-
Libri “Hierapostullim në gjurmët e Krishtit” : Lartësimi i natyrës njerëzore
LARTËSIMI I NATYRËS NJERËZORE
Prof. Dr. Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësitdhe Gjithë Shqipërisë
Fragment nga libri “Hierapostullim në gjurmët e Krishtit”
A
Kulmi i lavdisësë natyrës njerëzore
Me zhvillimin e shkencave dhe të teknologjisë në shekullin e 20-të, shumë folën për fuqitë mahnitësetë njeriut. Madje, u dëgjuan edhe shprehje fjalëmëdha dhe deklarata si: “Perëndia vdiq. Perëndi jemi ne vetë”. Zëra që vijnë si jehonë direkte e pohimit të djallit në Eden: “dhe do të jeni perëndi, duke njohur të mirën dhe të ligën” (Gjen.3:5). Por djalli nuk mund të krijojë diçka me të vërtetë të re. As nuk është në gjendje që të krijojë. Me mendimin e tij të vjetër e shtrembëroi të vërtetën dhe e shndërroi në gënjeshtër. Kështu, në Eden përdori si pikënisje një të vërtetë bazike, të cilëne formuloi në mënyrë të tillë që të shtynte njerëzimin në drejtimin e gabuar: në rrugën e vetëlartësimit dhe të vetërealizimit.
Dëshira e njeriut për të lartësuar veten e tij deri në fronin e Perëndisë nuk është absolutisht e gabuar. Kryesisht është shtrembërimi i një prirjeje që ka origjinë hyjnore. Sepse Perëndia e krijoi njeriun “sipas ikonës’ së Tij, që të jetë bashkë me Atë.
Njerëzimi gjeti përfundimisht drejtimin e duhur për tek froni i Perëndisë nëpërmjet Jisu Krishtit, “Adamit të dytë”. Kjo është tema kryesore e mesazhit të krishterë, që kulmon në të kremten e Analipsit, Ngritjes në Qiell. Destinacioni final i njeriut është pikërisht hyjnizimi. Por kjo është e mundur vetëm në Krishtin, i cili “e boshatisi veten duke marrë formë shërbëtori”(Fil.2:7).
Ky mesazh themeltar theologjik na transmetohet nga e kremtja e Ngritjes së Zotit në Qiell. Sipas ndërgjegjes kristologjike dhe asaj adhuruese të Kishës së vjetër, të bashkuar, në Ngritjen në Qiell shikojmë plotësimin, “fundin” e të gjitha fazave të tjera vendimtare të jetës së Perëndinjeriut. Zbritja e Fjalës së Perëndisë nga qielli në tokë nisi me Ungjillëzimin. Ngritja e vetë Fjalës së Perëndisë nga toka në qiell plotësohet me Ngritjen e Zotit në Qiell. Ungjillëzimi ishte parathënia e Mishërimit, kurse Ngritja në qiell pasoja e tij. Në rastin e parë, Ai, i zhveshur prej trupit, zbriti nga qielli në tokë, ndërsa tani ngrihet nga toka në qiell duke lartësuar me veten e Tij natyrën njerëzore. Dyzetë ditë paslindjes së Tij u çua në tempull dhe si i “parëlindur” iu përkushtua Perëndisë sipas Ligjit. Dyzetë ditë pas Ngjalljes së Tij, të rilindjes së gjinisë njerëzore, u ngjit në tempullin e përmbiqiellshëm si “i parëlinduri ndër të vdekurit”, për t’i paraqitur Perëndisë dhe Atit “të shenjtë dhe të pastër”, natyrën njerëzore në Atë.
“Fjala i parajetshëm dhe i pafillim, i cili ngriti natyrën njerëzore duke e perëndizuar mistikisht, sot u ngrit në qiell. Engjëjt duke rendur përpara i tregojnë apostujve Zotin që po ecën në qiejt me lavdi të shumtë, duke iu falur atij thoshin: Lavdi Perëndisë që u ngrit në qiell” (Kathizmë e Mëngjesore së të kremtes).
Çelës bazik për kuptimin theologjik të mesazhit të së kremtes së Ngritjes së Zotit në qiell ngelet koncepti biblik i Krishtit “si Adamii dytë” dhe “i parëlinduri” i mbarëkrijesës. E tërë ekonomia hyjnore në Krishtin nuk sjell thjesht pajtimin midis Perëndisë dhe njeriut, por i rilidh ato që mëkati i Adamit të parë i kishte ndarë: njerëzoret dhe qielloret. I rijep natyrës njerëzore “lavdi” hyjnore. Sikundër rënia e Adamit i çeli njeriut rrugën drejt Hadhit, kështu edhe lartësimii “Adamit të dytë”, i Jisu Krishtit, çeli derën për hyrjen tonë në qiell, ku mbizotëron absolutisht prania dhe vullneti i Perëndisë.
Me Lindjen e Tij Krishti u bë “i parëlindur në shumë vëllezër”(Rom.8:29). Prania dhe vepra e Tij janë mbarëbotërore. Është “i parëlinduri i mbarë krijesës”(Kol.1:15), “fillimi, i parëlinduri prej të vdekurve, që të bëhet ai i pari në të gjithë” (Kol.1:20).
Qëllimi qendror i misionit shpëtimtar të Zotit nuk ishte të shtonte disa parime morale ose të qartësonte disa pikëpamje të Dhiatës së Vjetër, por të ripërtërinte në mënyrë ontologjike “të gjitha”; të lartësonte atë që kishte rënë, të bënte të paprishur, të lavdëronte atë që ishte e denjë për t’u dënuar, të hyjnizojë njerëzoren. Pikërisht kjo ngelet zemra e mesazhit ungjillor, se Jisu Krishti u mishërua, “jetoi ndër ne”, predikoi Mbretërinë e Perëndisë në fjalë dhe në fuqi, pësoi për ne, u ngjall, u ngrit në qiell, duke i çelur njerëzimit Mbretërinë e Perëndisë. E transformoi natyrën njerëzore të cilën e mori, natyrën tonë, dhe si përfundim e lartësoi me trupin e lavdëruar të personit të Tij perëndinjerëzor në qiell, atje ku Perëndia është absolutisht i pranishëm, përmbi dhe përtej mundësisë së kuptimit tonë e megjithatë aq pranë nesh.
Gjuha e vjetër klasike, e lidhur me një koncept statik të vendit dhe të kohës - “lart”, “poshtë” - kërcënon të na izolojë në dilema të rreme dhe të rrezikshme në lidhje me praninë e Krishtit në qiell e njëkohësisht “me ne”. Megjithatë, hapjet e reja të shkencave të natyrës na nxjerrin në pah se koncepti i vendit nuk është statik, se gjithësia gjendet në lëvizje, se vendi ndodhet në një zhvillim të pandërprerë. Hapësira dhe koha varen ndërsjelltasi njëra nga tjetra.
Marrja e natyrës njerëzore dhe lartësimi i saj janë kryer në mënyrë ontologjike nga “vëllai i parëlindur”, Perëndinjeriu Zoti ynë. Kjo ngjarje përbën pikën kulmore të lavdisë njerëzore. Por për ne ngelet një mundësi e madhe, ende e pavënë në shfrytëzim. Çdo njeri,si person i lirë, ftohet në mënyrë të lirë ta pranojë, ta aktivizojë me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, i cili sjell Mbretërinë e Perëndisë përbrenda nesh dhe na udhëheq “në gjiret e Atit”.
B
Vlera e jashtëzakonshme e botës materiale dhe e njeriut
Ndërsa në pamje të parë shfaqen si teorike, këto të vërteta, kanë si të gjitha dogmat e Kishës referime të drejtpërdrejta në probleme praktike dhe konkrete të jetës sonë, ashtu si ekuacionet matematikore ofrojnë zgjidhje për shumë probleme praktike të fizikës.
1. Të parit e rëndësisë së lartësimit të trupit njerëzor me Ngritjen e Krishtit, thekson pikërisht vlerën e jashtëzakonshme të botës materiale dhe të njeriut si një entitet psikosomatik. Krishti shenjtëron trupin njerëzor, e transformon, e ngjall, dhe e lartëson në qiejt: trupi i Perëndinjeriut, i cili, para Ngjalljes së Tij, punoi, eci, shërbeu, u mundua, u kryqëzua dhe mban “shenjët e gozhdave”. Zbulesa e krishterë nuk flet për çlirimin e frymës dhe të shpirtit nga prangat e trupit, siç bëjnë filozofi dhe sisteme të tjera fetare. Është e kundërt ndaj çdo lloj idealizmi abstragues dhe ndaj çdo humanizmi ateist. Predikon ngjalljen dhe lartësimin e mbarë natyrës njerëzore. Pasi u çua tek Ati, natyra e rilindur njerëzore arriti në majën e zhvillimit të saj. Njeriu dhe bota fitojnë një dinjitet dhe rëndësi të papërshkrueshme dot me fjalë.
Ata që përkujdesen me respekt për njerëzoret, për sigurimin e shëndetit, të lirisë, të drejtësisë, të dinjitetit të të gjithë personave njerëzore, gjenden të sintonizuar në një frekuencë me qëllimin e madh të lartësimit të qenies njerëzore, që u realizua nga Krishti ingjallur dhe i ngritur në qiell. Që dikush të jetë me të vërtetë njeri, duhet të jetë “i perënditrajtshëm”. Jisui ngelet gjithmonë masa e plotësisë. Duke qenë se shpeshherë jemi robër të një prirjeje theologjike post-augustiane, për të nënvlerësuar qenien njerëzore, është e nevojshme të rigjejmë respektin ndaj natyrës njerëzore dhe të kuptojmë mundësitë e mahnitshme të saj, horizontet e pakonceptueshme që u çelën për atë nga Jisui i ngritur në qiell.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt