Një denoncim i dyshimtë për grabitjen e 800 mijë lekëve të reja ka mbërritur në Policinë e Tiranës. Burimet bëjnë me dije se denoncuesi i identifikuar me inicialet E.M., ka kallëzuar rastin e “grabitjes” në polici. “Jam sulmuar te vendi i quajtur Kthesa e Kamzës. Kam qenë i shoqëruar me një mikun tim, kur një furgon më ka dalë përpara. Personat në të më kanë kërcënuar me armë zjarri, duke kërkuar të gjitha paratë që kisha me vete. I ndodhur në një situatë të tillë, unë ia dorëzova. Nuk arrita që t’i identifikoj personat që më grabitën”, ka dëshmuar E.H. në polici. Dëshmia e “të dhunuarit” nuk ka qenë bindëse për policinë, e cila është detyruar që ta rimarrë në pyetje për të disatën herë. Menjëherë pas kësaj, grupi hetimor shkoi në vendin e ngjarjes për të gjetur prova. Kur kanë mbërritur te vendi që E.H. ka përshkruar, nuk kanë gjetur asnjë provë materiale. Madje ekspertët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të një karburanti aty pranë. Pasi ato janë parë me vëmendje, në kohën që dyshohet se ka ndodhur grabitja, nuk ka pasur asnjë lëvizje të dyshimtë. Si pasojë e kësaj, E.H. dhe bashkëpunëtori i tij janë mbajtur të shoqëruar në polici, pasi dyshohet se ata kanë bërë kallëzim të rremë dhe paratë mund të jenë përvetësuar prej tij. S.M.