Violinisti Spahiu: Kur ne shqiptarët na shihnin si “alienë”
0 tweet
Kulture e Mërkurë, 16 Tetor, 2013 | 14:21 pm
Violinisti Arben Spahiu
I larguar më 1983, u kthye për “Different trains”
Rrugëtimi i djalit nga Peshkopia, prej 12 vjetësh koncertmaestër në Operën e Mynihut.
Arben Spahiu s’flet shumë, madje ka një lloj ndrojtjeje, e cila zhduket menjëherë sapo merr harkun në dorë e vendos gishtat mbi telat e violinës. Arben Spahiu lindi në Peshkopi, shumë larg kryeqytetit. Askush nuk mund ta mendonte se një ditë do të bëhej mjeshtër i violinës. Qëlloi me fat që e gjetën pikërisht në qytetin e lindjes. Ashtu, 6-vjeçar, i paorientuar, do të nisej drejt Tiranës e që andej në Vjenë në ‘Hochschule der Kunste”. Prej vitit 2001, është koncertmaestër në “State Opera Orchestra” në Mynih (Bayerischer Staatsoper). “Different trans” do ta ngjiste atë pas shumë e shumë vitesh në një skenë shqiptare, ku mori një kënaqësi të tillë, për të cilën ai thotë se ia vlen t’i lësh pas të gjitha vështirësitë.
Si mund të shquhej një talent në një qytet si Peshkopia qëkur ju ishit fëmijë e që nuk ishte aspak afër kryeqytetit?
Nga koncerti i fundit i “Different trans”
Atëherë ishte sistem tjetër. Shpërndaheshin pedagogë nëpër rrethe për të gjurmuar talente, nëpër kopshte, shkolla, shtëpitë e pionierit. Kështu që ishte edhe meritë e shtetit. Pastaj mblidheshim në Tiranë, ku vendoseshim në konvikte dhe të gjithë kohën ia kushtonim profesionit. Kështu ndodhi edhe me mua, iu nënshtrova këtij procesi.
E zgjodhët apo jua dhanë violinën?
Sigurisht që ma caktuan këtu. Ne ishim tërësisht të paorientuar, nuk kishim prekur kurrë instrument më parë. Kishim vetëm talentin me vete. Madje, një herë ngatërrova klasë dhe hyra në një sallë baleti dhe më vonë e mësova se ne bënim mësim diku tjetër.
Ishte edhe dëshira e prindërve?
Prindërit atëherë duhet të bëheshin vetëm trima dhe të mblidhnin mendjen që fëmijën do e lejonin të shkonte në këtë udhë, pasi kishte edhe prindër të tjerë, që thoshin që është e pamundur ta lësh fëmijën vetëm, në konvikt, aq larg. Në rastin tim, ata u treguan me zemër dhe thanë: pse jo?
Kishin ata lidhje profesionale me muzikën apo e shijonin si gjithë shqiptarët?
Jo, asnjë kontakt profesional. Thjesht qasje amatore si shumë të tjerë.
E ndienit vështirësinë e të qenët larg shtëpisë?
E kam kuptuar shumë më vonë që ka qenë e vështirë, sepse imagjinoni, për një fëmijë që vjen nga një qytet i vogël, në një qytet të madh… për mua nuk përbënte ndonjë problem, por tani që e mendoj, nuk ka qenë e thjeshtë për t’u organizuar dhe orientuar.
Jeni ndër të parët që arritët të shkolloheshit në një vend perëndimor gjatë viteve të diktaturës, si u bë e mundur kjo?
Unë përfitova prej marrëdhënieve të para të vendosura nga shteti me përfaqësi të ndryshme diplomatike për të çuar studentë me studime nëpër Europë, me kushtin që të ktheheshim prapë. Asokohe kam qenë unë, Tedi Papavrami dhe Klodiana Skënderi. Ishin bursat e para që jepeshin për jashtë shtetit. Tani kjo nuk përbën asnjë çudi, por atëherë ishte me të vërtetë një ngjarje shumë e madhe. Ishte viti 1983.
Dhe ju vendosët të qëndroni, apo jo?
Pas ndryshimit të sistemeve në Shqipëri, unë nuk shihja ndonjë të ardhme këtu. Nuk kisha asnjë plan, këtu gjithçka mbeti në gjysmë dhe unë vendosa ta ndjek vetë me forcat e mia. Vendosa të mos kthehem dhe të vijoj studimet atje.
Kur Tedi Papavrami vendosi të mos kthehej në Shqipëri, u bë zhurmë e madhe, ç’ndodhi me familjen tuaj pas këtij vendimi?
Sigurisht presione pati edhe ndaj familjes sime, por nuk u arrit deri në atë pikë sa të internoheshin. Në Shqipëri kishin filluar të ndiheshin erërat e ndryshimit, por nëse kjo do të kishte ndodhur 2-3 vite më parë, pasojat do të kishin qenë shumë të rënda.
Ju vinit nga një vend, që njihej pas ose aspak, me gjasë ju shihnin si një jashtëtokësor…
Ishte pikërisht kështu si thoni ju. Madje atje e kam dëgjuar që na shihnin si “jashtëtokësorë”. Studentët qeshnin dhe thoshim po ku bie kjo Shqipëria, atje vetëm përmes satelitit mund të marrësh ndonjë fotografi, sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër komunikimi. Por tani gjërat kanë ndryshuar. Sa i përket mënyrës se si të trajtonin, muzika flet me një gjuhë tjetër dhe nuk kishte asnjë lidhje me politikën.
Prej vitesh ju jeni koncertmaestër në Orkestrën e Mynihut, çka do të thotë një sakrificë e përhershme, apo jo?
Jo vetëm dita, por e gjithë qenia e njeriut i kushtohet këtij profesioni. Edhe kur nuk je duke u ushtruar, ajo është në mendjen tënde. Është si të jesh i thirrur për t’iu përkushtuar. Kërkon shumë mund. Sidomos kur bëhet fjalë për opera, që është ndërthurja e të gjitha arteve, kërkohet një përgatitje shumë më e gjerë. Është një profesion që të mbush jetën, por është edhe shumë i rëndë.
Ndihet konkurrenca?
Je gjithnjë nën presion. Niveli është aq i lartë, saqë mund të mbahet vetëm duke pasur konkurrencë. Unë e krahasoj me një skuadër futbolli. Çdo skuadër, çdo sezon e fillon nga e para, “hapet merkatoja e re” dhe o fiton, o humb.
Por ndërkohë, keni mbajtur kontakte me skenën shqiptare, keni pasur ftesa?
Nuk kam pasur kontakte më parë, pasi kam qenë shumë i fokusuar në ngritjen e karrierës sime atje dhe ky është një kthim pas shumë vitesh. Kam pasur ndonjë ftesë, por nuk kemi mundur të rakordojmë për çështje organizimi apo kalendari.
Por kësaj here nuk mund të thoshit dot jo…
Ishte me të vërtetë një iniciativë shumë e bukur realizimi i një aktiviteti me muzikë dhome. Sidomos për ne muzikantët që jetojmë jashtë, ishte si një festë e madhe.
I njihnit më parë djemtë e “skuadrës”?
Ishte hera e parë, me shumë pak prova. Jemi takuar shumë pak, por ishte kënaqësi e madhe. Nuk kisha luajtur me ta më parë, vetëm si emra i njihja.
Në të njëjtën skenë kaq shumë emra të suksesshëm, sidomos nga harqet, si shpjegohet?
Është si rezultat i shkollës këtu. Fillimet kanë qenë aq të shëndosha, saqë vazhdojnë të mbajnë një nivel të lartë. Sidomos për harqet ka qenë një shkollë shumë e mirë.
Si po largoheni pas kësaj eksperience të parë me publikun shqiptar?
Publiku ishte kaq i mirë dhe kaq i përqendruar te muzika, saqë më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Ishte me të vërtetë një publik europian. Jam habitur nga mënyra se si na kanë pritur dhe nga përkushtimi i tyre. Kështu që duhen kaluar të gjitha pengesat për ta takuar sërish këtë publik.
“Different Trains”, në pritje të edicionit të tretë
Kush tha se shqiptarët nuk e pëlqejnë muzikën e dhomës?! Çdo pretendim të këtij lloji e përgënjeshtrojnë katër koncertet e “Different Trains”, kur sallat ishin plot dhe duartrokitjet të vërteta. Ndoshta shqiptarët janë buzëhollë e tanimë e dinë se çfarë duan. Edhe pse nuk e patën aspak të lehtë për t’u organizuar në një kaos kulturor që shoqëroi ndërrimin e pushteteve, djemtë e “Different Trains” jo vetëm që u kthyen në Tiranë për të dytën herë, por sollën me vete edhe të tjerë. Disa nga instrumentistët më të mirë shqiptarë, të shpërndarë nëpër Europë, madje dhe më larg, u bënë bashkë dhe u kthyen në vendin e origjinës, jo thjesht për të sjellë pak muzikë të mirë, por edhe prej mallit dhe për të treguar se i janë mirënjohës formimit që kanë marrë në Shqipëri. Klajdi Sahatçi, Dorian Xhoxhi, Vlorent Xhafaj, Olsi Leka, Arben Spahiu, Dhurata Lazo, së bashku me Luca Ranierin e Adam Laloum luajtën gjatë katër netëve në sallën e Universitetit të Arteve dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit pjesë nga Tschaikovsky, Schumann, Beethoven, Schubert, Ravel, por edhe shqiptarët Çesk Zadeja e Eriona Rushiti. Pjesë të zgjedhura me kujdes dhe një interpretim i mrekullueshëm, që të përfshinte, pavarësisht nëse ishe një njohës i muzikës apo thjesht një shijues i saj. Një komunikim i përsosur, tingull i pastër që tejçonte në çdo moment hovet shpirtërore të kompozitorëve. Ku ca kujtime të paharruara nga Firence, për Tchaikovskyn, ku shpërthimet lirike apo dramatike të Schubertit, melankolizmin e Ravelit… Përveç një plotërie dhe një ekzaltimi që ndieje pas një koncerti të tillë dhe që doje me çdo kusht ta ndaje me të tjerë, doje të pyesje a do vinë vitin tjetër? Ata premtojnë që po…
http://www.panorama.com.al/2013/10/1...nin-si-aliene/
Krijoni Kontakt