-
’Shtatorja e gjallë e kujtesës” - nga biseda me z. Shemsi Karbunara.
Tetori konvergon me shumë ditëlindje e përvjetore personalitetesh të shtetit shqiptar po në këto ditë data 10 tetor bart një tingull tjetër.
Është përvjetori i martirizimit të disa deputetëve në gjyqin e ngritur nga diktatura komuniste, pikërisht në vitin e prerjes së shpresave të Shqipërisë si gjithë Europa , disa vjet pas luftës së dytë botërore në vitin 1947.
Protagonistë të ngjarjes së parlamentarizmit shqiptar ishin dhe dy personalitete; at e bir, Sheh Ibrahimi dhe i biri Hyseni nga familja e njohur Karbunara në Lushnjë.
Në kujtesë më rizgjohet nipi i tij, kleriku islamik Shemsi Shehu që u largua nga kjo botë para më pak se një viti, në ditët e fundit të nëntorit të shkuar, në 100 vjetorin e pavarsisë, në një distancë të pakët kohore edhe me ndërrimin jetë të kushëririt të tij; ish deputetin e njohur dhe njeriun e letrave shqipe zotin Izet Shehu. Kjo ngjau pikërisht në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë dekoroi të parin e tyre Sheh Ibrahim Karbunarën edhe për rolin në pavarsimin e vendit.
Si qytetar, njeri me gusto dhe tepër njerëzor ;Sheh Shemsiu, me profesion gjeometër dhe njohje të gjerë në komunitetin e tiranasve si pasojë e lidhjeve mes familjeve të njohura, pasi mbërriti i lodhur por këmbngulës finishin e një jete plot mundime dhe vuajtje në kampet e përqendrimit arriti të ruajë durimin dhe besimin në Zot dhe familje. I rënduar nga sëmundjet e ndryshme çapitej ngadalë në shtëpinë brenda një prej pallateve bojbardhë të suvatuara e të marra me shumë mundim shtetit demokratik pas 90-ës për të përndjekurit. Pranë vetes kish një portret të realizuar mjeshtërisht nga piktori me banim në Bruksel , Lek Përvizi.
Historia e portretit që rrezaton me një dritë gri dhe të purpurt nisi nga një fotografi dhe njohja e hershme me familjen Karbunara të Lushnjës. Oda e pritjes së Shemsiut është një minimuze me pamje nga disa fotot e familjes. Si një gjysh i dashur ai mirpriti këdo nga vizitorët e besimeve të ndryshme, miq e kureshtarë të familjes, por ndihmën reale e gjeti tek të tre bijat që e vizituan shpesh së bashku me mbesat njëra prej të cilave është bërë e njohur në talentin si pianiste. Si ngahera krahu i djathtë ishte e zonja e shtëpisë Myzejeni që ia kuroi plagët me përkushtim dhe durim pasi Shemsi Shehu kaloi disa ndërhyrje kirurgjikale në kolonë dhe zemër në spitalet e Italisë. Duke udhëtuar në kujtesë në prag të tetëdhjetave u rikthye edhe njëherë në fëmijëri me kujtesë, në moshën e pafajsisë kur udhëtonte përkrah gjyshit të tij , një burri shteti autoritar dhe të dhembshur njëkohsisht në Tiranën e Vjetër të viteve 40-të gjatë pushtimit gjerman.
Rrëfimi i Shemsi Shehut:
“Ishin mbyllur shkollat në Tiranë dhe unë rrija me gjyshin te xhaxhai im Hyseni . Dhe shkonim shpesh te Kafe Kursali. Atje vinin miqtë e Sheh Karbunarës që nga Shefqet Beja, Aurel Mamasi, Gani Çela edhe takoheshin atje. Një ditë degjoi dikë që foli në gjermanisht në lokal dhe mori vesh që do ta burgosnin pasi një kompani ushtarësh gjermanë rrethuan lokalin. Fuat Halimi dhe Mynyr Halimi i thërriti të zotët e Kursalit, kujdesu pak për nipin tim se më duhet të shkoj.
E morën gjermanët shehun dhe ikën ndërsa mbërriti xhaxhai im dhe më pyeti ku ndodhej i ati.
“Ishte me Bahri Omarin dhe Hivzi Kokalarin dhe shumë shokë të tjerë u shprehën të pranishmit.”
Më mori mua xhaxhai Hyseni dhe më vonë bisedoi me komandantin gjerman.
Shehun e burgosën gjermanët. Babai im Rizai takoi kryeministrin e asaj kohe dhe ai e adresoi te një oficer gjerman me prejardhje sudet i kufirit me Poloninë. Takimi u caktua dhe realizua në kafen e Alush Kokalarit.
Bisedoi me babain në orët e vona dhe oficeri i kërkoi një objekt prej floriri dhe 200 naplona ari.
U nisën me makinën e drejtorit të burgjeve dhe shkuan e morën gjyshin. Pastaj e dërguan në shtëpinë e Reiz Selfos dhe prej aty u nisën nga mali i Dajtit. Pas bisedës me babain ai arriti prej një kushëririt të tij që ishte në gjendje më të mirë ekonomike nga Lushnja të paguaj shpërblimin për lirimin e gjyshit. Pasi u krye dhe pagesa Sheh Ibrahim Karbunara u largua nga Lanabregasi me shoqëruesit e tij dhe kaloi lart në Shën Gjergj nga shpëtoi njëherë e mirë prej arrestit gjerman dhe rrezikut të kohës.”
Kështu e mbylli rrëfimin e fundit Sheh Shemsiu pasi më pat treguar në vite versionin e tij dhe disa dokumente e foto të rralla që zotëronte nga arkiva familjare për hapjen e Kongresit të Lushnjës, pjesmarrjen e britanikut Eden në shtëpinë e tyre, qëndresën e Sheh Karbunarës në gjyqin e deputetëve, ripushkatimin pasi nuk e zunë plumbat herën e parë si dhe fatin e hidhur të familjes dhe vlerësimin pas ‘90-ës nga Mentor Qoku për figurën e papërlyer historike.
Dhe duke kujtuar me ngrohtësi e fantazi ashtu si në dialogun e Beninjit tek “La Vita e Bella” edhe gjyshi i tij një prej ish deputetve të kuvendit të parë në Shqipërinë e liruar nga pushtuesit, diti me dashuri t’ ia fshehë shqetësimin e asaj që po ndodhte realisht duke ia përshkruar si një lojë. Një lojë kukafshehtas ku i duruari qerasej me limonata natyrale dhe pasta me shije në Barin më të bukur të kryeqytetit të asokohe.
Ndërsa familjarët dhe mbarë lushnjarët shpresojnë për një shtatore të Ibrahim Karbunarës në mes të qytetit të Lushnjës nga Bashkia në shekullin e shtetformimit, monumenti më i bukur më ngjan motivi i kthimit të Shemsi Shehut në shtëpinë e të parëve mbi kodrat e Karbunarsë si ballkon i Myzeqesë mes ullishtave nga shijohet një pamje tjetër e perëndimi që dhe shkrimtari Jakov Xoxa nuk do e kish përfytyruar në romanin emblemë “Lumi i Vdekur”.
Deti më i gjallë i kujtesës mendoj se janë ëndrrat fëminore që mbeten edhe sot të paprekura tek vijuesit e vlerave të familjes.
Nga
Andi Bica
Publikuar tek gazeta AGON, 2012
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt