PS pa kryetar, Ramës i skadon mandati më 26 shtator

Që nga sot Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste pa mandat. Kjo pasi ditën e sotme ai plotëson 4 vitet e mandatit të download (4)tij të tretë në krye të kësaj force politike. Por megjithë angazhimin e kryesisë së PS-së për të nisur procedurat e zgjedhjes së kryetarit të ri sipas parimit ‘një anëtar-një votë’, deri më tani nuk është hedhur asnjë hap në këtë drejtim, pasi si grupi i punës i ngritur për këtë qëllim, ashtu edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që funksionon në këtë parti, nuk ka marrë asnjë veprim për organizimin e zgjedhjeve.

Mandati

Më 26 shtator të vitit 2009, pra fill pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të atij viti, Edi Rama nëpërmjet një procedure të sforcuar statutore do të zgjidhej sipas parimit “një anëtar-një votë” kryetar i Partisë Socialiste për një mandat të tretë. Neni 30 i Statutit të Partisë Socialiste, në pikën 2 të tij, teksa flet për kryetarin e partisë, përcakton se “Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet”. Çka do të thotë se sot kryesocialistit Edi Rama i ka skaduar mandati i kryetarit të partisë, pasi ka plotësuar 4 vitet e mandatit të tij. Për këtë arsye PS do duhej që në bazë të statutit të organizonte zgjedhjet sipas parimit “një anëtar-një votë”, pra zgjedhjen e kryetarit nga e gjithë anëtarësia. Për këtë qëllim kryesia e Partisë Socialiste gati tri javë më parë ngriti një grup pune të përbërë nga Blendi Klosi, Taulant Balla dhe Bashkim Fino, për të përcaktuar hapat që do të hidheshin deri në bërjen e zgjedhjeve, duke filluar që nga thirrja e Asamblesë e më pas edhe të Kongresit dhe përcaktimi i datës së votimit. Por pavarësisht faktit se mandati i kryetarit aktual ka skaduar sot dhe tashmë deri në zgjedhjet e ardhshme Rama do duhet të jetë kryetari në detyrë i partisë, për grupin e punës dhe për strukturat e tjera përgjegjëse të partisë nuk ka asnjë emergjencë. Kjo pasi siç mësohet nga burime pranë PS-së, deri dje nuk ishte marrë asnjë masë në këtë drejtim dhe se KQZ-ja e partisë nuk ka nisur nga puna për organizimin e zgjedhjeve, punë e cila konstaton kryesisht në evidentimin e anëtarësisë së saktë të partisë e cila do të votojë për kryetarin, apo edhe hapat proceduralë që përcaktohen nga statuti për organizimin e zgjedhjeve. Burime nga KQZ-ja kanë bërë të ditur se deri më tani kësaj strukture nuk i ka mbërritur asnjë vendim apo urdhër për të nisur përgatitjet.

Statuti

Në bazë të Statutit, neni 27 i tij, tashmë posti i kryetarit të partisë konsiderohet vakant dhe për këtë qëllim parashikohen një sërë hapash proceduralë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Kështu sipas këtij neni, “kur vendi i Kryetarit të Partisë mbetet vakant, Asambleja Kombëtare mblidhet brenda 15 ditëve dhe thërret brenda 30 ditëve Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë, për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të kryetarit të ri të partisë, e cila nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit”. Pra, nëse përllogarisim këto afate, i bie që zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë të mbahen brenda gjysmës së parë të dhjetorit. Megjithatë, burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se zgjedhjet, me shumë gjasa, do të mbahen në 15-ditëshin e dytë të nëntorit. Gjithsesi, burime nga selia rozë kanë bërë të ditur se po diskutohet nëse është e nevojshme që mandati i kryetarit të jetë i barabartë me mandatin e Kongresit, ose më saktë, të delegatëve të Kongresit. Nga ana tjetër, PS-ja këto ditë është përfshirë në një proces tjetër zgjedhor, atë për zgjedhjen e krerëve të PS-së në organizata dhe degët e komunave e të bashkive.

MAPO