PD, procesverbal për Artan Didin si numërues i PS në 23 qershor
artandidi-256x350 (1)Partia Demokratike ka sjellë fakte të tjera që shkojnë në favor të pretendimit të saj se zgjedhja e kreut të ri të Policisë së Shtetit, Artan Didi është bërë në kundërshtim me ligjin. Përveç mosplotësimit të kritereve ligjore që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e punës në radhët e policisë, kohëzgjatjen e mbajtjes së gradës së lartë ‘Drejtues i parë’, apo edhe shkollimi i tij, PD ka bërë të ditur dje se Didi nuk plotëson edhe një kriter tjetër ligjor, atë të të qenit apolitik. Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka duke debatuar dje në komisionin e Sigurisë me ministrin Tahiri, ka bërë publike fakte që e lidhin drejtorin Didin me shërbime politike në favor të PS-së. Noka ka ekspozuar një procesverbal të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ku Didi firmoste si numërues i parë, si përfaqësues i PS-së. “Ky është alarm që po kthehet në një polici politike. Këtë do jua faktoj, ja ku është procesverbali i qendrës së votimit në Tiranë, i cili tregon se Artan Didi është numërues i parë; tashmë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Kjo është polici politike. Kur drejtor i Policisë së Shtetit emërohet një person politik, keni bërë shkelje të ligjit. Ndaj ky është mesazh i qartë që po e shndërroni policinë në tërësisht politike”, – tha Noka. Ai gjithashtu ka publikuar edhe një dokument zyrtar të KQZ-së, ku vërtetohet se edhe drejtori i SHKB-së në Ministrinë e Brendshme, Arben Skëndo ka qenë një nga dhuruesit financiarë për fushatën elektorale të PS-së. “Drejtori i SHKB-së është në listën e donatorëve të PS-së, Arben Skëndo është sponsor me 1 milion lekë i PS-së. Ndaj ai është sponsorizuar duke e emëruar drejtor të SHKB-së”, – tha Noka. Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e Didit si numërues i parë në një grup numërimi në Tiranë, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri i ka pranuar ato, por duke theksuar se ajo ka qenë një detyrë qytetare. “Sa i përket asaj që thuhet këtu se ai ka qenë numërues në zgjedhje, ai sipas meje ka bërë detyrën si qytetar dhe që nga momenti i emërimit si drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ai duhet të bëjë detyrën ligjore dhe jopolitike”, – tha Tahiri. Në këtë mbledhje është debatuar gjatë edhe mbi plotësimin e kritereve të tjera ligjore, ku opozita ka pretenduar se Didi është emëruar në kundërshtim me ligjin.
MAPO
Krijoni Kontakt