Arrestohet “pirati” i kompjuterave, njoftoi vdekjen e Berishës para një muaji

Dashamir Biçaku

TIRANE- Arrestohet në Durrës i kërkuari për klonim kartash e ndërhyrje në rrjetet kompjuterike. Disa muaj më parë shpalli vdekjen e kryeministrit ende në detyrë, Sali Berisha, në faqen online të lajmeve të një televizioni publik në vend. Lajmi u bë i ditur dje nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, që thanë se Jurgen Masati, 19 vjeç, nga Tirana, banues në zonën e Institutit Bujqësor në Kamëz, u arrestua mbrëmjen e djeshme nga specialistët e hetimit të Zyrës së Krimeve Kibernetike të Policisë së Tiranës. Ai mësohet se është anëtar i grupimit “Albanian Hakers Grup”, një grup piratësh interneti, të lidhur edhe më një grup të ngjashëm në Kosovë.

Masati mësohet se është arrestuar nga policia në qytetin e Durrësit, me vendim arresti të Gjykatës së Tiranës, pasi ndaj tij kishte kërkuar një vendim të tillë Prokuroria e Tiranës, pas një hetimi të përbashkët mes njësisë Task- Forcë të Antikrimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pas disa denoncimeve të mbërritura në zyrat e kësaj të fundit. Denoncimet bënin fjalë për klonimin e informacionit të kartave të kreditit dhe të debitit të bankave të ndryshme në vend dhe jashtë tyre, duke iu shkaktuar atyre një dëm të konsiderueshëm ekonomik. Një veprim i tillë, sipas burimeve të policisë është kryer në mënyrë të përsëritur, duke prodhuar karta të klonuara me informacion të vjedhur.

Këtë veprim Masati mësohet se e ka kryer duke marrë informacionin nëpërmjet rrjeteve kompjuterike nga bankat dhe duke ua bashkangjitur kartave të debitit, apo të kreditit nëpërmjet shiritave manjetikë, apo nëpërmjet çipeve që vendosen në to. Ndërkaq, disa muaj më parë policia mori një denoncim edhe nga një televizion me licencë kombëtare në vend, që njoftonte se policia kishte marrë një denoncim për ndërhyrje të hakersave në rrjetin e tyre kompjuterik. Gjatë kësaj ndërhyrjeje në rrjetin e televizionit të mësipërm, 19-vjeçari Masati kishte përgatitur një lajm, i cili njoftonte asokohe vdekjen e kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha. Menjëherë pas këtij lajmërimi, shumë shpejt për pak minuta lajmi u mor seriozisht, por më pas ai u hoq nga faqja e në rrjet e televizionit përkatës. Hetimi dhe gjurmimi i këtij personi si dhe personave të tjerë të lidhur me të mësohet se ka zgjatur disa muaj, deri sa policia gjeti një të dhënë mbi të si dhe mbi personat e tjerë. Burimet thanë se ai është bashkëpunëtor edhe me disa persona, mes të cilëve edhe kosovarë, të cilët tashmë janë në hetim nga policia.

Hetuesit thanë se arrestimi u krye në një banesë në qytetin e Durrësit, që frekuentohej nga i arrestuari dhe persona të tjerë. Pas ndalimit të tij efektivat blu kanë kryer disa kontrolle banesash në Tiranë dhe Durrës, ku sipas policisë qëndronin të dyshuarit. Blutë kanë bllokuar një sërë materialesh dhe objektesh që tashmë janë sekuestruar dhe administruar prej tyre në cilësinë e provës materiale. Gjatë marrjes së tij në pyetje i arrestuari nuk ka pranuar të flasë deri më tani, por burimet thanë se kanë prova të rëndësishme që përfshijnë këtë person në krim. Policia tha se veç tij janë edhe disa persona të dyshuar për bashkëpunim me Masatin. Pak muaj më parë efektivat blu arrestuan pronarin e një agjencie udhëtimesh, i cili akuzohet për vjedhje të disa klientëve ndërsa kishte blerë me karta krediti të klonuara disa bileta avionësh në mënyrë elektronike, duke ua shitur më pas klientëve të tij. Këta të fundit pasi kishin kryer pagesat, nuk janë lejuar të hipin në avion, sepse biletat ishin anuluar për shkak se kishin problem me kompanitë e kartave të kreditit duke qenë se ato kanë rezultuar të klonuara.

MAPO