-
Ndërtimi pa leje, Bashkia Tiranë padit në Prokurori deputetin e PS, Vladimir Kosta
Ndërtimi pa leje, Bashkia padit në Prokurori deputetin e PS
Dashamir Biçaku

Tiranë Deputeti i Partisë Socialiste denoncohet në Prokurori nga Bashkia e Tiranës, për një ndërtim pa leje në një sipërfaqe prej 1 mijë metrash katror. Veç tij, zyrtarët bashkiakë kallëzojnë edhe një përmbarues dhe disa persona të tjerë. Lajmi është bërë i ditur nga Bashkia e Tiranës nëpërmjet një deklarimi zyrtar, ku thuhet se janë dërguar për ndjekje penale pesë persona, të cilët akuzohen për ndërtime të paligjshme, pasi gjatë inspektimeve të kryera janë konstatuar dhe gjetur shkelje të ndryshme në ligjin “Për Urbanistikën”. Në njoftimin e saj, Bashkia e Tiranës tha se kishte kërkuar ndjekjen penale për biznesmenin Vladimir Kosta për konsumimin e veprës penale “ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal. Inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Tiranë, gjatë ushtrimit të kontrollit për zbatimin e ligjshmërisë në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës kanë konstatuar në njësinë bashkiake nr. 1, rruga “Bajram Curri” se vazhdonin punimet për hapjen e një sheshi ndërtimi në një objekt të pezulluar, që shtrihej në një sipërfaqe prej 1 mijë metrash katror. Sipas Bashkisë së Tiranës, gjatë inspektimit është mbajtur një procesverbal, ndërsa më pas janë referuar materialet ndaj Vladimir Kostës në Prokurorinë e Tiranës. Burime zyrtare të Bashkisë së Tiranës thanë se bëhej fjalë pikërisht për z. Vladimir Kosta, deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës, i zgjedhur për zonën e Përmetit në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit të këtij viti. Burimet thanë se gjatë inspektimit të zonës ishte konstatuar hapja e një sheshi ndërtimi në rrugën “Bajram Curri”, për të cilën Kosta nuk kishte marrë leje ndërtimi. Pas këtij konstatimi, specialistët e Inspektoratit Urbanistik Ndërtimor (INU) plotësuan dokumentacionin përkatës, duke nisur edhe kallëzimin penal në Prokurorinë e Tiranës. Për të njëjtën vepër penale, atë të ndërtimit të paligjshëm, INU kallëzoi penalisht në organin e akuzës edhe përmbaruesin Lefter Canaj, bashkë me të vëllanë e tij. Sipas njoftimit të Bashkisë, është kërkuar ndjekja penale për Besnik Canajn dhe Lefter Canajn, pasi gjatë kontrollit për zbatimin e ligjshmërisë në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës kanë konstatuar në njësinë bashkiake nr. 6, në Rrugën e “Kavajës” përballë ish-‘Misto Mame’ kundravajtjen: “Vazhdim punimesh ndërtimore në objekte të pezulluara në fazë punimi, armim i hekurit për kolona”,- thuhet në deklaratë. Më tej, Bashkia bën të ditur se në vijim të procedurës ligjore do të nxirret vendimi “Për pezullim të punimeve të ndërtimit”, si dhe “dënim me gjobë”, ndërsa procedura do t’i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Canaj, me profesion jurist dhe përmbarues, është bërë i njohur në opinionin mediatik në vitin 2011, kur ai dhe disa përmbarues u ndëshkuan administrativisht nga Ministria e Drejtësisë, për shkak të abuzimeve të ndryshme me detyrën dhe me ekzekutimin e vendimeve të gjykatës për llogari të personave të tretë. Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës tha se përgjatë dy javëve të fundit janë depozituar pranë saj 10 kallëzime penale ndaj subjekteve të ndryshme për akuzën e “ndërtimit të paligjshëm”, ndërkohë që bën të ditur se është në proces edhe një grup tjetër ndërtimesh të paligjshme, të cilat janë duke u verifikuar nga inspektorët.
MAPO
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt