Historia e tij është kryelajmi i mediave gjermane.
Një peshkop katolik është nën presion pasi është zbuluar se rezidenca e tij ka kushtuar mbi 31 milion euro, gjashtë herë më shumë nga sa ishte deklaruar në fillim.
Shpenzimet e luksit janë bërë nga peshkopi i Limburg-ut, Franz- Peter Tebartz-van Elst.
Ndaj tij ka nisur një hetim jo vetëm nga Vatikani, por edhe nga autoritetet vendore.
Mediat raportojnë se vetë peshkopi i Limburg-ut ka fluturuar drejt Vatikanit për të dhënë shpjegime përpara Papës Françesku I.
Shpenzimet luksoze të këtij peshkopi, që disa media e kanë quajtur edhe ‘peshkopi bling- bling’, janë në kundërshtim me politikën e Papës së ri për një stil të thjeshtë jetese.
Fjala bie, vetëm vaska e tij ka kushtuar 15 mijë euro, raporton Guardian.
Ndërkohë Bild shkruan se zbukurimi në çati ka shkuar 100 mijë euro.
Shpenzimet e tij kanë zemëruar gjermanët, që vazhdojnë të paguajnë një taksë për kishën.
Ka raportime se peshkopi ka fluturuar me klasin e parë drejt Indisë për të vizituar getot e të varfërve.
Hetimet ndaj peshkopit nisën pasi ishin vetë besimtarët që u ankuan.
Një zëdhënës i Vatikanit tha se këto projekte luksoze nuk janë në përputhje me atë që predikon katolicizmi.
“Nuk jemi në Mesjetë më,” tha ai. “Kjo është shokuese”.
Peshkopi është që tani në telashe me prokurorinë vendase, që e akuzon për mashtrim./ep
Burimi: G. Tema
Krijoni Kontakt