Postuar më parë nga
Xhuxhumaku
70-vjeçari vetëshpallet i vdekur: Fëmijët më braktisën, hapa varrin tim
Nga: AGRON LISI
70-vjeçari vetëshpallet i vdekur: Fëmijët më braktisën, hapa varrin timFUSHE KRUJE - Braktisja nga fëmijët e tij, dëshpërimi për situatën e krijuar, ka bërë që një 70-vjeçar nga Fushë-Kruja të vetëshpallet i vdekur për të testuar të afërmit e tij. Duket se komedia “Pas vdekjes” këtë herë është luajtur në skenën e quajtur “Jetë”. Hajdar Lila, përgjatë gjithë natës së të dielës ka afishuar lajmërimet për vdekjen e tij, në tentativë për të mbledhur të afërmit në banesën ku jetonte. Sipas tij, ka qenë vetmia dhe braktisja nga të afërmit, që e ka shtyrë të ndërmerrte këtë veprim. Hajdar Lila ka emigruar që në vitin 1990 drejt Greqisë së bashku me gruan, për të punuar atje deri në vitin 1998. Më pas ai ka emigruar në Kanada, ku ka qëndruar për dhjetë vite. “Gjatë kohës që kam qenë atje, kam ndihmuar, sigurisht fëmijët, por edhe vëllezërit dhe të afërmit e mi, ku për çdo festë i kujtoja duke iu dërguar 100 dollarë”, - ka treguar Lila. Por pas kthimit të tij në vendlindje me xhepat bosh, kjo gjë nuk u ka pëlqyer të afërmve, të cilët i kanë kthyer shpinën.
Z. Lila, sa vjeç jeni?
Dy ditë më parë kam festuar 70-vjetorin e lindjes me shokët e mi.
A të uruan fëmijët?
Jo, asnjëri prej tyre. Kam tre fëmijë, një me gruan e parë dhe dy me gruan e dytë. Asnjëri prej tyre nuk më uroi për ditëlindje. Në këto kushte, ika së bashku me shokët e festova ditëlindjen, sigurisht me një mllef në vetvete.
Pse mllef?
Unë e di si ka ardhur koha, por kaq fëmijë të ftohtë, që të mos kujtohen për prindërit, nuk e mendoja kurrë se do rrisja. Kam sakrifikuar një jetë të tërë për ta. Vazhdimisht iu kam kërkuar fëmijëve të më qëndrojnë pranë; unë nuk kam nevojë për lekë, por për përkujdesje.
Prej sa kohësh i keni të ftohta marrëdhëniet me fëmijët dhe të afërmit e tu?
Që kur jam kthyer nga Kanadaja. Në vitin 1990 vajta të punoja në Greqi, deri në vitin 1998. Më pas ika në Kanada, ku punova dhjetë vite. Lekët ua kam dërguar fëmijëve, ndërsa punoja së bashku me bashkëshorten. Kur isha në Kanada, nuk kishte festë që nuk u dërgoja edhe të afërmve të mi nga 100 dollarë. Kur u kthyem dhe vendosëm të qëndronim në Shqipëri, nuk sollëm lekë me vete dhe kjo solli për pasojë edhe largimin e fëmijëve dhe të afërmve të mi. Pa lekë nuk të do njeri dhe askush nuk u kujdes për mua dhe bashkëshorten. Jam përballur edhe me fëmijët, duke iu kërkuar arsyet pse nuk vijnë, ndërsa nuk kam marrë asnjë përgjigje prej tyre. I kisha paralajmëruar se do të pendoheshin dhe ja ku u detyrova t’iu bëj këtë, që t’i thërrasin ndërgjegjes, se edhe ata do plaken. I kam lënë amanet gruas që, kur të vdes, askënd nga familjarët të mos më lërë afër, pasi nuk e meritojnë një gjë të tillë.
Pse u vetëshpallët i vdekur?
Nga dëshpërimi, ja pse. Doja të shihja a do vinin fëmijët e mi, të paktën për vdekje, se për ditëlindje s’më erdhën. Pasi afishova lajmërimet, të parët që erdhën në banesë kanë qenë shokët e mi. Kur erdhën, u habitën, pasi nuk dinin asgjë për planin tim.
Ju vjen keq pse vepruat kështu?
Jo, mendoj se bëra sensibilizimin e duhur: askush nuk duhet të braktiset nga fëmijët. Imagjino se njërën nga vajzat e kam edhe biznesmene në Tiranë. Por leku iu ka errur logjikën. Kam punuar gjithë jetën për ta e në fund, kur mbaruan lekët, më kthyen shpinën.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt