Thaçi, 100 milionë euro për Prizrenin
03.10.2013 | 18:58
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi ka premtuar të enjten se do të investojë edhe 100 milionë euro në Prizren.
Këtë premtim Thaçi e ka dhënë në hapjen e fushatës zgjedhore të PDK-së në Prizren. “Qeveria e Kosovës deri më tash në Prizren ka investuar 90 milionë euro. Unë ju premtoj se në të ardhmen Qeveria e Kosovës do të investojë edhe 100 milionë euro në Prizren”, ka thënë Thaçi.
Mijëra simpatizantë të PDK-së kanë marrë pjesë në Qendrën Sportive “Sezair Surroi”. Thaçi para tyre ka lavdëruar punën që ka bërë kryetari i Komunës së Prizrenit, njëherësh kandidat i PDK-së, Ramadan Muja. Sipas tij, Muja në dy mandatet e kaluara ka bërë investime të mëdha në Prizren. “Muja jo që i ka realizuar, por i ka tejkaluar premtimet e dhëna”, është shprehur Thaçi.
Ai ka ftuar të gjithë që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë sërish kandidatin e PDK-së, Ramadan Muja. “Muja do të jetë garanci e fitores së radhës në Prizren”, ka thënë Thaçi. Sipas tij, PDK-ja në zgjedhjet e 3 nëntorit do t’i fitojë shumicën e komunave në Kosovë. “Në mesin e këtyre komunave sigurt do të jetë edhe Prizreni”, është shprehur Thaçi, duke kërkuar që të bëhet një fushatë e qetë dhe me standarde demokratike. (Prizrenpress)
Krijoni Kontakt