Kisha e "Shën Gjergjit" në Libofshë të Fierit, ka rënë pre e trafikantëve të vlerave kulturore për të tetën herë. Prifti i saj, At Rafael Rredhi tregon në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" se në kohën që kishte roje, ajo nuk është sulmuar nga krimi. Ndërsa vitet e fundit, kisha po shkatërrohet përditë e më shumë, teksa vidhen prej saj vlerat historike, që janë punime druri të vitit 1776. Prifti kërkon vendosjen e një sistemi kamerash në mënyrë që të mbrohet ajo që ka mbetur.
Kisha ortodokse e "Shën Gjergjit" ndodhet në kodër të Libofshës teksa hyn në këtë fshat dhe merr rrugën në të djathtë. Ajo është ndërtuar më 1776 dhe prej vitesh ka marrë statusin e monument kulture që ruhet nga shteti. Muret e sallës së saj ku zhvillohet mesha janë të pikturuara me afreske. Sipas At Rafaelit afresket kanë filluar të pikturohen nga Shpataraku në vitin 1776 dhe kanë mbaruar në vitin 1782. Objekti i ka shërbyer prej vitesh komunitetit të Libofshës dhe fshatrave përreth. Ndanë saj janë varrezat e fshatrave.
Në tetë herët që është grabitur nga kisha janë marrë, më së shumti ikonat, që sipas priftit, shiten jashtë vendit për një dorë të hollash. Prifti dhe punëtori i kishës, thonë se në të janë vjedhur sende me vlera të çmuara historike si: dy herë kambana e kishës; dyer druri të gdhendura që në vitin 1776; koka luanësh të atyre viteve që kanë qenë në këmbët e mbajtëseve të ikonave; pllaka druri të gdhendura që ka qenë mbi ikonostase, etj. Edhe pse policia ka ardhur sa herë që është njoftuar se ka ndodhur vjedhje asnjëherë nuk është kapur vjedhësi i këtyre sendeve me vlera historike.
At Rafael prej kur shërbeni në këtë kishë?
Që prej ndryshimeve politike në Shqipëri unë shërbej në kishën e "Shën Gjergjit". Më pas duke qenë se jam nga Libofsha erdha e u shërbej besimtarëve të zonës sime si këtu në kishën e "Shën Gjergjit", ashtu edhe në kishën e "Shën Kozmait".
Kur është ndërtuar kjo kishë dhe çfarë vlerash mbart?
Kisha e "Shën Gjergjit" daton e ndërtuar në 1776, ndërkohë që afresket e pikturuara nga Kostandin Shpataraku kanë përfunduar në vitin 1782. Gjithë muri i sallës ku mbahet mesha është i pikturuar me afreske. Kjo kishë është e njëjtë me atë të Ardenicës. Ajo ka vlera të çmuara kulturore e historike.
Sa herë është vjedhur kjo kishë dhe çfarë është marrë prej saj?
Kisha është vjedhur mbi tetë herë. Njerëz që merren me trafikimin e vlerave historike e kulturore kanë vjedhur dy herë kambanën e kishës. Kambana origjinale ishte e çarë dhe e salduar e nuk tingëllonte mirë. Ajo kishte të gjitha të dhënat e sakta të shënuara në trupin e saj. Peshën, gjatësinë, gjerësinë, sa përqindje ari kishte, ndërkohë që pesha e saj qe 75 kg. Pasi e vodhën kambanën e parë, morëm një në Tiranë. As 12 ditë nuk kaluan, nga dita që ajo u vu në kishë dhe e vodhën përsëri. Përpos kësaj, kanë vjedhur një pjesë druri të gdhendur në ikonostas, ndërsa dy ditë më parë vodhën dy dyert e hyrjeve anësore të skalitura në dru që datonin mbi derë të 1776. Po ashtu, vodhën katër koka luani prej druri që kanë qenë në këmbët e mbajtësve të ikonave e shumë tjera.
Keni njoftuar policinë? Çfarë kanë bërë?
Kemi njoftuar policinë. Ajo ka ardhur, por asnjëherë nuk është gjetur hajduti i tyre. Kemi njoftuar edhe eprorët tanë në kishën ortodokse, sepse varemi nga Mitropolia e Beratit, sikundër kemi njoftuar edhe Institutin e Monumenteve të Kulturës, pasi kjo kishë është monument. Kemi kërkuar që të vendoset edhe një sistem ruajtjeje me kamera, por s'është bërë asgjë pasi ne nuk mund të ndërhyjmë në kishë.
Pse?
Ne jemi 'qiraxhinj', na lejohet vetëm të kryejmë shërbesa në kishë, por jo të bëjmë riparime apo rikonstruksione. Çatia është e prishur, çfarë bie jashtë futet brenda. Mundohemi të ruajmë afresket, por lagështia bën punën e saj. Ata të Institutit të Monumenteve të Kulturës nuk na lejojnë.
Keni kontaktuar me ta, çfarë u kanë thënë?
Kur morën vesh për vjedhjen e fundit erdhën. U thamë se çfarë duhet e ata na thanë se "nuk mund të ndërhyni pa lejen tonë. E dimë ne se çfarë duhet bërë".
Krijoni Kontakt