Rama: Shqipëria në krizën më të thellë që prej ’97. Zgjidhja? Shlyerja e borxheve
TIRANE – Kryeministri Edi Rama siguroi mbështetjen e plotë të qeverisë së tij për bizneset dhe sipërmarrësit në vend. Gjatë fjalës së tij në takimin e hapur me biznesin "Dialog, përgjegjësi, partneritet", kryeministri Rama kërkoi bashkëpunimin e sipërmarrësve për tejkalimin e krizës ekonomike, duke theksuar se do të drejtojë personalisht “betejën e ashpër kundër krizës”.
“Unë do të drejtoj gjithë betejën e ashpër kundër krizës dhe kalimin në një fazë të re të ekonomisë tonë. Jemi të gjithë bashkë në të njëjtën anije. Anija nuk mbytet vetëm për një pjesë, anija mbytet për të gjithë bashkë, askush nuk shpëton duke përfituar nga mbytja e të tjerëve. Në anijen e ekonomisë të këtij vendi qeveria dhe sipërmarrja janë bashkë, bashkë duhet ta nxjerrin në ujërat e qeta anijen, duke kapërcyer dallgët e mëdha që kemi sot dhe ato ende më të mëdha që kemi përpara.”- deklaroi Rama.
Kryeministri Rama pohoi se ekonomia shqiptare sot është e bllokuar institucionalisht dhe financiarisht.
“Sot Shqipëria është në krizë, në krizën më të thellë pas asaj të vitit 1997. Flasin shifrat, faktet dhe plagët në trupin e çdo sipërmarrje që jeton jashtë oborrit të pushtetit të deridjeshëm që e transformoi marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie force, dhune, arbitrariteti. Sot jemi pa buxhet dhe me një sipërmarrje të bllokuar. Sepse kemi një ekonomi të ndarë në dysh, ministri e shtetit dhe e kulakëve është e destinuar të shkojë në pikën ku ka vajtur sot në një ekonomi të bllokuar që kërcënon të ndalë funksionimin e shtetit, në rast se sot qeveria dhe sipërmarrja nuk ndalin krizën. Qeveria nuk është shteti, është vetëm një pjesë e shtetit, ndërkohë që ekonomia është e të gjithë atyre që në këtë shtet merren me biznes.”- u shpreh Rama.
Shefi i qeverisë garantoi ngritjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku palët do të ulen së bashku dhe çdo tre muaj do të diskutohet strategjikisht për betejën e përbashkët, kundër krizës dhe atë për mirëqenien.
Më tej kryeministri theksoi sërish zotimin e qeverisë së tij për të shlyer të gjitha borxhet ndaj biznesit.
“Do shlyejmë të gjitha borxhet, nuk duam ti kemi borxh njeriut. Do të kushtojë, le të kushtojë. Ne duhet të bëjmë zgjidhjet e kërkuara më çdo çmim, në mënyrë që nesër vendi të rifutet në rrugën e rritjes ekonomike.”- u shpreh kryeministri.
“Çfarë mund të bëjmë ne për të rritur të ardhurat nga fatrat e energjisë elektrike, si mund t’i kërkojmë njerëzve të paguajnë energjinë kur Këshilli i Ministrave nuk i paguan, kur gjithë ngrehina e shtetit është borxhliu më i madh i sektorit energjitik. Që ne të kërkojmë nga ju që kush fiton më shumë paguan më shumë, duhet të krijojmë kushtet që të ndiheni protagonistë të respektuar e jo kulake. Situata është e tillë që s`kemi mundësi për zgjidhje të atilla që të gjithë të jemi të lumtur, por duhet të bëjmë zgjidhjet e kërkuara me çdo çmim, në mënyrë që nesër vendi të rifutet në rrugën e rritjes ekonomike dhe sipërmarrja të ndahet nga rruga shumëvjeçare që në çdo hap ndeshet me dhunën, presionin, korrupsionin. Ka dy rrugë ose do shlyejmë borxhet ose ne do të shumëfishojmë shushunjat. Rruga e parë është e dhimbshme ndërsa rruga e dytë është tragjike. Kemi borxhe në transport, punë të papaguar kompanive. Kemi borxhe ndaj sektorit të ujërave, ndaj sektorit shëndetësor, përfshi detyrimet e ilaçeve. Kemi borxhe në sektorin e arsimit, kemi TVSH e parimbursuar” tha Rama.
Sipas kryeministrit, “Shqipëria nuk ka nevojë më për mjaltin e gënjeshtrave, por asaj i duhet ilaçi i hidhur i të vërtetave.”
Kryeministri Rama siguroi sipërmarrësit se Doganat dhe Tatimet do kthehen në një strukturë në dispozicion të qeverisë dhe komunitetit të tyre.
CANI: SITUATA EKONOMIKE E RËNDË, POR JO E PAPËRBALLUESHME
Ministri i Financave Shkëlqim Cani pohon se situata ekonomike e vendit është e rëndë, por shprehet i bindur se qeveria e re do t'ja dalë të përballojë situatën. Gjatë fjalës së tij në takimin e hapur me biznesin, ministri Cani tha se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka është e mundur që Shqipëria të ecë e sigurt drejt Europës.
“Situata është e rëndë, por jo e papërballueshme, kemi projektin, kemi komunikuar vazhdimisht për të realizuar atë që kemi premtuar që në fillim. Do të shkojmë në Bruksel, e dimë që makina jonë ka plot defekte, nuk na ka kapur paniku, do ta vazhdojmë rrugën drejt Brukselit, do të riparojmë makinën. Jemi të vendosur për të shkuar në Bruksel.”- deklaroi ministri Cani.
Më tej ministri i Financave garantoi bizneset se qëllimi parësor i qeverisë është shlyerja e detyrimeve ndaj tyre.
“Nuk kam thënë që është e lehtë për askënd, është e vështirë, por jo e pamundur. Jemi plotësisht të bindur se së bashku qeveri-biznes, në një raport të ndershëm dhe duke patur mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare do ta kapërcejmë këtë situatë në një afat kohor afatmesëm. Ekonomia do t’i rikthehet ritmeve normale të zhvillimit të saj. Jemi në konsulta me partnerët ndërkombëtarë për të gjetur masat që i duhen ekonomisë për ndreqje.”- deklaroi Cani.
AHMETAJ: NESE QEVERIA NUK BEN ASGJË, EKONOMIA E VENDIT NDALON NE ME PAK SE 1 VIT
Ministri i Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj deklaroi se në thelb kriza ekonomike është krizë e keqqeverisjes. Për ministrin Ahmetaj, nëse qeveria aktuale nuk bën asgjë, ekonomia e vendit ndalon në harkun kohor të një viti.
“Modeli aktual ka dështuar, ekonomia shqiptare nuk mund të rritet më me borxhe, sepse e ka ezauruar kapacitetin vet të borxheve. Kemi detyrim historik, qeverisës, patriotik dhe detyrim transparence t’ju tregojmë se si po e marrim situatën, për të treguar se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen së bashku edhe duke sakrifikuar. Problemet i gjetëm, por ky nuk është justifikim, këto janë probleme të qytetarit shqiptar dhe në finale kjo qeveri e ka përgjegjësi direkte ti komunikojë dhe ti zgjidhë ato”- deklaroi Ahmetaj.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt