TIRANE - Gjykata e Tiranës është përballur dje me një pretendim të pazakonte nga një 63- vjeçar, i akuzuar për “dhunë në familje” ndaj bashkëshortes. I moshuari ishte arrestuar tri ditë më parë. Në sallën e gjyqit, i akuzuari është mbrojtur me argumentin se ai e kishte të pamundur të ushtronte dhunë mbi bashkëshorten. Sipas 63-vjeçarit, bashkëshortja kishte dyfishin e peshës trupore të tij. Ai ka shkuar më tej duke pretenduar se kishte shenja dhune në trup, të cilat ia kishte shkaktuar bashkëshortja. Për të provuar këtë fakt, i akuzuari kërkoi kryerjen e një eksperimenti hetimor. E gjendur ballë të tilla pretendimeve, gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30-ditor.

Gjatë kësaj periudhe prokuroria ka për detyrë të kryeje akt ekspertime për të provuar se cili nga bashkëshortët ka shenja dhune në trup. Seanca gjyqësore në ngarkim të 63-vjeçarit T. Sula u zhvillua me dyer të mbyllua në Gjykatën e kryeqytetit. Burime të Gjykatës sqaruan se ai ishte arrestuar pas një kallëzimi të gruas së tij, T. Sula. Kjo e fundit ka pretenduar në kallëzimin e saj në komisariatin e policisë se bashkëshorti kthehej i pirë në shtëpi dhe e dhunonte fizikisht. Deklarimi i bashkëshortes është përcjellë në sallën e gjyqit përmes aktakuzës së Prokurorisë.

I papritur për gjykatën ka qenë pretendimi i të arrestuarit T. Sula, çka ka sjellë edhe nota humori në seancë. “Unë jam a s’jam 50 kilogramë, kurse bashkëshortja ime është 100 kilogramë. E kam të pamundur që ta rrah. Bëni një eksperiment që të vërtetoni çka po them”, mësohet të jetë shprehur i arrestuari. Sipas burimeve, në vijim i akuzuari ka pranuar faktin se ndonjëherë konsumonte pije alkoolike. “Për këtë shkak, gjatë muajve të verës më ka dhunuar im bir, i cili është i gjatë sa ky polici këtu”, ka rrëfyer 63-vjeçari duke iu referuar njërit prej punonjësve të policisë të pranishëm në sallën e gjyqit. Në përfundim të pretendimeve të palëve gjykata caktoi ndaj tij masë sigurie me afat, gjatë së cilës Prokuroria duhet të provojë pretendimet e 63-vjeçarit.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)