INTERVISTA/ Flet ish -Përgjegjësi i kombinatit të tesktileve “Stalin” Tiranë, drejtuesi për 39 vjet, Milo Pulo Leka


-Kombinati ishte dhuratë e Stalinit për popullin shqiptar, ndaj mori emrin e tij

-Kombinati i tekstileve “Stalin” u inaugurua nga Enver Hoxha më 8 nëntor 1951

-Kur ndërroheshin turnet në Kombinat, zhurma e nallaneve dëgjohej në Tiranë

-Prodhonim 100 mijë ml tekstile në 24 orë

-Nga udhëheqësit socialistë kishin ardhur Zhivkovi, Kim Ir Seni dhe Çu En Lai

-Në fabrikën e basmave në Berat prodhuam portretin e Enver Hoxhës me rastin e 70-vjetorit

-Enveri në Berat na tha që projekti i Kombinatit ka shumë anekse që humbin sistemin

-Enveri dha urdhër, të punohet shumë për banesat e punëtorëve

-Mehmeti i tha përkthyesit tonë, e fole kinezçen si shqipen, morën vesh kinezët?

-Ramiz Alia në Berat: Jemi në bllokadë, duhet të punojmë dhe të kursejmë

-Kombinati kishte 8 mijë punëtorë dhe 40 ha sipërfaqe

-Në vitin 1988 Kombinati prodhonte 60 milionë metër linear tekstile

-Vitet e fundit në Kombinat vinte vazhdimisht Azem Hajdari


Albert ZHOLI

Kombinati i Tekstilit në Tiranë filloi të ndërtohej për shkak të mungesave të mëdha që kishte në tekstile Shqipëria. Ne s’kemi pasur fabrika për trikotazhe përveç një punishteje në Shkodër dhe një në Korçë, që nuk përballonin fare nevojat e vendit. Gjatë tërë historisë populli shqiptar ishte veshur me tekstilet e Europës apo dhe të Japonisë. Madje, dhe kambriku nuk prodhohej në vend. Në pesëvjeçarin e dytë të qeverisë në fund të vitit 1950 filloi ndërtimi i Kombinatit të Tekstileve “Stalin” Këtë kombinat, që në fakt, themelet u hodhën që në 1948-n e mori përsipër qeveria sovjetike. Kombinati filloi të ndërtohej pikërisht këtu ku është sot, por deri dje quhej këneta e Yzberishtit. Ky Kombinat ishte dhuratë e Stalinit për popullin shqiptar, ndaj dhe Kombinati mori emrin e tij.

Si ishte kjo tokë që është ndërtuar kombinati tekstileve “Stalin”?

Eh, ta dije ti si ishte kjo tokë. Një sipërfaqe 40 ha, ku në fillim u bë bonifikimi. Në këtë Kombinat u angazhuan aksionistë nga gjithë Shqipëria, ku gjithë Ndërmarrja e Ndërtimit “21 dhjetori” ishte në shërbim të tij. U bë një kantier i madh pune, i paparë. Unë fillova punë këtu pikërisht në vitin 1950 pasi deri ahere isha me Forcat e Armatosura. Pikërisht në këtë kohë qeveria lajmëroi se, kërkonte njerëz që të përgatiteshin për të punuar në Kombinat. Përgatitja do të bëhej në BS. Bëra dhe unë kërkesë. Ma pranuan. Në fund të vitit 1950 u nisëm për në BS një grup djemsh. Mua më ra shorti të përgatitesha për kuadër i kualifikuar për tekstile. Para nesh ishte nisur një grup para tjetër. Unë shkova për të mësuar në Leningrad sot San Petërburg.

Si ju pritën?

Ah, këtu dua të ndalem. Një pritje e jashtëzakonshme. E para na veshën. Ne i kishim rrobat copë- copë. Atje ishte shumë ftohtë. Rrobat tona nuk na hynin në punë fare. Na veshën me xhupa të mirë, me kokore, këpucë me qafa. Atje pamë se çfarë ishte i ftohti polar. Diell thuajse nuk kishte fare. Ishte një jetë interesante. Ambienti rus na priti si mos më mirë. Ishin njerëz shumë të dashur. Unë kisha bërë 4 vjet shkollë fillore në Dukat dhe ato më shërbyen për të mësuar. Pra ishim deficitar në mësime. Një pedagog atje jepte mësim edhe me 4 nxënës. Na bënë program special për gjuhën. Na dhanë shumë përparësi për veprime teknike. Pra na mësonin si të punonim. Kishim një pedagoge që na mësonte gjuhën me shumë dashuri. Unë nuk do përdor gjuhën Potapov, por do ju mësoj sipas një metode tjetër. Pas 6 muajsh ajo na bëri ta dinim gjuhën shumë mirë. Kur bëmë hartim katër faqesh u çuditën. Aty kishte vajza ruse që mësonin për tezgjah. Me to ne e kishim më të lehtë të mësonim gjuhën. Ato na donin shumë dhe na çonin kudo, në teatër, kinema, sport, etj..Në provim dolëm shumë mirë.

Kur u kthyet në Tiranë?

Në vitin 1951 u kthyem. Kur erdhëm ne, Kombinati ishte inauguruar. Veiz Gjebero ishte drejtor i parë i Kombinatit. Kishte ende specialistë rusë. Pas çdo muaji sapo ja merrnim ne dorën, iknin specialistët rusë. Gjithë Kombinati ishte mbushur me kapanone, ku flinin punëtorët. Ishin me qindra vajza pasi u hap dhe shkolla për punëtoret. Pra specialistët rusë ndërtuan Shkollën e Tekstilit të Kombinatit. Nuk mund të shkonin për studime ato qindra femra jashtë. Pra, tashmë specialistët përgatiteshin punëtorë të kualifikuar dhe specialistë. Në atë kohë bashkë me specialistët e kualifikuar në Kombinat punonin 8 mijë punëtorë. Këtu ishte një qytet i tërë. Paralelisht me ndërtimin e Kombinatit ndërtoheshin dhe pallate për punëtorët që të kishin afër punën dhe të mos shkonin larg në Tiranë. Kombinati punonte me tre turne.

Kur është bërë inaugurimi i Kombinatit?

Më 8 nëntor 1951. Kishte ardhur vetë Enver Hoxha pasi ishte një ngjarje e madhe. Ku ishte parë Kombinat i tillë në atë kohë tek ne. Bashkë me Enverin ishte dhe gjithë Byroja Politike. Unë në atë kohë isha në BS për studime. Enver Hoxha deklaroi në këtë inaugurim se ky Kombinat do të jetë pionierja e tekstileve në Shqipëri, pasi kombinate të tjerë do të ngremë. 100 mije ml tekstil në 24 orë. E pabesueshme. Këto ishin fanellatë, basma, kambrik, etj., doke pune, teritale. Duke u zhvilluar Kombinati lindi nevoja të përmirësohej struktura. Ajo e vjetra nuk hynte më në punë. Për të pakësuar importin na dilte detyra të ndërtonim fabrikën e ngjyrosjes. Kombinati kishte tre fabrika kryesore. Filatura, tezgjahu, ngjyrosja. Filatura prodhonte fill, tezgjahu thurte, bënte kamrik, basma, etj...Ngjyrosja bënte ngjyrosjen. Agregatet e mëdha e bënin punën me përpikmëri.

Si ishin vitet e para të punës?

Shumë të vështira pasi nuk njiheshim mirë me punën, ende kishte pak mushkonja, por ishim shumë të varfër. Kur ndërroheshin turnet, tundej vendi nga nallanet. Pra dëgjohej zhurma e nallaneve deri në fund të fund të Tiranës. Krrak-krrak...S’kishte as sandale, as këpucë. Shumica flinin në kapanone. Nallanet ishin prej druri të fortë. Madje, kishim problem dhe ushqimin, prefeksionimin dhe veshjen. Në vitin 1953 u ndërtua fabrika e prodhimeve të leshta. Në vitin 1956 fabrika e kadifes dhe filatura nr. 2. Pra më vonë Kombinati kishte 10 fabrika. Një diçka e jashtëzakonshme. Numri i punëtorëve rritej nga dita në ditë. Kurset dhe shkollat ishin pambarim, pasi ishte nevoja e kategorive. Nga viti në vit kush donte kategori të lartë duhej të mësonte që të merrte sa më shumë lekë.

Me çfarë detyre filluat në Kombinat?

Kur erdha sefte isha me detyrë mjeshtër prodhimi. Më vonë duke u kualifikuar mbasi mbarova Teknikumin 7 Nëntori u emërova Shef reparti. Kërkesat vinin duke u rritur për dije dhe u regjistrova në fakultetin Ekonomik me korrespodencë. Ishte urdhër i Mehmet Shehut që drejtuesit e Kombinatit të ishin me shkollë të lartë.

A i plotësonin nevojat e vendit këto prodhime?

Në këtë kohë ju kushtua më shumë vëmendje prodhimit të basmave dhe të doqeve, për përdorimin e përditshëm, por dhe për tekstilet e leshta. Në këtë kohë ne filluam të prodhonim dhe shajak. Këto prodhime ishin shumë cilësore dhe të vjetra. Për të rritur prodhimin vendas në ndihmë të Kombinatit u ndërtuan dhe shumë fabrika në Përmet, Gjirokastër, Vlorë, ose ndryshe NPV. Këto bënin prodhime të ndryshme që shkonin dhe për eksport. Në vitin 1990 të gjitha këto u shkarkuan.

A lëvize në këtë kohë?

Më çuan në Berat për drejtimin e linjës së Xhakartit bashkë me një staf nga Kombinati Tiranës. Kjo në vitin 1968. Kjo linjë ishte faza e tretë që prodhonte batanije shumë cilësore dhe tekstilet e fjalës së fundit. Ose ndryshe prodhonte tekstile me lule. Kjo linjë kishte marrë emrin e shpikësit të një inxhinieri francez. Edhe ai Kombinat ishte shumë i mirë. Pas një viti e ca u ktheva prapë në Tiranë. Kombinati në Berat u ndërtua nga kinezët.

Çfarë kishte të veçantë linja e prodhimit “Xhakarti” në Berat?

Prodhonte shumë basma cilësore me lule, madje, arriti të prodhonte dhe portretin e Enver Hoxhës. Ishte një ngjarje e madhe. Ky portret ju dhurua nga Komiteti Qendror, Enver Hoxhës me rastin e 70- vjetorit të lindjes. U bënë me qindra portrete më pas me përmasa 80x40 cm.

Kush i ka vizituar pas inaugurimit këto kombinate?

Të gjithë udhëheqësit kryesorë. Si në Tiranë dhe në Berat kanë ardhur Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, etj.. Madje kanë ardhur dhe kanë lënë gjurmë.

Çfarë gjurme?

Enver Hoxha erdhi në Berat dhe na lavdëroi. Unë kam një diçka, erdha nga Uzina e Aviacionit. Aty pashë një pikë vrojtimi pak të dalë dhe shumë larg objektit. Mos vallë dalin gazra nga uzina tek kjo pikë? Jo nuk ka gazra më thanë, por është projekti i objektit kështu. U thashë më vjen keq që është kështu pasi unë kam biseduar me Çu En Lain që të sjellin një projekt më të thjeshtë pasi, ne nuk kemi as teknikën, as fondet, as aq shumë specialistë, që të punojmë me teprime. Ai me këtë donte të thoshte edhe për fabrikën, ku drejtoja unë, se ishte me shumë anekse. Por këto anekse i thashë janë të domosdoshme, janë shumë të mirëpërcaktuara, për ajrim dhe kushte të mira për punë. Por këto anekse kanë funksione të tjera, pasi temperatura në këto fabrika duhet konstante. Më dëgjoi, por nuk më ktheu përgjigje. Aty doli dhe problemi strehimit.

Kishte shumë probleme për strehimin në atë kohë?

Shumë. Sekretari i Parë i Partisë së Beratit, Pirro Gusho i tha Enverit që kemi shumë problem strehimin dhe Drejtori i Kombinatit, para ca ditësh më solli dhe ma la një bebe në tavolinë. “Për këtë e kemi ne fajin”,- tha Enveri sepse i ramë bilbilit

Mblodhëm punëtorë nga gjithë Shqipëria dhe nuk menduam se ku do flenë këta njerëz. Ka njerëz që do martohen, ndaj do bisedoj me Mehmetin që të bëjmë investime për banesa. Ndërsa për atë që më the, që të la fëmijën në tavolinë, nuk më çudit, pasi ai njeri s’e ka me të keq, pasi ashtu mendoi për momentin se do shkonte në punë. Pas ikjes së Enverit filluan ndërtimet masive për ndërtesat. U bë lagje e veçantë.

Po Mehmet Shehu?

Pas Enverit, një ditë më thanë se do të vijë për vizitë Mehmet Shehu. Isha akoma drejtor i një fabrike. Më caktuan dhe orën kur do vinte dhe më tha ki kujdes! Erdhi Mehmeti, të gjithë qetësi. Kaloi në disa fronte pune dhe kur kishim pushim punë na mblodhi. Një punëtor i thotë:- Ky Drejtori (për mua) i ndan shtëpitë sipas qejfit. Mua s’më ka dhënë shtëpi pasi më thotë futu në kuzhinën e vëllait (se kam një vëlla ushtar). Nga je ti,- e pyeti Mehmeti. Nga Lushnja thotë punëtori. Ç’kërkon ti këtu? Erdha bëra kurs për në Kombinat. Po mirë thotë Drejtori, jo të gjitha bëhen menjëherë. Sa të jetë vëllai ushtar rri aty. Shtangën. Unë mendoja se do më bërtasë. U qetësova. Ai u largua dhe bisedoi me disa kinezë që ishin specialistë. Me kinezët ishte dhe Vangjeli, përkthyesi. -More Vangjel morën vesh ata kinezët çka u thashë. Po,- i tha Vangjeli. -Po pse mu duk si shqip kinezçja jote? Më nxjerrç sytë po e morën vesh ata kinezçen tënde. Po kam mësuar 6 vjet në Kinë shoku Kryeministër. E pashë që Mehmeti vuri buzën në gaz dhe u habita.

Kur erdhi Ramiz Alia në Berat?

Më 1970. Erdhi pas Mehmetit. Tek fabrika ime e prita unë dhe e shoqërova në shumë procese të fabrikës. Unë në disa vende ndërhyja. Ai më shikonte. U habit. Ore ku i ke mësuar disa procese pune ti? Këtu i thashë me punëtorët. Të lumtë, -tha. Dikur më ke thënë që ke bërë punë prodhuese. Ajo të ka ndihmuar. S’e merrni me mend sa të rëndësishme janë këto prodhime për vendin tonë. Janë prodhime që na duhen dhe që na kërkohen në treg. Jemi në bllokadë, duhet të punojmë dhe kursejmë.

Kur u ktheve nga Berati dhe me çfarë detyre të ngarkuan?

Pas Beratit në 1970 kthehem në Titanë me detyrë përgjegjës i tezgjahut. Më vonë Kryeinxhinier i teknikës dhe pse nuk kisha mbaruar inxhinieri. Në vitin 1972 emërohem Drejtor i Fabrikës ë stofrave të holla. Mora në dorëzim fabrikën nga kinezët. Në vitin 1974 më shkarkuan nga detyra, pasi kishte njerëz dhe të paformuar që bënin riorganizime të pakontrolluara dhe hiqnin padrejtësisht njerëz të aftë. P.sh ky sektor bashkohet me atë etj...Kështu bëri dhe një ekip i kontrollit punëtor. Ky projekt i kontrollit punëtor u kundërshtua nga unë. I bëra letër Sekretarit të Komitetit të partisë së Kombinatit. Letra ime u mor në të kundërt si kundërshtar i kontrollit punëtor dhe më përjashtuan nga puna. Sipas tyre, i jep më rëndësi instancave të shtetit se sa të partisë, kur dihej se partia ishte mbi të gjitha.

Tashmë që u rrit prodhimi sa ishte kapaciteti i prodhimit të Kombinatit?

Në fillim ishte 20 milionë metër linear në vit. Pastaj thuajse u katërfishua a më shumë. Prodhimet ishin të jashtëzakonshme. Shumë cilësore, madje, që kërkoheshin dhe për eksport.

Cilat ishin vendet kryesore që merrnin më shumë prodhimet tona?

Kryesisht Kina, Vietnami, Koreja, Kamboxhia. Ata merrnin çdo lloj prodhimi tonin, pasi përdornin shumë prodhimet e dokut. Ndërsa me vendet e tjera europiane bënim tregti me klering si p.sh me Çekosllovakinë, Hungarinë, dhe disa vende lindore. Rumania merrte më shumë fanellatë. Madje, dhe Bullgaria.

Sa vite punove në kombinatin e tekstileve “Stalin”?

Plot 39 vjet dhe pse në pension duhet të dilja më shpejt pasi isha partizan. Unë dola në pension në vitin 1990. Pasi më përjashtuan më morën prapë, por me detyrë të ulët, teknolog tezgjahu. Sigurisht se, u bëja punën dhe e panë që nuk kisha gabuar.

A kishte vjedhje në Kombinat?

Jo. Rrallë ka pasur vjedhje. Kishte kërkesa dhe kontrolle. Ndryshe ishte tek Kombinati i mishit.

Si ishte puna në Kombinat?

Ishte një punë shumë e vështirë. Disa filozofë kanë thënë kështu që, “kur proletariatit i rritet mendja bëhen marrëzira”. Dhe këto marrëzira u bënë në Shqipëri. Kombinati kishte prodhime të jashtëzakonshme. Por filluan të kërkonin shumë më shumë se aq. Dikush tha që të punohet dhe të dielën pasi ka kërkesa për prodhimet. Kjo ishte marrëzi. Edhe makinat duhet të pushojnë. Ndaj shikoheshin gjërat me dyshim. Ra interesi për punë. Duhet të them se, tashmë me 8 mijë punëtorë Kombinati ishte qytet më vete, madje, kishte dhe një termocentral. Kjo nuk ishte e pakët.

Po tjetër nga udhëheqësit e vendeve komuniste kush ka ardhur në kombinat?

Ka ardhur Zhivkovi, Kim IR Seni dhe Çu En Lai. Vizita e tij u prit me shumë brohoritje. Ishim në kulmin e miqësisë. Ahere pjesët e ndërrimit i merrnim nga Kina.

Ka pasur dënime në kombinat?

Po. Është dënuar njëri, që tentoi disa herë të vidhte leshin e Kombinatit. Beu i Saukut u quajt. Ky i fundit u pushkatua.

Kush ka qenë rreziku më i madh i kombinatit?

Zjarri. Tekstilet kanë shumë push. Një shkëndijë dhe fap zjarri. Jo pak herë ka rënë zjarr.

Po në fund të viteve 1990 kush filloi të vinte në kombinat?

Filloi të vinte Azem Hajdari. Kërkonte të kishte mbështetje në kombinat pasi ai ishte shumë i madh.