Nishani: Nuk dekretoj ministrat e Ramës nëse kanë probleme me ligjin
Intervistoi: Blendi Fevziu
Kreu i shtetit, Bujar Nishani tha dje se do t’u kërkojë institucioneve përkatëse të verifikojnë emrat e ministrave që Edi Rama do t’i sjellë për dekretim. E, nëse ndonjëri prej tyre,- shtoi Nishani, – do të ketë probleme, do të refuzohet. Për dekretin e Ramës, ai la të kuptohet se nuk do të ketë një verifikim të tillë, pasi disa figura publike tashmë e kanë kaluar këtë fazë. Ai e cilësoi garën në PD si një vlerë e shtuar e demokracisë, ndërsa marrëdhëniet e tij me ambasadorin Arvizu, si të mira dhe korrekte, pavarësisht akuzave të kohëve të fundit të disa eksponentëve të PD.
Z. Nishani, ju do të bëheni presidenti i dytë në vend, pasi pasardhësit kanë dhënë dorëheqje, që do të tranzitoni pushtetin nga një forcë politike tek një tjetër. Duket pak e vështirë, a jeni i përgatitur për këtë?
Ky është normaliteti i një demokracie të konsoliduar, i një demokracie që funksionon.
A kanë qenë kaq demokratike këto zgjedhje dhe gjithë kjo situatë para dhe paszgjedhore?
Unë besoj se po, ka qenë një nga situatat parazgjedhore ndër më të mirat e hasura ndonjëherë, jo vetëm në gjykimin tim. Ka qenë një fushatë, e mbështetur tërësisht tek vizioni dhe platformat qeverisëse, kryesisht e fokusuar tek çështjet e ekonomisë dhe çështje që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve. Procesi zgjedhor padyshim që ka qenë një proces i mirë dhe unë besoj se pas raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë, duhet të merren hapa të tjerë për përsosjen edhe më shumë në të ardhmen.
Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka deklaruar sot (dje) se do t’jua paraqes juve dorëheqjen. A do t’ia pranonit menjëherë dorëheqjen dhe a ka nevojë Kryeministri që t’ju paraqesë dorëheqjen juve?
Çdo procedurë e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj do të ishte mirë të respektohej. Çdo hap që ka të bëjë me një tranzicion normal të pushtetit është hap pozitiv dhe mund të aplikohet në Shqipëri.
Si do ta gjykonit vendimin e z. Berisha për t’u tërhequr nga PD?
Është tërësisht një e drejtë personale dhe individuale, e gjykimit politik dhe njerëzor të z. Berisha. Kjo mbetet një çështje që do të reflektohet në historinë politike.
Si do ta vlerësonit kontributin e tij 23-vjeçar në politikë?
Është ende shumë shpejt të bësh analiza të tilla, aq më tepër nga pozicioni i presidentit të republikës, por jam i bindur që kontributet janë të rëndësishme gjithmonë për t’u vlerësuar, për t’u parë me syrin kritik, por për të parë dhe çfarë kanë sjellë si rezultat këto angazhime të personaliteteve kaq të rëndësishme që janë në krye të punëve të vendit.
Pritet që Parlamenti të mblidhet ditën e hënë më 9 shtator dhe ju të ushtroni funksionet tuaja si kreu i shtetit. Kur do ta dekretoni kreun e ri të qeverisë, i cili pavarësisht kësaj, po bën disa mbledhje informale në qytete të ndryshme?
Unë nuk kam dekretuar asnjë qeveri të re ende. Siç jeni informuar unë kam kërkuar mbledhjen e parlamentit në datën 9 shtator, që është brenda limiteve ligjore. Menjëherë, pas kësaj date unë pres që koalicioni fitues të sjellë propozimin zyrtar, pas verifikimit të mandateve, për të emëruar kryeministrin. Me të ardhur propozimi zyrtar nga koalicioni fitues, natyrisht Presidenti do të dekretojë emërimin e kryeministrit të ri.
Keni 7 ditë kohë sipas Kushtetutës për dekretimin. Do ta shfrytëzoni këtë periudhë kohore?
Unë besoj se nuk ka nevojë për asnjë sforcim të pamotivuar të konsumit të kohës. Koha është gjithmonë në funksion të detyrës që kryen. Në momentin që detyra dhe funksioni janë të qarta, ato duhet të ushtrohen në momentin më të parë të mundshëm.
Që do të thotë se ju do ta dekretoni në momentin më të parë të mundshëm kryeministrin e ri?
Patjetër.
Pas dekretimit të ministrave ai duhet të paraqesë listën e ministrave për dekretim. Keni sërish një 10 ditësh kohë. Ju jeni njohur me listat e ministrave. A keni ju si President, paragjykime, hezitime për ndonjë nga ministrat e deklaruar të mazhorancës së majtë?
Ushtrimi i detyrave kushtetuese nuk mund të lidhet me pakënaqësitë personale, përveç se me detyrimet kushtetuese dhe kriteret ligjore.
A keni ju pakënaqësi në kuptimin e mosdekretimit të ndonjë prej emrave të deklaruar?
Unë ende nuk e kam marrë zyrtarisht propozimin.
Ju i njihni kush janë…
Pa diskutim, jam njohur përmes mediave sepse kanë qenë deklarata zyrtare të mazhorancës së re qeverisëse. Por, natyrisht, presidenti duhet të reflektojë tek opinioni publik një qëndrim strikt ndaj ligjit. Kjo nuk do të thotë se ne do të bëjmë të paqenin. Gjithsesi, janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës.
Çfarë do të thotë kjo?
Janë institucionet që verifikojnë integritetin e propozimeve që vijnë nga forcat politike.
A do të kërkoni informacione nga SHISH dhe institucionet e tjera për ministrat?
Presidenti do të ndjek hapat ligjorë dhe kushtetues.
Dekretet janë nominale, që do të thotë se mund të refuzoni një figurë nëse keni informacione institucionale në lidhje me integritetin apo mendimin tuaj?
Nëse ka arsye kushtetuese, po.
Vetëm në rast se ka arsye kushtetuese dhe jo arsye që lidhen me opinionin tuaj?
Opinioni i presidentit nuk është një opinion i cili mund të ndikojë në vendime apo në përmbushjen e Kushtetutës.
Kush mund të quhen arsye kushtetuese?
Ato që bien ndesh me ligjin, që kanë të bëjnë me karakterin e mospajtueshmërisë për funksionin dhe karakterin e detyrës së ministrit. Janë qartësisht të përcaktuara në Kushtetutë.
Nëse Shërbimet e specializuara ju informojnë se për një ministër ka të dhëna se ka pasur lidhje me ish-Sigurimin gjatë kohës së komunizmit, ju nuk do ta dekretonit?
Nuk mund të paragjykoj asnjë hap të kryeministrit në këtë moment. Por, natyrisht, Presidenti i Republikës do të jetë një respektues strikt i Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Kjo është detyra e Presidentit.
A do të ndiqni të njëjtën rrugë të shpejtë si për dekretimin e kryeministrit dhe për ministrat?
Do të ndjek rrugën normale, nuk ka asnjë arsye për të krijuar pengesa artificiale, apo tejkalime artificiale të kohës.
A do refuzoni presionet e mundshme për kreun e SHISH, të Prokurorisë, ose institucioneve të tjera, që natyrisht kësaj mazhorance që vjen do t’i leverdiste t’i kishte të vetat?
Asnjë presion nuk do të gjejë ambient bashkëpunues tek Presidenti i Republikës.
Ka pasur deklarata pakënaqësie ndaj ambasadorit të SHBA, z. Arvizu. Kujtoj deklaratën e kryetares së Kuvendit, znj. Topall?
Marrëdhëniet e Presidentit janë marrëdhënie institucionale me qeverinë amerikane, me popullin amerikan. Mund të them se në Shqipëri ekziston nga të gjitha krahët dhe këndet një miqësi e madhe, partneritet i ngushtë me SHBA dhe kjo është e pandryshueshme.
Jeni përfshirë apo jo në garën e PD?
Nuk mund të përfshihesha dhe nuk kisha asnjë arsye të përfshihesha.
Si një njeri që ka milituar dikur në PD, a ishte zgjedhja e Bashës një vendim i duhur?
Gara ishte një gjë shumë e mirë dhe meqë po ma kërkoni në gjykimin tim si qytetar, mendoj se ishte një vlerë e shtuar.
Do të ketë PD mundësinë të zhvillojë një opozitë të nevojshme për vendin?
Së pari ia uroj, mbetet për t’u parë.
Marrëdhëniet tuaja me z. Arvizu?
Shumë të mira dhe korrekte. Kemi komunikuar në rastet kur ka pasur mesazhe nga qeveria e SHBA dhe kur është dashur angazhimi i kreut të shtetit.
Krijoni Kontakt