Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 9
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    Analisti i sondazheve, Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    Emri:  download-817.jpg

Shikime: 500

Madhësia:  5.7 KB

    Edi Rama prezantoi dje Shkëlzen Maliqin, si këshilltarin e tij për rajonin, duke hapur mjaft debat rreth kësaj zgjedhjeje. Publicisti Maliqi, që në Shqipëri njihet më së shumti për sondazhet e shumëdiskutuara nën siglën e fondacionit “Gani Bobi”, por edhe për disa qëndrime kundër vetë Ramës, është prezantuar prej këtij të fundit në faqen e tij në “Facebook”. “Njëri prej tyre do të jetë edhe një intelektual i mirënjohur dhe i mosvarur, që do të vijë nga Prishtina, për të ndihmuar në jetësimin e rolit që parasheh për Shqipërinë në rajon programi ynë i Rilindjes: Shkëlzen Maliqi”, – shkruajti dje Rama lidhur me këtë prezantim. Më tej ai sqaron se shpresonte që Maliqi do ta ndihmonte atë në një afrim të madh të Shqipërisë dhe qeverisë së ardhshme me vetë Kosovën, por edhe me shtetet e tjera të rajonit. “Ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar. Marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne njerëzve të këtyre territoreve, t’i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal, pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkëlzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë fisnik”, shkruante më tej Rama në komentin e tij. Ashtu siç edhe thekson vetë Rama në këtë koment, pra bëhet fjalë për një njeri që i përket shoqërisë civile dhe që shpreh hapur mendimin e tij publikisht, shpeshherë tepër kritike për kryesocialistin, duke u cilësuar nga Rama si i mosvarur. Kujtojmë se Shkëlzen Maliqi mbahet mend për shqiptarët, se ka qenë përfaqësuesi i kompanisë “Gani Bobi”, e cila në dy procese zgjedhore ka kryer sondazhe paraelektorale, të cilat në përgjithësi e nxirrnin PS-në në opozitë. Çka në atë kohë do të bënte që vetë socialistët t’i ironizonin sondazhet e prezantuara nga Shkëlzen Maliqi. Jo vetëm kaq, por edhe deri para pak muajsh, Maliqi, duke komentuar aleancën Meta-Rama, do ta kritikonte këtë fundit si kokëfortë dhe arrogant. Gjithsesi, e shkuara tashmë pak rëndësi ka, pasi që nga mesi i shtatorit, Maliqi do të jetë zyrtarisht një këshilltar i Ramës. Ai është këshilltari i dytë që prezantohet nga Rama, pasi më parë kryeministri i ardhshëm ka prezantuar edhe Sandër Lleshin, si këshilltar për Mbrojtjen. Duke iu referuar pikërisht këtyre emërimeve, Rama do të shkruante dje në faqen e tij në “Facebook”, se synimi i tij është që t’i japë fund kabinetit të kryeministrit me shumë anëtarë, duke theksuar se në kabinetin e vet do të ketë vetëm një bërthamë njerëzish të spikatur në fushat e tyre. “Kabineti i ri i kryeministrit do të ndryshojë thellësisht. Numri i madh deri më sot i këshilltarëve, do t’ia lërë vendin një bërthame strategjike njerëzish me cilësi të spikatura, të cilët do të luajnë rol kyç në përgatitjen e vendimmarrjes”, – do të shkruante Rama. Sa i përket kabinetit të tij, ai ka përzgjedhur deri më tani edhe sekretarin e përgjithshëm, që do të jetë Engjëll Agasi dhe shefen e kabinetit, Valin Bizhgën.

    MAPO

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    Rama zgjedh këshilltar Shkëlzen Maliqin, i “parashikoi” humbjet në zgjedhje

    Edi Rama ka njoftuar se ka zgjedhur për këshilltar të tij për rajonin Shkëlzen Maliqin, një zgjedhje që sot ka lënë me gojë hapur opinionin publik dhe Partinë Socialiste. Kosovari Shkëlzen Maliqi është themelues i kompanisë “Gani Bobi”, një emër që do të thotë shumë për Ramën e PS-në, pasi kjo kompani e kontaktuar nga tvKlan në zgjedhjet e shkuara ka parashikuar humbjen e PS-së, madje një humbje të thellë në vitin 2011 të tij ndaj Lulzim Bashës. Maliqi ka marrë akuza nga PS për manipulimin të rezultatit të sondazheve dhe për njëanësi në bërjen e këtyre sondazheve. Por edhe pse Shkëlzen Maliqi nuk gëzon gjithë simpatinë e socialistëve kjo ska qënë pengesë për kryeministrin e ri që ai ta emërojë këshilltar për Rajonin. Si gjithmonë Rama e njoftoi vetë këtë vendim nëpërmjet faqes në facebook ku shkruan se “pjesë e kabinetit tim do të jetë edhe një intelektual i njohur, i mosvarur nga Kosova” Shkëlzen Maliqi “ Më tej Rama shkruan në facebook se “kabineti i ri i kryeministrit do të ndryshojë thellësisht. Numri i madh deri më sot i këshilltarëve do t’ia lërë vendin një bërthame strategjike njerëzish me cilësi të spikatura, të cilët do të luajnë rol kyç në përgatitjen e vendimmarrjes”. Duke argumentuar zgjedhjen e tij të re ai thekson se kjo zgjedhje është bërë pasi Shqipëria do të ecë më shpejt drejt Kosovës dhe fqinjëve në tërësi. “Ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar. Marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t’i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkelzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë fisnik”, shkruan Rama.

    MAPO

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    Këshilltari i ri i Ramës: antieuropë

    AUREL PLASARI

    Çfarë kam shkruar më 1995 për “filozofin nga Kosova”
    Për shkaqe koniunkturash politike tanimë të ditura, u punua me zell për t’i shkëputur shqiptarët nga Europa, me të cilën ata qenë të bashkuar nëpërmjet lidhjesh të thella, shumëfishe, që shpinin te rrënjët. Nuk po bëj fjalë për gati pesë shekujt e kaluar nën perandorinë që “e shikonte Europën me shikimin e njeriut ndaj shtazës” (Ali Bin Maksud). Kujtoj vetëm përpjekjet sistematike për t’i devijuar shqiptarët nga konstantja europiane nëpërmjet mbrujtjes së tyre me idetë së pari të projektuara nga Titoja, mandej nga Stalini, dikur nga Maoja, si edhe nga Hoxha vetë. Këto ide, të cilat i bashkonte antieuropianizmi i tyre, përbënin përligjjen historike të një ideologjie totalitare që synonte t’i shkëpuste shqiptarët nga popujt e tjerë europianë, çka kërkonte edhe një modifikim tërësor të mendësisë së tyre. Atyre që në të ardhmen do t’ua dojë puna të studiojnë seriozisht sistemin ideologjik të Hoxhës, do t’u qëllojë të vërejnë se si antieuropianizmi i diktatorit gërshetohej me një kompleks latent antikristian. E kam nënvizuar një herë mënyrën se si Hoxha në shkrimet e veta lartonte islamin duke denigruar krishterimin: “E vërteta është se Kur’ani është më i plotë dhe më i pastër se Bibla e izraelitëve dhe se Ungjilli i të krishterëve”: shprehje fundamentaliste që do të tingëllonin të pabesueshme në gojën e një marksist-leninisti “ateist”. Të mos habitemi po qe se gjurmë të këtij deformimi, në të cilin antieuropianizmin nga antikristianizmi nuk e ndan dot, ndeshen edhe sot e gjithë ditën ndër do shqiptarë “të shkolluar”, deri ndër “filozofë” revistash. Vetëm njëri prej tyre është Shkëlzen Maliqi, të cilin po e citoj drejtazi se si na paralajmëron në shkrimin e tij “Shqiptarët dhe Evropa”:

    “Evropa për shqiptarët mund të paraqitet jo vetëm si shpresë, por edhe si rrezik për vdekje”.

    Si e qysh e tek Europa mund të përbëkësh për shqiptarët “rrezik për vdekje”, Maliqi këtë nuk na e shpalon. Nuk na mbetet veç të përpiqemi ta deduktojmë “rrezikun për vdekje” prej atyre ideve hapërdarë sidokudo te “Shqiptarët dhe Evropa” [...] I vetmi shpjegim që mund të nxirret prej përçartjeve të tij antieuropiane mbetet pasusi i mëposhtëm, një pasus vërtet magjistral, i denjë për një projekt strategjie mbarëkombëtare:
    “Fati ynë ndoshta përsëri mund të kapë drejtimin e Orientit, por kësaj here jo si lidhje me Moskën/Pekinin, por si lidhje me Orientin e një tipi tjetër, që kohëve të fundit po shfaqet si fuqi e re planetare. Është kjo sfida e modelit të zhvillimit të shpejtuar të shteteve të Lindjes së Largët (Japonia, Tajvani, Koreja Jugore, Singapuri, Hong-Kongu, Malajzia) që parashihet se në të ardhmen jo fort të largët do të bëhen fuqi dominante ekonomike të botës, e ndoshta (me Kinën gjigante kapitaliste) edhe hegjemon i ri i saj”.
    Se do të arrinte një “filozof” i fantaksur që, mbasi t’u kallte datën shqiptarëve me “rrezikun evropian”, t’u tregonte edhe rrugët e Tajvanit e të Malajzisë, të Kinës e të Koresë, jo: këtë nuk do ta kisha menduar. Në vend të maskarallonte paragrafët e librit të Plasarit, idetë e Kadaresë dhe citatet e Zavalanit, më mirë do të kishte bërë Maliqi të kishte heshtur se – për besë – për “filozof” më të madh do ta kishin mbajtur. Kot ua ka shkelur brezin autorëve të mësipërm. Kot së koti është rrekur me pyetje lakadredhase, si: “Cila është sot ideja e Evropës?”. “Cilët janë shqiptarët?”. “Çka e kanë ata Evropën dhe çka i ka Evropa ata?” etj. Këso pyetjesh të vejë e t’ua bëjë analistëve, eseistëve apo filozofëve aziatikë dhe nj’atyre që pandehin se integrimet e mëdha të bashkësive kombëtare e ndërkombëtare janë thjesht çështje teknologjie ose ekonomie, finance ose kontabiliteti.
    Në Europë mendohet diç më ndryshe se në Lindjen e Largët. Ekonomisti emërmadh Jean Monnet, njëri nga ata që më së shumti patën kontribuar për ndërtimin e bashkësisë europiane mbi baza të ekonomisë e të teknologjisë, dëftoi në fund të jetës së tij një intuitë gati profetike duke deklaruar se, nëse puna duhej nisur nga e para, ai do t’ia fillonte nga kultura: “Si c’était à refaire, je commencerais par la culture”. Në fushat ekonomike, teknologjike etj. zotërojnë interesa vetjake, private. Kultura është ajo lidhje e fuqishme që mund të çojë jo te bashkimet sipërfaqësore, por te rrënjët e përbashkëta. Madje, edhe në çastet kur ne bjerrim kohë e djerrim letër me polemika, ndërsa një “filozof” nga Kosova zbavit halabakët e tij me riprodhime rëndomqare të sloganeve prej çajtoresh kosovare, si “Me *** në Evropë!” (“Shqiptarët dhe Evropa”, f. 9), europianët punojnë për t’iu kthyer rrënjëve të tyre kulturore më të thella. Dhe kurrfarë faji europianët “filozofëve” të tillë nuk u kanë, po qe se këto rrënjë nuk i gjejnë as në Hong-Kong e as në Singapur, as në Malajzi e as në Honolulu.
    * Fragment nga Aurel Plasari, Europa nga rrënjët, në “Rilindja javore”, nr. 12, 13-19 gusht, 1995.

    Studiuesi i njohur, Aurel Plasari, ka replikuar dje me miqtë e tij në rrjetin social “Facebook”, pas ribotimit të shkrimit të vitit 1995 me titull “Europa nga rrënjët”. Në përgjigje të komenteve, Plasari shkruan se Rama e ka lexuar shumë mirë shkrimin e tij ku përmendet edhe Shkëlzen Maliqi. “Idetë antieuropiane të zotërisë janë të fillimit të viteve ’90. Pra nuk kanë lidhje me problematikën aktuale. Zotëria nuk është kundër BE-së, lexomëni mirë. Është kundër EUROPËS në kuptimin e orientimit europian të shqiptarëve. BE-ja është thjesht BE, sot është, nesër s’është. Bëhet fjalë për EUROPËN ku jemi edhe ne gjeografikisht, historikisht, madje për mua edhe kulturorisht”, shkruan Plasari. Studiuesi i njohur i është përgjigjur edhe një komenti të një miku të tij, i cili parafrazon një qëndrim të Shkëlzen Maliqit në vitin 1995, që kosovarët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. “I vetmi shpjegim hëpërhë: ndoshta ia ‘emëron’ një fuqi tjetër…”, është përgjigjja e Plasarit.


    Panorama

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    Cfare kane te perbashket, Erdogani, Turqia dhe Shkelzen Maliqi? Turqia eshte jashte Evropes se Bashkuar dhe Rama viziten e tij e pare si kryeminister me ministrat e tij e ben ne Turqi. Turqia ne interesat e saj ka qe te mbaje larg Evropes se Bashkuar edhe Shqiperine edhe Kosoven pasi hyrja e ketyreve vendeve ne Evrope, i largon ata nga sfera e influences turke ne Ballkan.

    Cili ishte qendrimi i Edi Rames ne opozite kur vinte fjala tek integrimi evropian?

    Bojkoti i procesit dhe zvarritja e tij. Shume analiste e pane kete si nje menyre per ti mohuar kryeministrit Berisha "anetaresimin ne BE" qe ky mund ta perdorte per fushate. Por ne ditet ne vazhdim, po kristalizohet qe qellimi i Rames nuk ishte thjeshte nje perllogaritje politike, ai eshte i perkushtuar per ta mbajtur Shqiperine jashte BE. Qellimi i tij eshte kthimi i Shqiperise ne modelin e "narko-shtetit" qe eksporton droge e krim drejt Evropes Perendimore. Per aq kohe sa shqiperia eshte jashte tuteles se BE, njerezit si Rama e kompani nuk kane perse u japin llogari partnereve evropiane per qendrimet e tyre politike ne vend. Dhe misioni i tyre nuk eshte Shqiperia Evropiane, eshte Shqiperia kolumbiane, ku shteti mberthehet nga klanet e krimit te organizuar te miqve e sponsorizuesve te ngritjes se Rames ne pushtet.

    Pergatituni per rikthimin e skafeve ne Vlore, rikthimin e mbjelljes e kultivimit te hashashit ne gjithe territorin e vendit nga fshataret, rikthimin e mushkave e kamioneve me drogen e Lazaratit qe levizin lirshem ne territorin shqiptar me bekimin e qeverise, rikthimin e trafikut te drogave me pashaporta diplomatike, pastrimin e pareve te krimit te organizuar ne Shqiperi ne industrine e ndertimit dhe turizem.

    Miresevini ne Shqiperine e Rames!
    Miresevini ne Shqiperine kolumbiane!

    Interesant do te jete qendrimi i Ilir Metes dhe LSI, qe jane shprehur hapur dhe jane te perkushtuar per integrimin e Shqiperise ne BE. A do te behen pale e planeve te Rames, apo do te dalin nga koalicioni me ta? Koha do ta tregoje.

    Albo

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    Shkëlzen Maliqi gjobitet nga gjykata kosovare, nuk deklaroi pasurinë si zyrtar

    PRISHTINE-Këshilltari më i ri i kryeministrit Edi Rama për cështjet e rajonit është një emër i përfolur gjerë në median kosovare. Jo vetëm për publicistikën që shkruan, por dhe në sajë të një vendimi gjykate.

    Vetëm pak ditë më parë një agjenci kosovare e lajmeve publikoi lajmin se Shkëlzen Maliqi, zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës nuk deklaron pasurinë sipas ligjit.

    Për këtë arsye Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Shkëlzen Maliqin me 300 euro gjobë. Sipas vendimit të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, Maliqi është dënuar me datë 2 maj 2013, raporton Indeksonline. Ky dënim i është shqiptuar atij meqë nuk ka raportuar për pasurinë e tij dhe mban postin e këshilltarit politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

    “Gjyqtarja Azra Cakolli duke vendosur në procedurën për kundërvajtje kundër të pandehurit Shkelzen (Mehmet) Maliqi nga Prishtina për kundërvajtje nga neni 8 lidhur me nenin 5.1. dhe 6.2. ndëshkuar me nenin 17 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen e Pasurisë dhe Kontrollin e Pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat e Zyrtarë, Nr. 04/L-050, në bazë të nenit 73, 74, 195, 199 dhe nenit 9 të Ligjit mbi Kundërvajtjet (LK) GZ KSAK 23/79, më datë 02.05.2013 morri këtë: … duke shpjeguar se si zyrtar i lartë publik në Ministrinë e Punëve të Jashtme ai nuk e ka publikuar prejardhjen e pasurise dhe për këtë është gjobitur me 300 euro.

    Emri i Shkelzen Maliqit nuk figuron as në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme si këshilltar politik.

    Vendimi i Gjykates

    Emri:  72191.jpg

Shikime: 354

Madhësia:  178.3 KB


    Balkanweb

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    Prill 2013, Shkëlzen Maliqi për Edi Ramën: Arrogant dhe kokëfortë!

    NGA: SHKELZEN MALIQI

    Këshilltari më i ri për cështjet e rajonit i kryeministrit të zgjedhur Edi Rama do të jetë Shkëlzen Maliqi. Ky emër rezulton dhe një nga kritikët më të mëdhenj të Ramës dhe aleatit të tij bashkëqeverisës, Ilir Meta. Ja një editorial i botuar nga Shkëlzen Maliqi në një prej të përditshmeve kosovare.
    Shkrimi është botuar me titullin “Meta-Rama”, në gazetën “Express” të Kosovës, më 2 prill të vitit 2013.

    Meta-Rama
    Nga Shkëlzen MALIQI

    Kokëfortësia dhe arroganca në politikë zakonisht paguhen shtrenjtë. Në zgjedhjet e vitit 2005, një leksion për arrogancën e tij e pat marrë Fatos Nano, pasi që e pat nënçmuar shkëputjen e Ilir Metës dhe grupit që formoji partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ia shkëputi PS-së një pjesë të elektoratit të majtë. LSI u bë shkak kryesor pse e majta humbi pushtetin. Pas dështimit në vitin 2015, Nano u detyrua që të japë dorëheqje nga kreu i PS-së, dhe nuk arriti që të kthehet në politikë aktive, edhe pse bëri disa përpjekje. Me pasojat e kokëfortësisë dhe arrogancës do të ballafaqohet edhe zëvendësuesi i Nanos në PS, Edi Rama. Paradoksalisht, Rama ka qenë politikani i cili gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2005 ishte distancuar nga miopia e Nanos në qasjen ndaj LSI-së dhe Metës, duke parashikuar se kjo do të ketë si pasojë humbjen e zgjedhjeve. Për të dëshmuar se e majta pa unitet nuk mund të ketë sukses, në zgjedhjet lokale të vitit 2007 Rama bëri koalicion me Metën dhe partitë tjera të së majtës për t’i fituar ato bindshëm. Por, pas suksesit të vitit 2007, kur Rama siguroi edhe mandatin e tretë si kryebashkiak i Tiranës, Rama do të bëjë gabimin e Nanos, duke ushqyer bindjen se mund të bëhet lider i vetëm i së majtës edhe pa LSI-në. Ai besoji se ligji i ri zgjedhor që e akordoi me Sali Berishën, do të favorizojë PS-në, si partinë individualisht më të madhe në Shqipëri, si dhe lidershipin e tij, karshi rivalitetit që u shfaq në raport me Ilir Metën, i cili ishte kundër ligjit të ri zgjedhor.

    Në vitin 2009 strategjia e defaktorizimit të LSI-së dhe të Ilir Metës dështoi. Në vend që e gjithë e majta të futet nën ombrellën e PS-së dhe Ramës si lider i saj, LSI-ja arriti që të kalojë pragun zgjedhor dhe në zgjedhjet nacionale fitoi 4 mandate që do të bëhen decizive për mbetjen e PD-së dhe Sali Berishës në pushtet. Koalicioni i PD-së pat fituar rrafsh gjysmën e mandateve, 70 deputetë, kurse PS-ja 66, dhe 4 mandatet e LSI-së edhe nëse do të përcaktoheshin për t’u bashkuar me të majtën, nuk do të kishin efektin dhe Meta vendosi që të bëjë koalicion me Berishën. Pas dështimit të vitit 2009 Rama ka insistuar shumë kohë në parregullsinë dhe vjedhjen e votës duke organizuar protesta dhe greva, por nuk arriti që të rihapën dhe rinumërohen votat kontestuese. Në këtë periudhë animoziteti mes Ramës dhe Metës thellohet dhe duket i pakapërcyeshëm, sikurse edhe ribashkimi i votës të së majtës konsiderohej si mision i pamundur. Në këtë atmosferë të mosunitetit do të mbahen edhe zgjedhjet lokale të vitit 2011, ku Rama vendosi që të garojë për postin e kryebashkiakut të Tiranës edhe për të katërtën herë. Kësaj here Rama mori edhe një leksion ndëshkues për kokëfortësi dhe arrogancë, sepse sërish nënçmoi faktorin LSI, që në një garë tejet të baraspeshuar si “fotofinish” ku vendimtare u bënë një grusht votash, fitues doli Lulëzim Basha i PD-së.

    Ndonëse edhe këtë humbje Rama e priti me hidhërimin e “vjedhjes së përsëritur”, pasi Basha e siguroi fitoren pas rivlerësimit të disa dhjetëra votave kontestuese në forumin e KQZ-së ku PD-ja kishte mazhorancën, ai pas disa muajsh do të bëjë një reflektim serioz të gabimeve vetanake që edhe i kanë mundësuar ‘skemat e vjedhjeve’. Në rastin e Tiranës ka qenë evidente se përparësia e madhe që e ka pasur Rama në tri garat e para është shkrirë pasi që i kanë ikur votat e LSI-së. Pas kongresit të PS-së në nëntor të vitit 2011 Edi Rama ka bërë kthesën strategjike, duke e ndërprerë politikën e protestave dhe konflikteve, i kthen deputetët e PS-së në Kuvend, dhe rifillon dialogun dhe afrimin me të gjitha forcat politike të majta, duke përfshirë këtu edhe gjetjen e formulës së pajtimit me Ilir Metën. Në vigjilie të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në qershor, LSI-ja ka vendosur që të dalë nga koalicioni me PD-në dhe këto ditë pritet shpallja e koalicionit të madh të majtë, PS-LSI, që do të përfshijë edhe shumë parti dhe grupe tjera të së majtës. Një koncentrim i tillë i forcave të majta nuk ka ndodhur prej kohësh. Dhe kjo manovër që nuk vjen në momentin e fundit, por në kohën duhur dhe që sinjalizon se është përgatitur gjatë dhe i ka edhe bazamentet e orientimeve programore, paralajmëron se e majta në qershor do të konkurrojë fuqishëm për të rimarrë pushtetin pas 8 vitesh.

    Ky koncentrim i partive të majta, krahas çarjeve që kanë ndodhur në bllokun e partive të djathta, ku disa subjekte të reja si Aleanca Kuq e Zi dhe Fryme e Re Demokratike, kanë gjasa që të rrëmihin një pjesë të votës së djathtë përafërsisht në ato përqindje sa i shkëpuste LSI-ja bllokut të majtë kur garonte jashtë këtij blloku, pothuajse garanton rrëzimin e Sali Berishës nga pushteti. Kuptohet, për një pjesë të opinionit pajtimi i Ramës me Metën pas rivalitetit të gjatë duket nëse jo i pamundur atëherë i dyshimtë. Por, në politikë nuk janë të rralla këto kthesa për 180 gradë! Tandemi Rama – Meta, në fillim të viteve 2000 ka funksionuar shumë mirë, kur Mata ishte Kryeministër i Shqipërisë dhe Rama Kryebashkiak ambicioz që arriti ta bëjë mrekullinë e parë të madhe në Shqipëri duke e ringjallur kryeqytetin nga ngulfatja që e kishte kapluar gjatë anarkisë së periudhës pasdiktatoriale. Koalicioni i ri Rama – Meta ka gjasa që të bëjë kthesën e re në Shqipëri, duke ia hapur rrugën Shqipërisë për integrime evropiane dhe krijimin e kushteve për tejkalimin e politikave të konfliktulitetit të brendshëm, sepse me largimin e Sali Berishës duhet pritur edhe konsolidimin e të djathtës shqiptare.

    Botuar në gazetën “Express” të Kosovës, më 2 prill 2013

  7. #7
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897

    Për: Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    Ky Rama me keta Maliqet do ta bejne Shqiperine si Danimarka. Vetem do durojme nja 4 vjet per dritat, e pastaj kater te tjera per ujin e rruget.

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    Provokatorët e radhës të Edi Ramës

    AUREL PLASARI

    Provokatorët e radhës të Edi Ramës nuk i puq mjekra e modës, të cilën e mbajnë që të dy me karar, à la Europe, por bashkëpunimi në maskarallimin publik të ideve të “të tjerëve”, në kuptimin të atyre që nuk janë “të tyret”. Njëri njoftohet për “filozof” me diplomën e Fakultetit Filozofik të Beogradit, – e njohin më mirë në Kosovë, – por edhe si fallxhor elektoral. Tjetri për biznesmen i shumëmbarëvajtur, ndërtues, çndërtues, mësimdhënës audiovizual, botues dhe përdorues si armë i një gazete dje në opozitë dhe qysh tani – afërmendsh – në shërbim të pushtetit të pritshëm. I pari s’afërmi do të jetë “këshilltari për rajonin” i Kryeministrit në pritje, të dytin s’afërmi do ta ketë deputet Grupi parlamentar i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në një debat për europianitetin e shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian, duke shkruar dhe botuar, të dy kanë guxuar të maskarallojnë në publik idetë e mia për ç’i takon çështjes së Islamit në kontekstin europian, duke fabrikuar dhe botuar trillime dhe/ose insinuata. Duke qenë se ky debat në kulturën tonë është i hershëm dhe çështja është e ndjeshme, ja ku po riprodhoj tekstualisht qëndrimin tim për këtë çështje shkruar në një ese të vitit 1992 dhe botuar më 1993, pra qysh njëzet vjet më parë:
    “Nëse sot në Europë vërehet një prirje për ta refuzuar Islamin, kjo prirje bart, pa dyshim, efekte negative për të ardhmen e bashkuar të kontinentit” (f. 53).
    Edhe më tej:
    “Islami i ka sjellë e vazhdon t’i sjellë njerëzimit të mira të mëdha, veçanërisht për nga pasurimi i botës shpirtërore: njohja e transcendencës së një Zoti të vetëm, ndjenja e vëllazërimit dhe e solidarësisë mes njerëzish, kuptimi që i jepet jetës etj. Edhe pa qenë besimtar, nuk mund të mos magjepsesh prej arkitekturës së shenjtë myslimane, prej veprave të pavdekshme të artit të shenjtë islamik etj. Nëse Europa duhet ta marrë seriozisht çështjen islame, kjo jo për “keqardhje” ose “tolerancë”, por sepse aktualisht ajo ka nevojë për Islamin, si për fetë e tjera të mëdha. Vetëm se kjo është një nga ato nevoja që plotësohen në mënyrë të natyrshme, paqësore, përndryshe shndërrohen në imponime e sjellim mbas vetes refuzime të reja” (f. 53-54).
    Kjo ka qenë ideja ime për ç’i takon çështjes së Islamit në kontekstin europian, e cituar dhe e ricituar më se një herë edhe prej respektuesve të vërtetë të fesë në fjalë. Më qartë qëndrimin tim nuk do ta kisha formuluar dot as sot, ndonëse e mbaj veten më të pjekur. Mendoj gjithashtu se për lexuesin e ndershëm, që di të gjykojë “fair”, kjo ide imja as ka nevojë për komente keqdashëse. Nëse dy provokatorët mund ta kenë zili faktin që këtë ide kam pasur mend ta shpreh qartë këtu e njëzet vjet të shkuar, kur idetë e tyre të atëhershme për Europën publiku ende nuk i ka të qarta as sot, unë nuk u bëj dot derman: edhe zilia njerëzore është. Fundja, i ka jeta këto! Edhe nëse dy provokatorët, në krah të Edi Ramës, kanë marrë përsipër që me insinuata dhe maskarallime të nxisin në këtë shoqëri urrejtje dhe përçarje, ky qoftë i tyri si mision dhe shërbeftë si paralajmërim për shoqërinë shqiptare. Dhe as fjali kinse-respekti të mos shpenzojnë për mua duke ledhatuar mjekrat à la Europe, se tash disa dhjetëvjeçarë që shkruaj nuk shkruaj për të më lexuar gjind që s’dinë të lexojnë.
    Që njëri prej provokatorëve nesër do të jetë këshilltar zyrtar i Kryeministrit të radhës, ndërsa tjetri anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, kjo nuk duhet të na ndikojë hiçaspak për t’i pohuar të vërtetat siç janë. Të vërtetat nuk janë punë votimi, as çështje “shumice”. Pra as çështje demokracie. Janë çështje specialiteti. Edhe zanati më i thjeshtë në botë, ai i gatimit të bukës, është çështje specialiteti dhe jo votash. E vërteta nuk zgjidhet nëpërmjet pasjes së “shumicës” ashtu sikurse në gjeometri teoria e Pitagorës nuk vihet në votim për të vendosur në është e vërtetë apo jo. Nga individë të tillë që po e shpallin publikisht maskarallëkun e tyre ende pa u ngjitur siç duhet në pushtet, përfytyroni se ç’mund të pritet kur të jenë ngjitur atje tek presin të ngjiten! Nuk e parashikojnë të gjorët që, edhe atje “lart”, do të mbeten vetëm moot-ra, me epitetin që miku ynë Edison Ypi ndodh ta përdorë me të tepërt, por që në disa raste qenkësh i meritueshëm. Le t’i trajtojmë siç e meritojnë.

    Panorama

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin

    EKSKLUZIVE/Shkëlzen Maliqi: Pse u prisha me “Klanin”, te Edi Rama me çoi Batoni

    Nga: FATMIRA NIKOLLI

    EKSKLUZIVE

    I emëruar këshilltar i kryeministrit të zgjedhur Edi Rama për rajonin, Shkëlzen Maliqi vjen në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” për punën e re. Ai rrëfen se si duhet të jenë marrëdhëniet me Serbinë, Greqinë dhe Maqedoninë dhe si duhet t’iu përgjigjemi sjelljeve e pretendimeve të tyre. Maliqi, pranon të hedhë dritë mbi akuzat e bëra ndaj tij për luftën në Kosovë apo lidhjet me Serbinë, por tregon përpos njohjes me Ramën në vitet ’90, edhe polemikat e përplasjet me Fatos Lubonjën, Aurel Plasarin, Mero Bazen e televizionin “Klan”.

    Zoti Maliqi, që prej ‘emërimit’ tuaj si këshilltar i kryeministrit Rama, janë ngjallur debate pa fund. Kush janë për ju: Prof.Aurel Plasari dhe Mero Baze?
    Me Aurelin kam zhvilluar një polemikë para 18 vitesh. E pata kritikuar pikëpamjen e tij mbi “rishfaqjen e Vijës së Theodosit” (imperatori që e ndau Perandorinë romake në dy pjesë), që ai e shihte si fatalitet që edhe sot i ndanë tokat dhe kokat shqiptare. Polemika ishte akademike, por edhe rreth rrënjëve evropiane të shqiptarëve. Koncepti i Aurelit ishte përjashtues, mendonte se vetëm katolikët dhe protestantët janë evropianë me rrënjë. Unë isha për qasje përfshirëse, se ideja e Evropës nuk i përjashton ortodoksët dhe myslimanët. Aurelit si duket edhe sot i ka mbetur hatri pse ideja e tij mbi Kosovën “matanë vijës së Theodosit”, ose jashtë Evropës dhe Perëndimit, nuk doli e saktë dhe vazhdon të më konsiderojë anti-evropian. Sa i përket Meros nuk kemi pasur ndonjë sherr, por as afërsi. Në vitet ’90 ai ka punuar për mediat kosovare që kanë shpifur ose ekzagjeruar argumentet kundër meje, ato që përmenden edhe sot (babai komunist i nomenklaturës titiste, pro-serb sepse kam studiuar në Beograd etj. Mero më së shumti reagoi pse Rama angazhoi dike që për televizionin “Klan” dhe Sali Berishën realizoi sondazhet, që në vitin 2005 dolën të sakta, e më 2009 e 2011 tejkaluan marzhën e gabimit në parashikim.

    Ju e keni sqaruar tashmë etiketimin tuaj si “dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë”, megjithatë, do të ishte mirë të na thoshit pse nuk jeni i tillë. A mund të na thoni disa veprime/vendime tuajat që tregojnë të kundërtën?
    Nuk kam unë si të sqarohem për këtë, ai që akuzon duhet t’i ketë provat. Mund të kërkoni emrin tim ose të shihni blogun tim (http://shkelzenmaliqi.wordpress.com) ku kam postuar një pjesë të artikujve dhe intervistave, prej disa mijëra sosh, si dhe librat e mi në shqip dhe anglisht. Një libër, intervistë e gjatë e Baton Haxhiut me mua është botuar në Tiranë më 2011 nga UET, me titull “Shkëlzen Maliqi: Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera” dhe mund të shkarkohet edhe nga interneti. Aty janë të gjitha sqarimet.

    Kur jeni ‘pajtuar’ me Ramën pas sondazheve të “Gani Bobit”? Ka të bëjë vetëm me sondazhet pas të cilave ai u bind që duhej të bashkohej me LSI, apo ka diçka më shumë se kjo?
    Shikoni, ne që bëjmë sondazhe i analizojmë hollësisht edhe dështimet dhe dobësitë e tyre. Kanë hequr edhe më keq agjencitë me famë botërore, dhe kanë marrë mësime, kanë kërkuar ku ka qenë lëshimi. Duke bërë një seri sondazhesh në Shqipëri, mbi 15 në kohëra të ndryshme, e kemi vërejtur se në sondazhet ku kampioni është tërë Shqipëria marzhi i gabimit ka qenë gjithnjë më i vogël se kur kemi bërë sondazhe vetëm me kampionet e Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. Dhe kemi konkluduar se në Shqipërinë e mesme problem është sinqeriteti i respondentëve nga viti 2008. Një shtresë e tyre e kishte frikë deklarimin e preferencës politike. Identifikuam se këta janë punonjësit në administratë dhe institucionet publike që votojnë PS-në dhe kanë frikë se pushteti po i kontrollon me sondazhe dhe se kjo ua rrezikon vendet e punës. Me televizionin “Klan” u ndava keq në vitin 2011, sepse nuk pranoi publikimin e parashikimit të korrigjuar, ku gara mes Ramës dhe Bashës tregohej e nivelizuar, por u insistua që me grafika ta nxjerrim si fitues Bashën me përparësi bindëse. Unë kam menduar se do të jetë e mjaftueshme nëse e them gojarisht korrigjimin, se kampioni është i devijuar dhe duhet pritur garë shumë e ngushtë, ose edhe e përmbysur në favor të Ramës, çka edhe doli pas numërimit të parë. Kjo është e regjistruar në emisionin e Blendi Fevziut, mund të verifikohet lehtë. Por, të gjithë u kapën për grafikët e parashikimit të devijuar.
    Një tjetër konkludim që kemi nxjerrë nga sondazhet ka qenë se e majta e ribashkuar ka potencialisht më shumë votues se sa e djathta e bashkuar. Këtë storie e kishte dëgjuar Edi Rama dhe e porositi një sondazh të freskët në vjeshtë të vitit 2011, jo nga Instituti ‘Gani Bobi’, por me angazhimin e stafit të këtij instituti dhe nën drejtimin tim, ku e testuam edhe idenë se si do të pritej nga elektorati ribërja e koalicionit të PS-së me LSI-në. Mësimi ishte se kjo mund dhe duhet të ndodhë. Tjetri mësim ishte se Shqipëria tregohej e lodhur nga konfliktualiteti dhe se edhe një pjese të votuesve të djathtë po u dilte qejfit Berisha. Kjo është historia e rastit, e mësimeve nga gabimet, dhe s’ka asnjë të fshehur tjetër.

    Keni deklaruar se me Ramën keni miqësi të hershme. Cilët janë miqtë tuaj të përbashkët?
    Në vitet ’90 kam qenë më i afërt me një grup intelektualësh rreth fondacionit “Soros” në Shqipëri, një kohë ata na u bashkuan në nxjerrjen e shtatë numrave të revistës MM që e botonim në Prishtinë. Është projekt i parë i tillë i përbashkët, në kushtet e vështira, kur i patëm kontrabanduar 500 ekzemplarë të revistës me varka nga ana e Liqenit të Shkodrës, ose i bartnim në sasi më të vogla përmes Maqedonisë me valixhe personale, për ta distribuuar në Shqipëri. Kurse miqësi më të ngushtë kisha me Ramën dhe Fatos Lubonjën, kur edhe ata të dy ishin të afërt. Vetëm se kur Rama filloi karrierën politike Lubonja nuk e priti mirë “ndryshimin” dhe “përshtatjen” e Ramës me ambicien politike, që atij i dukeshin si “tradhti” e idealeve të aktivistit të shoqërisë civile. Me Lubonjën në atë kohë pata zhvilluar polemikë private përmes postës elektronike, ku unë e arsyetoja Ramën, kurse ai e kritikonte gjithnjë e më ashpër. Rama atëherë perceptohej si “parashutist” në politikë, një si kalorës i vetmuar që nuk mund të bëhet lider me përkrahje të gjerë. Ishte atipik, individualist, me shije të veçantë, cinik, por me një karizëm të një njeriu që ka vizion dhe sheh më larg dhe e bën ndryshimin. Ai kishte ide largpamëse edhe si ministër i Kulturës, por shkëlqeu si kryebashkiak, duke e transformuar Tiranën në mënyrën që nuk ia gjen krahasimin. Nuk ka qenë vetëm pastrim dhe pikturim fasadash i një çorodie dhe shëmtie të anarkisë që kërcënonte me urbanicid, por injektim i frymës së re që Ramën e bëri të pëlqyer dhe popullarizuar, shpresë e të gjithë atyre që ishin të lodhur nga konfliktualiteti i binomit Sali Berisha – Fatos Nano... Rama i dha tranzicionit shqiptar një dimension të kreativitetit në politikë që hapte rrugët përtej karakterologjisë së politikanëve të tranzicionit që edhe ish-enveristët edhe anti-enveristët i shndërroi në kreatura pragmatiste dhe llomotiste, në neo-bizantinë që ushqehen vetëm me teori komploti dhe intriga, dhe mbahen në pushtet dhe opozitë jo me programe konkrete, por duke akuzuar dhe sulmuar tjetrin. Ky ishte binomi Berisha-Nano. Rama, edhe me mjete të politikës bizantine, sepse ndryshe s’do të realizohej, e mundi Nanon dhe tani edhe Berishën. Sot Rama promovon një program dhe ekip krejtësisht të ri. Kjo e ka rrezikun e vet, kafshët politike bizantine nuk e kuptojnë, por është përpjekje legjitime dhe me sharmin e ribërjes së skenës politike, gjë që duhet të reflektohet edhe nga demokratët e Bashës, nëse marrin mësime nga humbja e thellë e 23 qershorit.

    Si janë raportet tuaja me të djathtën tani që ju u pozicionuat majtas? Keni pasur kontakte me emra të së djathtës dhe me shefin e ri të opozitës?
    Me orientim politik unë jam më afër demokracisë sociale, kam qenë edhe themelues i një partie të këtij orientimi në Kosovë në vitet ’90, edhe anëtar i Kuvendit të Kosovës që nuk u themelua kurrë, derisa nuk ua delegova të tjerëve vullnetarisht postin e kryetarit. Pas luftës kam qenë një herë në listën e Partisë Reformiste Ora, me Veton Surrojin, që ishte si një aleancë qytetare e parapaguar për dështim sepse injoroi elektoratin. Mendoj se në hapësirat shqiptare nuk ka parti të majta dhe të djathta, por një lëmsh që duhet reflektuar mirë dhe ribërë skenat politike. Unë shkruaj komente politike çdo jave sipas bindjes dhe jo me porosi. Sa i përket pjesës së pyetjes nëse kam pasur kontakte me Berishën apo Bashën, përgjigja është Jo. Asnjëherë nuk kam kontaktuar me ta, dhe këto kanë qenë takime të pakta, mbi bazat e ndonjë afrie ideologjike. Kam bërë sondazhe edhe për ta si për Metën dhe i kam prezantuar rezultatet. Asgjë më shumë. Ka qenë si puna e avokatit me klientin.

    Si ju erdhi propozimi i Ramës?
    Ishte një konsultë paraprake e ndërmjetësuar nga Baton Haxhiu nëse do të pranoja një detyrë të tillë. Pastaj Rama erdhi në Prishtinë dhe folëm për modalitetet parimore. Procedurë normale.

    Çfarë keni marrë përsipër të bëni, çfarë do të synoni me detyrën tuaj?
    Kryeministri Rama e ka si njërin nga prioritetet zhvillimin e raporteve sa më të mira me rajonin, dhe këtë në korrelacion dhe funksion të intensifikimit dhe të thellimit të marrëdhënieve me Kosovën... Detyra ime do të jetë që ta këshilloj për këto prioritete.

    Në Tiranë është folur për një kundërshti tuajën mbi sulmin e NATO-s në Serbi më 1998. Cili ka qenë qëndrimi juaj për këtë ndërhyrje dhe a e shihni njësoj edhe sot?
    Është gënjeshtër se e kam kundërshtuar bombardimin e Serbisë në vitin 1998. Unë kam menduar se Serbia është dashur të bombardohet edhe gjatë luftës në Bosnje, pasi ka qenë agresion i komanduar nga Beogradi. Ajo që më veshët si mëkat nga kjo periudhë mbase ka lidhje me keqinterpretimin e drojës që e kam shfaqur në një debat televiziv dhe shkrimet e asaj kohe, nëse UÇK-ja do të mund ta fitonte luftën frontale me forcat superiore të Serbisë. Në atë kohë intervenimi i NATO-s nuk ishte opsion i sigurtë dhe droja që do të përfundonim si Bosnja ishte reflektim legjitim sepse popullsia civile në Kosovë pësonte shumë nga strategjia e hakmarrjes masive nga soldateska serbe (toka e djegur!). Sikur që sot Perëndimi heziton që të intervenojë në Siri, ka pasur edhe atëherë hezitime te disa vende të NATO-s për intervenim ndaj Serbisë sikundër edhe sot kemi vende anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Cilat duhet të jenë raportet e Shqipërisë me Serbinë, Greqinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë?
    Duhet të jenë raporte fqinjësore sa më të mira edhe për arsye se në këto shtete jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh.
    Shqipëria dhe Greqia janë ‘përplasur’ së fundmi për çështjen e kishës në Përmet. Por, kjo nuk është as e para, as e fundit herë, kemi parasysh këtu edhe çështjen e toponimeve greke në pasaporta. Pezull mbi marrëdhëniet mes dy shteteve është edhe e ashtuquajtura
    marrëveshje e detit.

    Cilat duhet të jenë lëvizjet e qeverisë së re me fqinjin jugor?
    Sipas mendimit tim qeveria e re nuk duhet t’i lërë më këto çështje, por t’i zgjidhë ato me bisedime. Nuk janë çështje që nuk mund të zgjidhen. Dhe nuk i shoh si përplasje shtetesh, por si provokime që vijnë nga forcat ekstreme që kërkojnë jo zgjidhje, por sherre.

    Si e shihni ju sot çështjen çame, cila do ishte zgjidhja për të?
    Gjëja e parë që duhet të zgjidhet është lejimi i çamëve që të lëvizin lirshëm dhe të rikthejnë në posedim pronat e tyre. Është absurde që Greqia ende i mban ligjet e një lufte që ka mbaruar para 60 vitesh. Pastaj, duhet biseduar pa komplekse për standardizimin e të drejtave të minoriteteve nga dy anët, por jo për lëvizje kufijsh dhe përvetësime të kishave dhe besimtarëve ortodoks. Kisha ortodokse shqiptare është autoqefale, dhe nëse duhet të ketë kisha greke në Shqipëri, atëherë le të ketë edhe kisha ortodokse dhe xhami për shqiptarët në Greqi. Janë gjëra që zgjidhen kur ekziston vullneti dhe respektohen parimet, por e keqja është se provokohemi nga ekstremët luftënxitës.

    Çfarë do të këshillonit për qëndrimin e Shqipërisë mbi Luginën e Preshevës e të drejtat e shqiptarëve duke marrë shkas nga incidentet që ka pasur atje?
    Edhe këtu duhet të aplikohet parimi se ç’ka përfitojnë serbët në Kosovë nga ligjet e avancuara që i kemi në Kushtetutë, duhet t’i kenë shqiptarët e Luginës në Serbi. Përndryshe bëjmë dallime raciste, që serbëve edhe kur janë pakicë u jepen të drejta ekskluzive, kurse shqiptarët duhet të kënaqen me ato pak që u ofron Beogradi.

    I njëjti problem është edhe në Maqedoni sa u takon marrëdhënieve të shqiptarëve me shtetin maqedonas dhe të drejtave të tyre... Si mund të ndihmohen ata?
    Në Maqedoni ekziston një marrëveshje historike e Ohrit që nuk është jetësuar deri në fund. Kusht i stabilitetit të Maqedonisë është që kjo marrëveshje të realizohet dhe nëse shfaqet nevoja edhe të avancohet mbi parimet që fuqizojnë barazinë.

    Si këshilltar i kryeministrit që do qeverisë Shqipërinë, por që duhet të mbrojë edhe interesat e shqiptarëve përreth Shqipërisë, cilat duhet të jetë sipas jush politikat që duhet të ndjekë Tirana zyrtare, që të mos konsiderohet më si puthadorase ndaj shteteve të tjera?
    Tirana zyrtare gjithnjë ka qenë konstruktive në raport me fqinjët duke mos eksportuar ekstremizëm ose shfaqur pretendime territoriale ndaj shteteve përreth. Kjo duhet të mbetet, por jo me çmimin që përmendet ju, duke e ulur kokën para shantazhimeve. Politikat parimore, reciprociteti dhe sinqeriteti janë parakushtet për mbarëvajtjen e marrëdhënieve me shtetet fqinje. Aq më parë që këto shtete duhet të binden që të mos e kenë dronë nga funksionalizmi i hapësirës kulturore shqiptare në rajon, që po bëhet realitet. Po kështu, mendoj se edhe aksioni i nënshkrimit të peticionit për anulimin e Konferencës së Londrës që e ka nisur Koço Danaj nuk është diçka që mund të kthejë në jetë Shqipërinë natyrale. Secili ka të drejtë të shkruajë peticione, por është iluzion që të përkrahet revizioni i Londrës, sepse kjo do të hapte rrugën edhe për revizione të tjera të traktateve dhe konferencave të padrejta gjë që politikën ndërkombëtare do ta kthente sërish në një lëmsh dhe fushë të minuar.

    Ju do të zhvendoseni në Tiranë me marrjen e detyrës?
    Po, patjetër.


    (e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •