KOMENTI
Rreziqet si gazetar dhe si "urbanist" nën hijen e "Ciklopit" të Tiranës
Mero Baze
Në historinë e këtyre 15 viteve të shtypit pluralist shqiptar, për gazetarët, rreziqet nuk kanë qenë gjithnjë të njëjta. Në vitin 1991, më 1993, më 1996, më 1997, më 2000 dhe më 2005, ato kanë ndryshuar në varësi të dominimit të së keqes në shoqëri dhe të përkushtimit të gazetarëve për ta kryer misionin e tyre. Në fillim ata kanë pasë rreziqe nga kasta e vjetër komuniste, pastaj nga administrata e re e pushtetit, për shkak të kritikave për korrupsion, më pas nga mafia e piramidave, më 1997 nga bandat e rrugës, më 2000 nga blerja e shtypit e kështu me radhë. Së paku këto dy vitet e fundit tregu shqiptar dominohet nga ajo që quhet mafia e ndërtimeve. Ajo është sunduesja kryesore në vend, pasi ka shtrirë rrënjët e saj në shtyp, politikë dhe, në të gjitha rastet, në pushtet. Duke qenë kjo e keqja aktuale e vendit, edhe rreziku aktual për shtypin dhe gazetarët kurajozë, vjen prej saj. Testi real për të kuptuar sa i lirë është një gazetar sot të shkruajë, është të provojë të prekë mafian e ndërtimeve.
Një fjalë tha Kreshnik Spahiu në Kongresin amerikan dhe u bënë fletërrufe për të në disa televizione ndërtuesish. Kjo mafie po mbetet e paprekur në Shqipëri jo vetëm nga fakti se ajo ka pushtuar shtypin ku 80 për qind e gazetave dhe televizioneve janë njëkohësisht dhe ndërtues, por mbi të gjitha nga fakti se pika lidhëse e kësaj mafie mes shtypit dhe politikës, është një figurë "popullore" në vend që quhet Edi Rama. Duke qenë nyja gordiane që lidh shtypin e ndërtuesve me pushtetin politik, ky njeri është bërë, jo vetëm pronar real i Tiranës, por mbikëqyrës i debatit publik mbi Tiranën dhe fatin e saj.
Para disa kohësh u shua papritur një arkitekt i njohur i Tiranës, njeri i afërt i Edi Ramës, por me shumë integritet profesional. Ai vdiq papritur në një tavolinë duke nxjerrë shkumë nga goja, ndërsa simptomat e sëmundjes për të cilën u tha se vdiq, nuk përputhen shumë me shenjat. Në të gjitha rastet, shtypi i kronikës së zezë shqiptare, që merret edhe me puçrat që ka pasur në kofshë Manush Myftiu, apo me ushqimet që hante Petrit Dumja, do ta kishte të bërë të madhe vdekjen e dyshimtë të tij. Asnjë fjalë nuk u shkrua. As unë në gazetë nuk shkrova, se nuk doja të
lëndoja të afërmit e tij me paranoja ndoshta të kota.
Por fakti që shtypi i ndërtuesve tanë që merret vetëm me kronika të zeza e neglizhoi vdekjen e tij, më bën të dyshoj për kontrollin që ka pasur mbi këtë lajm, derisa u kurorëzua me një vajtim shembullor publicistik të Edi Ramës në gazetën 'Shekulli'. Ky kontroll i frikshëm mbi jetën e Tiranës nga kjo mafie dhe dirigjimi i kësaj jete nga një njeri i vetëm që quhet Edi Rama, po rishfaqet sërish nga debati i nisur prej publicistit Lubonja për atë që është pagëzuar si "Ciklopi" i Tiranës. Guximi i Lubonjës për të hapur një debat rreth arbitraritetit dhe diktimit të mafias së ndërtimeve mbi jetën e kryeqytetit dhe të ardhmen e tij, është jo vetëm njerëzor, por shumë misionar dhe profesional nga ana gazetareske. Dhe në një debat të tillë pro ose kundër Lubonjës, duhet të përfshihen ata publicistë dhe gazetarë, që kanë dhënë prova se nuk janë konformistë me këtë ndërthurje të pushtetit, shtypit dhe mafias së ndërtimeve. Në vend të përgjigjes për shqetësimin e tij si publicist, adresohen një sërë fyerjesh dhe kërcënimesh fizike deri për jetën, siç ishte ajo e ish shokut të tij të burgut Maks Velo. Unë e mirëkuptoj replikën e Velos deri në atë masë sa Lubonja mund të ketë prekur qytetarin Maks Velo, por replika e tij dhe së fundi kërcënimet me çifte, ishin të gjitha në funksion të mbrojtjes së "Ciklopit" të Tiranës që kritikonte Lubonja. Pra shqetësimi këtu vjen nga fakti se replikuesit e Lubonjës nuk flasin për llogari të tyre, por për llogari të nyjes gordiane që mban të lidhur mafian e ndërtimit, shtypin dhe pushtetin politik në Shqipëri. Kjo është me të vërtetë një ditë e frikshme për secilin gazetar në Tiranë dhe natyrisht për zotin Lubonja. Ai ka ngelur i vetëm në betejën e tij, se mediat janë nën kontrollin e "targetit" të tij Edi Rama, pushteti, përfshi dhe Fatos Nanon, është në mëshirën e parave të zeza që mund të ofrojë Edi Rama, dhe "profesionistët" janë tërësisht nën thundrën e tij. Nëse Maks Velo do t'i kërkonte Edi Ramës të bënte publike se nga cila studio kanë kaluar për dizajn dhe nënshkrim gjithë lejet e ndërtimit në Tiranë, do të verifikonte se ato kanë kaluar nga studioja e një miku të tij me mbiemrin Shkreli. Kjo studio, sipas ndërtuesve të mbetur pa punë në Tiranë nga ky mekanizëm mafioz, mban rentën për pushtetin që ka tek Edi Rama dhe rentën për Edi Ramën, me qëllim që ai të jetë i lirë të thotë se "nuk ka bir kurve të gjejë lekë të botës në xhepat e mi". Pranë kësaj studioje ishte atashuar dhe arkitekti që u shua një muaj më parë. Për ta lënë të qetë në strehën e tij të fundit, unë po e pranoj që ai dhe mund të ketë vdekur paqësisht, por integriteti i tij profesional zor se kishte degraduar në atë masë që të pajtohej me sekserllëqet e studios ku kishte bashkuar emrin.
Heshtja ndaj tij tremb shumë "profesionistë", të cilët jo vetëm që nuk po përfshihen në këtë debat, por dhe kur afrohen aty, marrin gurë tek oborri i Edi Ramës dhe i hedhin mbi ata pak gazetarë dhe publicistë që ngrejnë zërin për debat. Dhe pasi ngopen së gjuajturi me gurë, të kujtojnë edhe çiften.
Unë nuk e di saktësisht se cilat janë rreziqet e një urbanisti profesionist në Tiranë sot për jetën e tij, por di që, nëse ai nuk është dakord me Edi Ramën, është një urbanist i papunë. Dhe Edi Rama së paku duhet pranuar që nuk është një urbanist profesionist, bile as nga ata popullorët nuk është. Eshtë një njeri që ka tentuar të bëhet piktor, por nuk ia ka arritur, ka tentuar të bëhet sportist, por nuk ia ka arritur, ka tentuar të bëhet publicist, por e ka braktisur, së fundi ka tentuar të bëhet ambasador i mafias së ndërtimit në shtyp dhe politikë dhe ia ka arritur.
Rreziqet për një urbanist profesionist vijnë tashmë prej këtij joprofesionisti, të lumaksur për para dhe pushtet. Ai komandon tani median, shoqërinë civile, "propagandistë të urbanistikës" që i ndërsen kundër shtypit, polikanë dhe mafiozë. Ky është rrezik real për secilin profesionist të urbanistikës në Tiranë.
Zoti Lubonja ka fat që nuk është klasifikuar si i tillë nga zoti Velo, pasi mund të kishte një fat tragjik. Si publicist profesionist zor se ka fat shumë tragjik, por thjesht do të durojë fyerjet e tyre përditë në shtyp, duke u përpjekur ta izolojnë.
Tema
Mars 2005
Krijoni Kontakt