Në Shqipëri fitohet 4.5 mld euro nga kanabisi çdo vit- Më 23 gusht policia shqiptare bllokoi më shumë se 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, e cila ishte bërë gati për t’u tregtuar në Itali. Pikërisht kjo ngjarje mjaftoi që Shqipërisë, vend i cili aspiron që të integrohet në BE, t’i vendosej “damka” e burimit më të madh të marijuanës në kontinent.
Ishte një patrullim rutinë mes policisë kufitare të Vlorës dhe asaj italiane, ai që solli edhe bllokimin e ngarkesës së drogës në gadishullin e Karaburunit, e cila ishte paketuar në 38 çanta, gati për të kaluar kufirin.
Shqipëria tashmë konsiderohet gjerësisht si lidere në furnizimin e Europës me kanabis, si edhe një nga vendet transit për droga të tjera si heroina dhe kokaina.
Sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për Kontrollin e Narkotikëve, vitin e shkuar policia arriti të bllokonte më shumë se 21 ton kanabis, i destinuar për tregjet europiane, veçanërisht për Greqinë dhe Italinë. Kjo sasi e bllokuar kanabisi ishte dyfishi i asaj që u kap në vitin 2011. Gjithashtu, vitin e shkuar u bllokua dyfishi i ngarkesave me heroinë dhe kokainë në krahasim me 2011-ën, rreth 87.7 kg heroinë dhe 4.6 kg kokainë.
Policia financiare italiane thotë se kultivuesit e marijuanës në Shqipëri fitojnë më shumë se 4.5 miliardë euro në vit. Ndërsa nga eksporti i kësaj lëndë në vitin 2012, u fituan plot 1.7 miliardë euro. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, rritja e sasive të bllokuara të drogës në Shqipëri vit pas viti ka dy anë të një medaljeje.
E para është se janë zhvilluar më së miri teknikat e policisë për kapjen e drogës dhe ana tjetër është se ka patur edhe një rritje të jashtëzakonshme të kultivimit të këtyre lëndëve. Pjesa më e madhe e narkotikëve kultivohen rreth Lazaratit, në jug të Shqipërisë, i cili ndodhet shumë pranë kufirit grek.
Sipas një artikulli të publikuar në “Global Post”, i cili citon burime të inteligjencës, thuhet se këtë vit në Lazarat janë mbledhur më shumë se 24 hektarë tokë me kanabis, përafërsisht rreth 300 mijë rrënjë , të vilat mund të nxjerrin më shumë se 500 ton marijuanë.
Kanabisi zakonisht mbillet në muajin maj dhe korret në shtator. Rreth 90% e banorëve të Lazaratit, ku popullsia totale është rreth 7 mijë, besohet se janë të përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike. Verën e shkuar, një skuadër e forcave speciale tentoi të hynte në Lazarat, por kjo tentativë u kthye në një përplasje me armë zjarri, të cilën një efektiv policie i pa identifikuar e quajti gati si një luftë.
“Vendi ishte i fortifikuar në 20 pozicione. Kishte lloje të ndryshme armësh, madje edhe mitraloz të rëndë, së bashku me predhat antitank”, tha efektivi i policisë për “Global Post”. “Kam parë një të moshuar rreth të 70-ve që na qëllonte me mitraloz. Mendova se do te vdisja”.
Ai që i favorizon më shumë kultivuesit e kanabisit është funksionimi i pjesshëm i sistemit gjyqësor. Të gjitha këto probleme krijojnë një sfidë të fortë për kryeministrin e ri të vendit, Edi Ramën.
Partia e tij, e cila fitoi zgjedhjet e 23 qershorit, ka një objektiv mjaft të qartë, marrjen e statusit kandidat. Tre vjet rresht Shqipëria dështoi ta merrte statusin e vendit kandidat, ndërsa tashmë me qeverinë e re, e cila do të fillojë punimet së shpejti, do të tentojë ta marrë në muajin dhjetor.
30.03.2013
www.lajm-shqip.com
kanabis foto
![]()
Krijoni Kontakt