Dedja rizgjidhet kreu i Kushtetueses: Shpresoj që emri im të ketë qenë konsensual
TIRANE- Bashkim Dedja është rizgjedhur për herë të dytë në postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, pas mbarimit të mandatit të parë në shtator të këtij viti.
Njoftimin e ka bërë zyra e Presidencës, ku bëhet e ditur se: “Në përfundim të proçesit konsultues me përfaqësuesit e partive parlamentare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 4 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe të nenit 7, pika 4 të ligjit Nr. 8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese".
Reagimi i parë në "News 24" pas rizgjedhjes
Pas rizgjedhjes, Bashkim Dedja komentin e parë për mediat e jep për gazetarin Arber Hitaj.
“Natyrisht është një vlerësim shumë i madh që më bëhet mua dhe institucionit. Por edhe një vlerësim për tërë stafin. Gjykata Kushtetuese është një institucion që është vleresuar nga raportet ndërkombëtare, sepse ka pasur një rol konstruktiv, në respektimin e Kushtetutës. Shpresoj që emri emri im të ketë qenë sa më konsensual, gjatë diskutimeve me presidentin. Është një vlerësim për emrin tim dhe besoj se do të jap kontribut edhe maksimumin, në respektimin e ligjit dhe Kushtetutës”.
Kush është Bashkim Dedja
Lindur më 13.03.1970 në Dibër. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1993. Nga viti 1993-1996 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më pas deri në vitin 1998 si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Prej vitit 1998-2010 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Durrës. Aktualisht, është pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë së UT në të drejtën penale dhe në Shkollën e Magjistraturës në lëndën “Shkrimi dhe arsyetimi ligjor” si dhe është ekspert i trajnimit vazhdues. Ka bashkëpunuar në disa grupe pune për hartimin e Kodit të Punës si dhe përmirësimin kodeve të Procedurës civile dhe penale.
Prej dhjetorit 2007 e në vazhdim është anëtar i Komisionit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Në muajin maj të vitit 2010 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe që nga muaji shtator i këtij viti është Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
(m.s/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt