Operacion antidrogë Itali-Ballkan. 71 arreste, mes tyre 9 shqiptarë. 4 trafik nga qelia
ROMË-Një superoperacion antidrogë ka vënë në pranga 71 persona mes Italisë dhe shteteve të Ballkanit. Bëhet fjalë për kuintalë heroinë e marijuanë me origjinë afgane që kishin destinacion tregun italian ndërsa hetimi për zbulimin e trafikut, mësohet se zgjati plot 8 vjet.
Operacioni blic i koduar me emrin ‘Ellenica” ka bërë të mundur ndërprerjen e një trafiku të paligjshëm droge që shtrihej nga Italia deri në shtete të ndryshme të Ballkanit. Operacioni i gjerë ndërkombëtar, i cili është shtrirë në disa vende të Ballkanit, në disa vende u kodua “Ellenica 1” dhe në disa të tjera, “Ellenica 2”.
Prokuroria dhe antimafia e Aquila ekzekutoi urdhër-arreste për 71 persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sekustrohen 2 kuintalë heroinë dhe 5 kuintalë marijuanë.
Superoperacioni është shtrirë në Itali, Shqipëri, Bosnjë dhe Kosovë.
Persona nga këto shtete janë përgjegjës për trafikun e qindra kilogramëve heroinë dhe marijuanë. Hetimet janë realizuar në kuadër të një bashkëpunimi mbi një projekt evropian në luftën kundër drogës dhe kriminalitetit në Ballkan, me suport të Europol dhe Dcsa, dhe mbështetje të policisë shqiptare, boshnjake, sllovene, kroate dhe kosovare.
Dy kuintalët e heroinës dhe 5 kuintalët e marijuanës kishin destinacion një organizatë droge në Abruzzo, që shpërndante drogë në tregjet lokale si Marche dhe Puglia.
Ne foto Endrit Dokle
Menjëherë pasi agjencitë e huaja italiane bënë publik superaksionin antidrogë, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë bëri të ditur detaje mbi operacionin në bashkëpunim me palën italiane.
Prokuroria sqaron se nga pala shqiptare janë ekzekutuar 9 urdhër-arreste ndërkombëtare nga 71 gjithsej që përmbante operacioni ‘Ellenica”.
“Bëhet fjalë për persona të njohur të krimit në vend”, theksoi prokuroria.
Zyra për shtyp e prokurorisë bëri me dije se nga aksioni ndërkombëtar “Ellenica”, janë 9 të arrestuar në Shqipëri për trafik heroine dhe kokaine.
Pala shqiptare thekson se një superaksion kundër trafikut të lëndëve narkotike, drejtuar nga Prokuroria Italiane, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare, Zyra për Marrëdhëniet Juridiksionale me Jashtë, është finalizuar mëngjesin e sotëm, me arrestimin e 9 personave, 7 prej të cilëve në Shqipëri dhe 2 në Itali.
“Tre prej tyre aktualisht gjenden në burg pas vendimeve të gjykatës shqiptare disa kohë më parë, të gjithë anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal. Këta persona akuzohen nga autoritetet italiane se janë përfshirë në veprimtarinë e importit, transportit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Organizata “Grupi i Shqiptarëve” është hetuar për një periudhë të gjatë nga ana e Prokurorisë Italiane, në të cilën është faktuar se disa qytetarë shqiptarë janë përfshirë në një rrjet të gjerë trafiku të lëndëve narkotike të forta, sasi e cila arrin në disa qindra kilogramë heroinë dhe kokainë.
Pas një operacioni të shpejtë, policia shqiptare, nën drejtimin e prokurorisë, ka arrestuar shtetasit;
1. Zenel Balla, nga Durrësi arrestuar sot
2. Elvin Muço, nga Durrësi arrestuar sot
3. Shpëtim Danaj, nga Vlora arrestuar sot
Ndërkohë, u është komunikuar urdhëri i arrestit ndërkombëtar, në kuadër të këtij operacioni, shtetasve:
4. Indrit Dokle, nga Durrësi në burg
5. Jorid Xhunga, nga Përmeti në burg
6. Shefqet Vata, nga Kukësi në burg
7. Arben Shtëmbari në burg
Janë arrestuar në Itali:
8. Renald Velja
9. Roxhen Velja
Kush është Endrit Dokle
Endrit Dokles i komunikohet urdhër-arresti ndërkombëtar në kuadër të operacionit ‘Ellenica”. Dokle, ish-pjestar i Bandës së Durrësit, aktualisht në qeli i dënuar me burgim të përjetshëm.
Dokle në janar të këtij viti u dënua me 16 vite burg pasi sipas gjykatës u gjet fajtor për veprën penale të “drejtimit nga burgu të organizatës kriminale për trafikun e drogës”.
Hetimet
Nga hetimet 8-vjeçare u arrit të zbuloheshin organizata që operonin nga shtete e Ballkanit në drejtim të Italisë. Bëhet fjalë për celula droge, 3 të tilla, ‘Grupi i shqiptarëve” ku bëjnë pjesë shtetas nga Shqipëria dhe Kosova që operonin në qytete të ndryshme të Italisë, “Grupi i korrierëve”, organizata kriminale e transportit të drogës, kryesisht e heroinës që përbëhej nga boshnjakët dhe “Grupi Gargivolo” që operonte në Pescara.
Zona e Pescaras ishte një ndër më të lakmuarat nga organizata e drejtuar nga Besnik Gostivari.
Zbardhen telefonatat
Thelbësore për hetimet kanë qenë dhe zbardhja e telefonatave. “Po më bëjnë të rrezikoj 20 vjet burg për këta idiotët këtu. Më ndaluan madje dhe karabinierët”, shprehet njëri nga korrierët teksa flet me një anëtar të organizatës së drogës.
Ai kreu telefonatën teksa po udhëtonte në autostradën A14 me drejtim Pescaran.
“Mirë që hodha mallin. E hodha anash autostradës. Ata kishin fikur dhe telefonat. Dhe unë ua hodha mallin. Nëse e donin le të vinin ta merrnin, nëse jo e lenë të humbasë....Unë po shkoj tani në drejtim para dhe pas në autostradë me 10 kg në duar! E hodha njehërë dhe tani e rimora. Kam frikë se e vjedhin dhe nuk dua të paguaj borxhet e tyre pastaj!”.
(d.b/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt