Rama-opozitës: A nuk ju janë rikthyer mallkimet që më keni bërë?
Kryesocialisti Edi Rama ka folur dje për herë të parë në karrierën e tij politike në parlament, duke prezantuar në cilësinë e kryeministrit të dekretuar, programin e qeverisë së tij për periudhën 2013-2017. Duke e konsideruar këtë fjalim si më të rëndësishmin e karrierës së tij politike, kryeministri i ri në afro 70 minuta ka prezantuar në vija të përgjithshme programin qeverisës, ndërsa nuk ka lënë pa prekur dhe çështje të luftës politike, duke i premtuar opozitës se nuk do t’i mungojë asgjë që i mungoi opozitës së majtë në 8 vitet e shkuara. Por prekja e çështjeve të tilla, si mungesa e demokracisë, keqqeverisja, arroganca ndaj kundërshtarit politik, ka provokuar edhe largimin e opozitës nga salla.
Për opozitën
Duke shfrytëzuar rastin se kjo ditë përkonte me përvjetorin e rrëzimit të Kullave Binjake në SHBA, ka siguruar së pari partnerët amerikanë se shteti shqiptar do jetë gjithmonë një aleat i tyre në çdo sfidë që ata do të kenë në mbrojtje të parimeve themelore të demokracisë. Më tej, duke u kthyer te situata në vend, kryeministri i ri ka theksuar se edhe pas gati një çerekshekulli nga ndryshimet demokratike, vendi vuan sot mungesën e demokracisë së ditës. “Ashtu sikundër s’ka dyshim, besoj, se ndër gjërat që nuk kanë ndryshuar qysh nga ora e atij dhjetori historik, mbetet aspirata e papërmbushur e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi për demokracinë e çdo dite”, – u shpreh Rama. Pikërisht kjo aspiratë, tha ai, bëri që edhe në mars të ’92-it shqiptarët të bënin një revolucion tjetër të madh. Dhe po kjo aspiratë e papërmbushur edhe sot pas 20 vitesh bëri, sipas Ramës, që shqiptarët të votonin në masë për ndryshimin e qeverisë. “Njësoj si në marsin e vitit 1992, Shqipëria s’u nda në dy blloqe nga një diferencë e vogël, por u bë bllok masiv për të vulosur me votë të lirë një ndryshim historikisht të domosdoshëm dhe absolutisht të pakontestueshëm për të ardhmen e saj. Këtë pasqyrë të historisë së re, nuk dua t’ua vendos përpara të humburve të 23 qershorit”, – tha kreu i qeverisë. Por duke u përpjekur të tregohet i kujdesshëm që fjalimi i tij të mos merrej si karshillëk nga ana e opozitës, ai nuk ka ngurruar t’i kujtojë në vazhdimësi asaj se shqiptarët e rrëzuan me votë për keqqeverisjen dhe arrogancën që ajo tregoi në 8 vitet e qeverisjes së saj ndaj kundërshtarit politik. “S’është as qëllimi im sot dhe as vizioni im për qeverisjen e katër viteve të ardhshme, që të marrim kohën e punëve të panumërta të qeverisë dhe kohën e shqiptarëve që na votuan për shumë punë e pak fjalë, duke i bërë karshillëk opozitës. Unë besoj se shqiptarët na votuan ndër të tjera, edhe për t’i dhënë fund atij karshillëku banal ndaj opozitës që mori jetë për vite me radhë në këtë foltore, e në këtë sallë”, – tha Rama. Ai ka garantuar opozitën se asgjë nga ato që të djathtët u mohuan të majtëve për sa kohë ishin në pushtet, nuk do t’i mungojë gjatë këtyre 4 katër viteve të ardhshme. Ai ka theksuar gjithashtu se me këtë mazhorancë të re do të marrin fund ndërhyrjet pa vend, fyerjet pa shkak e batuta pa shije ndaj deputetëve të opozitës, ashtu sikundër ka premtuar se ai vetë nuk do bënte si pasardhësi i tij duke sharë kundërshtarin. “Është këputur, përgjithnjë, shiriti i pambarimtë i fjalimeve kryeministrore pa fillim as fund dhe ka perënduar edhe koha kur kryeministri ndërhynte pas çdo deputeti të opozitës me librin e shtëpisë së tjetrit në dorë”, – shtoi Rama. E pavarësisht kësaj, ai nuk ka lënë pa i kujtuar opozitës se fati e deshi që ajo të vuajë të njëjtën situatë që ai vetë kishte përjetuar kur duhet të drejtonte një opozitë pa qenë në parlament. “Si për ironi të fatit të vet, PD po fillon jetën opozitare me një kryetar që s’e ka deputet, po kryetar bashkie të Tiranës. A nuk ngjan pak sikur tërë mallkimet dhe ofendimet që nuk ia ka kursyer deri dje opozitës pa lider në parlament apo liderit pa legjitimitet të opozitës, i janë kthyer pa kursim në një mallkim që e ka lënë sot si pa kokë? Por, sidoqoftë, kjo nuk mund të bëhet çështja jonë. Ne nuk kemi ardhur në këtë Kuvend për t’i kërkuar opozitës ku e ka kokën, po për t’i ngritur Shqipërisë kokën lart”, – tha Rama.
Për drejtësinë
Por gjithsesi, në fjalën e tij, ai ka theksuar se respekti për opozitën nuk do të thotë kurrsesi që mazhoranca dhe qeveria e re të lënë pa ndëshkuar padrejtësitë që janë bërë nga ajo në qeverisje. E këtu ai ka përmendur disa nga çështjet më të nxehta si “21 janari”, “Gërdeci”, koncesionet etj., për të cilat ka premtuar drejtësi. “Inercia e keqqeverisjes u kthye në një sprint vendimesh, privatizimesh, shpërblimesh. Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pagjykuara që janë bërë. Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës. Jo për t’u hakmarrë për të shkuarën, po për të mos i hyrë në hak së ardhmes; jo për të bërë politikë me drejtësinë, po për të bërë çmos që drejtësia të mos bëhet politikë; jo për të marrë rolin e prokurorëve e të gjykatësve, po për të krijuar kushtet që prokurorët dhe gjykatësit ta bëjnë rolin e tyre. Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij”, – theksoi Rama.
MAPO
Krijoni Kontakt