Namazgjaja dhe paradokset
Flash, Opinion e Dielë, 13 Tetor, 2013 | 11:08 am
AGIM BAÇI
Do të ishte naive të men donim tashmë se kundërshtimi për ndërtimin e Xhamisë së Madhe te Namazgjaja është thjesht për mbrojtjen e ambientit. Pavarësisht se Tirana mund të ketë nevojë emergjente për hapësira të gjelbra, është gati absurde se si një lumë emrash publikë, me ndikim në atë që diskutohet në shoqëri, të arrijnë të bëjnë më të rëndësishme një fushë me pemë e lule, sesa një objekt kulti që edukon njerëz, që më pas mund t’i duan dhe t’i krijojnë hapësirat e gjelbra. Janë, në fakt,
të njëjtat figura publike e aktivistë që këtu kanë jetuar, në Tiranë, kur janë ndërtuar dy objektet e mëdha të dy besimeve të tjera, katolik e ortodoks. Madje i kanë parë teksa janë ndërtuar edhe në fusha që kanë qenë parqe, në zemër të Tiranës. Dhe tashmë që i vjen radha myslimanëve, u dalka përpara çështja e hapësirës publike, a thua se është çështje radhe, ku myslimanët u ngritën vonë nga gjumi, dhe nga hapësirat në dispozicion morën vetëm dy të parët pjesë, se për të tretin kish mbaruar. Një rast tipik që na kujton pikërisht radhët e sistemit të shkuar, ku kishte vezë e qumësht për dy të parët, ndërkohë që në këtë rast është edhe më paradoksale sepse myslimanët e kërkojnë ndërtimin e xhamisë në një tokë të dhuruar që në gjenezë me këtë objekt – si vendfalje.
Pa dyshim që një pjesë të vogël të fajit që debatet kanë arritur në këtë derexhe e kanë drejtuesit e Komunitetit Mysliman, që në këta 23 vjet janë sjellë si të vegjël, si inferiorë, duke dalë në publik vetëm për të sqaruar se çfarë nuk janë myslimanët, duke qenë objekt debati vetëm për pronat apo për dyshime në lidhje me elementët terroristë, që i kanë ngritur një çark nga nuk kanë ditur të dalin. Mjafton edhe të dëgjoje deklaratat e Selim Muçës, që nuk dimë nëse foli si inxhinier apo si kryetar i bashkësisë islame, kur deklaronte në media (i cituar nga “Opinion”) se “me pronën tonë bëjmë ç’të duam. Nëse është pyll e bëjmë livadh e nëse e kemi livadh e bëjmë pallat”.
Një deklaratë tipike e një njeriu që nuk ka kuptuar asgjë nga misioni që ka një kryetar i një bashkësie besimtarësh, të cilët kanë shqetësim raportin me besimin, siç kanë shqetësim edhe bashkëjetesën me shoqërinë apo problemet kombëtare, siç ka ndodhur që nga viti 1912 me themeluesit e shtetit shqiptar. Por Muça është pjesë e paradokseve që kanë përfshirë shoqërinë shqiptare, ku çdokush mendon se mund të bëjë gjithçka. Madje edhe më keq, ai është rasti tipik ku shumë ish-komunistë pas vitit 1990 menduan se mund të vazhdojnë raportet ideologjike tashmë jo më në parti, por në një institucion që e konsiderojnë si dikur, si organizatat bazë. E kështu që në vend që të organizojë besimtarët që të mbjellin pemë e lule anembanë Tiranës, Muça na bën deklarata për barcaleta.
E megjithatë, vogëlsia e Selim Muçës apo edhe e atyre që e kanë mbështetur në këtë inferioritet absurd, nuk mund të zvogëlojnë këtë problem të madh për shoqërinë, e aq më shumë për myslimanët, të cilët kanë qenë shumicë dhe që e meritojnë një vend dinjitoz për besimtarët që praktikojnë besimin e tyre. Por më parë se të rrëzojmë paradokset e drejtimit të myslimanëve, nuk ka se si të quajmë rastësi që sa herë diskutohet për Xhaminë e Madhe, Rama ka vetëm projekte zvogëlimi apo zhvendosjeje, duke sjellë kështu vonesa pa fund për një projekt kaq të rëndësishëm. Ashtu siç qëndron edhe paradoksi i paraardhësit të tij, Berishës, i cili e përuroi nisjen e punimeve vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve, ndërkohë që në tetë vite Kryeministër ka qenë në dijeni të të gjitha mundësive dhe pamundësive për realizimin e një projekti të tillë. Kaq paradoksalisht qëndrojnë edhe disa deklarata të këshilltarëve pranë Ramës për “nevojën për një projekt më modern” për xhaminë, por pa na thënë se çfarë nënkuptojnë me moderne në një xhami. A thua i intereson kaq shumë pamja këtyre personave se sa vetë myslimanëve? Pra Namazgjaja, që paradoksalisht është i vetmi vend nga tri vendet për objektet e kultit që është dhuruar për xhami, të mos mund ta ketë një ndërtesë të tillë, ndërkohë që dëshira e qindra mijëra besimtarëve vendoset përballë “dëshirave të gjelbra”.
Por këto paradokse mund të marrin fund kur politika, opinionbërësit dhe gjithë faktorët e tjerë të binden se myslimanët janë pjesë e rëndësishme e këtij vendi, se jetojnë dhe punojnë këtu, dhe se marrëdhënia e tyre me pjesën tjetër të shoqërisë do të jetë më e lehtë nëse ajo që u takon do t’u jepet më lehtë. Sepse
duhet që t’i japim fund njëherë e mirë idesë se myslimanët nuk janë këtu thjesht për t’u marrë një shembull i mirë për tolerancën fetare, nuk janë pjesë zbukurimi për fjalime me të huajt, por janë të rëndësishëm për dobinë që sjell besimi i tyre për shoqërinë – për një shoqëri e cila prej kohësh është nën trysninë e vesit, e ku virtyti po del një jetim që rrallë i gjendet strehim.
http://www.panorama.com.al/2013/10/1...he-paradokset/
Krijoni Kontakt