Paksa e cuditshme qe lajmi i meposhtem nuk eshte pasqyruar ne kete forum... mbase jo dhe aq e cuditshme kur merr parasysh qendrimin politik te drejtueseve dhe faktin qe lajmi nuk ka gjetur pasqyrim ne mediat pro-qeveritare, lajmet e te cilave sillen shpeshhere ne forum...
Duket se FSH mban te njejtin qendrim si dhe qeveria per fshehtesine e ketij akti...
-----------------------------------------------------------------------------------------
----------------------------------------------------------------------------------------Shtëpia e Oficerëve, seli e PD
Partia Demokratike tani nuk ka vetëm një kryetar të ri, por ajo mund të ketë edhe një godinë të re për seline qëndrore të saj.
Të paktën sot, me letra, e ka. Sepse në mbledhjen e së mërkurës, qeveria, e cila është në fund të mandatit të saj, ka marrë vendim t'i kalojë Partisë Demokratike një nga pronat më të lakmueshme të Ministrisë së Mbrojtjes. Bëhet fjalë për Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë, përbri Parlamentit.
Vendimi në fjalë nuk gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave së bashku me vendimet e tjera, por burime zyrtare konfirmojnë për Top Channel se qeveria e kryeministrit Berisha e ka miratuar atë.
Nuk dihet me saktësi se çfarë do të bëhet me godinën historike të Partisë Demokratike, e cila nuk është në pronësi të kësaj force politike dhe gjendet në një territor që ka pronarë privatë.
Ajo që dihet është se ka qenë kreu i ri i demokratëve, Lulzim Basha, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai që ka bërë propozimin për marrjen e një godine tjetër për Partinë Demokratike dhe për këtë është piketuar Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë, e cila ka një territor dhe një ndërtim shumë më të madh sesa selia aktuale e Partisë Demokratike.
Është shumë herët të flitet se çfarë qëndrimi do të mbajë kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, rreth këtij vendimi, që transferon një pronë publike nga Ministria e Mbrojtjes tek forca kryesore e opozitës së ardhshme.
Por, deri tani Partia Socialiste ka mbajtur një qëndrim të ashpër për futjen në proces privatizimi të disa pronave të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes, duke deklaruar se do të kthejë mbrapsht çdo vendim që mazhoranca e re konsideron se ka cënuar interesin publik.
/Top Channel
------------------------------------------------------------------------Ish-ushtarakët në protestë
Fillimjava i bashkoi ish-ushtarakët në një protestë dy orëshe gjatë të cilës u kundërshtua vendimi për tjetërsimin e godinës së SHQUP-it që parashikohet te kthehet në seli të Partise Demokratike.
Ish-ushtaraket u mblodhën në oborrin e jashtëm të Shtëpisë Qendrore të Ushtrise ne nje kohe qe ky tubim u mbikeqyr edhe nga forcat e poicise, ndersa u vu re edhe rikthimi i ushtrise ne ambientet e jashtme te nderteses.
"Ata nuk duan të dinë që këtu ka qenë Ansambli i Ushtrisë; këtu ka filluar punën Vaçe Zela; këtu muzikanti Kujtim Laro ka përpiluar muzikë për filmat kryesorë shqiptarë; këtu janë bërë ditëlindje, festa; këtu është vendi i familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, shoqatave ushtarake", tha kolonel Mikado Shakohoxha.
Ish-zevendesministri i Mbrojtjes përgjatë viteve 1982- 1990, Bajram Bane shprehet për Top Channel se vendimi per marrjen e SHQUP-it perpos gjithckaje eshte nje perpjekje per te prekur historine e Forcave te Armatosura Shqiptare.
"Shtëpia Qendrore e Ushtrisë është pronë e ushtarakëve dhe ajo nuk duhet të tjetërsohet dhe të kalojë në seli të kujtdo partie. Kjo është historia e Ushtrisë, është muzeu i Ushtrisë është memorja e Ushtrisë, prandaj ne do të protestojmë fuqishëm jo vetëm këtë herë, por do të protestojmë edhe herë të tjera dhe nuk kemi për të lejuar që kjo shtëpi të tjetërsohet", tha Bajram Mane.
Ish-drejttuesi i katedres se Historise Ushtarake, profesor Shahin Leka i ben apel qeverise aktuale qe ta korrigjoje ne kohe kete gabim.
"Në 15 vitet e fundit kjo shtëpi u bë një mbështetje e fortë e shumë shoqatave me karakter ushtarak.Ky është një veprim amoral. T'i injorosh të gjitha këta njerëz dhe krejt befas t'u thuash se do t'u marrim këtë shtëpi është tepër amorale. Gjithë ushtarakët aktivë duhet të mos pranojnë ekzekutimin e një vendimi të tillë. Do të desha që edhe kjo qeveri që është në ikje le ta rregullojë paksa atë faj që ka bërë duke anuluar vetë vendimin", thotë profesor Leka.
Pas tubimit para godines se SHQUP-it, ish-ushtaraket vijuan marshimin para godines se Kryeministrise ku percollen te njejtin apel.
/ Top Channel
----------------------------------------------------------------------“SHQUP-i do t’i kthehet ushtrisë”
Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes në qeverinë Rama e quan të jashtëligjshëm vendimin e qeverisë për t’i kaluar për përdorim godinën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Partisë Demokratike.
Në një intervistë për Top Channel, zonja Kodheli sqaron se ku është shkelur ligji me këtë vendim të Këshillit të Ministrave nga ana e qeverisë në ikje.
“Ky vendim është marrë në mungesë të plotë të transparencës. Nuk është shpallur në faqen zyrtarë të Kryeministrisë. Ajo që është më e rënda dhe më e rëndësishmja është marrë në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës sepse SHQUP-i konsiderohet një unitet ushtarak që është pjesë e një plani të shpërndarjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Duke qenë pjesë e kësaj liste duhet të merret një miratim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht i Shefit të Shtabit të forcave të armatosura pa përjashtuar këtu Ministrinë e Mbrojtjes”, thotë zonja Kodheli.
Ajo shton se vendimi shkel hapur ligjin 8671 datë 26.10.2000, i ndryshuar me ligjin 9194, datë 19.2.2004, ku në piken 3 thuhet se Komandanti Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, “miraton planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje….”
Mimi Kodheli deklaron se gjatë një bisede telefonike që pati me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshin për këtë çështje, ai i ka pohuar se nuk ka firmosuar asnjë shkresë për nxjerrjen jashtë inventarit të pronave të Ministrisë së Mbrojtjes të ndërtesës së SHQUP-it.
“Unë kam kontaktuar e Shefin e Shtabit më shumë se një rast dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Gjë që më bën të besoj se kjo VKM, ky vendim i marrë dje nga ana e qeverisë është plotësisht në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar”, deklaroi Kodheli.
Por si do të veprojë për këtë çështje qeveria e ardhshme kur të marrë detyrën në shtator?
“Ju siguroj se ne do t’i kthejmë në situatën e mëparshme, statusin e asaj që ne e quajmë SHQUP. Do të vëmë përpara përgjegjësisë të gjithë ata të cilët me vetëdije kanë shkelur ligjet e shtetit shqiptar”, deklaroi zonja Kodheli.
Jo vetëm për godinën e SHQUP-it, por edhe për të gjitha pronat e Ministrisë së Mbrojtjes që po përpiqen të shiten me urgjencë nga qeveria Berisha, zonja Kodheli premton një hetim të hollësishëm.
“Kudo ku është abuzuar dhe shkelur ligji të gjitha procedurat do të kalojnë në një auditim të hollësishëm dhe unë besoj se abuzuesit do të marrin përgjigjen që meritojnë. Ligji duhet të jetë mbi gjithçka dhe ne duhet të jemi të gjithë të barabartë përpara tij. Nuk bën përjashtim këtu, qofshin edhe njerëz me pushtet, sic janë njerëzit që sot në shkelje të plotë të ligjeve kanë marrë këtë vendim i cili ju siguroj që do të jetë një vendim që do të rikthejë në vend këtë godinë e cila konsiderohet një godinë e rëndësisë së veçantë”, u shpreh Ministrja e ardhshme e mbrojtjes.
/ Top Channel
-----------------------------------------------------------------------------SHQUP-i, çështja trajtohet edhe nga BBC
Çështja e ndërtesës së Shtëpise së Oficerave që do të shndërrohet në selinë e Partisë Demokratike është trajtuar edhe BBC, që e cilëson këtë veprim si “aktin e fundit shpërblyes që partia në pushtet i bën vetvetes”.
Media prestigjoze britanike i referohet lajmeve të ditëve të fundit në Top Channel. Javën e kaluar - shkruan BBC - qeveria nënshkroi të drejtën mbi ndërtesën pranë Parlamentit në kryeqytetin Tiranë.
Vendimi ndezi protestat e dhjetëra ish-ushtarakëve, të cilët protestuan përpara zyrës së kryeministrit për t’i kërkuar atij kthimin e saj në një qendër historike dhe monument kulture.
BBC i referohet kronikës së Top Channel dhe deklaratës së kolonelit Mikado Shakohoxha, i cili tha se ndërtesa ka një domethënie kulturore për Forcat e Armatosura.
Megjithatë veteranët nuk duhet të shqetësohen - shkruan BBC - pasi me sa duket ministrja e ardhshme e Mbrojtjes është zotuar se do t’ia rikthejë ndërtesën ushtrisë.
/ Top Channel
Prapaskenat e tjetërsimit të SHQUP
Shtëpia Qendrore e Ushtrisë (SHQUP) ka qenë përherë në qendër të vëmendjes së qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha për të ndryshuar destinacionin e saj.
Si një ambient në qendër të Tiranës, e lakmueshme për hapësirën e madhe që ka institucioni, qeveria duket se ka menduar më herët që godina e SHQUP dhe ambienti përreth të tjetërsohet, kjo për qëllime biznesi. Sipas burimeve të gazetës “Shqip”, ideja e kryeministrit Sali Berisha për këtë godinë me vlera për ushtrinë ka qenë edhe për t’u privatizuar dhe për ta kthyer atë në një hotel.
Mësohet se ideja është hedhur nga vetë kryeministri Sali Berisha gjatë bashkëbisedimeve me shefat e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, të cilët kanë qenë kohë më parë në detyrë. Sipas burimeve mësohet se Berisha ka pasur një përplasje me ish-shefin e Shtabit, Maksim Malaj, në lidhje me SHQUP-in, për faktin se ai kishte si synim ndryshimin e destinacionit të kësaj godine, duke e tjetërsuar, privatizuar dhe duke e kthyer në një hotel. Mësohet se një ide e tillë është kundërshtuar nga gjeneral Malaj, i cili i ka kërkuar kryeministrit mosndryshimin e destinacionit të godinës së ushtrisë.
Ai i është drejtuar kryeministrit duke u thënë se ushtarakëve vetëm kjo ndërtesë u ka mbetur “në të mirë dhe në keqe”, duke nënkuptuar si për në gëzime dhe në hidhërime. Mësohet se kjo përplasje mes Berishës dhe Malajt ka ndodhur pak muaj përpara se gjenerali të shkarkohej nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ndoshta kjo “artificë”, pengesë, ka qenë edhe një ndër arsyet që sollën shkarkimin e gjeneral Malajt nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Maksim Malaj qëndroi në këtë detyrë deri në korrik të vitit 2011, për t’u zëvendësuar nga Xhemal Gjunkshi.
Kthimi në seli të PD-së
Qeveria “Berisha” është tërhequr nga ideja për ta privatizuar ambientin e ushtrisë shqiptare, duke bërë që objekti i cilësuar si vendi i shenjtë për ushtarakët të tjetërsohet në zyrë partie. Një vendim i fshehur i qeverisë në ikje me kryeministër Berishën ka bërë që së fundmi kjo godinë të kthehet në seli të Partisë Demokratike.
Ky vendim u shoqërua menjëherë me reagime të forta të ish-ushtarakëve dhe të përfaqësuesve më në zë të Partisë Socialiste. Mimi Kodheli, e cila pritet të marrë postin e ministres së Mbrojtjes në qeverisjen e re socialiste, reagoi duke theksuar se do ta anulonte atë.
“Ky vendim është marrë në mungesë të plotë të transparencës. Nuk është shpallur në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Ajo që është më e rënda dhe më e rëndësishmja, është marrë në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës sepse SHQUP-i konsiderohet një unitet ushtarak që është pjesë e një plani të shpërndarjes të FA-së së RSH-së. Duke qenë pjesë e kësaj liste duhet të merret një miratim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht i shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura pa përjashtuar këtu Ministrinë e Mbrojtjes”, deklaron Kodheli. Socialistja, në një intervistë për “Top Channel” bëri të ditur se “kam kontaktuar e Shefin e Shtabit më shumë se një rast dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Gjë që më bën të besoj se ky VKM, i marrë nga qeveria, është plotësisht në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar”. Ndërsa ish-ushtarakët kanë protestuar fuqishëm ndaj një vendimi të tillë përpara selisë së qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Një nga ushtarakët më të njohur në vend, gjeneral major Sandër Lleshi, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, aktualisht i liruar, shpjegon se tjetërsimi i pronës nuk mund të bëhet lehtësisht, pasi SHQUP-i është një instalim i Forcave të Armatosura dhe bën pjesë në planin e shpërndarjes së tyre. Për ish-zëvendësshefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Sandër Lleshi, vendimi për ta transformuar Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, nga një institucion ushtarak në një seli partie, është në shkelje të legjislacionit.
/ Top Channel
Krijoni Kontakt