Agimi i Artë: Protesta, dëshmi se do luftojmë për Vorio Epirin
“Agimi i Artë” bën të ditur qëllimin e protestës, që veprimtarë të tij zhvilluan dje në mesditë pranë kufirit greko-shqiptar në Kapshticë.
Sic duket edhe në foto, protesta udhëhiqej nga deputeti Kristos Papas, ndërsa pjesëmarrësit, mes të cilëve edhe shqiptari nga Lukova, mbanin në duar flamuj grekë, flamuj me stemën e Vorioepirit dhe flamuj nazistë.
Motiv për protestën, sipas njoftimit të “Agimit të Artë” ishin ngjarjet e fundit në Përmet, ajo që ata e quajnë “vala e terrorizmit të policisë shqiptare” në Himarë me rastin e ceremonisë përkujtimore të Aristotel Gumës, si dhe për të treguar se ata nuk harrojnë çështjen e Vorioepirit.
agimi i arte 1
Protesta e nacionalistëve grekë zgjati për rreth një orë dhe në të u dëgjuan slogane në mbështetje të cështjes së Epirit të Veriut, si: "Atje, atje në Përmet do të ngrejmë lart flamurin grek", ose “Vorio Epiri është Greqi, do të kthehemi sërish për këtë tokë”.
Në fjalën e tij Kristos Papas tha: "Kemi ardhur sot këtu, në kufijtë artificialë mes Shqipërisë dhe Greqisë, në mënyrë që të demonstrojnë luftën tonë për çlirimin e Vorio Epirit. Shqipëria e ka frikë “Agimin e Artë”, sepse është e vetmja parti që ka në programin e saj luftën për Vorioepirin”.
kristos papas proteste
Duke vijuar Papas tha se “Qeveria greke iu jep aleatëve të NATO-s bazat në Suda dhe Kallamata pa asnjë shkëmbim. Në fakt ajo që qeveria duhet të kërkojë ndërkombëtarisht është zbatimi i Protokollit të Korfuzit për Autonominë e Vorioepirit dhe ky do të jetë hapi i parë për çlirimin e kësaj toke greke”.
Në fund Papas i ftoi të pranishmit të kthehen me shikim nga Epiri i Veriut, siç u shpreh ai: “Të këndojmë himnin tonë kombëtar me zë të lartë, që të na dëgjojnë vëllezërit tanë në Sarandë, Himarë dhe Përmet".
Me himnin kombëtar dhe parullat nacionaliste ka përfunduar protesta e "Agimit të Artë" në Kapshticë.
agimi i arte kapshtice
(Balkanweb)
Krijoni Kontakt