Të ndalesh dhe të rikujtosh kohën para disa viteve ka dallim shumë të madh, ndonëse kjo nuk vërehet edhe shumë nga dinamizmi i jetës që tashmë ka kapluar gjithë njerëzimin, krizat ekonomike, sociale, e gjëra të tjera.
Më herët rastësisht në youtube klikova mbi një këngë zbavitëse të viteve më të hershme shqipëtare, ishte përplot e mbushur me rima, dashuri dhe tekst të mirëfilltë, mirëpo u ndala dhe e krahasova me një këngë moderne si p.sh me këngën e Nora Istrefit - S'ki me ik (vetëm një shembull), e cila ishte pothuajse vetëm me dy fjalë tekst "s'ki me ik, s'ki me ik, s'ki me ik, s'ki me, s'ki me, s'ki me ik" ... të them të drejtën jam e obsesionuar pas muzikës dhe nuk është që nuk më pëlqen kënga e Nora Istrefit se e kam dëgjuar shumë dhe e kam kënduar edhe vetë shpesh'herë, jo vetëm këtë këngë por cdo këngë moderne e dëgjoj dhe e shijoj shumë, mirëpo ta krahasosh me stilin e këngëve të kaluara dallonte shumë, vetëm aty u ndala dhe analizova gjithë kohën e atëhershme me atë të sotme dhe gjeja shumë dallime, prej të cilave e ceka vetëm këtë të muzikës.
\
Pastaj mu kujtua fëmijëria dhe stina e dimrit që më pëlqente shumë dhe mezi prisja të binte borë dhe të dilja nëpër lagje e të rrëshqisja nëpër akull apo të bëja ndonjë dordolec me kushërirat e mija. Apo në pranverë kur dilnim të luanim lojën sic e quajmë ne në Kosovë ana e dukagjinit lojën me "llastik" sepse loja me top nuk më pëlqente kurrë, vetëm kur shikoja vëllezërit e mi që ishin më të mëdhenj se unë duke lozur futboll me shokët e lagjes. Ndërsa sot kur shoh kushërirët e mi të vegjël apo cdo fëmijë tjetër që loja e tyre e vetme është kompjuteri, ku gjatë gjithë ditës cdo sekond të lirë e shfrytëzojnë në tekonologji, të mbyllur brenda e jo jashtë në natyrë.

Pastaj e thelluar në mendime mu kujtua koha kur vëllezërit e mi mblidhnin shokët e tyre në shtëpi dhe qëndronin gjatë gjithë natën zgjuar duke kënduar, qeshur me të madhe dhe biseduar. Unë i dëgjoja zërat e tyre nga dhoma ime që ishte në katin e dytë dhe që nga atje dëgjoheshin. Nganjërherë kisha dëshirë të shkoja poshtë dhe të rri me ta, por isha e vogël dhe ishin të gjithë djem, gjithashtu ishte shumë vonë ndaj nuk më lejonin të futesha brenda.
Ndërsa sot, kur dal unë me shoqet e mija në ndonjë vend publik, ndonjë kafe apo kudo qoftë, në cdo tavolinë shoh njerëz me telefona në dorë të obsesionuar pas rrjeteve sociale, gjë që të cilën as vetë nuk e mohoj që e bëj, mirëpo falë Zotit as unë dhe asnjë nga shoqet e mija nuk e kemi atë veti që kur jemi bashkë të koncentrohemi diku tjetër pos në bisedën, të qeshurat dhe budallallëqet që i bëjmë. Mirëpo kjo veti është hapur pothuajse në 90% e të rinjëve.

Kisha edhe shumë mendime tjera të cilat do merrnin shumë kohë për t'i shënuar, por do ua lija radhën juve të tregoni se cfarë u vie në mendje më së pari kur dikush hap temën se si ishte atëherë dhe si është sot bota, shoqëria, vendi jonë...