-
Korça dhe mania e kinemasë
Në fund të viteve '50 dhe në vitet '60 të shekullit të kaluar, Korça ka pasur 4 kinema: Kinema "Morava" (ish "Majestiku") kino-teatri "A.Z.Çajupi" që shfrytëzohej edhe për shfaqje teatrale, edhe për filma, kinema "Republika" dhe kinemaja verore. Për të patur një ide më të qartë, po kujtoj këtu që në vitet '70, kryeqyteti, Tirana, kishte 7 kinema. Nuk mund ta kuptosh dot shpirtin e Korçës pa pasionin për kinemanë. Ne që kaluam fëmininë në atë periudhë, kujtojmë sot që vërtet qendra e qytetit, ku bëheshin manifestime, mitingje, koncerte, ishte sheshi para "Ushtarit të Panjohur" ("Luftëtarit Kombëtar"), por zemra e qytetit ishte në atë sheshin e vogël para kinema "Moravës".

Ishin katër kinema që nuk arrinin dot të plotësonin kërkesat e qytetarëve, të rritur apo fëmijë, për filma. Aq sa shpesh herë për ne fëmijët improvizohej për sallë kinemaje, një sallë e madhe dhe e ftohtë në katin e parë të Shtëpisë së Pionierit (Zaharaj). Para shfaqjes së filmit, zakonisht e merrte fjalën drejtori i Shtëpisë së Pionierit, Nafiz Suli, një mesoburrë që ngjante me një fëmijë të rritur që ndodhej mes shokësh. Hipte mbi një karrige dhe fillonte tregonte ngjarje nga lufta. Bënte të dy rolet, p.sh. edhe të atentatorit Kajo Karafili, edhe të viktimës që dridhej nga frika. Pastaj kalonte në temën e ditës, moda, shfaqjet e huaja... Ishte tip impulsiv, e rrëmbente biseda dhe e përfundonte fjalën me ndonjë thirrje, si "ne duhet të shkojmë e t'u varim tek dera një tabelë ku të thuhet: Kjo është shtëpi kurvash!" Ne brohorisnim të befasuar që drejtori kishte përdorur fjalë të pista, kurse Nafizi zbriste nga karrigia, i lumturuar që i kishte kënaqur shokët e tij fëmijë.
Lajmësi
Po kush njoftonte i pari në qytet mbërritjen e filmit të ri? Pas reklamave të bëra në një nga sportelet e kinema "Moravës" për filmin e ardhshëm, lajmësi për mbërritjen e tij ishte Pandi, i mbiquajtur siç e ka zakon Korça, Këndeska. Pandi ishte një mesoburrë me flokë kaçurrela, zeshkan dhe me buzë të trasha si afrikan. Pandi ishte personi që dimër-verë me karrocën me dy rrota të kinemasë transportonte bobinat e filmave nga stacioni i autobusëve në kinema e anasjelltas. Ai ecte ngadalë anës bulevardit duke shtyrë karrocën, ku ishin kutitë metalike të shumëpritura.
"Ç'film ka ardhur?" -e pyesnin kalimtarët kuriozë dhe ai u thoshte titullin e filmit. Ai e ndiente se kishte një detyrë të rëndësishme, i rrethuar nga kureshtja e kalimtarëve. Por nuk i përgjigjej kujtdo. Sepse kishte dhe fëmijë që donin ta ngacmonin ndaj duhet të ishte vigjilent. Dhe nuk zgjaste shumë kur nga një krah dikush thërriste "Pandi një!" Ai ndalonte dhe kthente kokën nga ajo anë. Ende s'kish gjetur fajtorin kur nga ana tjetër një tjetër zë përgjigjej: "Pandi dy!" Edhe kjo e kishte një histori. Kur kish ardhur filmi çek "Një, dy, tre korona", kalimtarët e pyesnin se ç'film kishte ardhur, ai, duke pasur vështirësi në të folur, kishte shqiptuar me mundim "një... dy... tre..."
Nuk ishte agresiv dhe shikonte punën e tij, por i binin më qafë. Atëherë ai u armatos me një brisk rroje që e mbante në xhep dhe e nxirrte herë pas here për t'u mbrojtur nga ngacmuesit. Kishte dhe fëmijë dashamirës që i thoshin kur nuk kishte karrocën me vete: "Pandi, bëj njëherë si Otello!" Pandi s'ua prishte qejfin. Me vetëdijen se i ngjante Otellos me tiparet e tij afrikane, zgurdullonte sytë dhe i vinte duart në pozicionin e mbytjes së Desdemonës.
E kam si tani para syve trupin e tij të përkulur përpara duke shtyrë karrocën, me pallton e gjatë deri në fund të këmbëve dhe duart e skuqura e të enjtura nga të ftohtit. Në këmbë kishte këpucë të rënda ushtarake. Sa herë i binte rruga pranë ndonjë dyqani për riparim këpucësh, u lutej këpucarëve t'i shtonin copa sholle; pak nga pak tabanët e këpucëve ishin trashur e ishin rënduar sa ai mezi i hiqte zvarrë. Ky ishte lajmësi.
Kiçi i gjatë, Kiçi i shkurtër...
Ditën që do të shfaqej filmi për herë të parë, zihej radhë tek sporteli i biletave, që hapej në orën dy e gjysëm mbasdite. Radha shpesh herë shthurej, djemtë e rinj shtynin me sa mundeshin, duke hipur mbi kokat e njëri-tjetrit. Beteja për bileta bëhej më e ashpër për filmat e bujshëm. Filmat vinin nga ish blloku lindor: Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Çekia; por vinin edhe nga kontinente të tjera, nga Egjipti, Algjeria, India... Vinin nga Italia, Franca, Meksika... Kur erdhi filmi indian "Vagabondi", tronditi jetën e qytetit. Nga mëngjesi në mbrëmje vetëm për atë flitej. Muzika e tij dëgjohej vazhdimisht në radion lokale. Ishte thuajse e pamundur të gjeje bileta. Ne fëmijët s'lejoheshim ta ndiqnim, por duhet të mjaftoheshim duke dëgjuar komentet e më të rriturve. Ata s'diskutonin nëse e kishin parë një film, po sa herë e kishin parë. Madje në Korçë në atë kohë u përshtat edhe një tekst shqip për muzikën e këtij filmi. Më kujtohen vetëm katër vargje prej saj:
Raxh Kapuri me mustaqe,
Puthi Ritën mu në faqe
Hajde Raxh Kapur,
Mbaje veten se je burrë...
Kurse filmi që e ngacmoi më shumë ndjeshmërinë e njerëzve ishte filmi egjiptian "Zonja e panjohur", edhe ky mjaft i suksesshëm për skenat sentimentale. Ne që e kishim shtëpinë pranë kinemasë, rrinim tek sheshi para saj dhe shihnim njerëzit që dilnin kur mbaronte shfaqja: burra e gra dilnin të heshtur, me sy të përlotur. Sikur vinin nga një botë tjetër dhe s'orientoheshin dot në botën tonë. Edhe muzika e këtij filmi pati jehonë të gjatë, veçanërisht kënga e nënës tek shilarësi. (Radio Korça e transmetonte pothuajse përditë këngën "Ngaje makinën me ngadalë").
Ato vite Korçën e kishte pushtuar mania e kinemasë. Debatohej edhe për detaje të imta të filmave, psh. në filmin "Ursus" kush ishte ai që u ndesh me demin, Stive Rives, apo një dublant i tij? Dhe e shihnin filmin përsëri e përsëri për atë moment deri sa u zgjidh: ai që ndeshej me demin ishte trupshkurtër dhe flokëkuq, nuk ngjante me Stive Rivesin, pra ishte një dublant.
Adoleshentët filluan të koleksiononin foto të artistëve të shquar, që qarkullonin dorë më dorën në klasat e gjimnazeve. Kishte raste që biletat e filmave mbaronin brenda 10 minutash dhe pastaj shiteshin nën dorë me dyfishin e çmimit. Në atë kohë u shfaqën edhe falsifikatorët e biletave të kinemasë. Ishte e mundimshme të kombinoje trupin e një bilete të grisur me kokën e një tjetre, duke i ngjitur në mënyrë të padukshme dhe duke shkruar shkronjat që mungonin.
Besoj se kinema "Morava" u bë dhe shkolla e parë artistike e protagonistëve të kinemasë shqiptare: Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Thimi Filipi, Dhimitër Orgocka, Vangjush Furxhi, Llazi Sërbo, Minella Borova, Jani Riza, Petrika Riza, Sotiraq Bratko, Perikë Gjezi etj. për të mos përmendur edhe dhjetra artistë të tjerë në role të dyta apo episodike në filmat e ndryshëm.
Kinemaja kishte tre dyer, por në hyrje zakonisht përdorej dera kryesore dhe një nga anësoret, kurse në dalje hapeshin të treja. Nuk e di sa punonjës kishte aty, por dy më kryesorët për ne ishin portierët, Kiçi i gjatë dhe Kiçi i shkurtër. I gjati ishte vërtet i gjatë e i thatë, me fytyrë zeshkane, kurse Kiçi i shkurtër kishte zë të ngjirur që e ngrinte herë pas here për t'u treguar i rreptë, por në të vërtetë ishte shpirtbutë.
Të afroheshe tek Kiçi i gjatë, kur ishe dy veta me një biletë, ishte me rrezik, sepse ai, më e pakta, të shtynte e të largonte. Kurse kur kapte ndonjë me biletë false, e shtrinte pëllëmbën mirë. Të gjithë synonin Kiçin e shkurtër. Ai bërtiste e çirrej, pastaj shikonte me bisht të syrit nga kolegët dhe na linte të kalonim hyrjen edhe pa biletë.
Herë herë, në holl dukej dhe përgjegjësi i kinemasë, Çomja i shëndoshë e trupshkurtër, që ishte njëkohësisht dhe operatori i filmit (jo operatori në kuptimin e sotëm). Qëndronte pak çaste, pastaj shkonte lart, në vendin e tij, në sallën e aparaturave.
Shfaqja
Çdo mbasdite jepeshin tre shfaqje. Zakonisht në orarin e parë, më 15.30 hynin fëmijë dhe të rinj, kurse në oraret e tjera, të rritur dhe familjarë. Në holl të rriturit pinin duhan duke shikuar fotot në mure, me pamje nga filmat. Binte zilja dhe të gjithë nxitonin për të zënë vendet. Pastaj fillonte të sfumohej llampadari i madh dhe errësimi i sallës shoqërohej me fërshëllima entuziaste.
Më tej heshtje. Njerëzit e zhytur në terr përmendeshin vetëm kur kishte ndonjë përqafim apo puthje, gjë që shoqërohej me britma entuziazmi e fërshëllima. Kishte raste kur filmi ishte i vjetër dhe këputej herë-herë. Përsëri britma, derisa stabilizohej gjendja. Ndonjëherë ndërpritej zëri dhe në sallë bërtisnin:
-Çome, jepi zë!
-Zë, Çome!
Dhe Çomja e zgjidhte difektin shpejt e shpejt.
Këto ngjanin zakonisht në shfaqjen e parë të mbasdites. Kështu, me mbi 1000 shfaqje në vit, me qindra spektatorë për çdo shfaqje, vit pas viti, kinema "Morava" ngriti imazhin e ndërtesës më të vizituar të qytetit, me miliona vizitorë. Në ato sportele janë shitur miliona bileta...
Tani s'ka më kinema-mani në Korçë. S'ka as kinema. "Morava" (ish "Majestiku") u rikonstruktua para disa vitesh dhe rifilloi aktivitetin. Pastaj u dogj aksidentalisht dhe u rikonstuktua për së dyti. Por nuk u ringjall dot. Sot është e mbyllur përfundimisht. Normale. Kanë ndryshuar kohët, njerëzit, teknologjia. Megjithatë i mjafton lavdia e djeshme.
Milosao
Në foto: Kinema "Morava" (ish "Majestiku")
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt