Greqi, arrestohet kreu i partisë “Agimi i Artë”. Lëshohen 36 urdhër-arreste
Policia greke ndërmori një operacion masiv në orët e para të ditës së shtunë duke prangosur disa prej drejtuesve të partisë neonazistë “Agimi i Artë”.
Mediat greke njoftojnë se në pranga ka përfunduar kreu i kësaj partie, Nikos Mihaloliakos, deputeti Ilias Kasidiaris dhe shumë drejtues të tjerë identiteti i të cilëve ende mbetet për t’u konfirmuar.
Arrestimet mbërritën pas lëshimit nga ana e prokurorëve të 36 mandat-arresteve për drejtues dhe aktivistë të partisë së ekstremit të djathtë. Akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë organizimi dhe përfshirja në organizatë kriminale.
Ky zhvillim i ri ndodh në momentin më kulmor të një hetimi ligjor që ka filluar në Greqi me kërkesë të qeverisë, për akte të mundshme kriminale nga partia neonaziste Agimi i Artë.
Në këtë hetim përfshihen edhe lidhjet e kësaj force politike me anëtarë të policisë greke, ndërsa sindikalistët e forcave policore përpiqen t’i hedhin fajin qeverisë për dështimin e luftës ndaj neonazistëve.
Një ditë më parë Shefi i Departamentit të Kundërspiunazhit grek, i cili kishte edhe përgjegjësinë e hetimeve të veprimtarisë së Agimit të Artë është shkarkuar nga detyra pasi është zbuluar se është i afërmi i një prej deputetëve të kësaj partie.
Gjithashtu, emri i tij është përfolur edhe gjatë një hetimi tjetër për çështjen e rrëmbimit të disa emigrantëve nga Pakistani disa vite më parë.
“Ata duan që përgjegjësite dhe fajin për gabimet dhe të metat e sistemit politik që ka lejuar të fuqizohet Agimi i Artë t’i hedhin mbi kurrizin e punonjësve të policisë”, deklaroi Nikolaos Rigas, sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Policisë.
Me një retorikë nacionaliste, duke kundërshtuar masat ekstreme të kreditorëve të Greqisë, duke shpërndarë ushqime falas vetëm për grekët e varfër dhe duke ushtruar dhunë mbi emigrantët, Agimi i Artë u bë forca e tretë politike në vend. Por disa ditë pas vrasjes së muzikantit grek antifashist Pavlos Fissas nga një anëtar i kësaj partie, ajo ka humbur të paktën 40% të mbështetësve në sondazhet e fundit.
GAZETA SHQIP
Krijoni Kontakt