INTERVISTA/ Flet ish Kryetari Kooperativës dhe ish- agronomi Ndërmarrjes Bujqësore Elbasan, Adem Dauti
Mehmet Shehu i kishte dobësi serrat, sa herë kalonte do ndalonte
Si hoqëm natën një parullë të shokut Enver nga xhamat e serrave
Pirro Kondi ishte Sekretari i parë më njerëzori në Elbasan
Serrat e Sukthit dhe të Elbasanit ishin ndër më modernet në Europë
Roja i serrës ndaloi të hynin në serrë Pirro Dodbibën dhe Kryetarin e Komitetit
Serrat e atëhershme ishin farmaci, sot janë si han
Atëherë me një ditë pune blije 3 libra, sot nuk blen dot as dhe një
Kanalet vaditëse dhe kanalet kulluese të regjimit s’i vijnë më Shqipërisë
Sot helmet për bujqësinë janë të skaduara s’kanë efekt
Albert ZHOLI
Një jetë të tërë agronom në Ndërmarrjen Bujqësore Shtetërore Elbasan dhe më vonë Kryetar Kooperative në Gjinar, aty në Shpat, ku ka marrë dhe pseudonimin Enver Hoxha. Me profesion agronom, si i shihte rrogat e pakta të kooperativistëve, lodhjen e tyre, por i tillë ishte sistemi dhe pse shkenca bujqësore zbatohej me përpikëri. Problemi kryesor i atij sistemi ishte pasi prodhimet më të mira bujqësore, të serave, po ashtu mishi dhe peshku shkonin për eksport dhe pse kërkesat e tregut shqiptar ishin të mëdha. Dhe pse nuk e pëlqente atë regjim. Ademi kurrsesi nuk i mohon arritjet. P.sh ai thekson se, në vitin 1972 në Elbasan u ndërtuan serra holandeze tepër cilësore, të kohës së fundit, të cilat sot nuk ekzistojnë. Njëkohësisht ai tregon se kanalet vaditëse, kanalet kulluese, helmet për bimët ishin të gjitha prezente, cilësore, që sot nuk mund të bëhen. Por më shumë ai sistem punonte për reklamë se sa për popullin e vet.
Sot flitet shumë për serat, për prodhimet e tyre, për teknikën e ndërtimit etj. Sa sera ka pas në regjimin komunist në rrethin e Elbasanit dhe ku ishin përqendruar ato?
Në regjimin komunist në Elbasan apo më mirë në Ndërmarrjen Bujqësore Elbasan, në regjimin komunist ka pasur 21 ha me serra. Në këto sera mbillej domate, kastravecë barbunje, etj...
Sa muaj prodhonin këto sera?
Prodhimi i tyre ishte gjithëvjetor, por më shumë prodhohej nga marsi e deri në tetor. Prodhimet e tyre në masën më të madhe mbi 90 për qind shkonin për eksport. Pra, destinacioni i tyre ishte eksporti dhe pse tregu jonë ishte bosh. Ligjërisht në 30 qershor mbyllej eksporti i prodhimeve të serrës dhe që në atë periudhë dhe deri në tetor prodhimi shkonte për tregun vendas. Këto serra janë hapur në vitin 1970-71. Pra në fillim kishte 2 ha në 1970 deri në 1975 u bënë 21 ha. Pra çdo vit ka ardhur në rritje ky lloj prodhimi.
Si ishin këto sera?
Serat ishin me teknologji holandeze, ose më mirë të themi, prodhimi më i fundit i serave holandeze të importuara. Filluan për herë të parë tek Ura e Bakallit në Elbasan. Ishin serra shumë moderne, fjala e fundit e shkencës. Të gjitha komandoheshin me pult komandimi, si sistem kompjuterik. Pra temperatura, uji, vaditja bëheshin me pult. Bëhet fjalë për vitin 1975. Madje dua të them se edhe xhamat kishin ardhur nga Holanda, pasi kishin teknologji të veçantë. Ishin sera me ngrohje, si ato të fermës së Sukthit të vitit 1973. Pra për herë të parë kjo teknologji është përdorur në Sukth, Xhafzotaj, 9 hektarë dhe mandej u përhap në Shqipëri, në ferma specifike.
Kur ju caktuan ju agronom në këto serra?
Sapo mbarova shkollën pra në ato vite. Direkt agronom në ndërmarrje ku filloi ndërtimi i serave.
Kush i montonte këto serra?
Ah! Atëherë ishte Ndërmarrja e Ndërtimit të Serrave me qendër në Durrës. Ajo ndërmarrje kishte specialistë të mirëfilltë, të kualifikuar, që shkonin kudo në Shqipëri ku do ndërtoheshin serra.
Cilat ishin serrat më të mira?
Këto që thashë, prodhimi i fundit holandez me xham me ngrohje. Sepse s’kishte dhe serra me plastmas, por ato s’ishin cilësore dhe gjithë vjetore. Në fillim tek ne u ndërtuan 18 ha.
Po ngrohja nga vinte, me se prodhohej ngrohja?
Ngrohja vinte nga Kombinati metalurgjik, nëpërmjet kaldajave holandeze nga avujt e nxehtësisë së uzinave. Çdo gjë bëhej e komanduar.
Kush kujdesej më shumë për serrat?
I drejtpërdrejt ishte Mehmet Shehu. Atij i binte rruga vazhdimisht dhe ndalonte aty dhe pyeste por me thënë të drejtën unë se kisha takuar asnjëherë. Por linte dhe detyra, pasi i kishte shumë për zemër ato serra moderne. Ministër i Bujqësisë në atë kohë ka qenë Pirro Dodbiba.......
Një rast i çuditshëm
Serat ishin ndërtuar anës rrugës së vjetër Tiranë-Elbasan, afërisht në Bradashesh. Ne në xhamat e disa serave kishim shkruar një parullë “Rroftë KQ i PPSH me në krye shokun Enver Hoxha”, siç bëheshin në ato kohë. Dua të theksoj se, një germë ishte baras me një xham, ballore. Mirëpo unë shikoja se drita, apo dielli i mëngjesit, apo rrezet ultraviolet të mëngjesit i pengonte kjo parullë që ti merrnin serat. Atëherë kishte shkencë që shfrytëzohej në maksimum. Diçka duhej bërë për këtë pengesë. Një ditë i them drejtorit se këto germa e prishin rregullin, pra sera nuk merr dritën e duhur në mëngjes, për të mbjellat. Pra xhami ishte lyer me bojë dhe boja pengonte dritën. Përmasat ishin 2x1 metër dhe po kaq ishin germat me bojë. Ishte një bojë vaji e trashë. Drejtori më pa me vërejtje. Pastaj i thotë shokut Feruz Mata kryetar i Komitetit në atë kohë. Pra ja sqaron problemin që të mos kishte keqkuptim. Se atëherë e haje për një fjalë goje. Këta ja bëjnë me dije Mehmet Shehut. Mehmeti dërgon një këshilltar të tij një shkodran.
Si u veprua?
Këshilltari ja raportoi dhe pasi Mehmeti e pa tha që të hiqej, por me kujdes. Të hiqeshin kur të mos shikohej nga populli se do të komentohej për keq. Mundësisht natën. Por hajde të hiqje bojën zmalto. Ajo nuk shqitej, atëherë u pa e udhës të zëvendësoheshin xhamat. Por ata kushtonin se ishin specialë dhe vinin të gjitha nga Holanda. U hoqën rreth 50 xhama dhe i vumë të reja. U zgjodh një ditë e diel.
Cilat ishin kushtet që punohej në serë?
Po të them, se serat brenda, pra këto serra me xham dhe me ngrohje ishin si laborator, ishin si farmaci brenda. Pastërti shembullore, organizim i shkëlqyer. Asnjë mbeturinë të shpërndarë. Kur do futeshe brenda edhe tabanin e poshtëm të këmbës edhe duart duhej t’i dezinfektoje me formalinë, të mos kishe asnjë mikrob. Unë i kisha dhënë urdhër rojës se, askush nuk duhet të hynte brenda nis nuk do bënte këtë veprim, pa asnjë dallim. Roja ka qenë një burrë i vjetër që do dilte në pension. Një ditë vjen Feruz Mataj, Kryetari i Komitetit me ish- ministrin e Bujqësisë Pirro Dodbibaj kandidat i Byrosë Politike. Ata hynë në sera dhe tentuan të kalojnë në thellësi. Menjëherë roja u thotë o çuna, ku shkoni. Mos hyni më tej pa dezinfektuar këmbët dhe duart. Është rregull, e kam urdhër, ndryshe nuk ju lë. Ehu më pushojnë nga puna mua. S’luaj me urdhrat. Panë ç’panë ata u dezinfektuan duke qeshur.
Pse aq rregull dhe pastërti ka pasur?
Absolute. Aty ishte farmaci e merr vesh? Aty punonin vetëm vajza të reja dhe gra të reja. Ato vishnin nga një pardesy doku prodhim Berati shumë të mirë, edhe pardesytë ngjyrë të bardhë. Çdo veprim, pra prerje e ndonjë gjethe të dëmtuar apo deh vetë prodhimin, bëhej vetëm dhe vetëm me gërshërë. Femrat në një dorë mbanin gërshërët në një dorë formalinën të veshura me dorashka. Rregull absolut. Po të shikosh sot serat janë tmerr. Asnjë rregull i tillë nuk zbatohet. S’ka kush i kontrollon.
Kush është problem i bujqësisë sot në përgjithësi?
Është mosekzistenca e luftës kundër dëmtuesve të bujqësisë. Pra nuk ka preparate për këto sëmundje. Nuk ka asnjë lloj organizimi. Sot vijnë ca preparate nga jashtë që janë të skaduara. Asnjë lloj helmi nuk ka efekt. Të futësh morrin në këto preparate nuk ngordh, pikë. Janë jashtë përdorimit, ose me gradacion helmi shumë të papërfillshëm, aq sa farmacitë bujqësore janë në mes të pazarit.
Pse ku duhet të jenë?
Nëse do ishin cilësore atëherë, do kishin fuqi, atëherë këto duhet të ishin në periferi, apo në vende të veçanta. E di çdo të thotë helme kundër insekteve në bujqësi, sa dhe miu duhet të ngordhë. Sot ka 100 farmaci bujqësore.
Po atëherë, ku mbaheshin këto helme bujqësore?
Në atë periudhë çdo fermë bujqësore, apo kooperativë kishin nga një ndërtesë vetëm për helmet. Një ndërtesë të veçantë tipike, ku kishte tre dhoma. Një dhomë secila për tipet e ndryshme të helmeve. Në një dhomë ishin pesticidet, shumatore. Në tjetrën insekticidet dhe në të tretën herbicide për barërat e këqija. Me këto helme të forta barërat, insektet apo sëmundje të tjera shëroheshin bimët.
Nga vinin këto lloj helmesh për bujqësinë?
Deri ën vitin 1970 këto vinin nga jashtë. Atëherë kontrollohej cilësia e tyre. Madje, dua të them se të gjithë firmat e huaja në atë kohë e dinin se regjimi s’të falte për kontrollet dhe i sillnin cilësore. Mbas viteve 1970 pjesën më të madhe të këtyre helmeve filloi ta prodhojë Durrësi.
A ishin cilësore helmet e Durrësit?
Shumë cilësore, po aq sa ato të huajat. Një shembull, një miku im më thotë kam gjetur belanë nga tartabiqet, pasi divani nga poshtë mbledh shumë të tilla dhe s’mund të flemë. I them unë kur të ikni me pushime më lini çelësin. Ashtu bëri. Unë vajta të nesërmen, mora me vete një shishe peniciline me koçifoz dhe shkova në shtëpi. E hodha koçifozin në një enë 2 litroshe me ujë dhe e hollova. Ajo shkumoi menjëherë u bë e bardhë. Pastaj e hodha ca poshtë divanit, ca poshtë krevateve, ca në depo, ca anës së dyerve dhe ajo që ngeli në vrimë të VvC-së. Kur dola derës i vura tek fundi që takonte me dyshemenë një leckë të lagur dhe me pak koçifoz me qëllim që të mos dilnin apo hynin insekte të tjera. Kur shkova të nesërmen u habita. Gjithë insektet kishin ngordhur, por dhe në vrimë të VvC kishte tre minj të ngordhur. Ja çfarë ilaçesh kish atëherë.
Sot a ka prodhime të tilla?
Për mua jo. Unë di të them siç kam dëgjuar. Një ditë në muaj Italia bën prodhime për Shqipërinë, qoftë ushqime, qoftë helme. Të gjitha jashtë standardeve. Këto vijnë tani në Shqipëri. Hidh helme sa të duash, as ngordh më insekti. Ky është një problem i madh për bujqësinë.
Sa vjet punove në atë ndërmarrje dhe ku shkove?
Pas ndërmarrjes unë shkova Kryetar i Kooperativës së Gjinarit, aty në Shpat ku ka marr dhe pseudonimin Enver Hoxha. Aty ndenja 7 vjet. Ishte 20 km larg Elbasanit, por në mal. I gjeta me 5 lekë për ditë pune (50 lekë të vjetra), dhe kur ika e lashë me 140 lekë në ditë (14 lekë të reja). Kishte raste që ën krasitje merrnin dhe 280 lekë për ditë pune pasi ishte kategoria e katërt. Atëherë me aq lekë jetoje shumë mirë, madje mund të blije 4 libra, sot aq sa merr në një ditë pune mezi e blen një libër. Sot një gazetë kushton 100 herë më shtrenjtë 30 lekë, pra 300 lekë. Unë atëherë kam marrë romanin “Dimri i madh” 60 lekë, sot e merr 15 mijë lekë.
Me cilët nga udhëheqësit e rrethit ke pasur më shumë kontakte?
Më shumë kam pasur me Pirro Kondin Sekretar i Parë. Me Pali Miskën, me Xhemal Dymylen.
Pse e veçoni Pirro Kondin?
Pasi ishte një burrë i edukuar, një burrë i thjeshtë, nuk ishte harbut, si shumë të tjerë. Një burrë i mrekullueshëm. Kur vinte ai për kontroll, pas raportimit kur pinim kafe, bisedonim me orë të tëra për letërsinë. Dinte si bënte kontroll. Njëherë u bë një analizë e madhe për Kooperativën në Komitetin e Partisë. Disa Sekretarë të Komitetit të Partisë së Rrethit që të tregoheshin të rreptë më kritikuan në disa drejtime që nuk ishin të gjitha të vërteta. Në fund u ngrit Pirro Kondi dhe tha, ky burrë u jep kooperativistëve nga 140 lekë për ditë pune. Këtë të bëj edhe në të ardhmen. Askush nuk e hapi më gojën.
Si punohej në kooperativa?
Sistem socialist i organizimit të punës, pra punë në grup, punë me brigadier. Kërkesat ishin të mëdha por nuk jetohej dhe aq keq. Veriu ishte problem. S’kishte çfarë të prodhohej dhe aty merrnin 30 lekë për ditë pune. Fukarallëk.
Si ka qenë sistemi ujitës i asaj kohe?
Perfekte. S’kishte më mirë. Ahere diskutohej se sa për qind e tokës ishte nën ujë. D.m.th që shkonte uji për vaditje. Kjo ishte detyra kryesore e partisë, që çdo vit të rritej toka nën ujë. Ai sistem ujitjeje që ishte dje, ai sistem që sot është shkatërruar nuk mund të ndërtohet as për 200 vjet.
Pse s’mund të ndërtohet?
Sepse mungon njeriu, mungon organizimi, bashkimi, tek e tek se bën dot asnjë. Ahere kishte një sistem të tillë ujitje dhe kullimi sa uji ngjitej ku duhej dhe kur binte shumë uji nuk ngelej mbi tokë, pra nuk përmbytej fusha të mbjellat si sot?
Po pse nuk përmbyteshin?
Pasi kishte sistem kullimi për tokat. Si kishte sistem ujitje kishte dhe sistem kullimi. Sikur 100 mlm shi të binte pas 4 orësh nuk do të kishte ujë mbi tokën prodhuese. Sepse kishte sisteme kundër përmbytjes. Në mes të parcelës kishte vijë kulluese, kanali kullues, pastaj ishte kanali terciar, që ja përcillte ujin të dytit, ose sekondar, pastaj kanali kryesor kullues që ishte primar. Pra një sistem zinxhir kanalesh kullues.
Po sot a ekzistojnë këta kanale?
As kanale vaditës, as kanale kullues nuk ekzistojnë. Po të jap një shembull të vogël. Kur kam punuar tek serat për vaditjen me ujë nxirrej ujë dhe nga puset. Mund të them se ishin hapur rreth 300 puse uji për vaditje. Sot nuk ka asnjë pus të tillë. Aktualisht për të hapur një pus në shtëpi do 500 mijë lekë. Ahere bë llogaritë me 300 puse sa lekë janë harxhuar. Ujë ka Shkumbini 24 orë, por janë prishur kanalet vaditëse, kanalet e shpërndarjes së ujit, ku dje s’kishte pëllëmbë toke pa u vaditur. Ndaj sot bujqësia është në këtë gjendje. Por ahere kishte dhe drenazhime, që ishin shumë moderne. Sot s’ka asnjë drenazhim.
Po pse sot prodhimet bujqësore vijnë nga jashtë?
Sepse sot nuk mundet vetëm nj fermer të bëjë kanale vaditëse, kanale kulluese, të bëjë plugim, të blejë të gjitha helmet apo të lërojë tokën. Një individ s’mund ti përballojë të gjitha këto. Duhet të subvencionohet nga shteti. Atë të mirë kishte ai shtet pasi investonte vetë. Kostoja e prodhimit fshatarit tonë i del e madhe, ndaj është më mirë të importohet prodhimi. Serat tona sot s;m,und të bëhen si në Holandë, pasi është një shpenzim kolosal. Fshatari do mbështetje, por do dhe treg ta sigurojë shteti, pasi tregu jonë është lidhur me jashtë, ndaj bujqësia është në krizë.
Krijoni Kontakt