuqiplotë i Britanisë së Madhe në Tiranë, Robert Hodgson: “Postin si ministër fuqiplotë e Shqipërisë në Athinë, – shkruan ai, – Mid’hat Frashëri e kreu më zotësi të madhe. Binin në sy njohuritë e tij të shkëlqyera në fushën e historisë dhe të letërsisë greke. Ai fliste greqisht në mënyrë të shkëlqyer”.
    ***
    Problem kryesor për Mid’hat Frashërin gjatë shërbimit në Greqi u bë mbrojtja e çamëve në këto vite nga dëbimi me dhunë në Turqi që ndërmori administrata e lartë greke, ushtria dhe policia e saj. Këtë goditje pësoi sidomos komuniteti mysliman çam, i cili u dëbua si “popullsi turke”. Mid’hat Frashëri zhvilloi një veprimtari të jashtëzakonshme si ambasador i shtetit shqiptar në Athinë për të frenuar largimin tyre; ai kundërshtoi me forcë vendosjen në tokat dhe shtëpitë e tyre të grekeve që ktheheshin në Greqi nga Turqia, sipas marrëveshjes për shkëmbimin e pakicave kombëtare nënshkruar midis Turqisë dhe Greqisë në Traktatin e Lozanës. Me qëndrimin e tij të paepur në mbrojtje të çamëve, ambasadori fuqiplotë i Shqipërisë pati përplasje me autoritetet shqiptare të kohës; një përplasje të tillë ai pati me Ahmet Zogun, president i Shqipërisë pas kthimit të tij në pushtet në dhjetor 1924. Lajmin për largimin e tij nga detyra e jep ambasadori anglez në Durrës, Robert Parr, në letrën dërguar më 25 shkurt 1925 ministrit të Jashtëm anglez, A.Chamberlain. R.Parr e njoftonte se Mid’hat Frashëri u largua nga detyra e tij nga Kryetari i Republikës, Ahmet Zogu, i cili e kishte marrë këtë vendim në mirëkuptim me qeverinë greke. Duke mos fshehur gëzimin për largimin e tij nga detyra, Parr-i bënte të ditur se Mid’hati ishte personi që kishte nxjerrë probleme të shumta kundër largimit të çamëve myslimanë si pakicë kombëtare në Turqi. Sipas tij, personi që do të zëvendësonte Mid’hatin ishte një nëpunës i zakonshëm, që nuk mund të bënte më shumë sesa të shkëmbente postën zyrtare midis dy vendeve. Pas kthimit nga Athina, Mid’hat Frashëri nuk shërbeu më në administratën e shtetit shqiptar; ai iu kthye veprimtarisë së tij të njohur në fushën e kulturës dhe publicistikës shqiptare, por ai nuk reshti së vëni në dukje para opinionit shqiptar fatin tragjik që po kalonin çamët nga përndjekja barbare e administratës së lartë greke. Një shkrim i tillë është artikulli botuar me emrin “Lumo Skëndo”, më 5 shkurt 1927, në gazetën “Demokratia”, që po japim më poshtë.

    SHQIPTARËT MYSLIMANË NË GREQI
    Po bëhet fjalë për çamët dhe shqiptarët e Maqedonisë, këta të fundit u çduknë; prej të parëve kanë mbetur akoma nja 30.000 vetë nga Konispoli e në Prevezë. Të tjerët u përzunë lakuriq nga shtëpitë e tyre. Tragjedia e këtyre njerëzve është pa shëmbull në histori: kanë pesëmbëdhjetë vjet që po vuajnë çdo ditë torturën e vdekjes; nga pesë vjet e tehu pësimet e tyre nuk përshkruhen dot.
    Autoritetet greke, që nga nëpunësi më i vogël dhe gjer në ministrat e Athinës, përdorin çdo farë mjeti për t’i çfarosur, për t’i shuar nga faqja e dheut. Duan t’i shtrëngojnë që të thonë se janë turq, dhe, pasi t’u marrin gjithë pasurinë, t’i zbojnë në Anadoll, në një vend të huaj me të cilin, as nga gjuha, as nga raca, as nga zakonet s’kanë ndonjë marrëdhënie. Tetë-dhjetë mijë shqiptarë u zbuan në Tyrqi dhe po vdesin. Fati i grekëve të Anadollit dhe i tyrqvet të Maqedonisë nuk është kaq’ i zi sa i shqiptarëve që zboi Greqia. Grekët dhe vanë. Shqiptarët u dorëzuan ke një i huaj. Greku nuk le asnjë çam që të vijë në Shqipëri. Qarjet e çamëve në autoritet greke, në Komisionin Mixt, në Shoqërinë e Kombeve, s’kanë numur. Mbrojtjen e tyre e mori dhe Shqipëria, duke u drejtuar në Ministritë e Gjenevës, se nuk mund që të torturohet dhe të çfaroset një popull i tërë. Në mbledhje të Këshillës së Shoqërisë së Kombeve, dhjetor 1925, delegati shqiptar çpalosi dhe nxori në shesh gjithë krimet e parrëfyershëm që po veprohen kundra çamëve. Në mbledhjen e dytë, mars 1926, delegati grek i njohur i pohoj këto krime dhe deklaroj zyrtarisht përpara botës‘ së qytetëruar se qeverija greke do t’i ngretë (ndalë-? red) shtrëngimet, masat çnjerëzore, dhe do t’u japë të drejtat çamëve. Shkoj një mot e gjysmë. Nga premtimet Greqia nuk ekzekutoi asnjë. Çamët po lëngojnë; Gardhiqiotët dhe Dragumiotët po vdesin rrugëve nga urija. Autoritetet helenike nuk njohin as çam as shqiptar! Kundra zotimevet (të dhëna) ballë Zotit dhe botës, autoritetet greke po ndjekin, me gjak të ftohtë, një politikë sistematike për vdekje me torturë.
    Mbajtja e fjalës është një detyrë njerëzije për Greqinë. Vazhdimi në gjyq për mbrojtjen e një populli, ndalimi nga vdekja me torturë e 30.000 njerëzve është për Shoqërinë e Kombeve dhe për Shqipërinë, një detyrë njerëzore dhe një detyrë nderi.

    LUAN MALLTEZI
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Për: Letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit: Si u grabitën çamët në ‘25

    Trashëgimia Pangallos dhe qëndrimi i sotëm i Greqisë ndaj Çamërisë

    22 Shkurt 2014 | : Ndryshe | Autor: Gazeta Shqip

    Teodoros Pangallos qe një Kryeministër i Greqisë që në vitin 1926 mbajti një qëndrim korrekt ndaj Shqipërisë dhe Çamërisë. Ai dalloi popullatën ortodokse shqiptare nga minoriteti grek dhe bëri thirrje për marrëdhënie miqësore mes dy vendeve

    Histori

    ENVER KUSHI

    Historia dhe Cameria (1)

    Historia dhe Cameria (2)

    Historia dhe Cameria (3)


    Historia dhe Cameria (4)

    Historia dhe Cameria (5)

    Historia dhe Cameria (6)


    Historia e marrëdhënieve shqiptaro-greke në këto 102 vite të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe 101 vite pas aneksimit të Çamërisë nga Greqia, sipas vendimeve të Konferencës së Londrës, është karakterizuar nga stinë me ngrica, për të mos thënë të akullta. Përtej deklaratave të kahershme, apo të sotme të bëra nga politikanë grekë për “miqësi me Shqipërinë dhe shqiptarët”, si dhe dëshirës së mirë të shqiptarëve dhe të opinionit të shëndoshë grek që këto marrëdhënie me të vërtetë të ishin normale, ato asnjëherë nuk kanë qenë të tilla.

    Që nga rënia e Janinës në mars të vitit 1913 dhe më pas, për të arritur në momentin më tragjik të viteve 1944-1945 gjatë të cilës u shënuan vrasje, dëbim me dhunë i popullsisë çame nga trojet e veta e deri në ditët tona, për fat të keq nuk kemi nga politika greke as pranim të krimit dhe as katarsis, nëse do të përdornim një term, që lidhet me tragjedianët grekë të lashtësisë dhe gjëmën e Trojës. Shqiptarët dhe grekët, si popujt më të lashtë të gadishullit të trazuar ballkanik, po të perifrazonin shkrimtarin e madh Ismail Kadare, kanë shekuj që jetojnë në fqinjësi dhe do të kenë shekuj të tjerë fqinjësie përpara. Prandaj, mendoj se e ardhmja e kësaj fqinjësie dhe besimi reciprok, duhet të lënë pas ankthet e së shkuarës, stinët me ngrica dhe t’u rikthehen qëndrimeve realiste dhe një fryme tjetër, që nuk kanë munguar në të shkuarën jo shumë të largët në politikën greke.

    Në këtë kuadër, ia vlen t’i rikthehemi deklaratave të Kryeministrit grek, Teodoros Pangallos, 14 shkurt të vitit 1926, jo vetëm thjesht si kuriozitet, por edhe për të pohuar se ka pasur edhe politikanë grekë që kanë dashur sinqerisht marrëdhënie normale me Shqipërinë dhe njohje të të drejtave të minoritetit shqiptar çam në Greqi. Koha jonë, e ardhmja e Ballkanit dhe veçmas marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe zgjidhja e çështjes çame, kanë nevojë për zëra realiste dhe deklarata e qëndrime që çuditërisht tingëllojnë aktuale edhe pas 88 viteve.

    Padyshim përtej çdo entuziazmi fals, patetizmi folklorik (aq të pranishëm në këto 20 vite në manifestimet, intervistat, fjalimet publike të politikanëve çamë), kemi nevojë për një analizë më gjakftohtë dhe me këmbë në tokë. Të them të drejtën, kur në fillimvitin 2007, merresha me platformën për ekspozitën “Çamëria në rrjedhat e shekujve” dhe ndërkohë lexoja shtypin e viteve 1913-1945, isha shumë entuziast, kur për herë të parë lexova deklaratën e Teodoros Pangallos, si dhe të ministrit të Jashtëm, Rufos. Këto deklarata janë botuar në faqen e parë te “Gazeta e Korçës”, viti VIII i botimit, nr. 263, e shtunë, 27 shkurt 1926. Nën titullin “Deklarata të diktatorit grek mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke”, kemi shënimin me korsiv “Çamëvet ju njihen tërë të drejtat si minoritet”:

    - Në Shqipëri të Jugës nuk ka grekë përveç pak grekofonë. – Shpërndarja e klubeve Vorioepirotë. – Marrëdhëniet Ekonomike’ e më poshtë (Nga korispodenti ynë, posaçmë) botohet deklarata e Pangallosit, ndërsa ajo e ministrit të Jashtëm Rufos, me shënimin me korsiv: “Greqia caktoj një politikë të kthjelltë dhe definitive kundrejt Shqipërisë: – Kufit e sotmë midis të dy Shteteve i quan, pa nonjë rezervë, definitive, – Miqësia Shqipëtare veprë kombëtare për Greqinë”.

    Para se të ndalemi në përmbajtjen e deklaratave, shtrohet pyetja: Në ç’rrethana historike janë bërë këto deklarata dhe a ndikuan ato jo vetëm në përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, por veçmas në përmirësimin e gjendjes së minoritetit shqiptar çam në Greqi dhe ndalimin e shpërnguljes së çamëve për në Turqi?

    Situata në Çamëri në periudhën, kur në krye të qeverisë greke erdhi Pangallos, ishte nga më dramatiket. Mendoj se janë dy momente që duhen nënvizuar:

    Së pari, Ligji i shpronësimit i vitit 1911 hyri në fuqi para vitit 1923 dhe kjo nuk ishte e rastit. “Ky ligj nuk ishte gjë tjetër veçse një grabitje zyrtare dhe ishte i mjaftë për t’i lënë shqiptarët pa bukë dhe t’i shtrëngonte të largoheshin nga Çamëria”, konkludon me të drejtë Hajredin Isufi (Shih “Çamëria, studime historike – sociologjike shek XIII – XX, Tiranë 2006, f. 116- 117).

    Së dyti, që nga 30 janari i vitit 1923, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Lozanës mes Greqisë dhe Turqisë dhe deri në fund të vitit 1925, popullsia çame kishte pësuar mbi kurrizin e saj atë që Ali Dino, ish-deputet i Prevezës në Athinë, në një letër që i drejtonte gjeneralit De Lara, kryetar i Komisionit Miks për këmbimin e popullsisë greko-turke, do ta nënvizonte se: “…shqetësimi i bashkatdhetarëve të mi po kalon në ankth për arsye të disa masave të marra ndaj tyre nga qeveria greke, masa shumë të rënda në kundërshtim me Konventën e Lozanës…”. (Dokumente për Çamërinë” 1912 – 1939, Tiranë 1999, f. 158).

    Po për këtë periudhë, historiani grek, Jorgos Margaritis, shkruan: “…Ndërmjet viteve 1923-1924, në zonë mbërritën disa mijëra emigrantë “të shkëmbyeshëm” nga Azia e Vogël, domethënë të dërguar atje nga shërbimet qeveritare greke, me qëllim intensifikimin e presionit ndaj çamëve për t’i detyruar të iknin… Kjo bashkëjetesë e ngushtë, detyruese me emigrantët ishte veçanërisht e dhimbshme për çamët…”. (Jorgo Margaritis “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, Tiranë 2009, f. 119).

    Bilanci është me të vërtetë i dhimbshëm. “Në periudhën 1913-1925, gjatë procesit të këmbimit të detyrueshëm, u përzunë me dhunë 60 mijë shqiptarë (40 mijë nga viset e Maqedonisë dhe 20 mijë nga krahina e Epirit”, citon Mehdi Frashërin, përfaqësuesin e Shqipërisë në sesionin e 50–të të Këshillit të Shoqërisë së Kombeve. Në librin e tij “Tragjedia Çame” prof. dr. Beqir Meta. (Beqir Meta, “Tragjedia Çame”, Tiranë 2007, f. 42).

    Shumë banorë të Çamërisë braktisën shtëpitë e tyre për të shpëtuar kokën. “Kështu Gardhiqi, nga 400 shtëpi, që kishte më 1913, në vitin 1925 mbetën 80, Dragomia nga 160 në 18, Karbunari nga 300 në 120, Parga nga 300 në 40, ndërsa në Petrovicë, Shëndëlli etj., nuk mbeti asnjë”. (Hasan Minga, “Çamëria, vështrim historik”, Tiranë 2006, f. 34).

    Në këtë situatë dramatike, vjen deklarata e Kryeministrit grek mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe minoritetin shqiptar çam, e shkurtit të vitit 1926.

    Po të lexosh informatat e ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë, Mid’hat Frashëri, veçanërisht ato të gjysmës së dytë të vitit 1925, ndien se po fryn një erë e re në marrëdhëniet shqiptaro-greke, me gjithë vazhdimin e gjendjes së njëjtë të çamëve në Epir.

    Kështu, më datën 17 tetor 1925, Mid’hat Frashëri, për takimin me Kryeministrin Pangallo, mes të tjerash, ai e informon Tiranën: “U përgjigj (Pangallo – shënimi im) se dëshiron edhe ai fort shumë që të jemi miq dhe prandaj ka dhënë urdhër në Ministrinë e Punëve të Jashtme të kërkohetë nga Shqipëria agrement për Gjeneral Kondilin, si Ministrë: Shtoj se Kondilin e ka mik personal dhe se është shovinist shqipëtar”. (Mid’hat Frashëri Ministër Fuqiplotë. Athinë (1923- 1926), Çështja çame” Luan Malltezi, Sherif Delvina. Tiranë 2013, f. 299). Gjithashtu, më datë 5 nëntor 1925, Mid’hat Frashëri i shkruan Tiranës se: “Këtu kam folur tri herë me z. Pangallos për çamët: më ka dhënë fjalë të jap urdhrë në Janinë, se edhe vetë e njohu që faji u bë në fillim duke pandehurë turq çamët. Më premtoj që sjelljet e autoriteteve helenike do të ndreqenë. (Po aty, f. 317- 318).

    Po kush është Teodoros Pangallos? Në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, jepen këto të dhëna për të: “Personalitet politik dhe ushtarak i shtetit grek. Lindi në Salaminë (Greqi), në një familje arvanitase. Kreu shkollën e oficerëve dhe vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake në Paris(1914).

    Me 1918 u gradua gjeneral. Ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë greke, Ministër i Mbrojtjes (1922) dhe President i Greqisë (1926-1930). Ndoqi politikën e fqinjësisë së mirë ndaj Shqipërisë. Gjatë qeverisjes së tij u shpreh kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Çamëria dhe e konsideroi trajtimin e tyre në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar si faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve normale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ka pohuar me krenari në raste të ndryshme origjinën e tij shqiptare dhe ka vlerësuar meritat e arvanitasve në historinë e Greqisë”. (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2009, f. 1924- 1925).

    Cilat janë idetë e deklaratës së Pangallosit të shkurtit 1926?

    Së pari, përmirësimi rrënjësor i marrëdhënieve me Shqipërinë fqinje, duke hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj saj. Ai e sheh Shqipërinë si një vend mik dhe i duhen lënë së kaluarës mosmarrëveshjet. “Sa për Shqipërinë”, – deklaron ai, – “me të cilën veçanërisht na bashkojnë lidhje origjine, gjaku, luftërash të përbashkëta, marrëdhëniet tona gjenden në pozitë shumë të kënaqshme dhe për dita po zhvillohen më mirë… . Kujdesi im ka qenë, që kurse mora në dorë fuqinë, të bëj sa më tepër të ngushta lidhjet që na bashkojnë dhe për këtë qëllim nuk kurseva asgjë. Është e vërtetë nga ana tjetër, dhe kudo ngjan, që midis shteteve kufitare të mos kënaqen plotësisht pretendimet e të dy palëve, kështu që një pjesë e popullit të shtetit tjetër të mbetet brenda kufijve të tjetrit dhe anasjelltas, duke u konsideruar si minoritet. Por kjo nuk duhet të formojë ndarje dhe nuk duhet të bëhet shkak për grindje midis dy popujve vëllezër, por përkundrazi të bëhet ura e bashkimit midis tyre”.

    Së dyti, për herë të parë shteti grek njohu ekzistencën e minoritetit shqiptar çam në Epir, si dhe garantoi të drejtat themelore të tij.

    Pangallos deklaron: “Kemi në Epir, disa mijë çamër, të cilët i njohmë tani si minoritet shqiptar në shtetin tonë. Në qoftë se në kohën e shkuar u bënë disa të papëlqyera mi kuris të tyre nga an’ e organëve të shtetit, kjo nukë formon direktiv politik të qeverisë greke karshi atyre. Përkundrazi, qeveria inspirohet nga dispozita më të mira karshi atyre dhe ka vendosur të ndëshkojë pa mëshirë çdo veprim të keq mi kuris të minoritetit nga an’ e disa kokëndezurve të papërgjegjshëm dhe do të zbatojë plotësisht të gjitha obligimet që ka marrë përsipër në favor të minoriteteve në Maqedhoni dhe Epir, obligata që rjedhin prej traktateve ndërkombëtare”.

    Së treti, Pangallos bëri një dallim dhe diferencim të qartë mes minoritetit grek në Shqipëri dhe ortodoksëve shqiptarë. Ai nuk i quan këta të fundit, grekë apo minoritet grek në Shqipëri. “Kur thom pakicë greke në Shqipëri”, – deklaron Pangallos, – “kujtoj dhe kam ndërmend vetëm Grekofonët të Shqipërisë Jugës dhe aspak orthodoksë shqiptarë, të cilët si shqiptarë nga raca, gjuha e kombësia janë zot shtëpie. Jam kundra asaj theorie të gabuar të disave këtu që çdo Orthodoks e quajnë grek”.

    Së katërti, ai deklaroi shpërndarjen e klubeve vorio-epirote “të cilat ishin bërë baza e këtij mentaliteti. Këto klube nukë kishin më arësye eksistimi. Do ta aplikoj masën e shpërndarjes dhe për organizata të tjera të tilla po të gjykohen si pengim në zbatimin e politikës së përjashtme të caktuar prej qeverisë”.

    Në fund të kësaj deklarate, Kryeministri Pangallo, edhe një herë hapur dhe qartë, thekson rëndësinë që i kushton qeveria që ai drejtonte, marrëdhënieve të sinqerta me Shqipërinë fqinje: “Duam të japim prova të gjalla kundrejt motrës së vogël, Shqipërisë, që ushqejmë ndjenjat më të sinqerta, ndjenja dashurie dhe miqësie dhe po bëjmë një politikë të hapur dhe jo të mbuluar; shpresojmë se qëndrimi ynë do të çmohet prej gjithë shqiptarëvet…. Kështu të bashkuar të dy popujt vëllezër në dashuri e në solidaritet do të ecin në të pritmen për në misionin e tyre…”

    Deklarata e mësipërme e Pangallosit është bërë më 14 shkurt 1926. Po në këtë datë është dhënë edhe deklarata e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Lukas Kanakaris Rufos, i cili mes të tjerash thekson: “Çështjes së Çamërisë ju dha fund definitive, amnisti për të gjithë çamët të dënuar ose të pandehur dhe të kthyerit e t’internuarve në shtëpitë e tyre; gjuha shqipe do të vihet në disa shkolla të Greqisë; klubet vorioepirote në tërë Greqinë u shpërndanë dhe arkivat e tyre ju dorëzuan prefektëve… . Pa asnjë rezervë dhe prapamendim i quajmë kufijtë e sotmë midis Greqisë e Shqipërisë si kufi definitive. Greqia e njeh dhe e respekton tërësinë tokësore dhe independencën të Shqipërisë pa rezervë…”. Historiani Hajredin Isufi shkruan: “Por kjo erë e ngrohtë në marrëdhëniet greko-shqiptare, nuk zgjati shumë. Rrëzimi i Pangallosit, në verën e viti 1926, e prishi klimën e re të tyre”. (Hajredin Isufi, “Çamëria studime historike-sociologjike, shek. XIII- XX, Tiranë 2006, f. 119).

    Pas këtij momenti të marrëdhënieve të ngrohta dhe miqësore ndërmjet dy shteteve fqinje, për Çamërinë do të vinin ditë tmerri dhe do të zbatoheshin metodat nga më barbaret për zhbërjen e saj, që arritën në epilogun tragjik të viteve 1944-1945. Deklarata e Pangallos duhet vlerësuar si e para dhe e fundit e një politikani grek për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona fqinje, si dhe dëshmoi një qëndrim realist ndaj minoritetit shqiptar çam në Greqi. Ajo është bërë publike në shtypin shqiptar e grek, duke shënuar një qëndrim të mençur të një politikani me vizion të qartë, që edhe sot tingëllon aktuale.

    Edhe pas 88 viteve nga deklarata e Kryeministrit grek, Teodoros Pangallos, ka vend për reflektim nga politika dhe politikanët e shtetit fqinj.







    Kush qe Teodoros Pangallos?

    …Ndoqi politikën e fqinjësisë së mirë ndaj Shqipërisë. Gjatë qeverisjes së tij u shpreh kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Çamëria dhe e konsideroi trajtimin e tyre në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar si faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve normale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë…

    Enciklopedia Shqiptare



    “Duam të japim prova të gjalla kundrejt motrës së vogël, Shqipërisë, që ushqejmë ndjenjat më të sinqerta, ndjenja dashurie dhe miqësie dhe po bëjmë një politikë të hapur dhe jo të mbuluar; shpresojmë se qëndrimi ynë do të çmohet prej gjithë shqiptarëvet…

    Teodoros Pangallos



    “Në periudhën 1913-1925, gjatë procesit të këmbimit të detyrueshëm, u përzunë me dhunë 60 mijë shqiptarë (40 mijë nga viset e Maqedonisë dhe 20 mijë nga krahina e Epirit”

    Mehdi Frashëri

    http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/0...ndaj-camerise/
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •