Nano: “Katovica” një broçkull e Servetit, sheh konspiracione që nga koha e Fiqirete Shehut
Ish-kryetari i PS-së reagon ndaj akuzave të profesorit të socialistëve për platformën “Katovica”.
“Katovica”, Nano: Broçkull e Servetit.
“Mbajeni larg këtë ‘dementia delirantis’, do vend në histori”
Ish-kryetari i Partisë Socialiste për 15 vjet, Fatos Nano, iu përgjigj akuzave të profesorit të socialistëve, Servet Pëllumbi, lidhur me platformën “Katovica”.
I ftuar në emision “Debat” në televizionin “Channel One” me gazetarin Roland Qafoku, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, zbuloi një dokument sekret të 1989-s, që Ramiz Alia e kishte lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike. Sipas këtij dokumenti, që njihet si platforma “Katovica”, Pëllumbi tregoi se ishte Ramiz Alia që vendosi drejtuesit politikë të partive politike pas 1990-s, Fatos Nanon në PS dhe Sali Berishën në PD. Sipas kryetarit të parë të PS-së në vitin 1991, Fatos Nano, profesor Pëllumbi zhvillimet demokratike në Shqipëri i ka parë vetëm si konspiracione të mëdha, dhe jo si zhvillime historike, duke transmetuar në këtë mënyrë mentalitetin e ish-Byrosë Politike të asaj kohe. “Pavarësisht aparencave ‘akademike’, Serveti ka vuajtur që në kohën e Shkollës së Partisë të Fiqirete Shehut dhe ca më shumë në periudhën e Byrosë së Ramizit, nga ‘dementia’ e vetëpërjashtimit nga konfliktet reale të rënies së komunizmit dhe më pas të tranzicionit demokratik në Shqipëri, duke i parë ato vetëm si ‘konspiracione të mëdha’! Deri më sot i kam neglizhuar broçkullat e ‘profesorit’ si deformim karakteri!”, reagon Nano për “Panorama”. Deklaratat e profesor Pëllumbit për një skenar të Katovicës të aplikuar në Shqipëri nga Ramiz Alia, për Fatos Nanon janë vetëm një përpjekje për të zënë një vend në histori, ndërsa këshillon se nuk duhet të merren seriozisht këto deklarata. “Por, meqë tani kërkuaka edhe një vend në histori, bëni kujdes dhe mbajeni larg medias këtë ‘dementia delirantis’ që ka përfshirë ‘heronjtë e heshtur’ të regjimit të vjetër. Shkurt, jetoni jetën tuaj të lirë nga ‘viruset e Katovicës’, siç po bëj edhe unë”, shprehet Fatos Nano.
Katovica
Në emisionin “Debat”, profesor Pëllumbi, përmes dokumentit që zbuloi, tregoi se ishin Sali Berisha dhe Fatos Nano që u vendosën në krye të dy partive kryesore politike e që drejtuan historinë politike të pas viteve ‘90 në Shqipëri. “Kujdestarët që do zbatonin këtë strategji i ka zgjedhur Ramiz Alia. Ka 23 vjet dhe çështja e të përndjekurve politikë nuk është zgjidhur, çështja e pronës po ashtu. Kush ka qenë në krye të vendit? 15 vjet Sali Berisha dhe 8 vjet Fatos Nano”, u shpreh Pëllumbi. Duke lexuar pjesë të këtij dokumenti, profesori i socialistëve tregon skenarin e Ramiz Alisë se si komunistët do të mbajnë edhe në dekadat e ardhshme pushtetin politik dhe atë ekonomik. “Ndër të tjera, Ramizi thotë: ‘Do të nxitim të krijojmë parti sa të duam. Gjithsesi, këto parti duhen kontrolluar nga ne’. Dhe kështu u bë. Vijon Ramizi: ‘Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve. Çdo gjë e kemi programuar, strategjinë e kini të gjithë të qartë dhe kemi caktuar rrugët për qëllimin e misionit tonë. Me këtë strategji, brenda dy apo tri legjislaturave, do të kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste’”.
Marrëdhënie të acaruara që pas mocionit të Nanos nga burgu
Raportet mes Fatos Nanos dhe Servet Pëllumbit nuk kanë qenë asnjëherë të qeta që prej kohës së mocionit që Nano bëri në vitin 1996 ndaj drejtuesve të PS në atë kohë, nënkryetarëve Pëllumbi, Dokle, Hajdaragaj dhe Meta. “Ai mocion ishte fara e së keqes që mbolli për herë të parë Fatos Nano në partinë tonë. Në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën teknologji e formë, ai në emër dhe për interes të pushtetit të tij personal, ka sulmuar partinë dhe individët që mendonin ndryshe tij”, është shprehur pak vite më parë Pëllumbi.
FATION BINJAKU
Panorama
Krijoni Kontakt