-
Mjeshtër i Lartë i Shëndetit, Doktor Zenel Kazhani.
2009-shtypi ditor-gazeta Ndryshe
• Dr.Zenel Kazhani është mjeku i parë i rrethit të Matit i lindur në Burgajet në 2 Shkurt të vitit 1934. Familja njihet për traditat në rrafshin e bujqësisë. Në moshën 10 vjeçare bëhet pjesë aktive e luftës shqiptare ndaj pushtuesit nazifashist. Në vitin 1948 dallohet si vullnetar në ngritjen e hekurudhës Peqin-Elbasan. Kryen arsimin në shkollën shtatë vjeçare, më tej gjimnazin në shkollën e mesme mjekësore dhe në vijim pas akordimit në 1949 të bursës në Politeknikumin kombëtar mjekësor studion për mjekësi në Institutin Mjekësor në Tiranë duke u kulmuar me rezultate maksimale në diplomimin e vitit 1952.
• Nëntor 1957- emërohet mjek në Spitalin e Burrelit. Doktor Zeneli kulmohet në përkushtimin për ti shërbyer vendlindjes dhe matjanëve edhe pse në vështirësi në hapat e para të rimëkëmbjes së sistemit shëndetsor mbas luftërave botërore.
• 1959- zgjidhet drejtor i qendrës shëndetësore të Burrelit dhe në vitin 1960 shef i shëndetsisë për mbarë rrethin e Matit. Dhjetë vjet drejton Spitalin e Burrelit duke kontribuar në mënyrë themeltare për ngritjen e Spitalit të Ri.
• 1978 –Përfundon me sukses kursin pasuniversitar si mjek infeksionist dhe punon i specializuar duke ndjekur deri në fund shërimin e sëmundjeve infektive në popullatën e prekur gjerësisht.
• Zgjidhet deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë gjatë diktaturës si njeri idealist e i butë dhe për më tepër si profesionist ekselent në mjekësi.
• Njihet si mjeku dhe organizatori drejtues i shëndetsisë me autoritet absolut e të padiskutueshëm në mbarë trevat e Matit ku ndoqi shtrat më shtrat, shtëpi më shtëpi, e fshat më fshat deri në shërimin lëngatat e dhimbjen e dhjetëra mijëra të sëmure mirënjohja e të cilëve është dhe emblema e tij prej humanisti të shenjuar.
Vepra humane që sfidon harresën e shenjon Mendjen e Bukur të Shëndetësisë Shqipe, Zenel Kazhani si një Shpirt në Dritë që shëtit me siluetën e qeshur përkrah matjanëve të tij,që me lindjen e diellit e përëndimin e përskuqur mbi lumin legjendar të Matit në rrjedhat e Përjetësisë dhe kopshtet e begata hijesuar nga liset e moçëm të Paqes.
Monumenti i vlerave të Jetës Spitali i Burrelit me emblemën e Zenel Kazhanit skedon aktet e shërbimit shëndetsor në qendrat rurale si Derjan, Klos, Martanesh e Krastë. Në mënyrë sistematike Dr. Zeneli njihej për organizimin e kontrolleve e ndihmave me grupe ekspertësh në aktivitete farmaceutike e stomatologjike edhe jashtë sferës së profilit të tij si mjeshtër infeksionist. Këto misione ishin informale dhe zgjatnin me ditë deri në orët e mbrame të natës.
Perfeksioni shpalohet në njohjen e thellsishme deri në detaje të aktivitetit ekonomik e financiar të spitalit me inspektimin dhe kontrollon e imët të ushqimit, lavanterisë , menaxhimin e drejtë të medikamenteve.
Në punën e efektshme të autoambulancave dëshmoi interesin dhe vlerësimin maksimal me postulatin se kur nuk shkojnë mirë punët e prapavijës, nuk ka sesi të rrjedhin mirë krejt sektorët e Shëndetësisë.
Monografia e autorëve Bashkim dhe Petrit Frangu ‘’Mirënjohje për njerëzit që kanë ikur” në qasje enciklopedike ndaj personaliteteve të rrethit të Matit, e skicon portretin e Doktor Zenelit si ish student i sapodiplomuar në politeknikumin mjeksor të Tiranës me nota të larta emocionale.
Personalitete shtetëror ndër dhjetëvjeçarë si ish Ministri i Shëndetsisë Ciril Pistoli, zëvendës ministrja Vera Pojani, në dokumentacionin e vlerësimit të punës së tij përtej 35 vjetarit zyrtar, artikulohen maksimalisht ndaj korrektesës model dhe përkushtimit të pandalshëm. Thuhet se institucioni të cilin Zenel Kazhani e drejton krahasuar me vitet para ardhjes së tij ka pësuar shndërrime të dukshme, veçmas në drejtim të shërbimit të personelit, higjienës ekstreme, rregullit e disiplinës spitalore. Rrjedhoja e ndryshimit ishte titulli i fituar asokohe i Spitalit të Burrelit si ‘’Institucioni i 25 Vjetorit”.
Inicjati i mjekësisë moderne në rrethin e Matit, fisniku Zenel Kazhani veçohet me pjekurinë e maturinë prej dijetari kurorbardhë. Profesionalja e lartë dhe thellësia e njohjes shkencore materializoheshin në prekjen fshat më fshat e shtëpi te matjanët e tij që vuanin lëngatat e sëmundjeve infective. Devocioni ndaj njeriut të afërt, duke i qëndruar me orë e ditë mbi krye deri në shërimin e plotë e shenjon Doktor Zenelin me simbolin e sakrificës njerzore përtej bluzës së bardhë të papërlyer si dëbora e patretshme e kreshtave të maleve matiane. Pinjoll i familjes burgajetase tejet të respektuar Kazhani dhe emri i mirë i mjekut të papërsëritshëm i tejkaloi kufijtë fisnorë e krahinorë për të mbërritur te thelbi vlera e shëndetit si bukuria e paçmuar e jetës.
Pa gjumë, pa shplodhje e më shumë larg të dashurve të familjes, kjo ishte formula e kryemjekut të pashëm, fisnik e tejet të dashur në komunikimin e përditshëm me të sëmurin.
Kufizimi i pashmangshëm i luftës brenda llojit që zbatohej gjatë diktaturës prej kastës drejtuese të Partisë së Punës, nuk u kursye edhe ndaj Personalitetit të Doktor Zenelit duke e sulmuar mbi origjinën e familjes dhe pikërisht për faktin që xhaxhai i tij kish qenë një oficer i lartë i Mbretit Zog. Ndëshkimi i helmët ishte shkarkimi i menjëhershëm në stilin e kohës nga posti i drejtorit të spitalit dhe transferimin për specializim në Tiranë.
Në situatën e nderë pas goditjes nga pushteti diabolik, Dr. Zeneli jep një përgjigje lakonike : “Mbaj përgjegjësi për të gjitha të metat që kanë vartësit e mi si drejtor i Spitalit të Burrelit!”
Vepra e studiuesit Ferit Këputa me titull Vështrim Historik mbi Shërbimin Shëndetësor në Mat shpërfaq në kolanën e profesionistëve të mjekësisë të flijuar në punën e tyre pasionante edhe portretin e kryemjekut Zenel Kazhanit në mënyrë sintetike biografinë profesionale dhe momentet e kulmuara të veprës si drejtues dhe zbatues në praktikë i njohurive shkencore.
Më tepër se kaq na shpaloset roli i autoritetit të padiskutueshëm në rritjen e vëmendjes së shtetit shqiptar dhe politikës së asaj kohe ndaj mirëqenies së banorëve të një treve që ish shënuar me rreth të kuq si vendlindja e familjes mbretërore shqipe, armikut parësor të diktatit, dhe mbarë matjanët mbaheshin nën presion të vijueshëm me Burgun e Zi të Burrelit dhe detyrimin për të punuar si nxjerrës kromi në miniera pavarësisht prirjeve dhe aftësive të dhuruara prej natyrës dhe Krijuesit.
Nga rrëfimet e familjarëve më të afërt si bashkudhëtarja e jetës së mundimshme e të bukur me përparësen bardhoshe,kryemamisë pritëse të sa e sa jetëve të fëmijëve shqiptarë të mbarë kategorive sociale të prindërve që prej politikanëve të lartë, ushtarakëve, mësuesve, bujqve e intelektualëve zonjës Lule Kazhani pasqyrohet me dashuri figura e përndritur e një ati të kompletuar, profesionisti tejet të përgjegjshëm për të cilin janë dhjetëra mijëra familje të rrethinave të Matit që veç mirënjohjes iu përgjigjën përgjatë jetës me vlerësimin më të lartë si prijës i mbarë komunitetit.
Megjithëse për asnjë sekondë nuk iu largua detyrës së shpëtimtarit të të sëmurëve dhe netëve të panumërta të gdhira jashtë vatrës familjare, sipas zonjë Lule nënë e tre fëmijëve të rrallë e të talentuar dhe gjyshe e gjashtë nipave e mbesave të shëndetshëm, Doktor Zeneli diti të dojë dhe të gjejë kohë aktive për t ia zbukuruar të jetuarin të dashurve të zemrës.
Legjenda e mjekut që rrallkush i afrohet për nga kompleksiteti i vlerave të mishëruar në shtatin e lartë, vështrimin burrëor, fjalën e mjaltë e me peshë mbërriti në gjallje deri në krahasimin nga banorët me një personazh tejet popullor të kinemasë italiane dhe ekranit Komisar Katanin, pra shprehur ndryshe si “Zenel Katani” për nga sensi i ndjeshëm i drejtësisë sociale dhe pastërtia si figurë publike.
Si deputet i rajonit te Matit, personifikon faktorin vendimtar të ngritjes së Spitalit të Burrelit. Këmbëngulja e vullneti i pandërprerë mundësuan edhe ngritjen e qendrave shëndetsore në Macukull, Lis e Baz dhe në kreshendon e fashitjes së sëmundjeve ngjitëse të kohës, uljen e vdekshmërisë foshnjore, progresin e kulturës shëndetsore deri në higjenën familjare matiane.
Duke e kthyer autoritetin e vetvetishëm e të merituar në popullatë, në dobi të pasurimit të laboratorëve të Spitalit të Burrelit , funksionimit të suksesshëm të autoambulancave në çdo skaj zonave pllajore e malore dhe shpesh herë duke i shëtitur si këmbësorë te përzënia e vuajtjes e dhimbjes gdhendi në portretin e qeshur jo vetëm njeriun e mirë por burrin e zotë që është në gjendje të ringrejë edhe një qytet me fuqinë e besimit dhe vullnetin pozitiv për ndryshim.
nga
Andi Bica
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt