Marie Gusho
Maria Gusho, vajza e vogël e Lasgush Poradecit, tregon për jetesën e vështirë pranë një njeriu të madh.
Përpjekjet e parealizuara për të kuptuar a njohur të atin, qoftë edhe përmes heshtjes së tij. Botimin e librit me korrespondencat e Poradecit me miqtë, Kutelin e Asdrenit, si dhe letrat e dashurisë mes tij dhe të shoqes, Nafijes. Ditarët e vjedhur nga miqtë që e vizitonin në shtëpi, dhe të tjera detaje nga një jetë aspak e zakonshme.
Të rritesh e jetosh me një njeri që nuk është fare i zakonshëm, nuk flet e vepron si të tjerët, nuk është e lehtë. Vetë me vete, mund edhe ta justifikosh natyrën, ama nuk mundesh t’i evitosh momentet e rebelimit. Sepse tek e fundit nuk kërkon të bësh asgjë jonjerëzore, përveçse të duash të njohësh babain tënd. Në mos të kuptosh gjithë ç’hedh në letër, deri në një moshë të caktuar, të kuptosh së paku se si është ndërtuar. Ç’bluan në vete kur është vetullngrysur e ç’e bën të hareshëm një mëngjes që zgjohet i frymëzuar për t’iu përgatitur të bijave mëngjesin. Asokohe, kur ulje-ngritjet ishin pjesë e të gjitha ditëve, Marie Gusho, e bija e të atit Llazar Gusho – shkrimtarit Lasgush Poradeci, s’kuptonte gjë prej gjëje. As ajo e as e motra, Kostandina. Mjaftoheshin me atë çka babai u tregonte vetë, në rastin më të mirë kur donte të fliste, donte t’u tregonte. E tillë ishte krijuar marrëdhënia mes tyre, e distancuar. Që banonin nën një strehë, nuk ishte në favorin e askujt. Nëse Maries i shkrepnin gjithfarëlloj pyetjesh për t’i bërë të atit, për të kuptuar fare pak se pse i saji ishte i ndryshëm nga baballarët e shoqeve të saj, nuk mund ta bënte. Ama sot, sot që kanë kaluar 25 vite nga vdekja e poetit, e bija e ka kuptuar. Ka kuptuar misionin që kishte pasur babai qysh kur kishte ardhur në jetë, dhe nëse jeta e saj, së motrës apo edhe të ëmës jo pak herë ka qenë e vështirë, veprat që Poradeci ka
Në liqenin e Pogradecit me të shoqen dhe vajzat
lënë pas, e kanë justifikuar. Sa më shumë zhytet në arkivat e të atit, në poezitë e veprat e tij, në korrespodencat me miqtë, në mënyrën e të shkruarit deri në presje, bindet për këtë. Jo më kot, çdo hapësirë të lirë të sajën ia kushton pikërisht sistemit të arkivit, gjërave të reja, botës së tij. Verën e këtij viti, Maria zgjodhi t’i përdorte ditët e pushimit për t’i dhënë dorën e fundit botimit që ka në dorë, aty ku përfshihen shkrimet publicistike të poetit, korrespondencat me Mitrush Kutelin, Asdrenin, dhe të ëmën e saj. Nuk mbaron me kaq! Përveç letrave, Maria ka vendosur të ekspozojë edhe pikturat e të atit. Një nga ambientet e shtëpisë së saj në Tiranë do ta përdorë pikërisht për këtë gjë, që të tregojë vizatimet me laps të të atit dhe ato pak portrete femrash në vaj.
Ç’janë këto piktura? Në ç’kohë janë realizuar?
Pjesa më e madhe e tyre janë vizatime me laps, portrete në format të vogël, ndërsa të tjerat, rreth dhjetë të tjera, janë në vaj. Janë të gjitha portrete femrash. Unë nuk di asgjë rreth historikut të tyre, përveçse që janë bërë shumë herët, që kur babai ishte student në Bukuresht, më 1920-n. Me sa më kanë thënë të tjerët, kur i kanë parë, janë portrete të kopjuara, të marra nga pikturat origjinale. Mendoj që duhet të jenë të kohës së shkollës, sepse duke studiuar për arte, një nga detyrat mund të ishte edhe kjo. Sidoqoftë, i kam gati të gjitha për t’i ekspozuar në njërin nga ambientet e shtëpisë, meqenëse tani, 25-vjetori i tij i vdekjes, përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë.
Përveç pikturave, keni edhe një libër për botim…
Poradeci, e bija Marie dhe qeni i tij
Po, është pothuajse i mbyllur, duhet të merrem vetëm me detajet e fundit, gjë që do ta bëj këto ditë. Është një botim i ndarë në pjesë, ku do të përfshihen komunikime të babait me miqtë e tij, Mitrush Kunelin e Asdrenin, si dhe letra të shkëmbyera me mamanë. Përveç këtyre, do të ketë edhe shkrime publicistike, po le ta lëmë informacionin me kaq për tani.
Pas vdekjes së babait, ju jeni marrë e kujdesur për punët e tij. Po dikur si ka qenë, si ishte të ishe bija e një njeriu jo të zakonshëm?
Të jetosh me një njeri të madh nuk është e lehtë. Dhe jo sepse ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme, që nuk ndodh në familjet e tjera, por sepse të gjitha gjërat, që nga imtësitë e së përditshmes, kanë ritëm tjetër. Jeta e tij ka ritëm tjetër e, për pasojë, gjithë pjesa tjetër e familjes do t’i shkojë pas, do t’i përshtatet.
Më konkretisht?
Atëherë, aq fuqi sa mund të kishte mendimi i një fëmije apo qoftë edhe e një fëmije të rritur, më dukej njeri i çuditshëm, sepse nuk fliste, nuk të merrte asnjëherë për të folur e as ti nuk mund të shkoje t’i flisje vetë. Nëse e kuptoje vetë mirë, përndryshe nuk kishte alternativë të dytë, ai ishte babai yt dhe kaq.
Pra, për aq sa ju ka lejuar koha, jetëgjatësia e tij, procesi i njohjes, ka qenë i paplotë?
Më shumë se kaq, të paktën me mendimin e asaj kohe sepse më vonë, duke u njohur me veprën e tij, kupton që me atë natyrën e tij, edhe heshtjen, ai e ka bërë punën e vet, në mënyrën e tij është rrëfyer i gjithi. Por në përgjithësi qenie të tilla të shkasin, nuk i ke aq sa do të doje, edhe pse i ke gjithë kohës me vete. Edhe në heshtje të duket shpesh sikur i ke bërë të gjitha bisedat, por në fakt, shpesh kupton se nuk ke bërë asgjë, nuk ke thënë asgjë. Si fillim, ai nuk mund të flasë me ty sepse je e vogël, nuk mund të kuptosh e, për më tepër, duhet të ishte edhe i kujdesshëm, sepse gjërat e thëna në shtëpi mund të dilnin edhe jashtë. Ishte një mburojë që ai i krijonte familjes së tij, sepse ai i di gjërat, por nuk i thotë. Këtë, natyrisht që duhet të kalojnë vite për ta kuptuar. Por që të mbronte familjen, që familja të mos paguante për shkak të natyrës së tij, ai qëndronte në heshtje.
Përveç këtyre vështirësive, shtohet edhe ai i një jetese të ndarë mes dy qyteteve…
Llazar Gusho në liqenin e Pogradecit, me të shoqen, Nafije dhe vajzën
Po, sepse babai pa Pogradecin nuk jetonte dot, kështu që gjysmën e vitit jetonim atje, pjesën tjetër, në Tiranë.
Në të afruar të verës, ne niseshim me babain për në Pogradec. Ne ishim të vogla dhe do kishim dashur të rrinim me mamanë, por kjo ishte e pamundur, ashtu siç ish e pamundur ardhja e saj për shkak të punës në Tiranë. Babait nuk mund t’i kundërshtonte kush, veçse, gjatë muajve që jetonim në Pogradec, ai shndërrohej në një baba tjetër. Gatuante gjëra që na pëlqenin, gatuante kuleç të vegjël dhe i çonte në furrë. Në orën 3:00 i merrte dhe ashtu të ngrohtë, bashkë me një copë të madhe djathi, na i sillte në shkollë. Ne sikletoseshim, sepse askujt nuk i vinte babai me tavë në oborr të shkollës, ama ai nuk largohej prej aty pa i parë që i hanim. Përveç gatimeve, kishte pajtuar një grua me pagesë që na lante rrobat. Sepse vetëm këtë nuk mundej ta bënte vetë.
Po pavarësisht kujdesit, shpesh jeta jonë ishte sfilitje, herë ndiheshe krenare që ishe vajza e një njeriu të madh e herë doje të jetoje në një familje të thjeshtë.
Dozat e sfilitjes i shtonte edhe regjimi, apo jo?
I shtonte kryesisht regjimi. Duke mos qenë pjesë e nomenklaturës, e njerëzve shërbëtorë të sistemit, që përpiqeshin si të mundnin të ta bënin jetën sa më të vështirë, nuk ishte e lehtë. I kishe shoqërues në çdo hap, vëzhgoheshe se sa ishe pranë partisë, sa e përmendje, sa i shërbeje e të tjera si këto. Nëse babai do të kishte pasur një profesion tjetër, ndoshta nuk do të ishim kaq të lodhur nga të tilla vogëlsira, sado që me syrin e sotshëm nuk bëhem pishman për gjithçka ka kaluar, përkundrazi, jo vetëm unë, ma merr mendja, por kushdo në vendin tim nuk do ta fshihte krenarinë.
A u përpoq ai për drejtimin profesional që do të merrnin të bijat? Meqenëse pranë letrave, të shkruarit, nuk ju mbante…
Shkollimi ynë për të ishte gjëja më e rëndësishme, pavarësisht gjithë njerëzve që i ndodheshin përreth për t’i prishur punë, për të mos na lejuar. Babai ka mbajtur ditar dhe i ka hedhur në letër të gjitha vuajtjet që përjetonte, në kohën që ne duhet të shkonim në universitet. Edhe në ato gjëra të thjeshta që shkruante, tani që e kam menduar nga largësia, të jepte përshtypjen se nuk ishte njeri tokësor. Ishte gjithçka perfekt, sikur kishte elemente hyjnore në të. Por këtë ai nuk e tha kurrë, veçse e përcolli përmes punëve të tij.
Mamaja në ç’raporte ishte me të? A kishte nga ana e saj momente nervozizmi, tejlodhjeje, fundja s’është fare e lehtë një jetë në përpjekje për të mirëkuptuar…
Patjetër që kishte, do kishte për këdo. Megjithatë, nëse kishte diçka që ajo e kishte kuptuar mirë, ishte madhështia e tij. Ajo donte të shoqin, Llazarin, ama adhuronte poetin, Lasgushin. Duke i dashur të dy, predispozita për ta mirëkuptuar është e madhe.
Është, por jo gjithmonë, ka momente revolte…
Në mënyrën e saj edhe kishte, por ajo ishte grua e urtë. Për më tepër që familja ishte e konceptuar ndryshe nga tani. Kishte një kryetar, që ishte babai, udhëhiqej prej tij dhe nuk kishe hapësira për të protestuar ndaj kësaj, e tillë ishte ndërtuar jeta.
A kujtoni miq, shkrimtarë, që ju vizitonin në shtëpi?
Vizitat e këtij lloji nuk ishin të shpeshta, sado që shtëpia jonë ishte e hapur. Edhe ata që vinin, duhet thënë se nuk kishin përherë qëllime dashamirëse, më tepër na kanë munduar, na kanë prishur punë, por jo gjithnjë diheshin qëllimet. Shfaqjet e tyre dashamirëse fshihnin qëllime të tjera, që asokohe nuk kishe mundësi t’i njihje.
Nuk kanë qenë të nënzëshme historitë e Lasgushit me femra të tjera…
Nuk bëhet fjalë për histori, femrat e tjera kanë dalë për të treguar për veten, përfituan sa deshën e tani thonë “a doni më për Belulin?!” Është kollaj të godasësh, por duhet të kesh edhe kujdes, sepse të gjitha të kthehen mbrapsht.
Çfarë u referoheni, ditarëve?
Ditarëve dhe jo vetëm. Në shënimet private të tim eti nuk fusnim kurrë duart as unë, as ime motër, as ime më, sepse ashtu ishim rritur, ashtu ishim edukuar. Nëse ai kishte për të na treguar diçka vetë, e mirëprisnim, përndryshe nuk fusnim hundët. Por këtë nuk mund ta bëjnë të gjithë, sepse duhet të kesh edukatën e duhur, gjë që mungon. Nuk mund të përfitosh deri në këtë masë nga mirësia e tjetrit, sa të fusësh duart fshehtas në arkivat e tij.
Arkiva e tij ka qenë e sistemuar nga ai vetë, por ishte e lehtë të bëhej çorap nga njerëzit e jashtëm, që futeshin nga Sigurimi i Shtetit. Im atë ka mbajtur shënime për Ana Jovanin dhe ato shënime janë marrë.
Si janë marrë?
Janë vjedhur, për t’u përdorur atëherë kur kishin mundësi. Kanë hyrë në shtëpi e i kanë marrë.
Me ç’status kanë hyrë në shtëpi?
Me statusin e shoqeve, të mikeshave të shtëpisë. Nuk kishim shumë miq, nuk mund të kishim shoqe vajzat e baballarëve komunistë, kështu që mendonim se ishim të afërt me ata pak. Kanë hyrë në shtëpi kur babai ka qenë shumë i moshuar, kanë marrë fshehtas ditarin dhe e kanë përdorur kur kanë dashur. Nuk do shumë mend për të menduar se ç’lloj femrash kanë qenë, të përdorshme, shërbëtore. Megjithatë, të gjitha në këtë botë lahen.
Letër e Lasgushit dërguar bashkëshortes, Nafijes
· Zonjës Shqipe Lasgush Poradeci, Durrës
Tiranë, më 16 Nëntor 1939, ora 10.5’ natën
Shqipja ime e dashur,
Jam i lumtur që po të shkruaj letrën e parë me emrin Shqipe, të dëshëruar prej meje dhe të pranuar me aq gëzim dhe kryelartësi prej teje vetë. Më je lutur kaq herë të të shkruaj me këtë emër, nuk të shkrojta gjer më sot sepse nuk e dinja mirë në e pranon nga gjithë fuqija e shpirtit t’ënd. Lutjet e tua të përsëritura më dhanë arësye të t’a përmbush dëshirën më në fund sot. Ky është emri yt i vërtetë tashi e paskëtaj, do t’a mbash me mall dhe me durim, është simboli i pavdekur i atdhedashurisë s’onë, bashkimi më një i shpirtrave t’ona kështu të përvëluara.
Shqipe! T’a dish sa gëzim, sa ngushëllim më fal ky emri yt i ri! Si më ra mua nërmënd? Pse e prite ti me aq dashuri? Desha të çmall një mallin t’im të brëndëshmë, t’a kem Shqipërinë gjithnjë të gjallë dhe të bukur dhe si nuse e re që është, t’a kem përpara syve të gjallë në veten t’ënde, prandaj më ra nërmënt ashtu. Ti e prite ashtu se mendove gjith si mua, je gjith vetëm Shqipëri, trup i pastër prej vashe shqiptare dhe shpirt fisnik shqiptar, je kështu drita jonë e të dyve në dashurinë e të shentit Atdhe.
Mba-e tashi këtë kurorë me mburrjen t’ënde të dashur, është themeli i bashkimit t’onë kombëtar, kulmi më i lartë i dhembjes dhe i gazit dhe i ëndrës s’onë së përzëmërt atdhesore.
Kështu të bësh, kështu do bësh ti Shqipja ime e dashur. Nuk t’a them unë, ç’të t’a them unë atë që ti e di vetë. Unë kam bindje të madhe në idenë t’ënde shqiptare, bëhem gjithnjë më i bindur se ti do bësh tërë theroritë për të ngritur për dita më lart vetveten t’ënde shqiptare. Për të kulluar dhe për të fisnikëruar sa vjen më shumë, me punë, me vepra, me prova të gjalla, jo me fjalë, shqipëtarësinë t’ënde edhe me kaq gjer më sot mjaft të dashur për mua.
Kështu ti Shqipja ime e ëmbël? E kupton ti tashi pse heshtnja unë gjithnjë kur më pyetnje, dhe më kujtonje dhe më luteshe dhe më qaheshe për emrin t’ënd të ri? Që pse s’të kam shkruar, pse s’të shkruaj, pse s’të dërgoj një letër me emrin Shqipe? Kur më telefonove prej Durrësi dhe më the “Shqipja”, dhe kur më the se të ardhi turp kur vajte në postë dhe pyete në ke letër me emrin “Shqipe” dhe postjeri të tha se jo, mua më ardhi keq për ty, po më ardhi dhe shumë mirë. Më ardhi keq dhe mirë, prandaj vendosa më në fund të të shkruaj ashtu. Dhe ti e di, vendimi im nuk këthehet. Vendimi im, është fjalë e dhënë shqiptare. Fjala e dhënë shqiptare quhet besë shqiptare.
… Kjo? E Shqipes! Jo?? E Shpirtit t’im!!
Ty të merr nër kraha dhe të puth me zjarr Lasgushi yt.
Letër Lasgushit, nga bashkëshortja, Nafija
· XI.1939.
Shum i dashur Lasgush,
Rrijë në shtëpi si e mpitë… Shtëpija që më parë ish për mua vëndi më i dashur, tashi s’më duket ashtu. Shkakun dij t’a gjej vetë. Ishin njerzit e kësaj shtëpije ma të dashurit që ma banin shtëpinë të dashur, po tashti me qënë që njeriu ma i dashur i jetës s’ime asht larg, më ngjan kjo.
Lasgush, shpirt i em! Sa më gëzove me kartolinën. Me ndërrimin e emrit në “Shqipe” më duket se kam le dhe nji herë. Ndjehem më e lartë, më fisnike. Më duket se tashti do më duash më fort se më parë. Një ndjenjë e mbrëndëshme më siguron se Shqipja asht pëllumbeshë ëngjëllushe e shpirtit tënd të lartë, që të dhuron atë që ti e kërkuar vite me rradhë: Zemrën e pastër të një femre kushtuar ty dhe artit t’ënd.
E frymëzuar prej dashurisë t’ënde filloj t’a ndryshoj jetën t’ime të zakonshme. Jam tuj u përmirsu e tuj u ngrit lart shpirtërisht për dita sa më shum. Rreth meje tashti që të kam ty asht: Dritë, Kthjelltësi e Shkëlqim! Ngadal jam tuj e njoftun mirë jetën… sa e mirë dhe sa e keqe asht, e them me bindje se jam e fortë me përballue valët e saja. Ç’prej martesës s’onë ftyra e ime shpreh vetëm Lumturi të plotë. Ato ditë nuk fitova vetëm një burrë, por dhe një mësonjës e edukues.
Shum të puthura e jotja Nafije (jo)
Shqipe
Letër e Lasgush Poradecit dërguar Asdrenit
D-lui Alex Drenova
Consul Albaniei, str Akademiei 16
Bukurest (Rumanie)
Graz 30 Nëntor 1926
I dashur Asdren,
U mbushnë 28 ditë që kur kam marrë letrën t’ënde të fundit me anë të së cilës më lajmëron se m’i dërgove të holla më një bankë të këtushme. Të falem nderit shumë me gjith që mua gjer më sot s’më kanë rënë në dorë; kam pritur 28 ditë me rradhë dyke u mbajtur me shpresën a mos më vijë sot, a mos më vijë nesër avizi i bankës. Sikundër sheh, prita më të kot. Nuk kuptoj me ç’mënyrë i paskërkeni dërguar të hollat e shumë dëshëruara; Pyes me dëshpërimin e fundit, dyke pritur përgjigje dhe çkoqitje të shpejtë. Paralelërisht me këtë kartë postale po të dërgoj dy ekzemplarë “të Nderit” (pa të holla) nga libra festive e Naim Frashërit, si pas barrës së “Grupit iniciator”, nga i cili në kualitetin e Redaktorit unë kam bërë pjesë të parë (Të kryerit e artikujve); Drejtor (përfaqësimi në Shqipëri) ishe Kol Mirdita; administrator (të hollat) Sali Butka; Anëtarë: shokë të Graz-it, Vjenës,
Po të shënoj këtu se “parafjalën” e librit me nënshkrim “grupi iniciator”, është prej meje. Sa për shkrimet e tjera, je i mënçmë të gjykosh vetë; po të më pyesnje mua do të të thesh që, përveç nj’a dy a treve të gjitha janë mjaft të dobëta aq nga pikpamja e mendimeve sa dhe nga ajo e gjuhës. Po… një “rast atemant” – zu të më dërdëllisë brënda mu në kokë; shtypjet festive, – të gjitha shtypjet festive, – i karakterizon një gjë, medoemos-e përbashkët; sipërfaqërija…
Me dashuri Yti Lasgush
P.S.
Të lutem t’u japësh të fala të përzemërta nga ana ime gjithë atyre që patnë mirësinë të më ndijnë. (idem)
ANI JAUPAJ
panorama
.
Krijoni Kontakt