Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 31
  1. #1
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708

    Post Ateizmin nuk e kanë shpikur komunistët (artikull)

    Ateizmin nuk e kanë shpikur komunistët
    Panorama 24/8/05
    Arben Kallamata

    Ateizmi është mungesë e besimit te prania e perëndive dhe krijesave hyjnore. Kjo mungesë besimi nuk vjen nga pamundësia për të ushtruar një fe apo nga pamundësia e lidhjeve me të, por nga bindje të qëndrueshme dhe arsyetime të vetëdijshme. Foshnjat e porsalindura nuk kanë fe. Fetë iu injektohen në kokë më vonë, nga familja dhe shoqëria. Kjo shpjegon edhe faktin se përse më së shumti një njeri i lindur në një familje të krishterë përqafon fenë e krishterë, ndërsa dikush tjetër i lindur në një shoqëri myslimane, budiste apo çifute ndjek fetë përkatëse. Mungesa e besimit te perënditë është shumë më e vjetër se të gjitha llojet e besimeve fetare. Qeniet njerëzore fillimisht nuk kanë ditur të besojnë. Më vonë kanë mësuar, kanë krijuar dhe ndërlikuar perënditë.

    Ateizmin, si mungesë e ndërgjegjshme e besimit nuk e kanë shpikur as komunistët shqiptarë dhe as çdo lloj komunizmi tjetër, pavarësisht përpjekjeve që bëhen për t’i njësuar ata. Ronald Bruce Meyer thotë se Ateizmi të çon në Komunizëm po aq sa të shtyn bindja se Santa Klausi është përrallë në agresivitet ndaj fëmijëve. Ateizmi nuk ka lidhje me besimin. Ai ka të bëjë me dyshimin, mosbesimin.

    Ateistë ka pasur gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Megjithëse dëshmitë e para të shkruara të ateizmit mund të gjenden në shkrimet e Rig-Veda-s në Indi (rreth 1000 vjet p.e.s.), një ndër filozofët e parë të ateizmit mbahet greku i lashtë Epikurus i cili zhvilloi argumentin kundër të keqes:

    “Nëse Perëndia dëshiron ta ndalojë të keqen, por nuk ka fuqi, ajo nuk është e gjithëpushtetshme.
    Nëse ka fuqi, por nuk do që ta ndalojë të keqen, atëherë është keqdashëse.
    Nëse edhe ka fuqi ta ndalojë edhe dëshiron ta ndalojë të keqen, si shpjegohet që e keqja vazhdon të ekzistojë?
    Dhe, nëse as nuk do që ta ndalojë dhe as është në gjendje ta ndalojë, atëherë përse u dashka quajtur Perëndi?”

    E nisur nga thellësitë e errësirës së Mesjetës, Rilindja evropiane njohu zhvillimin e vrullshëm të ateizmit të përfaqësuar nga mendimtarë mosbesues ndaj qenieve hyjnore. Emrat e Leonardo da Vinçit, Erazmusit, Galileos, Keplerit e Giordano Brunos janë të lidhur me ateizmin. Më vonë atyre iu shtuan iluministët Dekart, John Toland, David Hume e Thomas Paine; enciklopedistët francezë Didero, Volter, d’Holbach për të ardhur në shekullin e 19-të te Fojerbah, Holyoke dhe, natyrisht, Charles Darwin. Më vonë, mendje të ndritura si Mark Twain, Thomas Edison, Albert Einstein, e shumë të tjerë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten ateistë. Asnjë prej tyre nuk ka pasur qoftë edhe lidhjen më të vogël me komunizmin.

    Sot, mbi 90 për qind e fizikantëve të botës dhe mbi 65 për qind e matematikanëve janë ateistë.

    Përpjekjet për ta lidhur Ateizmin me Komunizmin e kanë burimin te përpëlitjet e krerëve fetarë për të ndaluar dobësimin e shpejtë dhe të pandalshëm të pushtetit të Kishës dhe institucioneve fetare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Veçanërisht ato morën përkrahje zyrtare në periudhën famëkeqe të histerisë së Senatorit Joseph McCarthy në Shtetet e Bashkuara. Argumenti bazë që sillej për të provuar këtë tezë ishte njësimi i kryekomunistit Stalin me Ateizmin.
    E vërteta qëndron se, pavarësisht se u shkollua në një seminar kishtar, Stalini ishte ateist. Megjithatë, ka shumë arsye të besohet se ai nuk ishte ateist për arsye filozofike apo sepse komunizmi ose mendësia e tij totalitare nuk përputhej me fenë. Stalini ishte ateist sepse pushtetit të tij sovjetik nuk i shkonte pas oreksit rivaliteti i pushtetit të madh të Kishës Ortodokse Ruse, ashtu siç nuk i pëlqente rivaliteti për pushtet i kujtdo fuqie tjetër. Në esenë “Ateizmi përballë Komunizmit” Jon Nelson vë në dukje se “Stalini nuk donte ta ndante pushtetin e vet me asnjë tjetër. Ai e sulmoi Kishën vetëm kur e pa se ajo ishte rivali i vetëm me peshë i supremacisë së tij. Por sulmet nuk kishin të bënin fare me mospajtimet ideologjike. Ishte thjesht çështje e zhdukjes së një rreziku të mundshëm”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur e pa se i nevojitej mbështetja e fesë për të siguruar një bashkim më të plotë të rusëve në luftë, vetë Stalini nxiti rimëkëmbjen dhe fuqizimin e Kishës Ortodokse Ruse.

    Ateizmi nuk është ideologji. Ai është mungesë besimi në ideologji. Mungesa e besimit në ideologji s’ka se si dhe s’mund të bëhet bazë ideologjie, aq më pak për një ideologji totalitare si komunizmi. Përkundrazi, fe të ndryshme, sidomos format fondamentaliste të tyre, janë bërë jo rrallë baza për ideologji totalitare. Mjafton të përmendim lidhjet e Krishterimin me Fashizmin, luftërat e Kryqëzatave apo Inkuizicionin katolik, Ku-Klus-Klanin, Al Qaedën etj.

    Komunistët e panë fenë thjesht si ideologji konkurruese dhe jo si ideologji që binte ndesh me ideologjinë e tyre. Duke u munduar të arrinin mbizotërimin e besimit të tyre, ata u përpoqën të fshinin ndikimin e çdo lloj ideologjie tjetër – ideologjinë fetare, ideologjinë e pronës private, ideologjitë perëndimore, gjithçka. Në Shqipëri kjo përpjekje u çua në ekstrem me shpalljen e vendit shtet ateist. Në fakt, Shqipëria u shpall edhe Republikë Popullore Socialiste, në një kohë kur nuk ishte as republikë (sepse ishte autokraci); as Popullore (sepse ishte kundër popullit), dhe as Socialiste (sepse ishte monopolizëm i skajshëm shtetëror). Ajo paraqitej “Demokraci Popullore” në një kohë që ishte një nga format më të egra të diktaturës. Ajo u quajt vend ateist, kur popullit iu imponua besimi i verbër dhe pa kushte te një ideologji (marksizmi) dhe te një perëndi me pesë koka: Marksi-Engelsi-Lenini-Stalini-Enveri (i ati - i vëllai - i biri - shpirti i shenjtë- dhe satani).

    vijon nesër



    ----




    Ateizmin nuk e kanë shpikur shqiptarët
    Panorma 25/8/05

    Arben Kallamata

    Ky shkrim nuk pretendon aspak që t’i paraqesë shqiptarët si popull ateist apo të pa fe. Një përpjekje e tillë do të ishte në kundërshtim të plotë me bindjen time se karakterizimi dhe etiketimi i popujve apo i individëve në bazë të (mos)përkatësive fetare është i papranueshëm në një shoqëri të përparuar. Njerëzit janë njerëz, ndërsa bindjet e tyre fetare janë thjesht çështje vetjake.

    Megjithatë, unë do të përpiqem të mbroj idenë se shqiptarët janë një popull që ka dëshmuar historikisht lidhje të dobëta me fenë. Për lidhjet e dobëta të shqiptarëve me fenë përmenden shumë argumente faktikë dhe episodikë, të dokumentuara dhe të padokumentuara. Që në lashtësi ilirët kanë qenë ndoshta po aq pranë besimeve perse, Zoroastrianizmit sa edhe perëndive greke të Olimpit. Më vonë thuhet se ata ishin ndër të parët që e lanë këtë besim dhe iu kthyen krishtërimit.

    Ja si e përshkruan Peshkopi Fan Noli “përkushtimin” e Gjon Kastriotit, atit të heroit tonë kombëtar ndaj fesë: “Për sa i përket fesë Gjon Kastrioti ishte shqiptar tipik. Nuk ishte pasues fanatik i asnjë feje dhe i ndërronte besimet sipas drejtimit që i jepte lëvizjeve të veta politike. Si aleat i Venecias në 1407, ai ishte Katolik; pastaj si aleat i Stefan Lazareviçit të Serbisë, nga 1419 – 1426 u kthye në ortodoks; dhe më pas u kthye në mysliman kur lidhi aleancë me Muratin e II, nga 1430 – 1438; e përsëri në katolik në 1438 kur e gjeti veten aleat dhe qytetar nderi i Venecias dhe i Raguzës. Në fund vdiq i krishterë i mirë në 1443.” (Peshkopi Fan Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.)

    Të ndarë në dy degët mbizotëruese të krishtërimit mesjetar, shqiptarët i hapën rrugën pa ndonjë keqardhje të madhe myslimanizmit. Duke shëtitur cep më cep Shqipërinë e fundit të shekullit 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, Edith Durham vëren se “Shqiptari është i paditur e i pamësuar, por nuk është budalla…Myslimanizmin dhe krishterimin ai i përcakton në një mënyrë të veçantë dhe shqiptare. Në zemrën e tij ai është i ndikuar kryesisht nga besimet e paragjykimet tradicionale, të cilat janë shumë më të vjetra se sa të dy feve të reja.” (Edith Durham, Brenga e Ballkanit - Në vendin e Shqiponjës, faqe 543)

    Ndikimi dytësor i fesë në qenien e shqiptarëve u ka rënë në sy të gjithë studiuesve të historisë së Ballkanit dhe të Shqipërisë. Ai është element tipik shqiptar dhe përcaktohet nga rrethana historike, gjeografike, demografike dhe ekonomike krejtësisht shqiptare. “Çelësi i unitetit të shqiptarëve ishte gjuha. Feja, gjeografia dhe klasat për ta kishin qenë faktorë ndarjeje, prandaj në periudhën e reformave të mëdha Otomane Njerëzit e Tanzimatit ngulën këmbë që shqiptarët të vazhdonin me lidhjet e tyre të ‘miletit”, thotë Misha Glenny (Ballkani, 1804-1999, f. 153.)

    Lidhja e dobët e shqiptarëve me fenë (përkatësisht me krishtërimin) u shfaq më hapur në periudhën e përqafimit të myslimanizmit. Ky hap ende i pashpjeguar plotësisht u krye me vullnet të plotë dhe pa kurrfarë detyrimi. “…Nuk ka asnjë arsye për të menduar se ishte frika e persekutimit ajo që i detyroi shqiptarët të ndërronin besimin në myslimanizëm dhe të përqafonin besim të dyfishtë. Përkundrazi, ata u shtynë nga dëshira për të shmangur taksat për kokë dhe për të përfituar nga ndërrimi i fesë, kryesisht duke marrë ndonjë post në hierarkinë ushtarake të shtetit Otoman ... Në qoftë se taksat e vëna për të krishterët në komunitetet shqiptare në shekullin e 16-të shkonin deri në 45 akçi, në mes të shekullit të 17-të ato ishin ngritur deri në 780 akçi në vit. Për t’i shpëtuar fiset e tyre nga uria dhe rrënimi, pleqëria e komuniteteve shqiptare e këshilloi popullin e fshatrave që të përqafonte Islamin”. Antonina Zhelyazkova, Identitete Shqiptare.
    Sikur hapi i përqafimit të fesë Islame të ishte mbështetur në motive shpirtërore, atëherë do të kishte vend për të menduar se ky popull la një fe për t’u kapur pas një tjetre që iu duk më tërheqëse. Por ajo që ndodhi në Shqipëri në shekujt 17 – 19 dhe në vazhdim ishte e rrallë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve, për arsye utilitare parapëlqyen të ruajnë dy fe.

    Ja si i është shpjeguar ky dyzim nga Edith Durham në fillim të shekullit të 20-të: “Pjesëtari i një fisi në Shqipërinë e Veriut në radhë të parë është shqiptar. Ai kurrë s’i ka përvetësuar mësimet e kristianizmit, as ato të islamizmit (flas vetëm për masat). Krishti dhe Muhameti janë dy “gomarë magjikë“ mbinjerëzorë, çdonjëri nga të cilët, po ta zbutësh, mund të bëjë çudira. (Brenga e Ballkanit, faqe 203.)
    Edith Durham nuk mungon të verë në dukje se përpara kthimit të tyre në Islamizëm, ose përpara aventurës interesante të pranimit njëkohësisht të dy feve, shqiptarët janë ndjerë të braktisur, madje edhe të shfrytëzuar nga emisarët e feve të krishtera. Pra shkaqet e ftohtësisë së shqiptarëve ndaj fesë nuk duhen parë vetëm te karakteri i tyre, por edhe te sjellja e përfaqësuesve të feve kundrejt tyre. “Nuk ka pasur fare shkolla për priftërinjtë e vendit. Priftërinjtë e huaj shpesh nuk dinin as gjuhën dhe as zakonet e vendit. Peshkopët, shumica të huaj, përpiqeshin kush e kush të fuqizohej më shumë për vete.” (po aty, f. 105.)

    Për shqiptarët feja ishte fe dhe asgjë më tepër. Ndonëse ajo ndikonte në marrëdhëniet me shtetin, ajo nuk mund përcaktonte marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha, ajo nuk përcaktonte identitetin e njerëzve. Pra ajo ishte ashtu siç edhe duhet të ishte – një element vetjak besimi apo mungese besimi. Prandaj edhe vargu i Vaso Pashës “Feja e shqyptarit është shqyptaria”, ngjiti aq mirë te shqiptarët dhe u kthye në moto përfaqësuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky varg nuk ishte thirrje patetike për të arritur diçka të paqenë, siç përpiqen ta paraqesin sot disa pena që i janë vënë me zell dëmtimit të çdo simboli të Rilindjes Kombëtare; nuk ishte kushtrim lufte apo bori sulmi. Ishte thjesht ritheksimi i një të vërtete të vyer, të cilën ia vlente ta mbaje si udhërrëfyese për të mbijetuar si komb. Vetëm si i tillë, ai gjeti mbështetje të gjerë dhe u pranua nga breza të tërë shqiptarësh.

    Ata që luftuan për Rilindjen Kombëtare e pranuan Vaso Pashën. Ata që pasuan më vonë e ngritën edhe më lart. Megjithëse zyrtarisht mysliman, duke e parë se një mbret i krishterë do të ishte më i qëndrueshëm në një vend me prirje evropiane, Ahmet Zogu ngulmoi të martohej me një katolike. Përpara kësaj martese, nën shembullin e Ataturkut, ai kishte ndaluar me ligj mbulimin e grave me ferexhe, një hap që Franca po e gjen shumë të vështirë ta realizojë 70 vjet më vonë. Këto veprime nuk ia ulën aspak popullaritetin Zogut midis shqiptarëve. Edhe kundërshtarët e tij politikë të atëhershëm e të sotëm e sulmojnë për gjithçka tjetër, por jo për qëndrimin ndaj feve. Në këtë pikë ai gjeti mirëkuptim dhe miratim te bashkëkombësit.

    Ky ishte pikërisht terreni që gjetën dhe shfrytëzuan komunistët e Enver Hoxhës për ta shpallur ateist shtetin e tyre komunist. Goditja që ata i dhanë fesë frymëzohej nga mësimet e Stalinit, të cilat çoheshin në ekstrem duke marrë parasysh vendin ku po zbatoheshin, kushtet e një populli që nuk mund t’i përqasej verbërisë fetare dhe adhurimit të rusëve për Kishën e tyre. Goditja ishte pjesë e luftës për pushtet absolut dhe llogariste mirë lidhjet e dobëta të shqiptarëve me fenë. Ajo nuk u krye thjesht ngaqë Enver Hoxha ishte ateist. (Njerëz që e kanë njohur nga afër tregojnë se djalli i Hoxhave falej përpara se të hante bukë. Nuk është aspak çudi që thellë-thellë ai të besonte, ose të paktën të ishte supersticioz.) Goditja u bë sepse ai, Hoxha, nuk donte ta ndante me kërkënd pushtetin, njëlloj si mësuesi dhe ati i tij shpirtëror, Stalini. Në fund të fundit, ideologjia është vegël për të ushtruar pushtetin politik.

    Të mos harrojmë se edhe krerët e feve në Shqipërinë e pasluftës së dytë botërore ishin në pozicion jo fort të favorshëm në lëmin e marrëdhënieve publike. Më pak se gjysmë shekulli nga shpallja e Pavarësisë kushdo, por sidomos komunistët që ishin mjeshtër të propagandës, nuk e kishin fare të vështirë ta përqasnin myslimanizmin me pushtuesin turk, që e kishte mbajtur vendin për 500 vjet në errësirë. Po ashtu komunistët nuk hasën vështirësi për të bërë një lidhje midis Italisë fashiste, shkaktaren e një pushtimi të turpshëm dhe një lufte ende të freskët, me krerët e kishës katolike. Nuk kishin qenë të pakët priftërinjtë që kishin mbështetur pushtuesin. Ndërsa fqinji ortodoks jugor, Greqia, kishte kohë që vinte peshkopë e priftërinj në ballë të taborreve shoviniste që jo vetëm ulërinin për copëtimin e Shqipërisë dhe Vorio Epirin, por edhe i shoqëronin pëllitjet e tyre me veprime të drejtpërdrejta agresioni.

    Nga pikëpamja propagandistike, në vitet ’60 komunistët e kishin shumë të volitshme ta godisnin gogolin Fe. Nga ana shpirtërore, shqiptarët s’e kishin pasur shumë për merak atë. Nga vështrimi ekonomik, kjo ishte koha kur komunistët po përqendronin gjithë pasuritë e vendit në duart e tyre dhe atij fshatarit që po i shtetëzohej apo kooperativizohej toka dhe bagëtia, as i bëhej vonë se bashkë me to shkonte edhe pasuria e kishës dhe e xhamisë. Ndonëse nuk mund të thuhet se ndalimi me ligj i fesë në Shqipëri u bë me miratimin e plotë të popullsisë, ai u prit pa ndonjë ndjenjë të theksuar keqardhjeje apo dëshpërimi dhe, praktikisht, me përjashtim të disa enklavave (Shkodrës, Malësisë së Madhe e deri diku, Korçës) zuri rrënjë shpejt.

    Ndalimi i fesë u pasua me njësimin dhe zëvendësimin e vlerave shpirtërore. Vendin e Zotit e zunë krijuesit e Marksizëm-Leninizmit, Perëndia me katër koka e “klasikëve” fotografitë e të cilëve i gjeje kudo që hidhje sytë. Ata u bënë po aq të paprekshëm dhe të padiskutueshëm sa çdo krijesë hyjnore. Vendin e Mesias, Krishtit apo Muhametit e zuri Enver Hoxha. Njerëzit nuk betoheshin më “Për Perëndi!” por “Për ideal të Partisë”. Kishat u shembën dhe u zëvendësuan me vatra kulture. Vendin e priftit e zuri Sekretari i Partisë. Vendin e meshave e zunë format e edukimit. Vendin e Ferrit e zuri Spaçi. Vendin e Parajsës e zuri përralla e bukur e “komunizmit ideal” ku të gjithë do të punonin sipas aftësive (domethënë s’punonin fare) dhe do të paguheshin sipas nevojave (sa të donin). Mungonin vetëm harpat dhe pendët krahëve. Vitrina e Parajsës në tokë, kopshti i Idenit ishte Blloku i Udhëheqësve në Tiranë. Prej tij mund të përjashtoheshe sa herë që haje ndonjë mollë të ndaluar ose sa herë i donte qejfi Mesias, Zeusit, Zotit.
    Po të mëkatoje, duhej t’i hapje zemrën partisë, sekretarit të saj. Po të mëkatoje rëndë, përfundoje në Ferr – Spaç. Mëkatet e lehta faleshin. Edhe vjedhjet ishin kalimtare. Herezitë kundër Fesë Komuniste ishin të pafalshme. Ato dënoheshin me Ferr. Mallkimi ndiqte edhe të afërmit.
    Frika nga ndëshkimi i Zotit u zëvendësua me frikën nga ndëshkimi i Partisë-Shtet, ose Perëndisë-Enver. Jo rastësisht, Enver Hoxha krahasohej me Zeusin – Kryeperëndinë.

    Komunizmi shqiptar shpalli diçka që e quajti “ateizëm”, por në të vërtetë shkatërrimi i pushtetit të feve të deriatëhershme nuk kishte të bënte fare me Ateizmin, domethënë me mosbesimin në ekzistencën e një qenieje hyjnore të gjithëpushtetshme. Ai ishte vetëm zëvendësimi i një apo disa feve me një të re, me fenë Komuniste.

    Në Shqipëri pati shumë njerëz që hoqën dorë nga besimet tradicionale – Myslimanizmi, Ortodoksia, Katolicizmi. Pati gjithashtu shumë që, për shkak se u lindën dhe u rritën në atë klimë, por edhe për shkak se u detyruan dhe u bindën, përqafuan fenë e re, Komunizmin. Por gjithmonë pati nga ata (dhe numri i tyre erdhi në rritje) që nuk besonin as te njëra dhe as te tjetra. Madje edhe shumë nga ata që kishin besuar te Komunizmi, hoqën dorë prej tij kur e kuptuan se në ç’humnerë po e çonte vendin.

    Këta njerëz që s’besonin dhe s’besojnë as te fetë tradicionale dhe as te komunizmi nuk ishin dhe nuk janë as të pamoralshëm, as të droguar, as të çmendur, as të dhënë pas pijeve. Ata janë njerëz si gjithë njerëzit e tjerë, me vlerat dhe mangësitë e tyre.

    vijon nesër
    Ndryshuar për herë të fundit nga darwin : 19-07-2006 më 18:33 Arsyeja: +

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22
    Feja dhe morali i shoqërisë

    Arben Kallamata

    Rënia e Komunizmit në Shqipëri u krijoji shumë njerëzve përshtypjen se po përballeshim me një zbrazëti vlerash. Të ashtuquajturat vlera të Komunizmit u përmbysën bashkë me sistemin. Tani nuk ishte më mëkat të vidhje sepse mungonte Partia e Punës që e dënonte vjedhjen. Por nuk ishte mëkat të vidhje edhe sepse ende nuk kishte zënë vend si duhet Feja, që gjithashtu e ndëshkonte vjedhjen. Prandaj i madh e i vogël u lëshuan të vjedhin. Apo jo? Natyrisht jo. Njerëzit e ndalonin veten që të vidhnin sepse vjedhja nuk është moralisht e pranueshme nga një shoqëri e shëndetshme. Kishte edhe nga ata që vidhnin dhe këta ishin ateistë, fetare dhe komunistë. Eshtë tepër e vështirë të provohet se vitet e para të zbrazëtisë ideologjike (periudha pas rënies së komunizmit dhe para sulmit frontal të fesë) patën rritje të kriminalitetit apo veprave anti-shoqërore pikërisht për shkak të mungesës së besimit fetar. Përkundrazi, çmenduria e 1997-ës dhe babëzia që pasoi e goditën vendin në kohën kur gjeje më tepër kisha e xhami sesa banka; kur kryeministrat kishin mundësi të rimartoheshin të dielave në kisha, pasi i kishin kaluar të shtunat në kazino.
    Pyetja është: A ka moral në qoftë se nuk ekziston Zoti? A ka moral në kushtet kur shembet komunizmi, apo çdo lloj tutele tjetër ideologjike e politike? A mund të jenë ateistët dhe njerëzit pa besim te feja të moralshëm, apo ata janë thjesht “njerëz me shumë fytyra, por pa sy” (si thotë Nexhit Yvejsi); mjeranë që kërkojnë “arratisje nga mendime tmerruese dhe dërmuese, kështu që fillojnë të kërkojnë strehim duke u dëfryer, duke u kënaqur me gjëra të kota dhe që sjellin largim nga realiteti siç janë barërat, alkooli, drogat dhe mjetet tjera shkatërruese si për individin, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi”, sipas Arlind Gusinjës dhe që për të gjitha këto mëkate meritojnë që, dashtë zoti e ua bëftë jetën e shkurtë, sipas Zef Simonit?
    Ndërsa fetarët përmbahen për të mos kryer veprime të pamoralshme nga frika e ndëshkimit hyjnor, ateistët e frenojnë veten duke u bazuar te arsyetimi. “Një i krishterë që beson se po nuk pate Zot s’ka kuptim t’i duash fëmijët, ka baza shumë më të dobëta sesa ai ateisti që beson se njeriu duhet t’i dojë fëmijët e tij jashtë dhe pavarësisht nga ekzistenca e Zotit”, thotë filozofi Mark Vuletic, te “Bazat Morale të Ateizmit dhe Kristianizmit”. Në këtë kuptim, ata që janë dyshues e mosbesues e kanë më të vështirë, sepse nuk gjejnë zgjidhje të gatshme, por e kërkojnë të vërtetën dhe moralen me anë të arsyetimit. Pra, kjo jo vetëm që s’do të thotë se ata s’kanë moral, por tregon se morali i tyre mbështetet në baza logjike. Ateizmi ia çliron mendjen njeriut nga shumë kufizime; i krijon mundësi të gërmojë dhe të gjejë arsyet se përse ndodhin gjërat dhe i jep rastin t’i mbrojë parimet e veta duke vënë në përdorim arsyen. Për shembull, kur ateisti mendon se tradhtia bashkëshortore është e gabuar si veprim, ai e arrin këtë përfundim vetëm pasi ka arsyetuar dhe është bindur se ajo dëmton marrëdhëniet midis çiftit dhe rrezikon të ardhmen e fëmijëve. Ndërsa fetari thjesht e sheh këtë gabim për shkak të fesë, sepse kështu është shkruar dhe sepse, po veprove në të kundërt, do të ndëshkohesh nga Zoti. Jo rrallëherë ata mendojnë se mund të ketë edhe mënyra për ta anashkaluar ndëshkimin, siç janë blerja e ndonjë falje mëkatesh në kishë, shtimi i numrit të faljeve apo dhënia e ndonjë dhurate. Nëse dikush bën plane për të vrarë dikë, atëherë është më mirë të gjejë arsye të forta logjike për ta frenuar veten, sepse jeta ka treguar se shumë pak vetë ndalen nga frika e ndëshkimit me Ferr. Në fund të fundit, po të ishte e mjaftueshme vetëm frika e ndëshkimit me Ferr, njerëzit dhe shtetet nuk do të kishin ngritur burgje dhe sisteme të ndërlikuara ligjore laike.
    Shumica e njerëzve kanë norma morale që pak a shumë përputhen me kërkesat që ka shoqëria ndaj tyre. Këto norma morale nuk i ka shpikur feja. Feja dhe librat e shenjtë s’kanë bërë gjë tjetër veçse janë përpjekur t’i përshtatin dhe paraqesin ato si të tyret. Kjo shpjegon edhe ngjashmëritë dhe përputhjet midis feve kryesore monoteiste dhe librave të tyre të shenjtë (kujto përbashkësitë e Judaizmit, Krishtërimit dhe Islamizmit). Zoti, Perëndia, Fuqia Hyjnore s’është gjë tjetër veçse mishërim i sistemit moral. Ky lloj Zoti – sistem moral, është tepër i brishtë. Ai mund të thërrmohet kollaj sa herë që njerëzit ndodhen nën presione të skajshme. Nuk janë të rrallë ata që e spërdredhin atë sipas interesave të tyre, duke e kthyer “Vullnetin e Zotit” në justifikim për veprimet që bëjnë. Kur cinizmit të Zef Simonit i pëlqen që Migjeni të ketë vdekur herët, ai thotë “Kështu deshte Zoti, sepse ai ishte ateist.” Do të ishte me interes të dihej se si e shpjegon me këtë logjikë Zef Simoni faktin qe ai, Zoti i tij i Mirë dhe i Gjithëpushtetshëm, la monstra si Enver Hoxha të rrojnë në mes të të mirave, ndërsa shqiptarëve dhe shërbëtorëve të Zotit u dilte shpirti për hundësh. Përse Zoti i Zef Simonit donte ta merrte herët Migjenin dhe nuk pranoi të bënte të njëjtën gjë për Enver Hoxhën? Mos vallë Migjeni ishte më i keq?
    Politikanët i drejtohen Zotit sa herë u duhet të marrin vendime ekstreme, si për shembull hyrjen në një luftë. Ata i drejtohen Zotit për të bindur veten dhe të tjerët se e kanë me vete atë (Zotin, domethënë moralin e drejtë). Thirrje të tilla për ateistët nuk kanë kurrfarë kuptimi. Ateisti e ka mendjen të lirë të gjykojë në bazë të parimeve të veta morale nëse një veprim politik, qoftë edhe një vendim për të hyrë në luftë, është i drejtë dhe i pranueshëm apo jo.
    Përgjithësisht, mirëqenia dhe shkalla e arsimit të një vendi janë në përpjesëtim të zhdrejtë me përhapjen e besimit fetar. Siç e tregon edhe një studim i Qendrës Studimore Pew në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përqindja e popullsisë që e mendon fenë si të rëndësishme luhatet nga 97% në Senegal, në 11 % në Francë dhe në Republikën Çeke.
    Me përjashtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përqindja e atyre që i japin rëndësi fesë është dukshëm më e ulët në vendet më të zhvilluara sesa në ato të pazhvilluara.
    Nga pesë shtetet e para ku feja konsiderohet si e rëndësishme, katër kanë qenë të përfshira në konflikte të armatosura me bazë feje, domethënë në konflikte ku njerëz të një feje kanë qenë të angazhuar në vrasje masive të njerëzve të një feje tjetër. Ndërsa vendet ku më pak se 60% e popullsisë e sheh fenë si të rëndësishme, kanë qëndruar përgjithësisht larg konflikteve fetare, me përjashtim të trazirave Protestanto-Katolike në Irlandën e Veriut.
    Duke komentuar këto të dhëna, zëdhënësi i ateistëve amerikanë, Ron Barrier, thekson: “Përfundimet vërtetojnë edhe një herë atë që kam përsëritur këto pesë vjetët e fundit. Duke qenë se ateistët kanë një kalibër më të lartë moral sesa morali fetar, është e logjikshme të mendohet se pjesëtarët e familjeve tona do të jenë më të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit sesa ndaj ndonjë kontrolluesi të padukshëm në qiell. Me ateizmin, burra e gra bëhen më të përgjegj-shëm për një familje të shëndoshë”.
    Nuk ka të dhëna që të provojë se njerëzit besimtarë janë më të moralshëm se ata që nuk besojnë në fe. Pretendimet se ateizmi dhe mungesa e besimit e çoroditin shoqërinë dhe krijojnë kushte për anarki janë krejtësisht të pabaza dhe hamendësore. Shqiptarët janë në gjendje të krijojnë një shoqëri të shëndoshë, me norma morale dhe me ligje duke iu përmbajtur parimeve laike, duke e ruajtur të shkëputur fenë nga shteti, ashtu siç kanë bërë fatmirësisht që në fillimet e shtetit të tyre dhe duke i dhënë liri të plotë individit që të vendosë për parapëlqimet dhe besimet e veta. Ndërsa krerët e feve bëjnë mirë të ruajnë pozicionin e tyre, të mos shpifin të paqena dhe të sajojnë përralla me gogolë për të trembur dhe gënjyer njerëzit.


    Shkalla e divorceve sipas feve

    Një pjesë mjaft interesante e studimit është krahasimi i vartësisë midis feve dhe përqindjes së divorceve në Shtetet e Bashkuara.


    Feja Përqindja e çifteve të divorcuar

    Çifutë 30%
    Të Krishterë Baptistë 27%
    Të Krishterë të tjerë 24%
    Ateistë, Mohues të Fesë 21%


    FEJA

    Anketimi i mëposhtëm i botuar në 19 dhjetor 2002 tregon se sa të rëndësishme e shohin fenë për jetën e tyre vetjake njerëzit në vende të ndryshme të botës. Sipas Qendrës Studimore Pew, anketimi nuk u lejua të zhvillohej në Kinë, Egjipt, Jordani dhe Liban.

    Vendi Përqindja e të rriturve që mendojnë se feja është e rëndësishme

    Senegali 97
    Indonezia 95
    Nigeria 92
    India 92
    Pakistani 91
    Bregu i Fildishtë 91
    Mali 90
    Filipinet 88
    Bangladeshi 88
    Afrika e Jugut 87
    Kenia 85
    Uganda 85
    Gana 84
    Tanzania 83
    Angola 80
    Guatemala 80
    Brazili 77
    Hondurasi 72
    Peruja 69
    Bolivia 66
    Turqia 65
    Venezuela 61
    SHBA 59
    Meksika 57
    Argjentina 39
    Polonia 36
    Ukraina 35
    Uzbekistani 35
    Britania e Madhe 33
    Kanadaja 30
    Sllovakia 29
    Italia 27
    Koreja a Jugut 25
    Vietnami 24
    Gjermania 21
    Rusia 14
    Bullgaria 13
    Japonia 12
    Franca 11
    Republika Çeke 11

  3. #3
    Njohuria te ben te lire Maska e SuNRiSeR
    Anëtarësuar
    29-05-2002
    Vendndodhja
    ...where everything fades...
    Postime
    368
    20 vendet me besimtare ne bote jane vende te botes se trete (perjashtim ben vetem Afrika e Jugut). Shikojeni vete se ku eshte katandisur feja, ngushellim per ata qe rrojne me ndihmat e OKB, dhe per te cilet shpresa per nje jete me te mire vdes qe ne lindje.

    Pershendetje, ss.

  4. #4
    Morali, doket dhe zakonet te cilat jane pjese e kultures se popujve te ndryshem jan inicim i besimit ne Zot
    Flasim për shqiptarët, jo për popujt e ndryshëm (të Azisë).

  5. #5
    Nuk e di se ç'lidhje pati shkrimi yt i mësipërm me atë që thashë, por fjalën e kisha në lidhje me shprehjen tënde që morali e paskësh zanafillën tek feja (në popujt e ndryshëm (ndoshta të Azisë)). Pohova se tema është për shqiptarët. Me sa di, tek shqiptarët morali nuk i ka fillesat tek feja, pasi këta vijnë përpara fesë në kohë.

  6. #6
    Qytetërimi më i lartë i kombit tonë që u arrit ndonjëherë deri më sot ishte ai i Ilirisë. Iliria ishte pagane. Për dallimin midis paganizmit dhe fesë mund të lexosh këtë temë. Të pohosh që ilirët ishin të pamoraltë do të thotë të kundërshtosh çdo fakt historik për ta.

    Atëherë, kur ilirët ishin të pafe, si ndodh që "megjithatë" kishin morale, doke e tradita? Kjo rrëzon opinionin tënd se morali erdhi nga feja!

  7. #7
    Më fal për këmbënguljen, por nuk po e kuptoj plotësisht se ku do të dalësh. Në shkrimin e parë u shprehe:

    "Morali, doket dhe zakonet te cilat jane pjese e kultures se popujve te ndryshem jan inicim i besimit ne Zot,"

    Me përdorimin e fjalës “Zot” me kapitale, me sa dallohet, nënkuptove ose Jahvehun ose Allahun, objektet e feve monoteiste semite. Përndryshe mund të jesh duke folur për Atenin a Raun e egjyptianëve apo për atë të shikve. Kam përshtypjen se po flitet për rastin e parë, kështu që e përktheva menjëherë besimin, në absurden monoteiste semite, si fe, dhe fjalia nënkupton:

    "Morali, doket dhe zakonet te cilat jane pjese e kultures se popujve te ndryshem jan inicim i fesë,"


    Mbylljen e argumentit ndërkohë e bëre me frazën:

    “pra pretendimi kah clirimi nga besimi (gje qe e shoh une si nje humbje) eshte vetem pretendim drejt skllaverimit dhe shkaterrimit,”

    ku duke vajtur sipas konteksti me pjesën e parë të fjalisë dhe besimi i këtushëm përkthehet si fe.

    Pra, në fjalët e tua, çlirimi nga feja (që ti e sheh si humbje) është vetëm pretendim drejt skllavërimit dhe shkatërrimit, sepse siç pamë dukuritë natyrore janë ende të fuqishme dhe njeriu nuk mund t’iu bëjë dot ballë atyre.

    Pyetja ime në shkrimin tënd të parë, kështu siç u zbërthye, është: Ç’lidhje ka feja me fuqinë e njeriut për t’i bërë ballë dukurive natyrore?


    Sqarimi im i mëtejshëm në lidhje me postulatin tënd të parë se “morali (doket) si pjesë e kulturës së popujve të ndryshëm rrjedhin prej fesë” ishte se ilirët, pra shqiptarët, në fazat e lulëzimit të qytetërimit të tyre (pra, kulturës së tyre origjinare) kishin “moral”, por nuk kishin “fe”, dhe ky qytetërim për më tej është më i hershëm se feja (me përcaktim: semite). Kësaj ti iu përgjigje me:

    “Une jam i mendimit te kundert nga ju kur vie ne pah dilema se kush vie pas kujt, per ate dhe vleresova ashtu.”

    Pra, sipas teje, morali vjen pas fesë dhe sqarimi im ishte se ndër ilirë kjo nuk ndodh (ka mundësi ndër semitë, por jo ndër ne), për këtë provon historia e lashtë siç ajo na është përcjellë.


    “Fundja une e shoh mese te vertete se atje ku mungon feja vie ne pah kaosi, ose eshte pretendent shum i thekur.”

    Si krejt subjektive kjo shprehje kërkon elaborim të mëtejshëm. Vikingët, ilirët, latinët, grekët, etj. nuk kishin fe, por nuk kishin as kaos, gjë që rrëzon opinionin tënd në fjalë. Mos ndoshta e lokalizuar, pra p.sh. ndër semitë nëse nuk ka fe do të ketë kaos? Në këtë rast kjo nuk na hyn shumë në punë, pasi dhe tema është për shqiptarët siç vihet re.


    “Aty ku ke shkruar ti duket qart se prap se prap e ke cekur besimin qoft ai i percaktuar tek Zoti 1 ose ne dicka tjeter.”

    Natyrisht që besimi në zotat paganë, apo besimi në fuqitë e tua, apo besimi në qytetërimin tënd, nuk ka lidhje as cilësore e as sasiore me fenë. Pavarësisht se fjala përdoret e njëjtë, besimi pagan (apo i dy rasteve të tjera) ishte thjesht adhurim i natyrës dhe hyjnizim i saj. Besimi, siç ky nënkuptohet nga feja, nuk ekzistonte në paganizëm. Rituali ishte tjetër gjë, dhe mungesa e ritualit sjell çregullim pasi i ul vlerat dhe autoritetin institucioneve shoqërore, p.sh. martesës, riprodhimit, etj.


    “Me besim nenkuptohet dhe frika dhe respekti”

    ?

    Me besim me sa di unë dhe me sa thotë gjuha shqipe, do të thotë të kesh bindje të fortë për vërtetësinë e diçkaje. Nuk e di ku hyn frika dhe respekti këtu? Mes shqiptarësh kjo ka patur të bëjë me dhënien e fjalës, be, besë, betim, besim. Institucioni i besës ndër shqiptarë meqenëse ishte me autoritet të plotë, të jepte vetiu bindjen e patundur që besa do të mbahej. Kështu dhe besimi ishte i patundur.

    Për të kuptuar se mbi çfarë betoheshin pellazgët dhe ilirët do të ishte me interes të studiohej pak për historinë tonë dhe do të shikohej se betimet e tyre silleshin rreth prindërve (ende dhe sot) dhe elementeve të tjera natyrore (gur, pemë, shkëmb, mal, lumë, tokë, diell, etj.). Këto kanë patur një fuqi të atillë duke qenë të qytetërimit tonë origjinar, saqë nuk është bërë e mundur të zhduken pas 1,5 mijë vjet uzurpimi fetar. (Për kokë të nënës/babës/plakut/plakës/motrës/vëllait, qafsha nënën/plakun/plakën, pasha nj’at gur, pasha nj’at lum, për sytë e mi/tjetri, etj. etj.)


    Më tej shprehja jote e mëposhtme:

    "kur nje grup njerezish ose nje shoqeri pa cytje sistematike krijojn rregulla dhe ligje te pa shkruara te cilat respektohen sepse pason denimi moral, largimi nga shoqeria."

    Bie disi në kundërshtim me:

    "Une nuk mund te kuptoj ty se si ka ardhur morali nga mosbesimi."

    Ku, me “mosbesim” e kam fjalën për "mosbesim në fetë semite", ashtu siç dhe ti e ke nisur bisedën që në fjalinë e parë.

    Në fragmentin e parafundit më sipër ti sapo ke treguar se pikërisht morali në shoqëri është krijuar si rregullator i jetës “shoqërore” dhe për ruajtjen e normalitetit të kësaj jete shoqërore, grupi i caktuar në bazë të përvojës dhe njohurisë krijonte norma, pra morale, të cilat kur thyheshin dobësonin grupin e caktuar ndaj dhe shiheshin si të dëmshme, pra, të këqia! Kjo është dhe lindja e moralit. Kush kryente të keqen, pra, kush dobësonte grupin shoqëror, pjesë e të cilit ishte vetë, do të merrte dënim (me maksimal përjashtimin nga grupi, që do të thoshte të humbje privilegjet që të sillte pjesëmarrja në grup).


    Pyetja ime për ty duke spikatur tendencën e sjelljes së bisedës rreth fesë semite, do të ishte: Ku hyn feja këtu?

    Përndryshe nëse nuk ishe duke e sjellë bisedën rreth fesë (judeoislamizmit apo judeokrishterimit), atëherë si të thuash, ti je dakord me paganizmin ilir i cili duke qenë i provuar në histori dhe krijim i yni rrënjor, ka dhe të drejtën morale dhe vetë epërsinë mbi çdo alternativë tjetër. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë me çdo kusht je i lutur të bëhesh më i qartë me atë që po sjell në temë, pasi nga shkrimi i parë tek i fundit është zbritur nga “besimi në Zot” (feja) tek “çfarëdolloj besimi”.

    Përshëndetje.

  8. #8
    "Besim" tek evolucioni? Po tek rëndesa "beson"? Ilirët kanë "besuar se Dielli do t'iu bjerë mbi kokë"? Ku thuhet kjo?

    Po më jep përshtypjen sikur thua se ilirët kanë qenë kafshë dhe njeriu i parë ishte çifut. Dhe ti je shqiptar i Maqedonisë a Kosovës i fyer nga ky artikull apo anëtar i "kombit mysliman"? Dua ta saktësoj sepse më duket se flet me dorashka. Pse, vallë, nuk po flet hapur dhe çiltër në lidhje me artikullin a me moralin a kudo prej nga e nise për të komentuar mbi temën?

  9. #9

    Post Statistikat mbi ateizmin

    International Religious Freedom Report - 2005
    "No data are available on active participation in formal religious services, but estimates indicate that 30 to 40 percent of the population [in Albania] practices a religion."

    http://www.state.gov/g/drl/rls/irf/2005/51536.htm



    Gjë që na lë me 60-70% jofetarë!




    ---

    Nonreligious Albania - 74.00% - - 1992
    Goring, Rosemary (ed). Larousse Dictionary of Beliefs & Religions (Larousse: 1994); pg. 581-584.
    Table: "Population Distribution of Major Beliefs "; "Figures have been compiled from the most accurate recent available information and are in most cases correct to the nearest 1% "

    Nonreligious Albania - 50.00% - - 1993
    Zuckerman, Phil. "Atheism: Contemporary Rates and Patterns ", chapter in The Cambridge Companion to Atheism, ed. by Michael Martin, Cambridge University Press: Cambridge, UK (2005)
    "According to O'Brien and Palmer (1993), over 50% of Albanians claim 'no religious alliance.' "
    [Source: O'Brien, Joanne and Martin Palmer. 1993. The State of Religion Atlas. New York, NY: Simon and Schuster]

    Nonreligious Albania - 42.00% - - 1998
    *LINK* Nazarene web site: Nazarene World Mission Society; (major source: Johnstone's Operation World) Table "Religions "; total population: 3,521,000

    http://www.adherents.com/Na/Na_472.html


    (Duke përjashtuar të dhënat e "Kishës së Nazarenit" (?) vërtetësia e të cilave fluturon bashkë me misionin dhe karakterin e kësaj) shihet se jofetaria në Shqipëri, në bazë të vrojtimit të huaj, shkon nga 50% deri në 74% me pikasjen e fundit të 2005-ës tek 60% të popullsisë!



    ---

    Atheism Albania - 0.00% - - 1997
    Wright, David K. Albania ( "Enchantment of the World Second Series "). New York: Children's Press (1997); pg. 102.
    "...because of the shared struggle for independence, the Albanian people have developed religious tolerance. You can admit to being anything but an atheist in today's Albania, says an expert on the country. People who claim to be atheists are thought to be Communists and therefore supporters of the disgraced Hoxha and Alia regimes."

    http://www.adherents.com/Na/Na_42.html#314

    Në të njëjtën faqe si më lart ishte dhe ky burim. Ky është libër për fëmijë nga 9-12 vjeç, nuk e di a ka ndonjë vlerë statistikore thjesht pikëpamja e autorit. Megjithatë mund të thuhet se ky konstatim personal nuk është dhe tërësisht i pasaktë duke menduar përpjekjet e katolikëve dhe myslimanëve, menjëherë pas rënies së komunizmit, që ta njësonin ateizmin me komunizmin duke u përpjekur ta diskreditonin si pozicion jetik dhe ideologjik të kombit duke përfituar nga "ndjenja" e masës kundër komunizmit të saporënë. Truket e vjetra propagandistike.




    ---


    Atheism and Agnostic Albania 283,600 8.00% - - 2005
    Zuckerman, Phil. "Atheism: Contemporary Rates and Patterns ", chapter in The Cambridge Companion to Atheism, ed. by Michael Martin, Cambridge University Press: Cambridge, UK (2005)
    Table: top fifty countries containing the largest percentage of people who identify as atheist, agnostic, or non-believer in God: Albania. Rank: 45; Total country pop. (2004): 3,545,000; % Atheist/Agnostic/Nonbeliever in God: 8%; Number (minimum-maximum): 283,600




    Duke bredhur tek kjo faqja gjeta dhe këto të dhëna sipas vitit 2005:


    2005 - Zuckerman, Phil. "Atheism: Contemporary Rates and Patterns ", chapter in The Cambridge Companion to Atheism, ed. by Michael Martin, Cambridge University Press: Cambridge, UK (2005)

    Pasqyra: 50 vendet kryesore me përqindjen më të lartë të individëve që e identifikojnë veten e tyre si ateistë, agnosticistë apo mosbesues në "zot":

    1.Suedia 85%
    2.Vietnami 81%
    3.Danimarka 80%
    4.Norvegjia 72%
    5.Japonia 65%
    6.Çekia 61%
    7.Finlanda 60%
    8.Franca 54%
    9.Korea e Jugut 52%
    10.Estonia 49%
    11.Gjermania 49%
    12.Rusia 48%
    13.Hungaria
    14.Hollanda 44%
    15.Anglia (MB) 44%

    ...
    Belgjika, Bullgaria, Sllovenia, Izraeli, Kanadaja, Letonia, Sllovakia, Zvicra, Austria, Australia, Taivani, Spanja, Islanda, Zelanda e Re, Ukraina, Bjellorusia
    ...
    32.Greqia 16%
    ...
    Korea e Veriut, Italia, Armenia, Kina, Lituania, Singapori, Uruguaji, Kazakistani, Estonia, Mongolia, Portugalia, SHBA,
    ...
    45.Shqipëria 8%
    ...
    Argjentina, Kirgizstani, Republika Dominikane, Kuba, Kroacia


    Shkrimi më i plotë: http://www.pitzer.edu/academics/facu...n/atheism.html


    Ky dallim statistikor midis jofetarisë dhe ateizmit normalisht pohon se populli ynë i ndritur me sa duket nuk e di ç'do të thotë vetë termi "ateizëm", nga një nivel edukimi e poshtë, edhe sikur robi të jetë në fakt ateist!

    Se që të ketë Greqia më shumë ateistë se Shqipëria, është të paktën komike dhe ky do të ishte shpjegimi i vetëm i mundshëm (sidomos kur shikon shifrat e jofetarisë deri në 74% !), gjë që po s'u qartësua siç duhet dhe në censusin e tanishëm, zor se do nxjerrë statistika të sakta...



    Përkthim ilustrues nga faqja:

    "Nga të 50 vendet [e para për nga përqindja e ateistëve], së bashku me ato të vendeve të tjera të lartpërmendura [Meksika, Polanda, Moldavia, Rumania, Gjeorgjia, Uzbekistani, India, Irlanda, Kili], numri gjithsej i ateistëve, agnosticistëve dhe mosbesuesve në "zot" del diku midis 504,962,830 dhe 749,247,571. Ky minimum/maksimum numerik është madje në përllogaritje konservative; sepse po të futeshin këtu dhe 0,25% e mosbesuesve të vendeve të mbipopulluara si Egjypti, Brazili, Indonezia, Nigeria, Burma, Tanzania dhe Irani, llogaritjet do të ishin tepër më të larta. Gjithashtu këto numra flasin vetëm për mosbesuesit në "zot". Sikur të përfshiheshin në to krejt njerëzit "jofetarë", numrat thuajse do të dyfishoheshin.

    "Kombet me shkallët më të larta të ateizmit organik (ateizëm i padetyruar nga shteti nëpërmjet regjimesh totalitare, por që buron natyrshëm në shoqëri të lira) përfshijnë shumicën e kombeve të Evropës, si dhe Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re... Gjithashtu dallohet shkallë e lartë ateizmi në Japoni, Vietnam dhe Taivan. Shumë kombe ish-sovjetike si Estonia, Ukraina, Kazakistani dhe Bjellorusia shfaqin gjithashtu nivel të lartë ateizmi. Megjithatë, ateizmi është virtualisht mosekzistent në shumë pjesë të botës, veçanërisht mes kombeve më të mëdha të Afrikës, Amerikës së Jugut dhe Lindjes së Mesme, si dhe shumë prej Azisë...

    Në shumë shoqëri, gjegjësisht në ato të Evropës, ateizmi është në rritje e sipër. Ndërsa në një pjesë jo të vogël të pjesës tjetër të botës - veçanërisht midis kombeve të varfra me numrin më të madh të lindjeve, ateizmi mezi dallohet."
    Ndryshuar për herë të fundit nga Legjion : 04-06-2006 më 09:20

  10. #10
    Perjashtuar Maska e Lunesta
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Dove la..Vittoria.....
    Postime
    1,660
    Statistikat ketu lart tregojne se te gjitha kombet e zhvilluara e kane te ulet ndikimin e fese, ndersa te gjitha shtetet ku feja ka rol primar hane per darke buk e gjiz.

Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Partite Dhe Sektet
    Nga abdurrahman_tir në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 96
    Postimi i Fundit: 17-02-2009, 13:25
  2. Kush ishin ballistët?
    Nga Tepelenas_nr_1 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 132
    Postimi i Fundit: 09-12-2006, 10:52
  3. Historia ndryshe
    Nga karaburuni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 01-07-2005, 09:53
  4. Refimet e adjutantit te Mbretit Zog
    Nga Albo në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 03:11
  5. Brezi i te pambaruarve apo qeverite e te rinjve
    Nga Redi në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 07-05-2002, 15:35

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •